Konfliktet për pronën në Komunën e Ksamilit çojnë të dëmtuarin në kardiologji

    437
    Sigal

    Qytetari denoncon dhunën që ushtrohet ndaj familjes së tij, si edhe heshtjen e  organeve të policisë

    Qytetari Erion Subi Mato nëpërmjet një letre, drejtuar gazetës “Telegraf” denoncon,  dhunën që ushtrojnë,  sipas tij,  njerëz të vënë me qëllim, ndaj prindërve, për një sipërfaqe toke, në Ksamil, ku, sipas  pretendimeve  që paraqet zoti Mato, ka dokumenta që provojnë  pronësinë e asaj tokë familjes së  tij. Lidhur me këtë konflikt prononcohen për “Telegraf” kryetari i Komunës të Ksamilit Besnik Abedini dhe ish-kryetari i kësaj komune Vesel Koçia, si edhe djali i të dëmtuarit, Erion Subi Mato.

    Letra  që  drejton Erion Mato në “Telegraf”

    Prindërit e mi janë banorë të Komunës Ksamil. Në territorin e kësaj komune zotërojmë si pronarë të ligjshëm një sipërfaqe toke. Si pronarë të ligjshëm të tokës kemi kryer mbi të një ndërtim, i cili gjithashtu është i ligjshëm dhe i pajisur me lejet përkatëse të ndërtimit, të lëshuara rregullisht nga organet përkatëse. Kohët e fundit familja ime gjendet para një terrori dhe kërcënimi  tejet të organizuar, pjesë aktive e të cilit është vetë kryetari i Komunës Ksamil  Besnik Abedini. Më datë 30.05.2013 nga persona (për atë moment të panjohur) përreth territorit dhe brenda territorit të pronës time si dhe bregun e detit para kësaj prone kishin nisur të kryheshin punime sheshimi, gërmimi e thyerje të terrenit. Gjatë takimit të zhvilluar me kryetarin e Komunës Ksamil  Besnik Abedini,  i kam bërë të ditur faktin e cenimit të pronës time, pasi një pjesë e mirë e gërmimeve ishin kryer brenda saj dhe i kanë shkaktuar dëme pasi prej tyre dherat kanë rënë në pjesën e pasme të godinës dhe gërmimet e kryera në bregun e detit kanë nxjerrë themelet e godinës. Përgjigjja që kam marrë nga kryetari i Komunës të Ksamilit ishte se gërmimet ishin kryer nga komuna me qëllim ndërtimin e një shëtitoreje publike si dhe të një plazhi publik. Për shfrytëzimin e këtij plazhi më tha se, “do t’ia japë dikujt që do ta vendos unë. Kam shumë kërkesa për atë vend dhe më kanë ardhur e ma kanë kërkuar njerëz që janë ‘boba’ dhe kur të them boba e ke parasysh sa para flitet. Kështu që veç interesit që kam për vete për të shfrytëzuar një copë e të vë ca shezlongë do shoh si do rregulloj dhe të tjerët. Ti e kupton që unë vërtet jam kryetar komune, por duhet të mendoj dhe për vete”. Disa ditë pas këtij takimi, njerëz (pa asnjë lidhje me komunën) të angazhuar nga vetë  Abedini dhe të udhëhequr nga vëllai i tij vijnë dhe kryejnë punime sheshimi jashtë çdo lloj logjike dhe norme ligjore brenda territorit në pronësi time dhe shajnë e fyejnë me fjalë nga më të ulëtat prindërit e mi. Më pas, një punonjës i policisë komunale ka qëlluar  dy pleq të pambrojtur e gjysmë njeriu dhe duke terrorizuar fëmijën tim 2 vjeç, të cilën e rrisin prindërit e mi. I gjithë ky skenar dhune ka përfunduar vetëm kur disa nga banorët e Ksamilit, duke dëgjuar e parë se çfarë bëhej u janë drejtuar atyre që dhunuan prindërit e mi,  për të lënë të qetë dy pleq. I detyruar nga kjo ngjarje, të nesërmen  kam shkuar në Ksamil dhe së bashku me tim atë kam takuar Besnik Abedini, i cili na deklaron: “Zotëri shëtitoren e hapa unë, si investim publik sa për të thënë e për të gërmuar bregun e detit. Që unë të bëj shëtitoren duhet që komuna të ketë vetëm për të një fond 540 milionë lekë të vjetra. Ku ka para për shëtitoren, por duhet të sheshoj e të mbush me rërë plazhin se me këtë kryeministër që vjen (pasi kishin kaluar disa ditë nga rezultatet e para të zgjedhjeve) nuk i dihet ca i thotë mendja e nuk të lë. Se ky (Edi Rama) ka thënë që nuk do lë të gërmohet më asnjë metër breg deti. Pse mërziteni, unë ju ndihmova me shëtitoren dhe plazhin e nxora në dritë godinën tuaj. Sa për vendin poshtë (sheshimi që ka kryer brenda pronës tonë) atë do ta përdor unë. Ç’keni juve!  Ju keni godinën dhe mbajeni”. Kur i thamë se sipërfaqja që do të zaptojë është brenda pronës tonë dhe si mund të pretendonte ta përdorte ai,  më tha se: “Piketimet i bëj vetë shihni godinën se mos ua fus piketimet brenda saj”. Pas  një jave qetësie pranë pronës tonë paraqitet njeri,  T.  B. që është problematik edhe në disa vende të tjera,  i cili   më datë 24  Korrik, vjen i shoqëruar me 4 persona të tjerë në pronën tonë dhe, duke pretenduar që sipërfaqja e sheshuar ishte pronë e tij, godet dhe tim atë. Pas rrahjes që i bëjnë një plaku invalid (që ka kryer 6 by-pass) largohet, duke e lënë përtokë dhe që nga ajo dite im atë gjendet i shtruar në spitalin nr.1 “Nënë Tereza” në Tiranë në repartin e kardiologjisë. Për këtë, nga ana jonë është bërë kallëzim menjëherë për ngjarjen në polici e prokurori, por askush deri më sot nuk e ka vënë ujin në zjarr. Të gjitha këto, kam bindjen që  bëhen me dijeninë, aprovimin dhe në bashkëpunim me  kryetarin e  komunës Besnik Abedini. Për gjithë sa më sipër është në dijeni të këtyre ngjarjeve çdo organ  shtetëror si Inspektorati Ndërtimor i Komunës, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, por deri më sot askush nuk ka lëvizur gishtin për të marrë në konsideratë këtë shkelje  të ligjit, këtë terror psikologjik, që po i bëhet të madhi e të vogli dhe nëpërkëmbje të jetës së njeriut. Sa më sipër është shqetësimi i familjes time, e cila gjendet e terrorizuar nga bashkëpunëtorë me dhe pa pushtet. Erion Subi Mato

