Konsujt e nderit dhuratë pediatrisë, një kënd lojërash për fëmijët që kalojnë ditët në spital

557
Sigal

Ylli Ndroqi: Urojmë që këto dhurata të mund të sillnin sadopak hare për këta fëmijë në ditët e tyre të vështira

 Kanë mision diplomacinë, por për një ditë kanë vendosur që mision të tyre të kenë humanizmin. Ndërsa atmosfera e Festës së Fëmijëve vijon, Shoqata e Konsujve të Nderit të Shqipërisë mendoi t’i dhurojë gëzim të vegjëlve, që këtë ditë të hareshme, janë të detyruar ta kalojnë në pavijonin e Pediatrisë! Janë 28 konsuj nderi, që, së bashku, u kanë sjellë buzëqeshjen fëmijëve të shtruar në këtë pavijon, duke iu afruar një kënd të veçantë lojërash. Një përfaqësi e shoqatës – e përbërë nga kryetari i saj, Konsulli i Nderit të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Tiranë, z.Ylli Ndroqi; konsulli i Maltës, Tom Preku; konsulli i Malajzisë, Gentian Sulaj – ishte në Pediatrinë e QSUT-së për të dorëzuar donacionin si dhe për të përçuar mesazhin s,e shoqata e tyre do vijojë t’i qëndrojë gjithmonë pranë, atyre që kanë nevojë. Kreu i Shoqatës, z.Ylli Ndroqi, tha se, ky ishte sipari i një aktiviteti të tillë për shoqatën dhe se shpresonte se, këto dhurata të mund të sillnin sadopak hare për këta fëmijë në ditët e tyre të vështira. “Kemi menduar t’ju vijmë sot në ndihmë me disa dhurata, me disa lodra që i keni këtu pranë, që gjatë gjithë ditëve që ju do të jeni të shtruar, të keni mundësinë edhe të lozni, edhe të argëtoheni me njeri -tjetrin” ,– theksoi ai. “Unë do t’ju uroj në emër të të gjithë konsujve të nderit, që ju të shëroheni sa më shpejt dhe të jeni pranë familjeve tuaja”,- shtoj më tej z.Ndroqi. Mbështetje premtuan edhe konsujt e Maltës dhe të Malajzisë, Tom Preku e Gentian Sulaj. “Lodrat tona, juve nuk ju bëjnë të pasur”,- tha z.Preku, -” por ju heqin pak vëmendjen nga vështirësitë që keni dhe ju bëjnë të kujtoni se, dikush është afër jush.”

Ndërsa, konsulli i Malajzisë, z.Sulaj, nënvizoi: “Është një ditë që na bën të ndihemi pak më mirë sesa zakonisht, sepse na ka dhënë mundësinë të kemi një kontribut minimal në jetën e këtyre fëmijëve. Shpresoj të kemi mundësinë të vijmë më shpesh me kontribute më serioze e që thonë më shumë.” Lisharëset, shtëpitë e kukullave dhe lodrat e dashura, sollën shkëlqimin në sytë e të vegjëlve, mirëpo, surprizat nuk ishin vetëm kaq! Aktorët e njohur të “Portokallisë”, Luzja dhe Erioni, kanë interpretuar posaçërisht për të vegjlit, duke e mbushur sallën me të qeshura. Edhe pse nuk patën mundësinë të festonin 1 Qershorin, fëmijët thanë se, dita e djeshme ishte festa e tyre. Përveç shtetit, këta fëmijë marrin pak vëmendje, ndaj Shefja e Pavijonit të Hematologjisë, znj.Anila Godo, falënderoi Shoqatën e Konsujve të Nderit për këtë iniciativë të bukur.