Koto Zilja: “Tigri” i fushave të blerta, memoria e një “magazine” të madhe

1649
Nga Theodhori PROKO

PORTRET/ Një “legjendë” e futbollit vlonjat si Koto Zilja, vjen në gazetën “Telegraf” si dikur, me pasionin e jashtëzakonshëm
Edhe tani që ka hyrë në vitet e fundit të dekadës së shtatë të jetës, kur bie fjala për futbollin, ai flet me një pasion të jashtëzakonshëm, pa u lodhur, aq sa po të mos e ndërpresë dikush “harron” të pushojë. Memoria e tij, i ngjason një “magazine” të madhe, të mbushur plot me ditë e data, me emocione sportive, me ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, me emra lojtarësh, që kanë bërë epokë në historinë e futbollit shqiptar. Janë aq shumë ngjarje dhe mbresa, sa dhe vet ai, shpesh herë “humbet” e “ngatërrohet” midis tyre dhe i duhen pak çaste për t’i gjetur e për t’i nxjerrë në sipërfaqe. E natyrshme kjo për një njeri, që pasionit të tij, futbollit, i ka kushtuar vitet më të bukura të jetës.…Atëhere nuk ishte më shumë se 10-12 vjeç. Saktësisht, i kujtohet se ka qënë në klasën e katërt të shkollës fillore, kur specialisti i futbollit vlonjat, Skënder Ibrahimi, e aktivizoi së pari me ekipin e shkollës “1 Maj” të Skelës, në spartakiadën e pionierëve. Edhe pse ishte më i vogli ndër shokët e tjerë të ekipit, talenti i tij ra në sy të trainerit Feredun Bejkosala, që e mori për t’u stërvitur me ekipet zinxhir të moshave. Syri i “ustait” nuk mund të gabonte. Shumë shpejt, ai fëmijë “tekanjozë”, që po të merrte topin në zotërim, e quante “pronë” të tij dhe ishte shumë e vështirë t’ia hiqje nga këmbët, do të bëhej një emër i adhuruar për sportdashësit vlonjatë. Një mbasdite, djaloshi nga Skela, i zhveshur lakuriq, ishte shtrirë mbi barin e njomë të fushës së vjetër sportive, afërsisht atje ku sot ngrihet godina e shkollës Industriale dhe po ndiqte stërvitjen e ekipit të të rinjve të qytetit. Në një moment topi i drejtohet vijës anësore ku qëndronte i qetë dhe ai siç ishte shtrirë, bën një kërcim akrobatik dhe e gjuan fortë me të majtën. Topi merr një flurudhë të bukur dhe bën ulje “pikiatë” midis hapësirës së shtyllave të portës. Thirrja “ goool…!” i tërhoqi vëmendjen dhe hodhi sytë nga fusha. Traineri Pandeli Opingari, ose “Pompi” siç e thërrisnin të gjithë, i’a bëri me shenjë të afrohej.

-Ke dëshirë të luash, – e pyeti.
-Kam, -u përgjigj, shkurt.

