Konferenca e veteranëve në Mirditë shkeli të gjitha normat e Parimit Statusor

    446
    Sigal

    Para pak kohësh në qytetin Rrëshenit u zhvillua konferenca e Veteranëve të rrethit Mirditë. Duhet ta themi qysh në fillim se kjo konferencë u zhvillua në kundërshtim të plotë me statusin e veteranëve. Duke parë që kjo konferencë ishte plotësisht e paligjshme në një grup veteranësh e pasardhësish i bëmë një letër Komitetit të Përgjithshëm të Veteranëve e personalisht Kryetarit të tij Z. Rustem Peci, ku i kërkonim që deri në fund të Korrikut të na jepte një përgjigje për shkeljet flagrante që u manifestuan në këtë konferencë, por nuk gjetëm asnjë përgjigje dhe as ndonjë reagim. Për këtë pa pasur asnjë ambicie personale, por duke menduar vetëm që kjo organizatë të mbijetojë sa më shumë për të çuar përpara ato ideale që ëndërruan dhe dhanë jetën me qindra e mijëra dëshmorë e heronj, nuk qëndruam indiferent, pasi do ishte rruga me e shkurtër. E duke qenë se nuk morëm asnjë përgjigje, del se Kryesia e Veteraneve nuk shqetësohet për ketë shkelje dhe siç qelbet peshku nga koka edhe kjo kryesi po ashtu është qelbur nga koka. I deleguari Odise Porodini në simfoni me Kryetarin Gjokë Deda në punimet e kësaj konference prishen themelet e organizatës së veteranëve  të rrethit Mirditë. Kjo organizatë është krijuar mbi bazën e bashkimit vullnetar, është ngritur mbi themele të shëndosha të parimeve e normave të sanksionuara në statusin e veteranëve të LANCL. I deleguari me Kryetarin Gjokë Deda cenuan rëndë themelet e organizatës së veteranëve, prishen parimin e jetës së brendshme organizative të organizatës, thyen unitetin, futen përçarjen në organizatë, u fut fryma e mosmarrëveshjes në mes delegatëve e të ftuarve, midis anëtarëve e delegatëve, ku i gjithë qëllimi i tyre ishte që në kundërshtim me statusin të bëheshin zgjedhje të manipuluara, të pandershme, për të konfirmuar me çdo kusht  kryetar Gjokë Dedën. Theksojmë se është e dyta herë që i njëjti i deleguar apo ndofta i ardhur vetë pa autorizim të kryesisë, Odise Parodini shkel në flagrancë statusin, pasi edhe para dy vjetësh ka emëruar z. Gjokë Deda kryetar të veteranëve të rrethit Mirditë, kur statusi e thotë qartë që kryesia çon në konferencë kandidat me alternative. Në konferencë, përveç këtij grupi konservatorë, që nuk i interesonte asgjë parimore, pati edhe një grup të moderuar që kërkonte me këmbëngulje të zbatoheshin kërkesat, parimet, normat statusore, që zgjedhjet të bëheshin të lira e demokratike, që kryetari i veteranëve të zgjidhej me 2-3 veta me alternativë, që personat që do drejtonin organizatën e veteranëve të ishin personalitet me arsim të lartë, të aftë për të drejtuar, mundësisht votimi të bëhej i fshehtë dhe të fitonte e drejtonte ai që merrte më shumë vota. U kërkua të ngrihej komisioni i zgjedhjeve për të administruar e numëruar votat e për të shpallur fituesit, por i deleguari Odise Porodini me Gjokë Dedën nuk u interesonte asnjë normë e statutit, por me arrogance që e karakterizon i diktoi kësaj konference të paligjshme se kryesia ka vendosur për kryetar Gjokë Dedën. Gjokë Deda ka mbi 10 vjet që mban postin e kryetarit të veteranëve në Mirditë, duke e kthyer në dinasti të përjetshme, pa votën e merituar të atyre pak veteranëve të nderuar që kanë mbetur, e pasardhësve shumë të përkushtuar, me një moshë të thyer 83 vjeçare dhe me arsim të ulët. Mosha e thyer ka bërë që ai të mos komunikojë rregullisht  me njerëzit, pasi i ka humbur aftësitë e të dëgjuarit. Theksojmë se kjo konferencë është e paligjshme edhe nga numri i delegatëve që kanë marrë pjesë, pasi kanë marrë pjesë më pak se gjysma e delegatëve. Ky person e mban postin sot në kundërshtim me statutin, pasi në konferencë ishin persona që nuk ishin as veteran, as pasardhës, por edhe deri njerëz të afërt të kryetarit apo servilëve të tij. Është për të ardhur keq, por z. Gjokë Deda nuk është as veteran bile as pasardhës, pasi nuk ka nga përbërja familjare që të kenë qenë partizan apo mbështetës të luftës. E pikërisht për këtë ai e quan organizatën e veteranëve të Mirditës si çiflig të tij, kur më mbështetjen e të deleguarit Odise Porodini ai emërohet, bëhet i përjetshëm, duke e kthyer konferencën në një paçavure.          Për të gjitha këto shkelje, ne një grup që mendojmë për të ardhmen e veteranëve e jo për karrigen e një personi, që e shohim me dhimbje së ku po e çojnë persona të veçantë edhe organizatën më humane, mbase edhe për interesa meskine, kemi njoftuar Komitetin e Veteranëve të Shqipërisë personalisht z. Rustem Peci ku kemi kërkuar një përgjigje deri në fund të korrikut, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Prandaj për të mos qëndruar indiferent po i drejtohemi Shtypit. Nëse kërkesat tona bien në vesh të shurdhër na lind e drejta që, duke siguruar mbi 50 % të anëtarësisë dhe të delegatëve do të mbledhim konferencën demokratike, do bëjmë zgjedhje të reja me votim të fshehtë dhe do zgjedhim kryetarin e ri për të drejtuar të gjithë organet e tjera të komitetit të veteranëve Mirditë. Do i drejtohemi organeve gjyqësore për të marrë zyrën e vulën.

    Nënshkruan ankesën:

    Prengë Kolë Lleshi, Kryetar i Këshillit zonal

    Ndrecë Dodaj, Anëtar Kryesie disa legjislatura

    Fran Preçi, N/Kryetar i Këshillit zonal

    Dila Kolë Marku, Sekretare Këshilli

    Gjergj Ndoja, Anëtar Këshilli

    Pal Gega, N/Kryetar i Këshillit zonal

    Mark P. Lleshi, Anëtar Këshilli

    Pjetër Shkurti, Anëtar Komiteti, Anëtar Këshilli

    Preng Cub Lleshi, Anëtar Këshilli, Botues i mbi 10 librave

    Bilal  Xhomara, Anëtar Këshilli