Konstitucionalisti Niazi Jaho:Asnjë zgjedhës jashtë listës dhe asnjë shtesë fiktive në listë

441
Sigal

INTERVISTA/Flet konstitucionalisti Niazi Jaho: Më datë 3 shkurt 2013 publikimi i ekstraktit të dytë të përbërësve zgjedhorë

-Zoti Jaho, cilat organe janë ngarkuar me përgatitjen hartimin dhe shpalljen e listave?

-Sipas Kodit Zgjedhor, zyrat e Gjendjes Civile janë përgjegjëse për përgatitjen e listave të zgjedhësve. Pas fillimit të procesit të hartimit të listave, zyrat e gjendjes civile janë të detyruara që një herë në muaj, t’i raportojnë kryetarit të njësive të qeverisjes vendore numrin dhe llojin e ndryshimeve që janë kryer në regjistrin e gjendjes civile, si dhe të dorëzojnë për shpallje listën e zgjedhësve. Ministri që ka në vartësi gjendjen civile ngarkohet të nxjerrë urdhra dhe udhëzime lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi. Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile mbikëqyr dhe kontrollon të gjitha veprimet që kryhen në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Veç kësaj KQZ-ja mbikëqyr  procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi. KQZ-ja ka të drejtë të kërkojë informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e gjendjes civile dhe njësitë e organeve të qeverisjes vendore. Auditët teknicienë të emëruar nga KQZ-ja, kanë të drejtë të kontrollojnë përputhshmërinë e veprimeve të kryera nga zyrat e gjendjes civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ligjin për gjendjen civile etj., (shih pikën 4 të nenit 61 të kodit). Nga sa u tha më sipër del se, përgjegjësia për përgatitjen, hartimin dhe publikimin e listave të zgjedhësve është kryesisht e organeve shtetërore. Në këtë drejtim, për shkeljen e ligjit që rregullon këtë problem, ka përgjegjësi administrative dhe kur është rasti edhe penale.

 -Zgjedhësit janë të interesuar të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe si rrjedhim ata janë të interesuar që emri i tyre të përfshihet në listat e zgjedhësve. Në çdo zgjedhje në lista ka pasur mungesa dhe pasaktësi. Një pjesë e mirë e zgjedhësve nuk kanë qenë të informuar për kohën e shpalljes së listave, për qendrat e votimit, për kohën dhe procedurën e ndryshimeve në lista etj.. A mund t’i sqaroni çështjet e mësipërme?

 -Ka disa kritere që personi të përfshihet në listën e zgjedhësve. Po përmendim disa prej tyre. Ai duhet të ketë shtetësinë shqiptare, të ketë mbushur 18 vjeç qoftë edhe datën e zgjedhjeve, të ketë vendbanimin e regjistruar në territorin e një prej zonave të qendrave të votimit. Në ligj thuhet se jo më vonë se 30 ditë nga kdekretimi i datës së zgjedhjeve (dekretimi i zgjedhjeve është bërë më 3 dhjetor 2012)domethënë jo më vonë se 3 janari i 2013. Zyra e Gjendjes Civile pas miratimit nga kryetari i njësive të qeverisjes vendore duhet të printojë dhe të publikojë ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë banimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e çdo zyre.

 -Çfarë duhet kuptuar me shprehjen “ekstrakt i përbërësve zgjedhore”dhe ku publikohet ai?

-Zgjedhësi në regjistrin e gjendjes civile identifikohet nga disa përbërës siç janë: emri, atësia, amësia, mbiemri, datëlindja, numri personal i identifikimit, shtetësia, kodi i vendbanimit. Publikimi i ekstraktit të këtyre përbërësve bëhet në ambientet e zyrave të gjendjes civile ose në ambientet pranë tyre me akses të lirë për publikun. Sipas disa informacioneve të disa sondazheve ka rezultuar se mjaft zyra të gjendjes civile nuk kanë bërë publikimin e këtij ekstrakti në afatin e përcaktuar në kod (3 janar 2013). Mirëpo, sipas pikës 4 të nenit 51 të Kodit Zgjedhor publikimi i këtij ekstrakti duhet të përsëritet në mënyrë periodike çdo 30 ditë deri në shpalljen e listës së zgjedhësve. Derisa në Kodin Zgjedhor thuhet se listat e zgjedhësve do të shpallen jo më vonë se data 18 maj 2013, ekstrakti me përbërësit zgjedhor duhet të publikohen në datë 3 shkurt, 3 mars, 3 prill dhe 3 maj 2013. Ky është detyrim ligjor që duhet zbatuar. Për këtë zgjedhësit duhet të informohen duke ju krijuar kështu mundësinë për t’u njohur me to dhe në raste të nevojshme të kërkojnë ndryshimet përkatëse në listën zgjedhore.

