Krahina e Oparit, pëllëmbë e histori

    2268
    Sigal

     Gaqo Veshi, Luan Islami

                         Opari, pa teprim Zvicra shqiptare

                                                           Nuçi Naçi

          Për të vizituar krahinën më malore të rrethit të Korçës, Oparin, janë dy “porta” të mëdha. Mund të kalosh nga Kotovjati i Gramshit  drejt honeve, shkëmbinjve e dredhave të shkëmbit të Dobërçanit, nga mund të soditësh ujëvarat me ujë të pastër kristal e të shkrumbëzuar, që zbresin nga “karakollet” e maleve të lartë dhe zbresin poshtë drejt kanioneve të lumit të Devollit, që çan grykat tejpërtej. Këtu do të ndërtohen hidrocentralet e mëdhenj, të Banjës në rrethin e Gramshit dhe i Moglicës në krahinën e Oparit, do të formohet një ujëmbledhës i madh, që do të arrijë deri në Denas të Oparit të Sipërm.

           Sa arrin në qendër të komunës, që ka ngritur selinë e saj  në fushën e dikurshme të Gopeshit, ku është ngritur fshati i ri i Moglicës. Dikur ky fshat me histori të lashtë, shtrihej sipër dhe arrinte deri në malin e kullotat e Lenies. Por në shkurt të vitit 1977 rrëshqiti tabani i tokës dhe shtëpitë filluan të rrëzohen njëra pas tjetrës. Përballë kësaj fatkeqësie u mobilizua i gjithë vendi, me në krye oprakun, mjeshtrin e dalluar, Osman Dëllinja. Kështu, brenda 35 ditëve u ndërtuan rreth 100 apartamente, buzë lumit të Devollit.

           Si çdo fshat i kësaj krahine, edhe Moglica ka historinë e vjetër edhe të re, që me Muharrem Benë në luftë kundër pushtuesve osmanë e andartëve grekë e më pas me Hasan Bej Leshecin, komandantin e çetës partizane në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, të formuar në vitin 1942. Madje, edhe me çetën nacionaliste të Musa Beut, që mori pjesë në aksione luftarake kundër zaptuesve fashistë, si në Snosëm të Gramshit etj..

           Moglica, dikur një fshat i madh, shquhet për mbarështrimin e bagëtive, sidomos të dhenve. Ajo është e përmendur për djathin e saj, si Gopeshi për pekmezin, aq sa në pazarin e Korçës thuhej: “Djathë Moglice, pekmez Gopeshi dhe gjalpë Backe” (fshat në Skrapar, poshtë Qafës së Martës)

           Si përshëndetesh me Kryetarin e Komunës, Afrim Beqiraj dhe me disa nga punonjësit e tjerë të kësaj qendre administrative. Si merr premtimin e tyre se vitin tjetër, kjo rrugë nga Kotovjati i Gramshit në Moglicë e deri në Lozhan të Gorës do të jetë riparuar dhe asfaltuar, vazhdon rrugën në të dy krahët e lumit, rrëzë maleve e shkëmbinjve të thepisur, ku kanë zënë vend fshatrat e Oparit të Poshtëm. Secili prej tyre, i madh apo i vogël të ketë qenë, ka historinë e tij, të vjetër dhe të re. Kalon rrugën plot dredha e gropa, që pret të sistemohet e asfaltohet, shikon urën me qemer dhe shenjat e një dege të rrugës “Ignatia”, për të cilën jep shpjegime arkeologu N. Ceka. Sipër rrëzë malit të Sogorës, është fshati Dobërçan, që dikur kishte rreth 100 shtëpi e për ‘të kënga popullore thoshte: “Dobërçani teferiç,/ Ujë shumë e bukë hiç”. Tani në këtë fshat “me ujë shumë e bukë hiç” shikon kompleksin, që ka ngritur biri i këtij fshati, biznesmeni  Fluturim Zëra. Të përshëndesin banesat, stallat, komplekset blegtorale të reja, ashtu siç i kërkon koha e sotme. Hedh sytë drejt malit përpjetë dhe shikon kopenë e dhenve mbi një mijë e ca krerë, tufën e lopëve mbi pesëdhjetë të këtij biznesmeni oparakt, që ka përtëritur traditën e lashtë të blegtorisë të kësaj krahine, ashtu si e kërkon koha e sotme.

