Kontrolli, zbulohen 250 libreza false invalidësh në Elbasan

    380
    Sigal

    Shoqata e Transportit Urban: Policia të marrë seriozisht denoncimet tona!

    Shoqata e Transportit Urban në qytetin e Elbasanit ka deklaruar se “nuk ka ditë që të mos zbulohen dhe kapen nga fatorinot e urbanëve të linjave brenda qytetit, libreza false invalidësh, të cilat përdoren nga njerëz të cilët pretendojnë se i kanë marrë në institucionet e shtetit dhe duhet të udhëtojnë pa paguar biletën 30 lekëshe”. Drejtuesit e Shoqatës bëjnë apel tel policia të marrë seriozisht denoncimet e tyre dhe të nisë bashkëpunimin dhe hetimin për zbulimin e falsifikatorëve. Qyteti i Elbasanit ka një rrjet të përcaktuar linear brenda vijës së verdhë dhe operon me autobusë të cilët plotësojnë kushtet teknike dhe higjeno-sanitare. Pavarësisht se Shoqata e Transportit Urban ka rënë dakord edhe me Bashkinë e qytetit për transportin falas për invalidët, duket se rritja e numrit të tyre ka vënë në dyshim drejtuesit e mjeteve dhe fatorinot. Ata kanë vënë menjëherë në dijeni pronarët e tyre dhe kanë nisur evidentimin e çdo personi që paraqitet dhe pretendon udhëtimin falas duke u prezantuar si “invalid”. Madje fatorinot kanë në dispozicion edhe listat emërore të invalidëve të qytetit që kanë të drejtën ligjore për të udhëtuar falas, dhe kanë konstatuar deri tani mbi 250 persona që ishin të pajisur me libreza false. Drejtuesit e urbanëve dhe fatorinot u shprehën se “kemi rënë në hall, pasi hipin qytetarë që janë kokrra e mollës dhe na nxjerrin libreza invalidësh duke na thënë se “nuk paguajmë”. Falsifikimi librezave të invalidëve në Elbasan është një rast i përsëritur, pasi edhe vitin e kaluar ishin sërish fatorinot që sinjalizuan dhe më pas policia zbuloi rrjetin e falsifikatorëve. Ato shiteshin në tregun e zi kundrejt një vlere prej 5 mijë lekësh të rinj.