Kozeta Mamaqi/ Historia jetësore e çiftit, Viktori Gjikondi dhe Hilmi Thaçi, në vitet 1947, kur Shqipëria ishte në marrëdhënie m

    839
    Sigal

    Jeta e  saj, një roman i pashkruar

    -Pak biografi

    Viktori Gjikondi, sot po i afrohet 93 vjeçëve. Rron me të birin, Draganin dhe bashkëshorten e tij, Irinin. Është gjyshe e dy mbesave, Holtës dhe Eldës. Është e gëzuar, ndonëse jeta e saj ka qenë fort e trazuar.

    Ka lindur në Vlorë, por me origjinë është nga Lekli i Tepelenës. U diplomua në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, në vitin 1940. Nxënëse shumë e mirë. Pasioni i saj ishin leximi i librave dhe pianoja.

    Si mbaroi shkollën, punoi pak kohë si mësuese e më pas, me fillimin e luftës, nisi veprimtarinë ilegale. U emërua kryetare e gruas antifashiste për qarkun e Vlorës. Ka qenë, gjithashtu, anëtare e këshillit antifashist në këtë qark. Ishte e survejuar. E arrestuan dhe e futën në një birucë, ku ishin edhe gra të tjera, mes tyre edhe Qeriba Derri, e cila u pushkatua dhe u shpall edhe Heroinë e Popullit pas çlirimit të Shqipërisë. Në atë birucë, Viktoria provoi tortura çnjerëzore. Edhe pse e dënuar me pushkatim, ajo u lirua pas disa muajsh për mungesë provash. Në këtë kohë, i vëllai, Vangjeli e tërhoqi në Tiranë, ku ishte vendosur me familjen dhe punonte si mësues në lice (sot gjimnazi “Q. Stafa”).

    Në Tiranë, Viktoria punoi pranë shtabit ushtarak, që drejtonte luftimet për çlirimin e Tiranës. Ajo e të rinj të tjerë përgatisnin buletinin e përditshëm të luftës nacional- çlirimtare, që shtypej po atje.

    Mbas çlirimit të vendit, Viktori Gjikondi punoi në sektorin e agjitacionit dhe propagandës, fillimisht në Vlorë e më pas në Tiranë. Më 1946, mori pjesë, si përfaqësuese e B.G.A.SH. në Kongresin e grave të Rumanisë. Më 1950 u emërua në Ministrinë e Arsimit, ku punoi për revistën “Arsimi Popullor”. Më 1951 e përjashtuan nga partia. Më pas, e gjersa doli në pension, ajo punoi në seksionin e arsimit, pranë komitetit ekzekutiv të Tiranës, në Institutin e Shkencave, në Institutin e Lartë Ekonomik, si përgjegjëse e bibliotekës. Në këtë kohë vijoi studimet e larta në sistemin e mbrëmjes, që i përfundoi me diplomën “shkëlqyer”. Më 1957, me themelimin e Universitetit Shtetëror, Viktoria punoi në katedrën e financave të fakultetit Ekonomik. Më 1961, ajo u transferua në Bibliotekën Shkencore të Universitetit, si përgjegjëse e sektorit të pasurimit të fondeve dhe shkëmbimit me botën e jashtme, nga ku doli në pension.

    ..Njohja me të…

    18 shtator 2013. Salla e madhe e Muzeut Kombëtar në Tiranë ishte mbushur plot. Isha e ftuar gjithashtu. Do të bëhej promovimi i librit Instituti Femnor “ Nana Mbretneshë”, e shkrimtares Meri Lalaj. Në skenë, foltorja dhe një tavolinë, ku ishin ulur autorja dhe dy gra të moshuara, ish nxënëse të atij instituti. Ishin Viktori Gjikondi dhe Didi Biçaku. Si në çdo promovim, shkrimtarë e studiues, që nga foltorja flasin për librin dhe vlerat e tij, etj. Më e bukura e atij promovimi ishte përshëndetja, që ish nxënësja, Viktori Gjikondi bëri për librin dhe autoren, duke sjellë edhe kujtime nga ato vite, kur kish qenë e re. U befasova me kthjelltësinë e saj, me forcën, që i buronte më shumë nga shpirti, se sa fiziku delikat.

    Në përfundim të promovimit, zemra më çoi drejt tribunës. Prita gjersa zonja Viktori të zbriste shkallët. E përqafova dhe e urova për fjalën e saj dhe instinktivisht e pyeta:

    -Kam pasur një shok në gjimnaz, një djalë të shkëlqyer në mësime, që quhej Dragan Gjikondi. A e keni gjë?

    Nuk arriti t’i përgjigjej pyetjes, sepse në atë çast, njeriu që e ndihmonte duke i mbajtur krahun dhe që më kish njohur, tha:

    -Kozeta, ja ku jam, Jam i biri.

