Kozma GJINI/ Ç’i shkruan myzeqari Presidentit amerikan?

    532
    Sigal

    Sot, datë 17 mars 2014, mbushen plot 94 vjet nga dita që ish-Kryebashkiaku i Lushnjës, z.Besim Nuri, i shkruante letër Presidentit të Amerikës z.Willson. Çfarë të bie në sy duke lexuar këtë letër të shkruar afër një shekulli më parë? Së pari, spikat fryma patriotike,  atdhedashuria e autorit për t’iu gjendur vatanit në këtë kohë të vështirë, kur 1913-ta e kishte copëtuar vendin mes shovinistëve fqinjë. Së dyti, autori paraqitet si një burrë inteligjent, i kulturuar, njohës i situatës botërore përderisa ka ditur të zgjedh një mik të tillë amerikan, si personin më me influencë prej të cilit kërkon ndihmën shpëtimtare të vendit. Së treti, shfaqet besimi, shpresa dhe lutja që i bën ai Naltmadhënisë Willson që të ndërhyjë për të mos lënë fqinjët imperialistë lakmitarë të fusin duart në tokën tonë, por edhe e sinjalizon atë se në të kundërt, kjo do të shkojë deri  “me derdhë gjakun…”. Ajo që të tërheq vëmendjen është këndvështrimi i autorit të letrës lidhur me qëndrimin ndaj Kosovës dhe Çamërisë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk janë zgjidhur problemet themelore që lidhen me këto pjesë të së tërës, pasojë e vendimeve famëkeqe të së shkuarës. Në cilësinë e të zgjedhurit dhe përfaqësuesit të popullit myzeqar, z. Besim Nuri, nxitur prej situatës së rrezikshme që kërcënonte vendin, vetëm pak javë pas ngjarjes madhore, Kongresit Kombëtar të Lushnjës, me një patriotizëm të flaktë e vizion të qartë perëndimor, merrte guximin t’i shkruante presidentit të shtetit më të fuqishëm dhe demokratik të botës, z. Uillson me qëllim që të ndalonte dorën e pushtuese të shteteve fqinje nën thirrjen “…I nalti kryetar,… shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan  e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit  t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdh gjakun  e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëve…”. Dihet kontributi i Presidentit Willson, i cili nuk lejoi copëtimin dhe kthimin e vendit tonë në protektorat të të huajve. Studiuesi dhe punonjësi i Muzeut, Niko Ferro, tregon se letra origjinale ndodhet në Arkivin e Shtetit dhe se është e shkruar me lapës, por e hedhur në shtyp me makinë dore (shkrimi). Letra flet edhe për karakterin e njeriut guximtar myzeqar, i cili pa përfillur rreziqet që mund t’i ndodhnin, kërkon shpëtimin e vendit. Është një letër e thjeshtë unikale për kohën, me frymë patriotike dhe me përmbajtje tejet të rëndësishme me karakter kombëtar, pa ndërhyrje gjuhësore, madje me gabime, siç gjenden në realitet. Kuptohet, Letra mban vulën e kohës. Vini re!

    “…   Shkëlqesisë së Tij Willson, kryetar t’Amerikës i Shteteve të Bashkuem Washington.

    Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh.S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt  zanit të nalt e mëshirmadh  që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne. I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit  t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me dedhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet  imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-s, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak  krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufitë natyrale ethnografike të sh.S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. Kryetari i Katundarisë së Lushnjës. Lushnjë, më 17.3.1920”

    -Kjo ishte letra. Po cili ishte autori i saj, z.Besim Nuri?

