Kremtimi i 70- vjetorit të vendosjes së diktaturës, fyerje kombëtare ndaj familjeve të ish të përndjekurve politikë

    363
    Sigal

    I kujtojmë Kryeministrit aktual se janë 4500 qytetarë shqiptarë që u vranë pa faj nga kjo datë që ju e kremtoni

    Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik po ndjek me shumë vëmendje dhe urtësi situatën politike në vend dhe shpreh indinjatën e thellë ndaj maxhorancës politike aktuale, për veprimet politike që po merr në përkujtimin e një date dhe një viti që i kanë sjellë Shqipërisë diktaturën më  të egër në Europë.

    Shoqëria shqiptare sot përballet  me një tranzicion anemik e të pa planifikuar, kaosi  i të cilit mundon qindra mijëra shqiptar dhe po shkakton  një konfuzion të gjithmbarshëm  në mendjet  e individëve  dhe të kolektivit  shqiptar. Sot Shqipëria  ende e pa shëruar nga plagët  e murtajës komuniste, ende e trazuar  nga mbeturinat  helmuese të saj në jetën e përditshme e në ndërgjegjen e secilit,  mban të gjallë një të kaluar  monstruoze  që refuzon të vdesë  dhe nuk gjen  fuqi të mjaftueshme për t’u shquar në shoqërinë e re demokratike. Në këtë mes të padëshirueshëm, ne dëshmitarë të epokës diktatoriale  që kaluam  kalvarin e mbijetesës, kemi të drejtën legjitime  të flasim e të denoncojmë,  sepse heshtja është e papranueshme përpara dëshmorëve të fjalës së lirë e viktimave të diktaturës.  Para pak ditësh kjo qeveri me papërgjegjshmërinë që e karakterizon, nxori vendimin për të  përkujtuar 70 -vjetorin e të ashtuquajtur “çlirim” dhe kremtimin e sajë më datën  29 nëntor, duke marrë nga taksapaguesit shqiptare një fond financiar prej 1.000.000 milion dollarësh. Mbas 24 vitesh, shoqëria shqiptare përballet me një revansh diskriminues  e urrejtje në përkujtimin e një date, që Shqipërinë dhe shqiptarët i shkëputi nga Europa  nga demokracia euroatlantike dhe i  shkaktoi popullit shqiptar një gjenocid çnjerëzor me humbje jetësh njerëzore e me një kalvar vuajtjesh 45- vjeçare , e me shkatërrimin e familjeve fisnike kombëtare.

    70 vite më parë në Shqipëri u vendos sistemi diktatorial dhe më datë 29 nëntor 1944  mori pushtetin dhe e sundoi me ligjin e xhunglës  duke vrarë e dënuar  shqiptarët. Mbas 24 vitesh tranzicion, ku nuk u dënua  regjimi dhe krimet e tij, trashëgimtarët e regjimit diktatorial  sot maxhorancë në pushtet pa i vrarë ndërgjegjja,  përgatiten të kremtojnë ditën e zezë për shqiptarët,  ku 70 vite ma parë, diktatori  Hoxha mori pushtetin me vrasje dhe me përkrahjen e armiqve shekullor  anti- shqiptarë siç ishin Serbia e  Rusia dhe, duke ndërprerë marrëdhëniet me vendet perëndimore  dhe aleancën euroatlantike. I  rikujtojmë maxhorancës , bilancin e krimit komunist që nga përmasat si vend e popullsi zë vendin e parë në Europë.

    Statistika shtetërore e krimit komunist 45 -vjeçar në Shqipëri që solli 29 Nëntori 70 vite më parë

    Të  ekzekutuar për motive politike 5037 burra dhe 450 gra
    Të   dënuar me burgosje politike  21.788 burra dhe 7367 gra
    Të internuar për motive politike  48.217 burra dhe 10.792 gra

    U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje
    U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj

    U burgosën 1215burra dhe 38 gra te huaja me kombësi jo shqiptare
    95 shqiptarë kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan

    U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolik 120 veta

    U ekzekutuan dhe u burgosën  klerikë bektashian 83 veta

    U ekzekutuan dhe burgosën  klerikë mysliman  60 veta

    U ekzekutuan dhe burgosën klerikë ortodoksë 39 veta

    U shkartuan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare

    Xhami 740,

    Kisha, manastire katolike 157

    Teqe , tyrbe 530  Kisha manastire ortodokse 608,

    Të gjithë këta shqiptarë u akuzuan pa faj u pushkatuan pa faj,  u dënuan pa faj,  u internuan pa faj.

     Këta klerikë katolik e myslimanë ortodoksë  e bektashinj, u pushkatuan pa faj. Këto krime monstruoze i solli kjo datë  që është 29 nëntori e që sot mbas 24 vitesh pluralizëm  pushteti aktual politik ia servir popullit shqiptar si datë “çlirimi’. Sot pa  i vrarë ndërgjegjja fitoren e luftës së  dytë  botërore ja faturojnë datës 29 nëntor  ditës së zezë të shqiptarëve që u vendos regjimi enverist që për përmasat e krimit ua kaloi te gjitha vendeve diktatoriale në Europë.

     I kujtojmë Kryeministrit aktual se janë 4500 qytetarë shqiptarë që u vranë pa faj nga kjo datë që ju e kremtoni si “çlirim” dhe ka nga 24 vite që familjet kërkojnë eshtrat e tyre që t’ju ndërtojnë një varr, e të qetësohen shpirtërisht ..1.00000 dollarë duhen harxhuar zoti Kryeministër jo për të nderuar kriminelin dhe krimet e tyre , por për të nderuar dëshmorët e fjalës së  lirë, e viktimat e asaj diktature.

    Nga kryeqendra e veriut të vendit, në Shkodrën e martirizuar nga regjimi që solli 29 Nëntori, 70 vite më parë. Ne ju apelojmë:  Jo kremtim datash selektive të diktaturës, jo nderime pushtetit diktatorial. Zoti Kryeministër, me këto kremtime të datave që u kanë sjellë popullit krime ju prishni ekuilibrat e një shoqërie. Këto kremtime sjellin urrejtjen ndasitë e shoqërisë. Ne falëm që krimi të dënohet nga drejtësia, por ne nuk mund të lejojmë që ju dhe maxhoranca juaj të përbuzni viktimat dhe heronjtë e fjalës së lirë,  duke u fshehur e manipuluar mbas fjalës “çlirim.”. Çdo tendencë përçmimi nga pushteti i  juaj ne do të ju përgjigjemi me të njëjtën monedhë..

     Është koha që të gjithë forcat antikomuniste, institucionet fetare, partitë, intelektualët me mendim liberal , media progresive , të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekje të mbarsur  me moral pervers që po kërkon t’i serviret dhe t’i imponohet brezit të ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm  për një shoqëri demokratike. Shoqëria shqiptare ka nevojë për pajtim kombëtar dhe jo për urrejtje e ndasi. Boll kemi vuajtur nga urrejtja! Është koha e paqes pa nderimin e diktaturës!

                                                

    PRESIDENTI

    Besim Ndregjoni