    U përqafuam. Kishim vite e vite pa u parë.

    ..Ditëlindja e 92-të e Viktorisë…

    Disa ditë pas promovimit të librit, me Merin, autoren e tij dhe Takuinën, vajzën e artistes së madhe Jorgjia Trujës, që pat qenë mësuese në Institut, shkuam në shtëpinë e Viktorisë për t’i uruar 92-vjetorin e lindjes. Na priti me gjithë dashuri. U përqafuam e bëmë urimet e zakonshme. Në shtëpi ishte edhe i biri, Dragani, i cili na ofroi gjithë të mirat nga tavolina e mbushur plot me ëmbëlsira e fruta. Filluam bisedat. Kujtime nga shkolla, nga shoqet e mësuesit. Takuina ishte përqendruar në bisedë me zonjën Viktori, ndërsa unë po bisedoja me Draganin…

    Me një fustan të kaltër, me dizenjo ku përziheshin e bardha me të zezën, me sytë që i shkëlqenin nën gjyzlykë, Viktoria s’pushonte duke na kujtuar se duhet t’i provonim ato që ishin shtruar mbi tryezë. Ku e gjente atë energji?! U ngrit, më pas, për të bërë kafetë.

    -Mama, i bëj unë, i tha i biri, por ajo e refuzoi.

    M’u duk si flutur, kur me hap të lehtë iu afrua sobës e filloi t’i përgatiste ato. I hodhi nëpër filxhanë. Në atë çast, Dragani brofi pranë saj, i mori tabakanë për të na servirur kafenë. Ajo buzëqeshi dhe zuri vend në divan,

    Për të ditur diçka më shumë për të, unë e pyeta:

    -Zonja Viktori, a keni fëmijë të tjerë?

    -Jo, vetëm djalin kam. Ngriti sytë drejt tij, ndërsa një psherëtimë e tradhtoi.

    .. Historia për roman…

    Viktoria pati njohur një djalë gjakovar. E quanin Hilmi Thaçi. Rastësia i pat takuar në luftë, kur përgatisnin buletinin e luftës në shtabin për çlirimin e kryeqytetit. Më pas, të dy u ritakuan në Radio-Tirana, të dy tanimë si gazetarë. Ishte viti 1947, kur miqësia Shqipëri-Jugosllavi ishte në kulm. Radio‑Tirana transmetonte lajme në gjuhën serbo-kroatisht, ndërsa Beogradi lajme në gjuhën shqipe. Aty, në radio, gjatë punës së përbashkët, ajo shkëndijë simpatie mes tyre u forcua, aq sa ata u ndjenë sikur ishin bërë për njeri-tjetrin. Kjo dashuri u kurorëzua me martesë, ajo ortodokse dhe nga Lekëli i Tepelenës, ai bektashi nga Gjakova. Ishin të lumtur.

    Për të forcuar emisionin e gjuhës shqipe në Beograd duhet të shkonin dy gazetarë nga Radio‑Tirana. U caktuan të shkonin Viktoria me Hilmiun. Punuan atje si redaktorë, por edhe si spikerë. Patën një trajtim shumë diskriminues. Ndërsa një daktilografiste serbe, që shtypte lajmet në atë gjuhë në Radio-Tirana paguhej sa një funksionar i lartë në Shqipëri, çifti Thaçi në Beograd paguhej aq pak sa nuk mund të përballonin dot ushqimin dhe pagesën në një pension pa standarde, Zhgënjim nga trajtimi që po u bënte një vend “mik”. Viktoria, ndërkohë kish mbetur shtatzënë. Shfrytëzoi pikërisht këtë fakt për t’i bërë kërkesë për transferim drejtorit te Radio–Tiranës, zotit Petro Kita, që për çështje pune, u gjend një ditë të mirë në Beograd. Drejtori i vizitoi nga afër punonjësit e tij dhe u bind që Viktoria kërkesën po e bënte për shkak të atij zhgënjimi e jo se nuk përballonte dot ngarkesën me arsyen e shtatzënisë. Sidoqoftë, dashamirës, ai sapo u kthye në Tiranë, bëri transferimin e gazetarëve për në Radio- Tirana. Kur iu erdhi transferimi në Beograd, ata bënë ndërprerjen e marrëdhënieve financiare. Viktoria u kthye në Tiranë, ndërsa Hilmiu, i cili kishte marrë një bronkopneumoni u shtrua në një spital, në Zagreb. Pasi doli nga spitali, atij i dhanë një muaj pushim shëndetësor. Me mirëkuptim me të shoqen, ai dëshiroi që atë pushim ta kalonte te njerëzit e tij, në Gjakovë.

