Kontrabandistët e pyjeve tolerohen, mjeranët që nuk kanë bukë të hanë, arrestohen

    481
    Sigal

    Në agoni Parku Kombëtar i Bozdovecit dhe i Fazanit, pyjet e Vithkuqit dhe Voskopojës

    Rigjenerimi i pyjeve të masakruara nga dora barbare e kontrabandistëve vetëm pas një shekulli

     Ashtu sikurse Parku Kombëtar i Prespës, i cili po masakrohet gjithnjë e më shumë nga kontrabandistët e pyjeve, e njëjta gjë po ndodh edhe me Parkun Kombëtar të Bozdovecit dhe të Pyllit të Fazanit në Korçë. Kontrabandistët nuk kanë kursyer aspak, as pyjet e Vithkuqit dhe të Voskopojës dhe as pyjet e Shores dhe të Lubonjës. Gjendja është tejet alarmante, pasi kontrabandistët e lëndës drusore duket s’e kanë fituar statusin e të paprekshmit nga ligji, ndërsa ata që arrestohen janë vetëm fukarenjtë, ata që nuk kanë bukë të hanë. Gjithçka që do të mësoni më poshtë është tronditëse. Materiali në fjalë u përgatit mbi të dhënat dhe faktet që i siguruam nga një projekt i SOROS. Gjithsesi, përmes këtij shkrimi, gjithkush ka mundësinë të mësojë të vërtetat se si është proceduar me pyjet, me këtë pasuri kolosale të vendit tonë

     Mjeranët

    Arrestimi i mjeranëve, të cilët jetojnë në kushte mjaft të vështira ekonomike, është mëse i vërtetë. Ata janë viktimat e 24 viteve të fundit, produkt i demokracisë shqiptare. Të tjerët kryejnë vepra penale me lëndën drusore dhe të tjerë janë ata që paguajnë “haraçin” e tyre. Këta të fundit ndëshkohen me gjoba, të cilët përveçse nuk arrijnë t’i paguajnë dot në të njëjtën kohë sjellin në familjet e tyre edhe probleme të shumta sociale. Por ndodh që ata të dënohen edhe me burg, nga 2 deri në 6 muaj. Në raste të tilla, me arrestimin e kryefamiljarit, problemet sociale dhe ekonomike bëhen, edhe më të prehta, pasi sigurimi i bukës bëhet edhe më i vështirë. Madje këta mjeranë vijnë nga zonat e thella malore, nga vende të tilla siç thotë një shprehje e vjetër, “ku ha pula gurë”.

     Statistikat flasin

    Ja çfarë thonë statistikat: në vitin 2011,Gjykata e Korçës mori në shqyrtim 25 çështje për prerje të paligjshme të pyjeve, ku në përfundim të gjykimit 7 persona u dënuan me burg nga 2 deri në 6 muaj, ndërsa 19 të tjerë u dënuan me gjobë. Në vitin 2012, u gjykuan 18 çështje, nga të cilët, 16 u dënuan me gjobë dhe 2 u pushuan për shkak të amnistisë. Në vitin 2013 u gjykuan 9 çështje, ku 2 persona u dënuan me burg dhe 7 me gjobë, ndërsa në vitin 2014, nga ana e Prokurorisë ishin referuar 3 çështje për prerje të paligjshme të pyjeve, ku 1 person u dënua me burg dhe 2 të tjerë me gjobë. Pyetja në këtë rast është: kush janë këta persona që dënohen me burg ose me gjobë? Nga analiza e kryer, rezulton se personat që janë shpallur fajtorë ose që janë dënuar me burg, janë kryesisht banorë të zonave rurale dhe në gjendje të vështirë ekonomike. Madje është kjo arsyeja që as 20% e gjobave, si masë e dënimit penal, nuk është ekzekutuar nga përmbaruesit gjatë kësaj periudhe kohore, ndërsa nuk bëhet fjalë fare për dënimin e kontrabandistëve të vërtetë të pyjeve, të cilët Brenda një viti arrijnë të kontrabandojnë 290 mijë metër kub lëndë drusore pa u ndalur nga askush.