           Kalon urën mbi lumin e Devollit dhe të del përpara Zereci, me histori të vjetër e të re. Nga ky fshat e ka origjinën dinastia e madhe e Muzakajve. Në Bungë, kur dikur ishte kisha e Shën Mërisë, sipas Memories të Gjon Muzakës të vitit 1510, janë varret e gjyshit e të gjyshes së tij, njëri nga ana e lindjes të oborrit të kishës dhe tjetri nga ana e perëndimit. (Fatkeqësisht gërmadhat e saj u prishën gjatë kohës së kolektivizimit të bujqësisë për të hapur toka të reja). Të del përpara liqeni i bukur i këtij fshati, aq sa 123 vjet më parë patrioti “Mësuesi i Popullit” Nuçi Naçi, kur vizitoi Oparin, do të thoshte: “Në do të shohësh Zvicrën, shko në Zerec… Ky është fshati i Shaban Zerecit, një nga pjesëmarrësit aktive të “Kryengritjes së Fierit kundër monarkisë e që në qershor të vitit 1942 formoi çetën Gorë-Opar, e para në Qarkun e Korçës dhe e treta në Shqipëri, pas asaj të Pezës e të Skraparit. Është vendlindja e komandantit trim të çetave partizane për çlirimin e Voskopojës më 16 janar 1943. Jo larg Zerecit është fshati i vogël, por me histori të madhe, Rrosoveri. Nga ky fshat e kanë origjinën Qyprillinjtë, me në krye Mehmet Ali Pashën, që modernizuan Egjiptin e krijuan një dinasti, e cila vazhdoi rreth 200 vjet. Për këtë dinasti, me origjinë nga Opari, Profesori Aleksandër Xhuvani ka shkruar një broshurë të tërë.. Këtej e ka origjinën edhe shkrimtari Fatmir Gjata.  Rruga të tërheq drejt Vrëpckës, ku të bijë në sy teqeja bektashiane e lënë pas dore, që të kujton vrasjen me tradhti të “Robi Hudit” të Oparit, Shahin Matraku më 1908-n.

           Fshatrat  kësaj krahine janë pëllëmbë e histori. Udhëtari vazhdon rrugën dhe mbërrin në Dushar. Aty të duket sikur do takohesh me kryengritësit e viteve 1700, kundër zaptuesve osmanë, me Ibrahim Burrin “Sherrbelanë” (si e kishin etiketuar armiqtë, se nuk i linte të “qetë” të rripnin e të shfrytëzonin popullin) Sikur do të piqesh me Hysen Zelën e Avdyl Hazizin, prijësit e kryengritjeve të vazhdueshme kundër sunduesve osmanë. Në krye të fshatit të duket sikur ka dalë të të presë me derë të hapur Mehmet Dushari, pjesëmarrësi fare i ri me armë në dorë në “Lidhjen e Prizrenit”, luftëtarin kundër andarteve grekë të vitit 1914, si thotë kënga: “Ja po zbret Opari, zhveshur jataganë,/ Grekun nuk e duam, jemi shqiptarë./ Në na pyetshin kë keni të parë,/ Vetë e kemi zgjedhur Mehmet Bej Dusharë”, krahinorin e kësaj krahine me qendër në Lavdar, caktuar nga qeveria e Vlorës. Të bëhet sikur aty do të gjesh Kostë Skënderin, duke shkruar historinë e Voskopojës. Prandaj edhe kënga thotë: “Voskopoja me Oparë,/ Janë një e të pandarë./ Kanë një gjak e një zakon,/ Shën Prodhomi i bekon”.