    Kur Hilmiu u kthye në Tiranë ishte fillimi i vitit 1948. Viktoria kujton, që në ato ditë ai ishte disi ndryshe. Ishte shumë i revoltuar. Fliste me urrejtje për Jugosllavët. Tregonte që kishte parë tmerre në Kosovë. Viktoria habitej me sa dëgjonte dhe i thoshte të fliste me zë të ulët.

    -Ndofta janë rastësore.- i thoshte ajo, kur dëgjonte për raste dhune të treguara prej tij.

    -Jo, e pashë me sytë e mi. Është politikë e orientuar nga Beogradi.

    -Si është e mundur?- pyeste Viktoria dhe tmerrohej,- Si është e mundur? Ai është një vend mik.- Mos fol kështu, se do të të fusin brenda. – i thoshte gruaja, me preokupim.

    Lindi djali. Gëzim i madh në familjen e Hilmi Thaçit. Ishte mars i 1948. Kaluan pak muaj dhe doli Rezoluta e Informbyrosë. Në këtë kohë, Hilmiu, në vend që t’i jepte të drejtë vetes në ato që pat konstatuar dhe të vijonte më pas luftën kundër politikës jugosllave, pikërisht, në ato momente, kur kishin kaluar veç tre muaj që ishte bërë me djalë, ai ikën nga shtëpia për të mos u kthyer kurrë më, duke braktisur, pa asnjë shpjegim, gruan dhe djalin çilimi. Pikëpyetje, pikëpyetje pa fund për gruan, Viktorinë: – Ku iku? Përse e bëri? A ka pasur ndonjë hall të madh? Ai nuk ishte njeri që e merrte jetën lehtë. Ai ishte një burrë i pjekur, i formuar, njeri serioz, i zoti. Kishte koncepte shumë të drejta për jetën. Ishte një baba i dhimbsur dhe bashkëshort shembullor. Pyetje retorike, që për familjen e Hilmiut, mbetën pa përgjigje për më shumë se katër dekada. Kaq ishte dashuria, martesa dhe familja, Vetëm tre vjet dhe vetëm pikëpyetje dhe hamendësime.

    ..Kush ishte Hilmi Thaçi?…

    Ishte nga Gjakova. Rridhte nga një familje e vjetër dhe e njohur atje, familje me tradita patriotike. Gjyshi i tij, Alush Thaçi, ka qenë një nga anëtarët e Lidhjes së Prizrenit. Ka qenë delegat i kryesisë së Lidhjes së Prizrenit në mbledhjen që është bërë në Gjirokastër për krijimin e degës së Lidhjes së Prizrenit për Shqipërinë e Jugut. Është vrarë, duke luftuar me armë në dorë kundër turqve. I ati i Hilmiut, Hulusi Thaçi, ka qenë përkrahës i Bajram Currit. Patriot, që në rrethana të dyshimta është vrarë nga njerëzit e Ceno Beg Kryeziut, madje as varri nuk i dihet. Hilmiu mbeti jetim 10 vjeç. Ishte i madhi i tre djemve në atë familje. Kur ishte ende në shkollën e mesme, vdiq edhe e ëma. Për të tre jetimët, u kujdes një daja i tyre. Hilmiu u rrit me vuajtje dhe përgjegjësinë për rritjen e dy vëllezërve më të vegjël

    Gjatë pushtimit italian, Hilmiu punonte si sekretar i prefekturës së Rahovecit. Ishte vetëm 20 e pak vjeç. Pati mbaruar shkollën bujqësore amerikane të Kavajës, në Shqipëri, që para pushtimit italian. Mbas shkolle punoi pak kohë në Kuçovë, në sektorin e naftës dhe më pas u kthye në Kosovë. U arrestua nga italianët, së bashku me vëllain e vogël. Tentoi të arratisej, por e kapin dhe e burgosin përsëri duke e sjellë në burgun e Tiranës. Mes të burgosurve atje, Hilmiu u njoh dhe lidhi miqësi me njërin, që quhej Janko Havlliçek. Ishte me baba slloven dhe nënë shqiptare. Rridhte nga një familje me origjinë të vjetër çeke, por e vendosur që në kohën e Perandorisë Austro-Hungareze në Lubjanë. E ëma e Jankos ishte nga familja e njohur e Kojave, nga Durrësi. Aq miq i bëri qelia, saqë pinë gjak te njeri–tjetri e u bënë vëllamë. Hilmiu ishte lidhur me kohë me lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare. Në një kohë vakum, që u krijua pas kapitullimit të Italisë, dolën nga burgu dhe vijuan luftën në Shqipëri. Mbas lufte, të dy miqtë e burgut, vijuan miqësinë, sepse Janko nuk u kthye në Lubjanë. Ai filloi punë në Ministrinë e Arsimit në Tiranë e më pas ambasada jugosllave e tërhoqi të punonte, pranë saj si atashe për shtypin e kulturën. Ishte ende koha e miqësisë së madhe mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Janko u bë edhe nuni i djalit të Hilmiut. Emri Dragan, që i vuri djalit, ishte dëshira e tij, një emër tipik sllav, madje kryesisht i përdorur nga serbët.