 -Në cilat raste zgjedhësi mund të kërkojë ndryshime në listë dhe në cilin organ?

-Mbas publikimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë, zgjedhësi mbasi njihet me të dhe kontratën për shembull se nuk figuron emri i tij, është regjistruar në qendër të gabuar të votimit, emri ose mbiemri nuk janë të sakta ka fituar ose ka lënë shtetësinë ai paraqitet në zyrën e gjendjes civile ku ka banimin. Me këtë rast ai plotëson një formular ku shënon emrin e plotë dhe adresën e tij, shkakun pse e kërkon ndryshimin dhe dokumentin që provon shkakun për të cilin kërkon ndryshimin, siç mund të jenë certifikata të gjendjes civile, ose vërtetime apo dokumente të tjera zyrtare. Pas kësaj, zyra e gjendjes civile e verifikon këtë kërkesë dhe brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës e pranon ose e refuzon atë”. Kur kërkesa refuzohet brenda tre ditëve ai duhet të njoftohet. Kur kërkesa refuzohet ose kur kërkuesi nuk njoftohet brenda afatit ligjor, brenda pesë ditëve zgjedhësi mund të ankohet në gjykatë duke paraqitur të njëjtat prova që i kishte bashkëngjitur kërkesës që i drejtoi zyrë së gjendjes civil. Gjykata në këtë rast brenda pesë ditëve duhet ta shqyrtojë kërkesën. Vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për zbatim nga zyra e gjendjes civile. Vendimi i gjykatës duhet të jetë i arsyetuar.

 -Sipas Kodit Zgjedhor jo më vonë se 18 maj 2013 duhen shpallur lista e zgjedhësve. Kjo listë a mund të pësojë ndryshime dhe nëse po, cila është procedura që duhet ndjekur?

-Zgjedhësi, që për arsye të ndryshme nuk është njohur me ekstraktet e publikuara që përmenden më lart dhe nuk ka marrë dijeni nëse ndodhet ose jo në listën e zgjedhësve dhe në cilën qendër votimi do të votojë, ka të drejtë të njihet me listën e zgjedhësve që do të shpallet jo më vonë se 18 maj 2013(listë që mund të emërtohet edhe si përfundimtare) dhe nëse konstaton për shembull se emri i tij nuk figuron ose nuk është i saktë etj, në këtë rast ai nuk i drejtohet zyrës së gjendjes civile por gjykatës. Zgjedhësi sipas pikës 1 të nenit 57 të Kodit Zgjedhor, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës deri në 24 orë përpara datës së zgjedhjeve, ndërsa gjykata e shqyrton këtë çështje si e fundit para zgjedhjeve edhe në ditën e zgjedhjeve, por jo në ditën e zgjedhjeve, por jo më vonë se 6 orë përpara mbylljes së votimit. Kur gjykata pranon kërkesën në vendim përcaktohet qartë çfarë përbërësi zgjedhor ndryshohet. Kur saktësohet qendra e votimit ose zgjedhësi shtohet në listë, vendimi përcakton qendrën e votimit ku zgjedhësi do të votojë dhe numrin e identifikimit të tij. Me këtë vendim zgjedhësi ditën e votimit, shkon në qendrën e votimit dhe duke e dorëzuar atë, voton lirisht pa asnjë pengesë. Në këtë rast KQV-ja emrin e këtij zgjedhësi e shënon në një regjistër të veçantë. Nëse zgjidhësit do të njiheshin më parë me ekstraktet e përbërëseve zgjedhore që sipas ligjit duhet të publikohen në datat 3 janar, 3 shkurt, 3 mars, 3 prill dhe 3 maj 2013, nëse njoftimi i tyre do tu bëhej edhe në banesë, numri i zgjedhësve që do ti drejtoheshin gjykatës mbas shpalljes së listës përfundimtare mendoj se do të ishte shumë i vogël.