           Ecën rrugës të lënë pas dore, që pret të sistemohet e të asfaltohet dhe, si kalon me radhë Varvarën, Maliq Oparin, sipër në pllajë duket Kucaka, një nga qendrat kryesore të luftës çlirimtare, ku ka ndenjur për një kohë edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Fshati, ku nuk mundi të shkelë kurrë këmba e armikut. Binjake me të është Popçishti, që ndan kufirin ndërmjet Oparit dhe Gorës. Ky fshat në lashtësi ishte i lidhur me dinastinë e Matrangëve. Edhe vetë biri i këtij fshati, kapedan Shahin Matraku, nga kjo derë e madhe e ka prejardhjen.

     “Portat” e tjera për të hyrë në Opar janë “Qafa e Martës”, “Qafa e Beçit” dhe “Kulat e Gjergjevicës”. Kur zbret nga këto të fundit, përballë të del  Gjergjevica. Në këtë fshat më 1919 u mblodhën 500 vullnetarë oparakë, nën komandën e Mehmet Dusharit dhe pritën Sali Butkën, të cilët në emër të “Lidhjes së Shqipërisë Lindore, i dërguan ultimatumin francezëve, që mban qytetin me qëllim që t’ua dorëzonin grekëve. “Lironi Korçën brenda 24 orëve. Në mbarim të afatit do vijmë ta marrim vetë”. Edhe gjatë sundimit fashist këtu u krijua çeta partizane “Ostrovica” me komandant Agush Gjergjevicën.

           Sa del sipër mbi fshat, në “Lind” duket Opari si në pëllëmbë të dorës, që nga “Qafa e Martës, në majën e Ostrovicës e deri në “Bofnjë”, zbret rrugën e vështirë plot dredha, gropa e brigje dhe gjendesh në Shkozanjin e arrave të shumta. Nga ky fshat e ka origjinën Kampioni i Botës në Ssportin e Mundjes, Petro Strugji. Ky është fshati i Fejzulla Shahinasit, mësuesit të gjuhës shqipe që nga viti 1909. Është vendlindja e dëshmorit Feim Mroçi, që në vitin 1914 dha jetën në Pogradec, kundër rebelëve e bashibozukëve të Haxhi Qamili. Përtej, në majë të shkëmbit të sheh syri gërmadhat e Punëmirës, djegur e shkatërruar nga armiqtë gjatë  luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Është fshati i komandantes së “Çetës së shoqeve”, Kleopatra Sofroni (Maliqi). Poshtë shkëmbinjve të saj të thepisur, ku dikur ishin ngritur shtëpitë me mure të trashë si kala, është fshati Denas, ku ka lindur më 1911-n Mihallaq Denasi, juristi më i mirë i Qarkut të Korçës që nga shpallja e pavarësisë e deri sa ndërroi jetë.

