KQZ vendos sot për Tahirin, Selamin e Rroshin

494
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të diskutuar kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e mandateve të dy deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Sipas strukturës së prokurorisë për dekriminalizimin, të tre zyrtarët janë gjetur në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kanë deklaruar dënime që kanë marrë dhe vuajtur në disa shtete të BE-së.

Ndaj, ky komision vendosi të thërrasë në seancë dëgjimore dy deputetët, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri si dhe kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi. Për të tre, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi zyrtarisht heqjen e mandateve për shkak se janë objekt i ligjit për dekriminalizimin. Mandati i tre të zgjedhurve është vlerësuar nga Prokuroria e Përgjithshme në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit dënime dhe vepra penale që kanë marrë dhe vuajtur në disa shtete të Bashkimit Europian.

Të 3 të zgjedhurit janë ftuar të paraqesin argumentet e tyre për t’i ballafaquar ato me rezultatet e verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila gjeti se deputeti i Vlorës, Dashamir Tahiri; kolegu i tij nga LSI, Shkëlqim Selami si dhe kryebashkiaku Elvis Rroshi kishin fshehur dënimet dhe çështjet penale që kishin marrë jashtë vendit.

Në mbledhjen e sotme është paraqitur vetëm Shkëlqim Selami, i shoqëruar nga avokati i tij, Genci Çifliku. Ndërsa Dashamir Tahirit përfaqësohet vetëm nga avokati i tij Fatmir Braka, dhe po kështu edhe Elvis Roshi, i cili përfaqësohet nga Theodhori Sallaku.

REZULTATET E PROKURORISE
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e mandatit të deputetit Dashamir Tahiri, për shkak se në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave, ndërsa në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata e Ravenas me 9 muaj burg për përdorim të një lejeje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Tahiri ka dhënë si shpjegim faktin se nuk ishte në dijeni se ishte dënuar. Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami nuk ka deklaruar për një masë sigurimi “arrest me burg”, nxjerrë ndaj tij nga ana e Gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “trafikim të qenieve njerëzore”.

Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë në vijim të hetimit. Ndërsa kryebashkiaku Elvis Rroshi akuzohet për përdhunim në grup në vitin 1995, ka përdorur disa emra në Zvicër që s’i ka treguar edhe është arrestuar për trafik droge, ndërsa në vitin 2015 DEA informoi autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi, për trafik droge dhe pastrim parash.

KQZ nuk pritet të ketë një vendim gjatë mbledhjes së sotme, ndërsa komisionit i duhet të përcaktojë edhe një procedurën sesi do të veprojë me këto raste, ndërsa ajo nuk është e qartë në ligjin e dekriminalizimit. Vendimmarrja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të jetë e vështirë dhe nën debate të shumta.

Kryetari i KQZ-së, Denar Biba, disa ditë më parë gjatë një interviste televizive deklaroi se duke qenë se ky është rasti i parë i realizimit praktik të rregullimeve që ka parashikuar ligji për dekriminalizimin, vendimmarrja do të përcaktojë precedentin, i cili do të ndiqet edhe me raste të tjera të mundshme, duke garantuar se institucioni i drejtuar prej tij do të analizojë me kujdesin maksimal çdo detaj ligjor. Për miratimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të të zgjedhurve, 4 nga 7 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të votojnë pro.