     Ligji, favore për kontrabandistët

    Vetë ligji i hartuar për mbrojtjen e pyjeve siguron favore për kontrabandistët e lëndës drusore. Ja, vini re çfarë ndodh! Nuk ka aspak rëndësi nëse një mjeran merr gomarin e tij të vetëm dhe shkon e ngarkon me dru në pyll, apo nëse një tjetër merr automjetet e tij të rënda dhe i ngarkon me lëndë drusore, sepse përsa i përket masës së gjobës, ajo mbetet modeste, pasi vetë ligji penal nuk bën diferencim në vlerën e gjobës, në përputhje me dëmin e shkaktuar. Atëherë pyetja e radhës është? Kush favorizohet në këtë rast? Ai që ngarkoi automjetet apo ai që ngarkoi gomarin! Kush e ndjeu pagesën e gjobës, ai që e konsideron “si një kafe” apo ai që pas pagimit të gjobës mbetet pa bukë? Sigurisht që e pësojnë mjeranët e shkretë, sepse ligji është hartuar nga Maliqi.

     Mjeranë dhe papërkrahje

    Ata që çohen në gjykatë duken që atje tej që nuk përbëjnë asnjë lloj rrezikshmërie. (Sigurisht me këtë nuk duam të themi se të varfrit edhe mund t’i presin pyjet, kurrsesi jo, por në këtë rast po e sjellim enkas si shembull, si një kontrast të qartë për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh me një kontrabandist dhe me një mjeran që banon diku në një fshat të humbur dhe që nuk njeh askënd që t’i qajë hallin apo t’i kërkojë ndihmë). Madje është sërish rrezikshmëria e ulët e veprës penale të kryer nga vetë ata, që detyron gjykatën, që këto dënime ose t’i konvertojë me dënime alternative ose të pezullojë ekzekutimin e vendimit me kusht. Dhe kështu ka ndodhur realisht. Përballë këtij kontrasti, vini re edhe diçka tjetër më shumë: ndërsa mjeranët i çojnë në gjykatë që të marrin ndëshkimin, qoftë edhe për statistika, (që, dmth, kemi kapur kaq persona-dëmtues të pyjeve), nga ana tjetër nuk ka ndodhur kurrë që të jetë regjistruar në Prokurori, qoftë edhe një rast i vetëm, ku i akuzuar të jetë punonjës i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor apo i Inspektoratit të Mjedisit, sepse, të paktën, dikush prej tyre, përballë masakrës së pashembullt të pyjeve, duhej të ishte paditur për shpërdorim detyre. A nuk janë ata që paguhen për mbrojtjen e parqeve, zonave të mbrojtura dhe pyjeve të këtij rajoni? Nga e gjithë kjo panoramë rezulton se ata që përfitojnë nga kjo pasuri e madhe kombëtare ( pyjet), janë vetëm kontrabandistët

     Pyjet e Vithkuqit

    Është pikërisht kjo politikë e ndjekur deri më sot dhe që vijon të zbatohet me të njëjtin përpikmëri edhe sot e gjithë ditën, që ka sjellë shkatërrimin masiv të pyjeve në rajonin e Korçës. Le të ndalemi më konkretisht në pyjet e Vithkuqit. Duhet të mbledhësh gjithë vajticat e rajonit që të vajtojnë pyjet e Vithkuqit e të mos i qajnë dot se duhet një oqean i tërë lotësh. Këto pyje gjenden të rrezikuara jo vetëm nga kontrabandistët, por edhe nga zjarret e qëllimshme ose aksidentale. Veç sa më sipër, për grabitjen e pyjeve është ngritur nga kontrabandistët një infrastrukturë e tërë, por askush nga ata që duhet ta shohin nuk e sheh. Në të dy anët e rrugës që të çojnë në këto pyje, sheh fusha të grumbullimit të lëndës drusore për ngrohje ose për ndërtim. Deri në vitin 1997, banorët e Vithkuqit i ruajtën me fanatizëm pyjet e tyre, por paskëtaj ata nuk mundën më. U desh të dorëzoheshin. Ata që grabisnin pyjet ishin të mbrojtur jo vetëm nga ligji, por edhe nga njerëzit e pushtetshëm. Kush i krijoi këto fusha grumbullimi dhe pse nuk i pa askush. Mijëra vajtica nuk e vajtojnë dot këtë hall të madh, sepse nuk i lë kënga e motosharrave që këndohet natën dhe ditën. E njëjta gjë vërehet edhe në pyjet e Lubonjës, edhe në pyjet e Shores. Mjafton të sigurosh një leje për prerje të lëndës së drurit se pas kësaj mund të presësh pa droje dhe pa frikë edhe në zona të ndaluara, madje kryetari i fshatit Vithkuq, Petraq Shore kërkon ndërhyrje e menjëhershme të shtetit për ndaljen e kësaj masakre.