           Pastaj vijnë fshatrat më të dy krahët e lumit të Çemerricës, ku po ndërtohen tre hidrocentrale, një në Marjan, i dyti në Xerje dhe i treti në Denas. Nga “Lindi” deri në Marjan mund të shkosh rehat në rrugën e re, që ka ndërtuar biznesmeni oparak nga Gjonbabasi, Bajram Hoxhallari. Poshtë rrugës duken shtëpitë e Gurrmujasit. Në këtë fshat ka lindur një nga luftëtarët më të shquar të çetës së Sali Butkës kundër andartëve grekë, Asllan Gurra dhe e motra e tij, nënë Pashakoja, heroina e filmit “Yje të netëve të gjata”. Edhe gjatë luftës antifashiste në këtë fshat patrioti Asllan Gurra krijoi e komandoi çetën partizane “Kurora”, që nga dita e parë e krijimit të saj deri sa ajo u shkri në batalionin “Tomorri”. Ky fshat është vendlindja edhe atij që arriti të bëhet Shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Sanu Meçollarit. Rruga e re të çon në fshatin Gjonbabas i fshehur mes gjelbërimit. Ky fshat pas përmbysjes së diktaturës u braktis nga shumë banorë, por tani të zë syri shtëpi të reja deri në tre kate që po ndërtojnë banorët e tij. Gjonbabasi të kujton masakrën e andartëve grekë më 1914-n, kur vranë dhe e hodhën në lumin e Çemerricës, Lilo Mujollarin dhe rrëmbyen minorenen Behare. Rruga e re, që fillon nga “Lindi” mbaron në Marjan. Ky fshat përmendet në memorien e Gjon Muzakës, ku kjo dinasti e madhe mbarështronte blegtorinë në malin e tij të përmendur. Në shekullin e XVII-XVIII-të, ku fshat kishte më tepër se 280 shtëpi të mëdha, të ndërtuara majë shkëmbinjve, që nga larg dukeshin si kala. Në to rridhte uji i ftohtë, që vinte nga Ostrovica. Rrugët i kishte të shtruara me kalldrëm. Burrat e shumtë që ka nxjerrë ky fshat gjatë historisë janë të shumtë. Këtej e ka origjinën Viktor Karapaçi, që veprat e tij janë çmuar kryevepra në shekullin e XVI-të. Edhe drejtori i “Akademisë së Re” të Voskopojës, Teodor Kavalioti ose ndryshe Dhori Nastas Zhava nga ky fshat e ka origjinën. Pashaj i Janinës bashkë me kryearkitektin e tij, oparakun Petro Korçari, me origjinë nga Lavdari i kësaj krahine, kishin ardhur në këtë fshat për të ndërtuar në kala në Ostrovicë, si “karakoll” jo vetëm për të vëzhguar Oparin e Korçën, por edhe më tej, deri në Berat e Vlorë… Nga Marjani ishte edhe Mihal Simo Miha, profesor i frëngjishtes në shkollën amerikan “Robert Kolezh” të Stambollit… Historiani i madh, krenaria e shkencës, akademiku i shquar i Rumanisë dhe i disa akademive europiane, Nikolla Jorgji (Jorga) ishte djali i një muratori nga Marjani. Fan S. Noli do të kishte letërkëmbim të vazhdueshëm deri në fund të jetës me shkrimtarin oparak nga ky fshat, Milto Sotir Gurra. Nga Marjani ishte edhe fotografi i shquar Kristo Shuli, apo “Kristo Shqiptari” (siç e thërrisnin), që fotografoi maleve komitët e lirisë dhe shkollën e parë shqipe në Korçë. Edhe “Artisti i Popullit”, kompozitori Kristo Kono, po nga ky fshat e kishte prejardhjen, ashtu si dhe “gardiani” i portës së skuadrës së futbollit “Skëndërbeu”, Klani Marjani, që ngriti Kupën e Kampionit të Shqipërisë, në vitin 1933.

           U braktis Marjani ndër vite, por të gëzon fakti kur sheh shtëpitë dhe vlerat e reja, që janë ndërtuar e po ndërtohen. Kur sheh e dëgjon zilet e këmborët e bagëtive sipër malit të tij të rrallë për nga bukuria e hijeshia. Dhe gëzohesh kur sheh “dallëndyshet” që po kthehen përsëri në çerdhet e vjetra, për ta bërë Marjanin fshatin më të madh në Oparin e Sipërm.

