Kozeta KURTI/E Drejta për Kujdes

    454
    Sigal

    Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Kombet e Bashkuara kanë shpallur se mosha e fëmijërisë ka të drejtë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë. Duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi. Sipas Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, cilësohet se me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, ratifikuar nga vendi ynë më 27 Shkurt 1992. Çdo fëmijë ka të drejtën e përkujdesjes e nëse kjo përkujdesje nuk sigurohet nga prindërit e fëmijës duhet të sigurohet nga shteti nëpërmjet “përkujdesjes alternative”. Por sot ne shohim një numër të madh fëmijësh që ndodhen jashtë kësaj përkujdesjeje jo në kohën e duhur dhe jo me përgatitjen e nevojshme. Bazuar në Ligjin e Statusit të Jetimit fëmijët në institucionet shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror përfitojnë deri në moshën 15 vjeç me mbarimin e shkollës së detyrueshme 9-vjeçare. Pas kësaj moshe fëmijët largohen nga qendrat e përkujdesjes duke u strehuar në konviktet e shkollave profesionale dhe përballuar me një situatë dramatike për mbijetesën e tyre. Si në perspektiven sociale dhe atë psikologjike kjo nuk është e përshtatshme për zhvillimin e normal të fëmijëve dhe të rinjve. Ata hasen me vështirësi duke filluar me mungesën e personave dhe strukturave mbështetëse. Edukim jo cilësor dhe ndërprerjen e studimeve, në shumë raste ata kanë vetëm arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Probleme sociale dhe ekonomike, ndihmë ekonomike minimale, me të cilat nuk plotësohen dot as nevojat bazë, kequshqyerje si pasojë e të ardhurave minimale, izolim social, përfshirja në aktivitete ilegale ose varësi ndaj substancave narkotike, jo të paktë janë të rinjtë që shfaqin probleme psikologjike. Mungesa e punësimit, pasi ata kanë arsimim të pamjaftueshëm, mungesa e specializimeve të duhura profesionale dhe të rrjetit social të dobët, bën të rinjtë përballen me vështirësi të mëdha për t’u integruar në tregun e punës, i cili është shumë konkurrues. Probleme të strehimit, në shumë raste ata kalojnë gjithë jetën në konvikte me hapësira të limituara ku kushtet higjienike janë skandaloze. Kjo mungesë dhe lënie e përkujdesit që në moshë të hershme vetëm 15 vjeç çon në një numër të pafundmë pasojash për pavarësinë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

    SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri bazuar në situatën e të rinjve, që lënë kujdesin në moshën më delikate, vetëm 15 vjeç, që nga viti 2009 po zhvillon fushatën advokuese “Unë Vlej”. Kjo fushatë ka në fokus të saj advokimin për përmirësimin e situatës së të rinjve 14 – 18 vjeç në kujdes alternativ ose që kanë lënë kujdesin. Këtë fushatë organizata e ka mbështetur në 3 shtylla kryesore: 1) informimin dhe ndërgjegjësimin e aktorëve kryesorë në vend mbi situatën e të rinjve që lënë kujdesin alternativ në vend, 2) pjesëmarrjen rinore nëpërmjet fuqizimit dhe përfshirjes së të rinjve nga format e kujdesit alternativ 3) advokimi për ndryshimet e nevojshme ligjore ose përmirësimin e politikave për të mbështetur të rinjtë që largohen nga përkujdesi në moshë të hershme. Në përputhje me realizimin e objektivave të kësaj fushate SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri ka organizuar një larmi aktivitetesh me pjesëmarrjen e të rinjve vullnetarë që jetojnë në kujdes alternativ, këto aktivitete kanë synuar ndërgjegjësimin e shoqërisë tonë mbi situatën aktuale në të cilën fëmijë e të rinj jetojnë. Ky shqetësim është ngritur nga institucione në nivel kombëtar dhe mekanizma ndërkombëtar si: Komiteti i të Drejtave të Fëmijëve në Gjenevë, Raport Progresi i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Raporti UPR (Rishikimi Periodik Universal), Avokati i Popullit etj.
    Pavarësisht ndërgjegjësimit dhe sjelljes në vëmendje nga shumë aktorë në vend dhe jashtë tij të problematikës së lartpërmendur, për t’i siguruar kësaj kategorie përkujdesjen e duhur lipsen masa të menjëhershme nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse për përmirësimet e nevojshme ligjore dhe të politikave për mbështetjen e të rinjve. Këto ndryshime duhet të synojnë që të rinjtë të marrin shërbime në kujdes alternativ, minimumi deri në moshën 18 vjeç. Po ashtu duhet të sigurohet një mbështetje e vazhdueshme dhe profesionale për të rinjtë pas daljes nga kujdesi si: sigurimi i një ambienteve të përshtatshme për të jetuar, mbështetje financiare që të mund të përballojnë jetesën, mbështetje nga kujdestarë profesionistë, sigurimi i një edukim cilësor dhe profesional, mbështetje për punësimin, sigurimi i lehtësirave në transport dhe shërbime shëndetësore etj. Mesazhi që vjen nga të rinj në kujdes alternativ dhe jashtë tij është shumë i qartë dhe i thjeshtë: “NE VLEJMË dhe duam që të kemi mundësi të integrohemi me dinjitet në shoqëri”