    Prononcimi në “Telegraf”

    Besnik Abedini Kryetari i Komunës të Ksamilit

     Ne si komunë dhe unë si qytetar nuk kam asnjë lloj lidhjeje me konfliktet e pronësisë të qytetarit Subi Mato, i cili  konfliktin e ka me një qytetar tjetër, për pretendime pronash dhe komuna nuk ka asnjë lloj lidhjeje.  Qytetari në fjalë ka një pronësi tokash dhe është në proces legalizimi.  Ne si komunë, nuk kemi asgjë me atë. Për ato që thotë për vëllain tim, nuk kanë asnjë lidhje, pasi vëllai im nuk ndodhet fare në Ksamil dhe nuk ka asnjë lidhje me pronën e tij. Ju hajdeni dhe verifikojeni në vend, nëse nuk besoni. Unë nuk kam përdorur dhunë, sepse nga vetë profesioni im, jam mësues dhe edukator. Nuk e di se ku do të dalë zotëria, me këto pretendime të tij.

    Vesel Koçia, ish-kryetari i Komunës të Ksamilit

    Me sa më kujtohet, konflikti bëhet për një vend  pushimi, i cili është sheshuar dhe është bërë anës detit, i cili është pranë pronësisë të qytetarit Subi Mato. Unë di që ai vend sheshimi që është hapur, nuk i përket qytetarit Mato, por ky pretendon, që meqë është pranë tij, mund ta shfrytëzojë ai, edhe duke paguar qira, etj.. Por pretendimi i Matos mbase nuk është marrë në konsideratë nga kryetari i Komunës. Të tjerat nuk di të them, si kanë rrjedhë ngjarjet. Sa për rrugën, ku do bëhet shëtitorja, ku qytetari pretendon se është devijuar dhe kalon përmes pronësisë së tij, për t’i shërbyer vendpushimit të hapur nën pronësinë e tij, nëse projekti është devijuar nga hartimi dhe miratimi i tij, sigurisht, këtu ka shkelje të ligjit. Por, nëse nuk është devijuar, qytetari nuk ka të drejtë të pretendojë as për shëtitoren që do të kalojë në pronësinë e tij.

    Erion Subi Mato, i pyetur nga “Telegraf”

    Ne si familje nuk kemi asnjë pretendim për shëtitoren që do hapet buzë detit dhe do kalojë edhe në pronësinë tonë. Konflikti është për pjesën e vendsheshimit që është bërë nga njerëz që janë afër kryetarit të Komunës të Ksamilit, por që është në pronësinë tonë. Këtë pronësi jua dëshmoj me dokumente përkatëse. Këta njerëz po përdorin terror kundër prindërve të mi dhe duan të na rrëmbejnë pronën me dhunë. Ne kemi bërë denoncimet përkatëse në prokurori dhe nga shtatori presim që të fillojë procesi gjyqësor.