KQZ-ja anulon mbledhjen e thirrur nga anëtarët e PS-së

519
Sigal

“Është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren”

Dje 2 anëtarët e KQZ-së, që janë të zgjedhurit e PS-së, u munduan të organizojnë mbledhjen e KQZ-së, mirëpo pala tjetër nuk pranoi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagon pas mbledhjes së thirrur dje nga nënkryetari Denar Biba. Sipas KQZ-së kjo mbledhje është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e KQZ.
“Mbledhja e thirrur për sot (dje) nga dy anëtarët është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së. Në nenin 22 të Kodit Zgjedhor është përcaktuar se mbledhjet e Komisionit mund të thirren nga kryetari ose të paktën dy anëtarë të tij. Në zbatim të kësaj dispozite dy anëtarë të KQZ-se kanë ushtruar të drejtën për të thirrur mbledhjen duke përcaktuar njëkohësisht edhe rendin e ditës. Referuar nenit të sipërcituar dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, konstatojmë se edhe pse e drejta e dy anëtarëve për të thirrur mbledhjen e KQZ-së është një e drejtë e ligjshme, kjo kërkesë duhet të ndjekë procedurën e parashikuar në nenin 19 pika 2, 3 dhe 4 të Rregullores së KQZ-së”, thuhet në reagimin e KQZ-së. Në përfundim KQZ thekson se duke gjykuar se kjo mbledhje është thirrur ne shkelje të procedurës së përshkruar me sipër dhe anëtaret e KQZ-së nuk disponojnë materialet, objekt i kësaj i mbledhjeje, kjo mbledhje nuk mund te zhvillohet. Ndërkaq mbledhja e zyrtare e rradhës e KQZ-së është njoftuar për ditën e nesërme në orën 13:00, ku përveç çështjeve të tjera janë parashikuar për t’u trajtuar edhe çështjet e mbledhjes së kërkuar nga dy anëtarët. Një ditë më parë nënkryetari i KQZ, Denar Biba lajmëroi thirrjen e mbledhjes për ditën e sotme. Temë kryesore e kësaj mbledhje pritej të ishte nisja e procedurave për projektet e teknologjisë për zgjedhjet 2013, si  dhe emërimi i auditeve të KQZ pranë Ministrisë së Brendshme.

Qysh në fillim me ngërçin politik në KQZ, po vihen në dyshim ndershmëria dhe besueshmëria e zgjedhjeve të 2013-s

 Rishpërndarja e mandateve të deputetëve mund të shkaktojë krizë kushtetuese

KQZ-ja është mbërthyer në një ngërç politik, derisa nuk mund të marrë dot një vendimmarrje për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet e 2013-s. Afati ligjor për të depozituar ankimimin në Kolegjin Zgjedhor, skadoi të hënën që shkoi, KQZ-ja nuk mundi ta miratojë as në parim projektvendimin që paraqiti për rishpërndarjen e mandateve në bazë të të dhënave që paraqiti në KQZ Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Çështja e shpërndarjes së mandateve është më e komplikuar se ç’mund të duket.

Ndarja e mandateve bëhet çdo 4 vjet, pasi dhe Kushtetuta dhe Kodi thonë  se zgjedhjet janë periodike çdo 4 vjet dhe përfaqësimi bëhet në raport të drejtë me popullsinë. Kjo gjë del qartë dhe në Kodin Zgjedhor në nenet 74 deri 76 ku jepen kriteret dhe procedurat. Neni 76 trajton kryesisht periudhën kur bëhet shpërndarja, procedurat  dhe detyrimin për ta bërë këtë për  çdo kuvend, pra çdo legjislaturë.

Neni 76

 Procedura dhe periudha e përcaktimit të mandateve

 1. Si rregull 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me kërkesë të KQZ-së, dërgon numrin e përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

2. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 75 të këtij Kodi dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve.

3. Në çdo rast numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore miratohet jo më vonë se 6 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

 Siç  shihet Kodi ka detyruar qartë që Kuvendi 6 muaj përpara fundit të mandatit të  tij duhet të miratoje mandatet e Kuvendit pasardhës. Prandaj përdor shprehjen në çdo rast, pra deri në 7 mars 2013. Si rrjedhin në kushtet kur nuk ka vendim të KQZ-së deri tani pasi vendimi s’ka marrë 5 votat, e vetmja rrugë e zgjidhjes është konsensusi në KQZ. Nuk ka asnjë hapësirë  ligjore për interpretim që mandatet e 2009-s  të mbeten në fuqi, pasi vendimi i KQZ dhe i Kuvendit i vitit 2009 thotë  “shpërndahen mandatet për zgjedhjet e vitit 2009 dhe i humbet efektet juridike me këtë Kuvend. Madje, Kodi përjashton rishpërndarjen vetëm për zgjedhje të parakohshme”.

Nëse deri në 7 mars nuk ka një vendim të KQZ dhe Kuvendit atëherë problemi mund të kthehet kushtetues pasi nuk ka mandate të miratuara  dhe bie në kundërshtim me parimin kushtetues që ku thuhet zgjedhjet janë periodike dhe se përfaqësimi duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, dhe ndarja e 2009 e cenon këtë parim. Edhe në vitin 2009 ky vendim është marrë në mars të vitit 2009.

Rruga më e arsyeshme dhe ligjore  e zgjidhjes të rishpërndarjes të mandateve të deputetëve mund të jetë që KQZ të shqyrtojë vetë çështjen deri para datës 7 mars meqenëse nuk ka vendim të marrë  dhe Kodi detyron nxjerrjen e një vendimi, përndryshe vendi do të hyjë në një krizë kushtetuese dhe çështja e zgjedhjeve dhe standardi i tyre mund të vihet në diskutim nga çdo palë.

 Rishpërndarja e mandateve është vetëm fillimi i ngërçit politik që po tensionon që në fillim klimën parazgjedhore. KQZ-ja, gjithashtu, e ka të pamundur që të gjejë konsensusin politik për  ndarjen administratës  zgjedhore ZAZ, pasi konsensusi i parë, midis PD-PS për ndarjen e ZAZ-ve në 76, u rrëzua, pasi PD-ja solli një projekt tjetër, që kërkonte shtimin e numrit të ZAZ-ve, deri në 100, e cila u hodh poshtë dhe nuk u miratua nga anëtarët e KQZ-së, që i përkasin opozitës. Mosarritja e konsensusit në KQZ për rishpërndarjen e mandateve të deputetëve, si edhe për ndarjen administratës zgjedhore  dëshmon që palët politike nuk kanë vullnet politik të arrijnë një konsensus për çështjet themelore të procedurës zgjedhore, pasi palët politike më shumë përpiqen që të sigurojnë avantazhe zgjedhore në interesin e tyre, në dëm të palës tjetër. Mosgjetja e konsensusit në KQZ për rishpërndarjen e deputetëve vjen ngaqë ministria e Brendshme refuzon- deri tani- që të paraqitë argumentet e rritjes të popullsisë në 4 komunat e qarkut të Kukësit, duke u justifikuar me ligjin për Gjendjen Civile, për ruajtjen e të dhënave personale.