           Përtej lumit të Çemerricës vijnë me radhë fshatrat: Lekasi, qendra e komunës me të njëjtën emër. Banorët e tij janë mjeshtra për t’i dhënë gurit jetë. Sipër tij, matanë “Bregut të Madh”  është Tudasi, vendlindja e Feko Tudasit, kryetar i një dege të “Shoqërisë Vatra” më Amerikë. Aty lindi e ndërroi jetë edhe Rakip Llapanji, që erdhi me bandën “Liria” nga Amerika për të marrë pjesë në luftën e Vlorës, kundër zaptuesve italianë më 1920. Në fund të këtij fshati, rrëzë shkëmbit të zë syri kishën e Shën Triadhës, ndërtuar nga zonja Ana Muzaka në vitin 1970, një monument kulture nga më të lashtit në Qarkun e Korçës. Gati lagje e Tudasit është Lavdari, kryeqendra e 37 fshatrave të krahinës së Oparit, “Hyqymet” gjatë sundimit osman,  komunë gjatë monarkisë e lokalitet pas çlirimit, deri sa u shpërngul e u vendos në Lekas. Nga ky fshat është kryearkitekti i Pashallëkut të Janinës, Petro Korçari. Lavdari përmendet se aty në vitin 1852, sipas Edwin E. Jacques, në librin “Shqiptarët”, mësuesi i shkollës përdorte abetaren e Veqilharxhit për t’u rrënjosur nxënësve dashurinë për atdheun dhe gjuhën amtare. Ndërsa në vitin 1900 hapet shkolla shqipe, ku dha mësim në gjuhën amtare, “Mësuesi i Popullit” Nuçi Naçi e që e vazhdoi më tej mësuesi, po nga ky fshat, Kristaq Xega. Kjo shkollë mbrohej nga Shahin Matraku dhe çeta e tij. Edhe piktori i traditës, Spiro Xega, që ka pikturuar  tablonë “Çeta e Shahin Matrakut në majë të “Përroit të Thellë” mes pishave, në këtë fshat ka lindur. Po nga ky fshat i vogël është edhe tenori me famë botërore në operën bullgare, Jorgji Xega, apo sekretari i çetës të Sali Butkës, Petraq Katroja. Në këtë fshat u krijua çeta partizane  më 16 nëntor 1942. Lavdari ka qenë qendra e Luftës Nacionalçlirimtare për Qarkun e Korçës. Aty kishte selinë Shtabi Partizan i Qarkut, Komanda e Vendit, Intendenca, punëtoria që meremetonte armët. Që nga ky fshat gjatë Luftës Nacionalçlirimtare bëhej lidhja telefonike deri në Berat e Vlorë. Aty, më 24 korrik 1944, u formua edhe Ansambli i Ushtrisë. Lavdari është edhe vendlindja e “Nderit të krahinës” Miçe Veshit, delegat i rinisë oparake në Kongresin e Rinisë në Helmës të Skraparit më 8 gusht 1944. Ai që projektoi e ndërtoi hidrocentralin e Qelidhonit si dhe rezervuarin e madh të Çemerricës për vaditjen e tokave të krahinës së tij, ashtu si ndërtoi edhe rrugën automobilistike nga Shtylla deri në Mazërrekë, sinor me “Qafën e Beçit” . Poshtë Lavdari është ish- fshati i vogël me tetë shtëpi, Karbanjozi, që i dha luftës 10 dëshmorë dhe një “Hero Populli”. Është fshati i luftëtarit dhe pjesëmarrësit të çetës së Sali Butkës, Pandi Leço (Karbanjozi), sipërmarrës dhe ndërtues, si thotë kënga: “Usta Pandi copa, copa,/ Bëre Durrësin si Europa”. Njeriu që shoqëroi Ismail Qemalin nga Durrësi në Vlorë dhe përgatiti ballkonin, ku plaku i Vlorës ngriti flamurin e Skënderbeut. Në këtë fshat ka lindur edhe Bardhyl Taçi, që komandoi aviacionin shqiptar 15 vjet me radhë. Përballë tij është “Ballkoni i Oparit”, Protopapa, ku u krijuan dy brigada partizane, e XV-ta dhe e XX-ta. Është vendlindja e komandantit të çetës së Oparit, Xume Protopapa dhe e delegatit në Kongresin e Përmetit, Sulejman Mara (Protopapa) Rruga nga Lavdari të shpie në fshatin Brozdovec, ku në vitin 1942 u krijua çeta partizane me komandant Koçi Meçen (Brozdovecin). Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare aty kishte qendrën punëtoria partizane. Ky fshat përmendet edhe për shkëmbin e tij, ku më 1914-n andartët grekë hodhën Gaqo Lenon, njeriun që shpuri letrat e Sali Butkës për pleqërinë e Voskopojës dhe solli përgjigjen e tyre. Ndërsa në vitin 1944, nga dëshpërimi në këtë shkëmb u hodh Xhemilja e Tudasit, kur nazistët gjermanë i vranë djalin e vetëm  Si kalon “Osmën Pashën” (si duket aty do të jetë vrarë ndonjë pasha turk) arrin në Mazërrekë, fshat i përmendur për tufat e blegtorisë e kullotat e saj të “Malit të vjetër”. Kalon lumin e Beçit dhe arrin në fshatin e vogël Misras. Aty gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ishte spitali partizan. Është fshati i “Piktorit të Popullit” Guri Madhi dhe i anëtarit të “Shoqërisë Puna” të Korçës e luftëtarit të orëve të para, Misto Misrasi. Më tej udha të shpie në “Vilën” e bukur të fshatit Opar, të patriotit Mandi Bica. Duke mos harruar edhe Osojën “nënë hije”, fshatin e Dhosi Havjarit, përgjegjësi i arsimit në Republikën e Korçës, të kryesuar nga Themistokli Gërmënji. Por Opari ka edhe shumë figura të mëdha. Nga kjo krahinë është Usta Mehmet Isaja, që ndërtoi Taxh Mahalin në Hindi, një nga mrekullitë e botës. Oparak është edhe Kostandin Çekani, që ishte në majat e qarqeve intelektuale europiane, që ka mbajtur një sërë leksione në universitetet e Europës, apo shkencëtari Jorgji Kosta, burri, shkencëtar i madh që drejtonte observatorin e Athinës.