     Vajton edhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor

    Gjendja është më shumë se alarmante. Specialistët në komuna mungojnë. Një roje i vetëm duhet të kontrollojë 14.000 hektarë, gjë që është e pamundur. Kontrabandistët nisen drejt pyjeve ashtu si dasmorët në dasmë. Askush nuk ka për t’i ndalur në rrugën e tyre. Bashkë me ahun dhe dushkun që përdoren për ngrohje, privatët nuk kursejnë as halorët, të cilët përdoren më së shumti në ndërtim dhe rrjedhimisht fitimi që vjen prej tyre është më i madh. E gjendur në këto rrethana, edhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor, vajton në një farë mënyre. Ajo ankohet, pasi sipërfaqja prej 66 mijë hektarësh e zonave të mbrojtura nuk mund të mbahet nën kontroll vetëm nga 9 roje. Më parë, ishin banorët ata që sinjalizonin prerjen e pyjeve, por më vonë kur u bindën se kontrabandistët ishin të pandëshkueshëm, hoqën dorë edhe nga kjo punë. Tashmë duhen shumë përpjekje që te ata njerëz të rikthehet besimi. Komuna ka në zotërim vetëm 2.000 hektarë ndërsa shteti 16.000 hektarë. Te kjo e fundit prerja e lëndës drusore ka qenë një tmerr i vërtetë.

     Pyjet e Voskopojës

    As Voskopoja, një nga perlat më atraktive të juglindjes, nuk i shpëtoi dot dëmtimit nga prerjet e paligjshme. Masivet halorë të saj prej vitesh kanë qenë të sulmuara nga kontrabandistët e lëndës drusore për ngrohje dhe ndërtim. Edhe pse në këtë zone nga ana e DPSH-së nuk jepen leje për shfrytëzim pyjet degradohen vit pas viti,. Dëmtimet nisën pas vitit 1997 dhe nuk u ndalën kurrë. Pothuajse të gjitha objektet e reja që u ndërtuan në Voskopojë gjatë viteve të fundit, lëndën drusore e siguruan nga prerja e paligjshme e pishave dhe bredhave shekullorë. Askush nuk e ndali këtë dorë makabër. Komuna heshti, sepse siç thonë drejtuesit e saj, nuk ka specialistë për të monitoruar situatën. Edhe Policia Pyjore e pati të pamundur ndërhyrjen për ndaljen dhe procedimin shkelësve të ligjit, dhe masakra ndodhi. Për kreun e komunës Voskopojë, Nexhip Bacelli, prerja pa kriter e pyjeve është shqetësuese, sepse ekzistenca e Voskopojës si vend turistik nuk mund të kuptohet pa ekzistencën e pyjeve. shkatërrimi i tyre është vdekja e Voskopojës. Mijëra vizitorë vendas dhe të huaj nuk vijnë më nëse nuk gjejnë pyjet. Sipas Bacellit, me gjithë angazhimin edhe të aktorëve dhe institucioneve të tjera, situata do të vijojë të jetë në përmasa alarmante”. Komuna e Voskopojës përfshin në territorin e saj një sipërfaqe prej 6 mijë hektarë pyje halorë, ku vetëm 2 mijë hektarë janë nën administrimin e vendorëve. Në pjesën shtetërore dëmi është shumë i madh jo vetëm nga prerjet e paligjshme, por edhe nga zjarret. Vetëm përgjatë harkut kohor 2011-2014 u dogjën 200 hektarë pyje.

