Kontributi i “Vatrës” për Konferencën e Paqes në Paris

    492
    Emigracioni shqiptar në Amerikë gjatë viteve 1918- 1920 ka qenë shumë aktiv dhe i suksesshëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare. “Vatra” nën drejtimin e Nolit dhe “Partia Nacionale” nën drejtimin e Kristo Dako, dhe një numër i madh personalitetesh të emigracionit shqiptar në Amerikë, (ashtu si dhe në Shqipëri Ismail Qemali, Turhan Pasha, Mehmet Konica, Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Luigj Bumçi, Mihal Turtulli etj.) vunë gjithçka në shërbim të çështjes kombëtare. Personalitetet e emigracionit shqiptar në Amerikë duke u treguar vizionar, arritën të tërhiqnin në veprimtaritë e tyre në shërbim të çështjes shqiptare edhe disa intelektualë amerikanë si avokatin Çarles Teleford Erikson, një ish misionar në Shqipëri në vitin 1913, profesorin Xhorxh Heron që ishte kryetar i shoqatës së gjeografëve të Amerikës dhe më vonë anëtar i Komisionit Hetimor, Pit Vilin dhe Viljam Hauard që kishin qenë me mision në Shqipëri në vitet 1913 – 1914, zonjën Durham, etj. 
    Gazeta “Dielli” dhe revista “The Adriatic Review”
    Gazeta “Dielli” dhe revista “The Adriatic Review”, u bënë tribuna kryesore e mbrojtjes së çështjes shqiptare. Me shkrimet e tyre bënë të mundur popullarizimin dhe njohjen e problemit shqiptar para opinionit botëror si dhe tërheqjen e vëmëndjes së diplomacive të Europës perëndimore. Ato administruan, dokumentuan, paraqitën, propaganduan dhe denoncuan çdo fakt që kishte të bënte me gjenocidin grek në jug dhe atë serb në veri të Shqipërisë. Për të mbajtur dhe mbështetur delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes “Vatra” grumbulloi 250000 dollarë, nga te cilat 150000 i harxhoi për mbajtjen e delegacionit në Paris, kurse rreth 100000 i përdori për publikime, telegrame, intervista, pritje e probleme të tjera në mbështetje të delegacionit. 
    Emigracioni shqiptar në Amerikë mbështeti fuqishëm para Komisionit Hetimor idenë e një protektorati amerikan mbi Shqipërinë, të cilin e shikonte si shpresë shpëtimi nga synimet shoviniste greko-serbe. Avokati Çarles Teleford Erikson, i mbështetur edhe nga Mehmet Konica, Dr. Adhamidhi, Parashqevi Qiriazi, Kosta Çekrezi, Kristo Dako, profesori Xhorxh Heron, Edit Durham etj u treguan aktiv duke mbështetur kërkesat e emigracionit shqiptar. Ata i kërkuan presidentit Uillson që ta pranonte protektoratin mbi Shqipërinë. Pas shumë përpjekjesh Komiteti i Senatit vendosi të organizonte një seancë dëgjimore për përfaqësuesit e emigracioni shqiptar në Amerikë. Në mënyre jo zyrtare u paraqiten Kristo Dako, Kosta Çekrezi dhe avokati amerikan Erikson në një seancë dëgjimore, ku Çekrezi “akuzoi Unionin Panepirot për falsifikim të dokumenteve dhe nënshkrimeve. Ai kërkoj që Komiteti për Punët e Jashtme të përdorë autoritetin e tij në territoret e diskutueshme dhe të kryej atje një Plebishit. Po ashtu akuzoj pjesëmarrësit në Konferencën e Paqes se çështjen e Shqipërisë e kanë marrë në shqyrtim vetëm atëherë kur tokat shqiptare u shërbenin si kompensim për shtetet e tjera. Çekrezi duke hedhur poshtë propagandën greke të kryesuar nga Xhon Gazopullos dhe Karapanos që ishte edhe dhëndër i Zografos, argumentoj se të dhënat e tyre bazoheshin mbi dëshmi të pa vërteta të punonjësve të administratës Franceze në Korçe, Arnold Tojnbi dhe Rene Po”. 38 Ndërsa Kristo Dako kërkoi “dërgimin e një komisioni në vend ngjarje dhe mbi bazën e të dhënave të tij të vendosej për problemin e Shqipërisë”.39
    Një rol mjaft të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare luajti avokati Erikson, i cili në këtë takim para Komitetit të Senatit u shpreh: “Shqiptarëve po u afrohet rasti i parë dhe i vetëm për të paraqitur çështjen e tyre. … Te shqiptarët gjenë virtyte të cilat do të ishin të dëshirueshme te shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur ata si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës, por kjo është një gënjeshtër. Unë kam jetuar disa vjet në Shqipëri dhe e ndiej për detyrë të them të vërtetën. Ata janë inteligjent, fisnikë, punëtorë, e duan jetën familjar, seriozë, mikpritës, besnik deri në vdekje. … Te tillë popull kam njohur unë dhe jam krenar që sot po e përfaqësoj këtu”. “Ai propozon që komisioni hetimor të përbëhet nga 2 shqiptar, 2 italian dhe 3 amerikan, duke theksuar se Venizellos dhe Pashiq kishin rënë dakord për një iniciativë amerikane në Ballkan. Ky dëshmoj edhe para Senatit Amerikan.40