           Një tablo të gjallë për krahinën e Oparit na e jep “Mësuesi i Popullit” Nuçi Naçi, kur vizitoi këtë krahinë në verën e vitit 1900. Ai e përshkoi këtë krahinë që nga “Qafa e Martës”, në “Qafën e Beçit” e deri në “Qafën e Gjarprit”, nga Marjani deri në Zerec. Ai thotë se nëpër malet, pyjet e stanet, pashë banorët e Oparit shumë të shquar, që kanë fytyrë të thjeshtë shqiptare dhe gjuhën e flasin thjesht shqip. Se në të gjithë fshatrat e kësaj krahine pa një vëllazërim të mirë midis myslimanëve e të krishterëve. Pa malet e veshur, që i ka pajisur Zoti me kurorën madhështore të Ostrovicës. Pyjet, fort të bukur, që nga madhështia që u ka falur natyra, janë kaq të tmerrshëm, sa i shtien frikë të madhe udhëtarit. Atij i bënë përshtypje njerëzit e thjeshtë e të dashur. Në çdo fshat të kësaj krahine gjeti mikpritjen oparake. Pa pyje të shumtë e livadhe, sa kur shkoi në Dushar bari ishte aq  gjatë sa nuk mund të shkoje dot kaluar. Në çdo gjysmë ore kishte nga një burim me ujë të ftohtë. Një përshtypje të madhe i bëri mësuesit të shqipes liqeni i Zerecit me bukuri të veçantë në një vend malor, ku asnjë lumë nuk derdhej në të dhe asnjë përrua nuk rridhte prej tij. Nuk lë papërmendur edhe dëborën që gjeti në Ostrovicë në mes të korrikut. I pëlqeu shumë klima e Oparit, ajri i freskët dhe i shëndetshëm dhe qetësia në mes të maleve e pyjeve. Këtë qetësi e prishte ushtima e ndonjë përroi me ujë të pastër e të ftohtë dhe këmborët e bagëtive, që i qenë qepur pllajave të Ostrovicës me krye deri në re. Kaq shumë i pëlqeu atij Opari, sa vajti i dobët në këtë krahinë dhe brenda një muaji, kur u thye në Korçë miqtë nuk e njohën aq ishte shëndoshur.

           Përshtypjet për këtë krahinë, që “Mësuesi i Popullit” Nuçi Naçi, e quajti “pa të tepërt, Zvicra shqiptare” i botoi po atë vit në “Kalendarin Kombëtar” të Sofjes, me titullin: “Një vështrim mbi Oparin”.