Konfuzion në ikjen e emigrantëve

    400
    Sigal

    Agjencitë çorodisin pasagjerët, Drejtoria e Autoritetit Portual bën sehir pasi është e implikuar

    Sikur të mos mjaftonin kusuret e tjera lidhur me trafikun dhe pajisjen me pasaporta pranë komisariateve te policive, emigrantët në kthim po përballen me pasoja të tjera si sorollatja dhe problemet e tjera që u vinë nga agjencitë detare dhe ato të biletave. Fluksi i kthimit të emigrantëve nga porti më i madh i vendit po arrin kulmin ditët e fundit .Vetëm në këtë fundjavë janë nisur nga sheshi i trageteve Durrës për Itali mbi 9500 pasagjerë dhe mbi 2000 vetura. Që nga 1 korriku nga ky port kanë hyrë mbi 93836 pasagjerë ku 62157 kanë qenë shqiptarë, ndërsa 21467 të huaj. Kurse burimet portuale të policisë dhe Autoriteti Portual thonë se “dhe numri i mjeteve ka qenë i madh”. Kështu nga 1 korriku kanë hyrë nga ky port 19711 vetura, ku 3341 kanë qenë kamionë dhe 1645 trajlera. Por ndërsa Policia dhe Dogana kanë marrë masa duke hapur dhe 6 sportele të rinj dhe duke vënë 18 kontrollorë që punojnë nga ora 8 e deri në 02:00 të natës, nuk ndodh kjo me agjencitë detare dhe ato të biletave, të cilat nuk po i përgjigjen këtij fluksi me masa të plota, madje po sjellin konfuzion duke prerë më tepër bileta se kapaciteti i trageteve gjë që është bërë shqetësuese edhe  vitin e kaluar ku 2400 veta mbetën 24 orë pa zbritur nga trageti. Ky konfuzion niset nga dëshira për të përfituar nga ky fluks që ka sjellë dhe vonesa në ardhjen e trageteve gjer në 6 orë, siç ishte rasti i tragetit këtë të diel. Emigrantët që kthehen kanë vërejtje për shërbimin policor e doganor, për rritjen e siguracionit të makinave, por edhe për agjencitë e biletave dhe krijimin e kushteve akomoduese gjatë pritjes për t’u nisur, si dhe mungesën e banjave publike në port dhe sheshin e trageteve. Drejtoria e Autoritetit Portual është e implikuar në skandale dhe allishverishe, duke e kthyer portin më të madh, një vend për militantët dhe kontrabandistët me emër të një familjeje durrsake.