    ..E vërteta e ikjes mbas 43 vitesh…

    Hilmi Thaçi iku më 1948. Më 1949, Jankon e larguan nga Shqipëria, si person të padëshirueshëm. Pas këtij largimi, ai u kthye në Shqipëri, për herë të parë, në verën e vitit 1991, mbasi kishte ndryshuar sistemi e nuk ishte në fuqi statusi “non grata” për të. Erdhi të takonte farefisin nga nëna, që ishin të shumtë. Jankoja çoi haber te xhaxhai i vogël i Draganit, se donte të takohej me Viktorinë dhe me djalin e Hilmiut. Vajtën dhe e takuan Jankon të dy, ëmë e bir. Për herë të parë, ata dëgjuan të vërtetën e ikjes së burrit dhe atit. Cila kishte qenë ajo?

    Një ditë, Hilmiun e kishin ndaluar persona të sigurimit. E kishin çuar në një birucë, ku i kishin përmendur gjëra, që ai i kishte thënë. Në konfidencë, ai pati shprehur me miq të tij pakënaqësi lidhur me atë, që pas lufte, Partia Komuniste nuk e kishte hapur më problemin e Kosovës, nuk kërkoi të zbatoheshin ato që ishin shpallur si parime të Avnoit, e drejta e popujve të Jugosllavisë, që mbasi të kishin luftuar bashkërisht kundër fashizmit e nazizmit, do të kishin mundësi të vetëvendosnin, gjer në shkëputje të plotë. Kishte shprehur pakënaqësi edhe për disa forma arbitrare, që kishte vënë re gjatë regjimit në Shqipëri, mbas lufte, gjë që nuk përputhej me frymën, me të cilën ishte edukuar në shkollën amerikane. Të gjitha këto, sigurimi i dinte. Ndonjë nga miqtë e tij konfidencialë e pat spiunuar. Në atë birucë, ku u biseduan ato gjëra, veç presionit të madh psikologjik, Hilmiun e kishin dhunuar edhe fizikisht. E kishin goditur me dorezën e pistoletës, duke i çarë kokën e duke e lënë pa ndjenja. Si u përmend, i thanë: – Ti, me këto që ke thënë, je i mbaruar. Do hash plumbin. Ke një shans të shpëtosh veten. Do vihesh në shërbimin tonë. Do bindësh edhe Jankon, sepse e ke si vëlla dhe do të punoni për ne.

    -Do të bëj çmos,- ishte përgjigjur Hilmiu.

    Të nesërmen, kur u kthye në shtëpi dhe e gjeti të shoqen në ankth, i tha asaj se ishte rrëzuar nga biçikleta, ishte çarë në kokë dhe e kishte kaluar natën në spital. Viktoria e besoi.

    Ndërkohë, me shumë kujdes, duke përfituar se ishte edhe kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Jugosllavi, shkoi në ambasadën Jugosllave, ku u takua me Jankon. I tregoi atij gjithçka i kishte ndodhur dhe i kërkoi ndihmë që të kapërcente kufirin, sepse nuk kishte rrugëdalje, o do hante plumbin, o duhej të ikte.

    –      Mirë, ke të drejtë, por nuk mund të lësh këtu Viktorinë me djalin- i pati thënë Janko.

    –      Po si t’i marr more Janko? Do kaloj kufirin ilegalisht. Dragani është vetëm 3-muajsh. Po sikur të qajë në kufi? Na zbulojnë e na vrasin të gjithëve.

    –      Po, po, ke të drejtë. Po, të paktën, tregoi Viktorisë se si e ke hallin.

    –      Jo, nuk mund t’i them asgjë.

    –      E ke detyrim t’i thuash, e ke grua.

    –      E di, por nuk i them gjë.

    –      Po përse?

    –      Dëgjo Janko, unë gjërat që pata thënë në konfidencë, sigurimi i dinte një për një. Në qoftë se Viktoria do ta dijë të vërtetën, ndofta në një moment mund të mos e mbajë dot. Dikujt do t’ia thotë. Dhe ja, i vajti në vesh sigurimit. E nëse ata e marrin vesh, që ajo e di pse i ka ikur burri, do e pësojë edhe ajo, si bashkëpunëtore. Duke mos e ditur, të paktën Dragani do të jetë i sigurt me nënën e tij.

    Këto kishin qenë rrethanat, që Hilmiu pati në mend për të mos i thënë të shoqes asnjë gjë, për të mbajtur në kurriz gjithë jetën përgjegjësinë e një ikjeje pa sqarim, gjë që vërtet atij i ka rënduar shumë shpirtërisht.

    (Vijon neser)