 -A parashikon Kodi Zgjedhor edhe njoftimin e zgjedhësve në shtëpi?

-Ju keni të drejtë të bëni këtë pyetje sepse në zgjedhjet e kaluara as nuk është zbatuar kjo kërkesë e ligjit, ose është zbatuar pjesërisht, ose është zbatuar (por gjithmonë pjesërisht)dhe vetëm pak ditë, madje edhe një ditë para zgjedhjeve. Ky njoftim i fundit ka qenë nga subjektet e interesuara zgjedhorë. Prandaj për këtë çështje e shoh të nevojshme të ndalem në mënyrë disi më të detajuar për të evidentuar jo vetëm detyrat e organeve të qeverisjes vendore por edhe dijeninë që duhet të kenë vetë zgjedhësit e interesuar për ushtrimin e së drejtës së votës. Në Kodin Zgjedhor ka një nen të veçantë (Neni 52 me 5 paragrafë). Ky nen ka pësuar disa ndryshime në vitin 2012. Sipas këtij neni, brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhore (Në 3 janar 2013 duhej publikuar ekstrakti i parë) domethënë brenda  datës 3 mars 2013, Kryetari i Njësisë së Qeverisjes Vendore duhet të lajmërojë me shkrim çdo zgjedhës që përfshihet në ekstraktin përbërës zgjedhor. Në këtë lajmërim duhet të përmendet qendra e votimit. Vendndodhja dhe adresa e saj si dhe numri rendor i zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimit. Personat e ngarkuar me njoftimin e zgjedhësve i dorëzojnë zgjedhësit personalisht njoftimin, ose në mungesë të zgjedhësit një anëtari madhor të familjes së tij që gjendet në banesën e zgjedhësit i cili firmos për marrjen e njoftimit. Për verifikimin e zbatimit të kësaj detyre, në nenin 52 pika 4 të Kodit Zgjedhor thuhet se kryetari i njësisë së qeverisjes vendore duhet të raportojë për përmbushjen e këtij detyrimi sipas udhëzimit të ministrit që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Kjo do të thotë se personat e ngarkuar duhet që jo vetëm të dokumentojnë njoftimin që do tu bëhet zgjedhësve personalisht në banesat e tyre, por edhe kryetari i njësisë duhet të informojë mbi zbatimin e kësaj detyre. Nuk është e lehtë të bëhet një njoftim i tillë. Puna në këtë drejtim mendoj se duhet të kishte filluar. Pavarësisht nga publikimi i ekstrakteve zgjedhore që përmendëm më lart, njoftimi në banesë është detyrim ligjor dhe nuk mund të justifikohet moszbatimi i tij. Në përfundim, lidhur me listat e zgjedhësve, më lejoni ti referohem disa dokumenteve apo raporteve të rëndësishme. Kështu për shembull në kodin e praktikës së mirë të zgjedhësve, miratuar nga Komisioni i Venecias në vitin 2002 thuhet: “Në regjistrat e zgjedhësve, mund të ketë pasaktësi për shkak të regjistrimit fiktiv të emrave ose mosregjistrimit të disa zgjedhësve” (faqe 16 botim shqip).  Në një nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it, lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, thuhet: “… si shumica parlamentare ashtu edhe opozita, duhet të konsultohen në këtë proces, për të siguruar transparencë, për të trajtuar mangësitë që mbeten dhe për të parandaluar që regjistri civil dhe regjistrimi i zgjedhësve, të bëhet përsëri një çështje politike dhe fushate” (shih “regjistrimi dhe identifikimi i zgjedhësve, rek, N 12 faqe 32). Ndërsa në rekomandimin e OSBE/ODIHR-it N, 17 faqe 34 që përmban raporti lidhur me zgjedhjet e 8 majit2011 theksohet, “Në mënyrë që të rritet transparenca dhe saktësia e listave të zgjedhësve, Ministria e Brendshme dhe autoritetet vendore duhet të shtojnë përpjekjet për të siguruar që të gjithë zgjedhësit në listat zgjedhore, të kenë një kod të saktë adrese. Vëmendje ti kushtohet identifikimit të zgjedhësve që dihen se banojnë jashtë vendit. Autoritetet duhet të hetojnë çdo pretendim të veçantë lidhur me shtimin e zgjedhësve në regjistrin civil dhe në listat e zgjedhësve në kundërshtim me ligjin”