    Besim Nuri ishte një ndër burrat e Myzeqesë që vlerësohet mes të tjerëve edhe për gatishmërinë për mbrojtjen e trevës, që së bashku me patriotë të tjerë u vunë në krye të organizimit të kryengritjes kundër pushtuesve osmanë. “Liria e Shqypnisë”, 7 korrik 1911 shkruante: “…Llazar Bozo, Ikonom Dhima, Besim Nuri, Jovan Ndreko, Taullah Sinani, etj., hartuan e realizuan planin e kryengritjes së armatosur kundër garnizonit turk me qendër në Lushnje”. Më vonë do ta shikojmë Besim Nurin si një ndër organizatorët dhe mbështetësit kryesor, i besuar në anëtarësinë e komisionit nismëtar të Kongresit të Lushnjes, (kryetar i komisionit) së bashku me F.Vokopolën, I.Karbunarën, Ll.Bozon, N.Sefën, T.Sinanin, etj. Ajo që të bie në sy, kur lexon letrën e z. Nuri, është edhe gjuha, fakti i të shkruarit me një përzierje dialektesh (veri-jug). Siç lexohet, aty gjejmë të folurën e përzier të dy dialekteve të Shqipërisë, edhe toskërishten, edhe gegërishten. Përdorimi i dialektit gegërisht duket në shkrimin e foljeve, mbiemrave, përemrave dhe të emrave. Ja:

     mbështetun, munde me kjen, ka drejtu vështrimet, kanë mbështetun,  jeni tye kryer, me dedhë gjakun, me vdek, asht m’i Vjetri në Ballkan, shpresat e gjallnisë, kanë mbështetun tanë shpresat, falenderjet e paraqituna, I nalti kryetar, Mëma e tyre Shqipni, përkundrejt zani, shpresat e gjallnisë, atdheut tyne etj…

    Autori, duhej të kishte karakteristike përdorimin e të folurit krahinorë të Myzeqesë ku përdorimi i rëndomtë i pathelluar bisedor zhduk disa tinguj që gjithsecili e kupton domethënien psh: mo i lini, për (mos i lini), shpëtoni (nji) popull, për (shpëtoni një popull) etj. Ndërsa pjesa tjetër i përket të folurës letrare- normale. Si shpjegohet që ky letërshkrues i trevës së Myzeqesë, (edhe pse me origjinë nga Berati) ka përdorur të dy dialektet në një letër me dhjetë rreshta?

    Është kjo si rrjedhojë e ndikimit të rrethit shoqëror, bashkëpunëtorëve, e shkollimit jashtë apo e transkriptuesit?

    – Le të shohim se kush ishte Besim Nuri?

    “Besim Nuri lindi në Berat më 1885, nga një familje qytetare e varfër. Mësimet e para i mori në Berat. Studimet i vazhdoi në Stamboll.Në vitin 1907, vjen familjarisht në Lushnjë. Shquhet për veprimtari atdhetare. Mori pjesë në Komisionin Nismëtar për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, ku u zgjodh dhe kryetar. Nga viti 1919 deri më 1925, ka qenë Kryetar Bashkie për nënprefekturën e Lushnjës. Ai ndihmoi shumë edhe në komisionet e tjera, si atë të strehimit,të mbrojties, te veshmbathjeve. Në vitin 1925, burgoset nga Ahmet Zogu. Si rezultat i protestave të popullit, lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, në mars te vitit 1935”.

     Kjo ishte CV-ja e shkurtër e Besim Nurit, e cila ndodhet edhe në Arkivin e Muzeut Historik të qytetit. Duke parë CV-në e tij, lë të kuptohet se do aludohet të jenë arsyet e përdorimit të dy dialekteve:  Ose arsimimi i tij, ndikimi i librave gjatë  studimeve në Stamboll (po të kemi parasysh se atje shkonin nga të gjitha trevat e vendit), ose ndikimi prej rrethit shoqëror kudo që shkoi deri edhe si i burgosur nga qeveria e Zogut. Gjithsesi, vlera dhe rëndësia historike e letrës mbetet drejtimi thelbësor kombëtar patriotik drejtuar një miku amerikan si z.Willson. Të mos harrojmë: Shkruar një shekull më parë!