-Futu në lojë,- e urdhëroi traineri, pa e vënë re se ai ishte zbathur, kur të tjerët ishin të gjithë me këpucë. Por kjo nuk e pengonte djaloshin të bënte lojën e tij, sepse në rrugicat e lagjes nuk ishte mësuar të luante me këpucë. Tabani i këmbës ishte bërë më i fortë se shualli, aq sa ndonjëherë kur shkelte pa dashje mbi driza, thyhej gjëmbi dhe nuk shpohej këmba. Por edhe në ekipin e të rinjve, aventura e tij zgjati vetëm gjashtë muaj, sepse “Pompi” dhe Petrit Arapi, që ishin njëkohësisht lojtarë dhe trainer të “Flamurtarit” e grumbulluan me ekipin e parë. Tani, pas më shumë se gjysmë shekulli, e kujton me nostalgji ndeshjen e parë me ekipin e të rriturve. Udhëtuan për në Berat, po për fat të keq, shirat e rrëmbyeshëm që kishin rënë prej disa ditësh, e kishin detyruar Osumin të dilte nga shtrati dhe fusha sportive e qytetit ishte përmbytur. Kështu, u vendos të ktheheshin pas, për në Urën-Vajgurore. Si dhomë zhveshje, shfrytëzuan autobuzin e vjetër të markës “Sata”. Në atë kohë me ekipn e Vlorës, veç trainerëve të tij luanin edhe futbollist me emër si Dhimitër Gjyli e Aristidh Duka dhe nuk e priste që të aktivizohej. Ndaj e mbuluan emocionet kur i thanë të bëhej gati për të dalë në fushë. Ndjehej me fat. U rreshtua në krahun e majtë të sulmit, me kurajon se në të djathtin, do të luante shoku i fëmijërisë, rreth dy vjeç më i madh, Teki Muhameti, që e “karrikonte”me fjalë të ngrohta. Mban mend se sa herë merrte topin, spektatorët që qëndronin në këmbë anës fushës, thërrisnin: “Forca pionier!”. Ai “pionier”, ishte Shemsi Zilja, ose Kotua, siç i flisnin shokët dhe familja. Dhe askujt atë ditë nuk mund t’i shkonte ndërmend se pionieri i vogël do të bëhej një futbollist i madh, emri i të cilit do të dëgjohej jo vetëm në stadiumet shqiptare, por edhe në ato të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Turqisë, Gjermanisë Perëndimore, ku ai luajti si titullar i “Flamurtarit”, “Partizanit” dhe ekipit kombëtarë “Shpresa”. Një karrierë që zgjati për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, me qindra gola të shënuar, me dhjetra prej tyre të cilësuar si “spektakolarë” nga komentatorët sportivë, kampionë kombëtarë si futbollist me ekipin e “Partizanit’, kampion si trainer me “Flamurtarin”, Mjeshtër i Merituar i Sportit që në moshën njëzetekatër vjeçare, Mjeshtër i Madh dhe mbi të gjitha me respekt dhe mirënjohje pa fund nga mijëra sportdashës, anë e mbanë Shqipërisë. Një karrierë e gjatë, që nuk mund të futet në kornizat e një shkrimi gazete, sado të shkruash. Për grintën sportive, për shpirtin e sakrificës dhe “egërsinë” me të cilën sulmonte topin, sportdashësit vlonjatë e “pagëzuan” me epitetin “Tigri”. Të gjithë e mbajnë mend, që sa herë dilte në fushë, njerëzit e pranishëm ngriheshin në këmbë dhe stadiumi ushtonte nga thirrjet e forta: “Tigri…Tigri…”. Veç “Tigri” i fushave të blerta, jashtë tyre është një njeri me zemër të butë e shpirt të ndjeshëm. “Kush e njeh nga afër, – thotë futbollisti i mirënjohur i “Flamurtarit” të viteve 70-të, Gëzim Troqe, e di se Kotua mund të preket lehtë e të derdh lotë edhe për dhimbjen e një shoku. Mbi të gjitha, një njeri modest, që nuk e zë kurrë në gojë fjalën “unë”.

“Loja e futbollit, -thotë ai, është si interpretimi i një orkestre me njëmbëdhjetë vet, ku ka vend për violinë të parë, violinë të dytë, apo violina bass dhe vegla të tjera që mbajnë ritmin në një koncert – spektakël. Në arritjen e rezultatit final, duhet të ndihmojnë të gjithë, nën drejtimin e dirigjentit, trainerit. Është skuadra që përcakton dhe jo një lojtar i vetëm, sado i madh qoftë ai.” Por jashtë kësaj modestie, ata që kanë luajtur përkrah tij, tregojnë se Kotua, në të njëjtën kohë ka qënë “solist” dhe “orkestrant”. Një prej ndeshjeve ku ai ka qënë protagonist ka mbetur në historikun e kampionateve tona për të mos u harruar asnjëherë. Ishte 1 Maj i vitit të largët 1971. Ekipi i Gjirokastrës, me të cilin aktivizohej në atë kohë, do të luante ndeshjen e fundit të kampionatit, në stadiumin e tij me “Dinamon”e lavdishme. “Luftëtarit” i duhej domosdoshmërisht një pikë për të mos zbritur në kategorinë e dytë. “Dinamos” nga ana e saj i duhej të paktën një pikë, për t’u shpallur kampione e sezonit. Diku larg, në Tiranë, “Partizani” shpresonte të merrte dy pikët sipas sistemit të atëhershëm në ndeshjen e rradhës dhe në rast të një humbje të mundshme të rivalëve të drejtpërdrejtë dinamovitë, të ngjitej vet në krye të klasifikimit. Një rebus i vështirë që edhe parashikuesi më i saktë nuk mund të vinte bast. 

