Shkolla në vendlindjen e Asdrenit do mbyllet. Pas 92 vitesh, institucionit të dijes në Drenovë do ti vendoset kyçi dhe nuk do të presë nxënës për vitin e ri shkollor!

Shkak për këtë është bërë rënia e numrit të nxënësve nga emigracioni.

Banor: “U mbyll shkolla. Banorët e fshatit janë pakësuar. Kushtet ekonomike i detyrojnë njerëzit të ikin jashtë dhe fëmijët i marrin me vete nuk i lënë në shkolla.”

Vite më parë në këtë shkollë mësonin 700 nxënës, sot vetëm 20 prej tyre kanë mbetur në fshat.

Ata do ta vijojnë arsimin në shkolla të tjera ose në qytetin e Korçës.

Në fshat kanë mbetur vetëm më të moshuarit që shprehin keqardhje.

Banor: “Na vjen keq, kam dy nipër të vegjël. Nuk kanë kopësht, nuk ka shkollë. Rrinë në shtëpi.”

Shkolla 9-vjecare Kiço Grabocka është ndërtuar në vitin 1926, me kontributin e drenovarëve të emigruar në SHBA.

Investimet aty kanë qënë të shumta duke e kthyer në model këtë shkollë, por këtë vit asaj do ti vendoset dryni përfundimisht.