     Parku kombëtar i Bozdovecit

    Edhe për parkun e Bozdovecit, fatkeqësisht nuk mund të sjellim ndonjë panoramë më të mirë. Si për ironi të fatit, zjarret e vitit 2012 rrëmbyen drurët e pyllit në 800 hektarë me pisha e bredh. Gjysma e parkut u shkretua. Sipërfaqja gjithsej e tij është 1.300 ha. Sipas Olsi Duma, përgjegjës i zonave të mbrojtura, “problematika e kësaj zone është komplekse, pasi pyjet kanë pronësi shtetërore, komunale dhe private. Kategorizimi ka sjellë vështirësi jo vetëm në menaxhim, por sidomos në mbrojtjen e tyre”. Ajo që mësuam më pas ishte edhe më shokuese: për rigjenerimin e pyjeve se paku do të duhen 70-80 vjet. Kjo tregon qartë se çfarë ka ndodhur me pyjet e rajonit të Korçës. E megjithatë, ajo çfarë mbeti nga zjarri, tashmë nuk po kursehet nga motosharra. Rojet mjedisore të parkut të Bozdovecit vetëm gjatë 3 muajve të fundit të vitit 2014, kanë konstatuar mbi 300 drurë pishe dhe bredhi të prerë në mënyrë të paligjshme, për të cilat ende askush nuk është proceduar penalisht. Gjatë viteve 2011-2013 nga ana e DSHP-së u proceduan penalisht 10 persona dhe u vendosën 72 masa administrative, (por si gjithnjë) prej tyre janë vjelë vetëm 25-30%.

     Pylli i Fazanit

    Jashtë çdo lloj kontrolli ka mbetur edhe Pylli i Fazanit, edhe pse bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur, të shpallur si monument natyror. Ai ka një shtrirje prej 45 hektarësh. Që prej vitit 1991 administrohej nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor. Duke qenë monument natyror, kërkohej medoemos mbrojtja e shkallës së parë, që do të thotë ndalim kategorik i çdo lloj dëmtimi, madje edhe vizitorët mund të vizitonin atë, vetëm në rast se do të pajiseshin me leje të posaçme nga Ministria e Mjedisit. Duke parë kërkesat e ligjit, gjithkush mund të mendojë se të paktën ky pyll do të jetë gjallë dhe ende nuk ka vdekur, por e vërteta nuk është kështu. Edhe në këtë pyll nuk ka mbetur asgjë. Gjithçka është prerë dhe rrafshuar. Rojet mjedisore i kanë munguar në çdo kohë. Rrethimi i tij u vodh e u dëmtua. Madje, e çuditshme, por e vërtetë, ky monument natyror, prej kohësh është hequr edhe nga mbrojta e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, përsa u përket prerjes së paligjshme. Pse ka ndodhur kështu, askush nuk i jep dot përgjigje. Sipas Dumës, “dëmtimi i masivit pyjor, veç të tjerash ka shkatërruar edhe habitatet e mjaft specieve të rralla si të kaprolleve, të fazanëve e të shpendëve apo kafshëve të tjera. Pylli i Fazanit u tregtua nga kontrabandistët. Tregtia e lëndës drusore për ngrohje, për lëndë ndërtimi apo dhe për eksport në Greqi, ku çmimi për metër kub është sa pesëfishi i çmimit në tregun e Juglindjes, e shndërroi këtë lloj biznesi ndër më fitimprurësit, duke e konsoliduar atë si një aktivitet barbar, bazuar krejtësisht mbi paligjshmërinë, ndaj së cilës mungon vullneti për ta frenuar dhe ndëshkuar. E vetmja gjë që ndodh, është procedimi i mjeranëve që nuk kanë bukë të hanë vetëm e vetëm për të treguar se ata që prenë pyjet u proceduan. Gjendjen e vërtetë, as vajticat e rajonit nuk e qajnë dot se duhet një oqean i tërë lotësh.

     Nga Vepror Hasani