Dy sulmuesit anësorë të “Luftëtarit”, Sefedin Braho dhe Koto Zilja, ishin shqetësimi kryesor për Faruk Sejdinin me shokë. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej. Në një aksion model, Zilja i nis një top të gjatë Brahos së shpejtë dhe “Dinamo” e gjen veten në disavantazh. Një rezultat, që i bëri dinamovitët ta shtojnë presionin dhe të vendosin barazpeshën para se të shkojnë në pushimin e ndeshjes. Në dhomat e xhveshjes, dëgjohej zëri i Kotos, që i “karrikonte”djemtë e rinj të ekipit gjirokastrit për të “shtërnguar dhëmbët”e për ta fituar lojën.

Në minutat e para të pjesës së dytë, Braho i kthen “borxhin”me një asist perfekt dhe Zilja shënon golin e dytë. Njerëzit në stadium, por edhe dëgjuesit e radios ndiqnin me ankth stuhinë dinamovite që gjuajti njëzetekatër goditje këndi rradhazi. Në rolin e qëndërmbrojtësit tani ishte kthyer edhe Zilja, që mundohej të nxirrte ekipin para, duke bërë edhe punën e trainerit. Në tre-katër minutat e fundit luhej para zonës së gjirokastritëve. Iljaz Çeço lëshon një “predhë”të vërtetë në kuadratin e portës. Portieri Ksenofon Çaro, zhytet në një plonzhon akrobatik, por topi kalon para gishtave të tij. Dinamovitët ngritën duart lart në shenjë triumfi, po mbetën pa lëvizur. Mbi vijën fatale, në të njëjtën kohë me portierin, ishte zhytur në “plonzhon” edhe Zilja, dhe me kokë e dërgon topin jashtë vijës fundore. Ky ishte akti i fundit i asaj ndeshje dramatike që nxorri kampion “Partizanin”. Një vit më vonë në sfidën kundër ’’Luftëtarit’’, ai do të shënojë në minutat e fundit një gol që mbahet mend edhe sot. 
“Ky është futbolli, – thotë tani Zilja, kur kujton atë ndeshje. Ka spektakël dhe dramë, lotë dhe gëzim, të humbur dhe të fituar”. Këto emocione që të sjell loja me sferën magjike, e bëjnë atë një lojë të bukur dhe të pa parashikueshme. Ndoshta kjo ka qënë arsyeja, pse ai u dashurua pas topit që në fëmijëri. Si atëhere dhe në kohët kur kapi majat e famës dhe suksesit, në mendjet e të gjithë atyre që e kanë njohur nga afër, apo admiruar së largu, mbeti gjithmonë një mjeshtër i madh dhe një njeri i thjeshtë, për të cilin gëzimet më të mëdha në jetë, janë futbolli, familja dhe miqtë e tij të shumtë.
Është rasti i vetëm ndoshta në historinë e futbollit shqiptar ajo që ndodhi pas. Qindra tifozë vlonjatë pritën Koto Zilen pas ndeshjes. Në shenjë falënderimi ata e ngritën në krahë dhe, mes thirrjeve të parreshtura për të dhe skuadrën e ‘’Flamurtarit’’, ashtu në krahë pa e ulur asnjë sekondë në tokë, e shëtitën në rrugët e Skelës, deri në shtëpinë e tij në një distancë prej qindra metrash.
Sigal