    Kërkesat dhe protestat e delegacionit shqiptar
    Drejtuesit e emigracionit shqiptar në Amerikë mbështetën fuqishëm kërkesat dhe protestat e delegacionit shqiptar të përfaqësuara nga Turhan Pasha e më vonë nga ipeshkëv Luigj Bumçi, për demaskimin e traktatit italo-grek (Titoni-Venizellos) për aneksimin dhe ndarjen e Shqipërisë së Jugut. Në këto kërkesa emigracioni shqiptar i Amerikës u mbështet fuqishëm dhe nga emigrantët shqiptarë të Turqisë. Një rol mjaft të rëndësishëm kanë luajtur dhe shqiptarët e Rumanisë të cilët nëpërmjet një peticioni të firmosur nga 885 veta, shprehin kundërshtitë ndaj kërkesave greke. Ata theksojnë se si myslimanët dhe të krishterët nuk e dëshirojnë bashkimin me Greqinë. “Ne i deklarojmë si të pa vërteta dhe të pa vlefshme të gjitha çfarë janë bërë kundër shtetit tonë në emërin tonë dhe në emër të vellezërve tanë që banojnë në Atdhe, ndjenjat e të cileve nuk ndyshojnë aspak nga tonat”. Ata kërkojnë që “Presidenti Amerikan të merrej seriozisht me çështjen shqiptare, dhe të pranonte Mandatin mbi Shqipërinë”.41 Në ndihmë të kërkesave të emigracionit shqiptar u vunë edhe një seri shoqatash bamirëse. Redaktori i një gazete fetare të Nju-jorkut i propozon Uillsonit artikullin e Viljam Hauardit, ish- sekretar i fondacionit për ndihmë ndaj Shqipërisë, që për punën e kufijve, “do të ishte e domosdoshme dhe vendimtare që të mos merreshin parasysh zgjidhjet e mëparshme asnjëra prej të cilëve nuk ishte e kënaqshme për shqiptarët”. Duke përfunduar ai insiston që “zgjidhja e çështjes së Shqipërisë, të bëhet vetëm mbi bazën e deklarimeve të Presidentit Uillson”.42
    Të gjitha këto kërkesa i janë përcjellë Shefit të Departamentit të Shtetit Robert Lansing, për të ndërmjetësuar te Presidenti Uillson. Mbi bazën e këtyre përpjekjeve emigrantët shqiptarë të Amerikës, që nga kjo kohë, fituan të drejtën të paraqisnin pikëpamjet e tyre për çështjen kombëtare para Komitetit të Politikave të Jashtme të Senatit Amerikan. Në këto kushte, me 27.2.1919 u paraqit para Komisionit të jashtëm amerikan edhe kërkesa e Delegacionit Shqiptar për caktimin e SHBA si mandatore e Shqipërisë. Kjo kërkesë më 7.3.1919 u paraqit edhe para Konferencës së Paqes në Paris. Për të argumentuar këtë kërkesë delegacioni shqiptar veç dokumenteve për gjenocidin grek në jug të Shqipërisë, paraqiti edhe një seri dokumentesh për gjenocidin serb në veri të Shqipërisë, si edhe nga një listë të viktimave në disa zona të Veriut dhe të Jugut. Në të gjitha kërkesat e emigracionit shqiptar në Amerikë, evidentohej fakti se asnjë fuqi europiane nuk mund të jetë krejt e paanshme që mund të marrë një funksion të tillë. Në deklaratat e Nolit dhe kërkesat e “Vatrës” vihet re edhe një farë rezerve “ndaj një angazhimi që do t’i kalonte caqet e nevojshme” të Mandatit. Mbi bazën e kërkesave të emigracionit shqiptar në Amerikë të përfaqësuar nga “Vatra”, Presidenti Uillson në vitin 1916 dërgoi në Shqipëri një përfaqësi për të verifikuar pretendimet e emigrantëve shqiptarë për gjenocidin grekë mbi popullsinë shqiptare. Kjo përfaqësi e kryesua nga gjenerali i ushtrisë amerikane George P. Scriven, kishte për detyrë të verifikonte masakrat e ushtrisë greke në kufirin e jugut të Shqipërisë. Gjenerali Skriven në raportin e tij theksonte se, kufijtë e Shqipërisë janë të rrethuar nga popullsi që flet vetëm shqip dhe dënon gjenocidin në zonat shqiptare. Ai fotografoi fshatra të djegura, kufoma shqiptarësh të masakruara, varre masive etj. Pasi përshkruan se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, do të shprehej: “… shqiptarët janë trima, të ndershëm e mikpritës, por duket sikur bota nuk u ka kushtuar aspak vëmendje me përjashtim që i ka karakterizuar si një grup malësorësh gjaknxehtë… Principi i okupatorëve të Shqipërisë ka qenë që ti fuste në luftë ndërmjet tyre kur ata nuk ishin të zënë në ndonjë luftë tjetër të përbashkët, me qëllim që ti mbante sa më lehtë nën sundim”43. Por në konkluzionet e tij, për Departamentin e Shtetit ai do të gabonte rëndë. Nën shoqërinë e ushtarakëve grekë, gjenerali Skriven ra nën influencën dhe alibitë e tyre. Reprezaljet, djegiet dhe masakrat e ushtrisë së rregullt greke mbi shqiptarët, ai i paraqiti si ndeshje të masakra ndërfetare, si luftë midis myslimanëve e të krishterëve shqiptarë. Për shkak të këtyre konkluzioneve kontradiktore, nuk pati asnjë reagim nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të Datës 05.12.2015
    Sigal