Sigal

65 vjet nga Konferenca e Parisit. Ja çfarë shkruan në ditarin e tij Javer Malo, diplomati shqiptar, pjesëtar i delegacionit, që kryesohej nga Enver Hoxha e Hysni Kapo

Në seancën e një gushtit, i dyti e mori fjalën kryetari i delegacionit jugosllav, Kardeli. Ai vuri në dukje se, jo të gjitha përfundimet në të cilat kishte arritur Këshilli i Ministrave ishin të drejta. Në lidhje me kufirin italo-jugosllav, projekti i Këshillit të Ministrave bazohej mbi vijën e quajtur “franceze” duke e lënë Triesten jashtë hinterlandit jugosllav. “Prandaj, përfundonte Kardeli, Jugosllavia nuk mund ta konsiderojë të drejte faktin që pa pëlqimin e saj, vendoset mbi fatin e popullit të saj dhe mbi një territor që u çlirua nga forcat e saj si dhe nga ato të popujve që jetojnë atje”. Ne na u duk atëherë, dhe kështu iu duk gjithë gazetarëve të huaj se, shigjetat e Kardelit, ndryshe nga ato të Evatit, drejtoheshin në gjokset e Bernezit, të Bevinit dhe të Bidosë. Në të vërtetë ato drejtoheshin edhe mbi përfaqësuesin sovjetik. Më vonë, në vitin 1948, u mor vesh botërisht se Bashkimi Sovjetik nuk i kishte pranuar dhe nuk i kishte përkrahur rivendikimet e tepruara të jugosllaveve, të cilët kërkonin një pjesë të tokave italiane në perëndim të Triestes. Edhe seanca e dy gushtit kaloi me paraqitjen e pikëpamjeve të shteteve të ndryshme. Kishin mbetur edhe pesë delegacione që nuk e kishin marrë fjalën në debatin e përgjithshëm. Këta folën në seancën e tre gushtit. Midis tyre ishte përfaqësuesi i Greqisë, Kostandin Caldaris. Ai e mori fjalën i dyti, pas delegatit të Indisë. Shef i partisë monarkiste, krye ministër i Greqisë, vend i cili ndodhej në pragun e luftës civile, Kostandin Caldaris deshi të vriste, që nga larg, nga tribuna e (Konferencës së Pallatit të Luksemburgut, me një gur shumë zogj në të njëjtën kohë:

Të forconte pozitat e monarkofashistëve nga Greqi,

të zgjeronte ku e si të mundej kufijtë e shtetit dhe të hapte mirë rrugën për kthimin e monarkisë në Athinë.

I veshur me një elegancë të kërkuar, me flokët të ndarë në mes, në Pallatin e Luksemburgut ai jepte përshtypjen e një aristokrati provincial. i tillë, aristokrat provincial, anakronik, që jetonte ende në të kaluarën, në fillimet e shekullit dhe që nuk e kapërcente dot kohën e Traktatit të Versajës, u tregua ai në fjalët, në arsyetimet, (nëse këto mund t’i quajmë kështu), në kërkesat, në demarshet. E kam para syve Caldarisin kur u ngjit në tribunë dhe e filloi fjalimin e tij me një frëngjishte korrekte, por ku ndihej aksenti grek. Ai nuk shkoi nga katër rrugët, por i zbuloi menjëherë bateritë. “Në konfliktin që sapo mori fund, – tha Caldaris, – Greqia beson se e ka kryer detyrën e vet. Pa hezituar, ajo i prapsi me indinjatë agresoret italianë e shqiptarë”. Pasi përmendi dëmet e vërteta dhe të imagjinuara që pësoi Greqia gjatë luftës, ai filloi të përdorte një ton tjetër, atë të shpirtmadhësisë: “Në nuk do të vinim përpara jush si përfaqësuesit e vërtetë të kombit helen, në qofte se nuk do të frymëzoheshim nga ajo mençuri e përjetshme, për të cilën athinasit pretendonin se ishte e tyrja, kur me anë të ambasadorëve të tyre i thoshin Spartës se ishin gati të tregoheshin më të drejtë nga sa ua lejonte forca që zotëronin”. Si arriti këtu, Caldarisi filloi të merrte revanin, duke mos u ndalur në asnjë pengesë. Për të nuk ekzistonin as faktet, as historia, as gjeografia.

Ose më mirë, ai i interpretonte ato si t’i vinte më mbarë, sikur përpara tij të mos kishte përfaqësues shtetesh, por fëmijë, të cilëve mund t’u tregosh ç’të duash. Ai paraqiti kërkesat e Greqisë me zemërgjerësinë me të madhe që mund të imagjinohej ndaj… Italisë. Ai zuri në gojë reparacionet dhe me kaq Italia humbi nga këndi i shikimit të tij. – Objekti i rivendikimeve greke ishte Shqipëria. Ajo u bë edhe objekti i sulmeve të Caldarisit. “Greqia kërkon gjithashtu që në të ardhmen të jetë e sigurt për integritetin e saj territorial, duke bashkuar me territorin e saj Epirin e Veriut dhe duke bërë një rregullim në kufijtë e saj me Bullgarinë”. Për sa i përket kufirit veriperëndimor, “duke kërkuar forcimin e sigurimit të saj”, Greqia “rivendikon njëkohësisht vënien në vend” të një padrejtësie, viktimë e të cilave ajo ka qenë në të kaluarën “kur koncerti evropian (është fjala për Konferencën e Ambasadorëve në Londër) ia dha shtetit shqiptar këtë tokë greke. Për të vërtetuar se kjo tokë ishte greke, ç’argumente nuk përdori Caldarisi. Ai përmendi për shembull një “traktat” të lidhur më 1907 midis kryeministrit grek Teotokis dhe kryetarit të shtetit shqiptar I. Qemalit, (këto janë fjalët e Caldarisit megjithëse me 1907 nuk kishte një shtet shqiptar), në të cilin ky ia linte gjoja Greqisë Epirin e Veriut. Nga Shqipëria Caldarisi shkoi shpejt në SHBA dhe nga viti 1907 u hodh menjëherë në vitin 1946. Ato ditë, sipas tij, senati amerikan njihte karakterin helenik të Epirit të Veriut dhe rekomandonte bashkimin e tij me Greqinë. Që senatoret amerikanë janë të përmendur për njohuritë e tyre gjeografike, të cilat jo rrallë nuk i kapërcejnë kufijtë e një shteti të Federatës, ç’rëndësi kishte kjo për Caldarisin? Dhe nga SHBA ai u hodh prapë në kufijtë veriperëndimorë të Greqisë, duke u kthyer 6 vjet prapa, në kohën e Luftës Italo-Greke. Sulmin e Italisë kundër Greqisë nga Shqipëria e pushtuar ai e paraqiti sikur të ishte një sulm i Shqipërisë dhe sikur Italia të ishte një shtet i pushtuar. Me “marifete” të tilla mbaroi fjalimi i Caldarisit, që nuk ishte vetëm një kryevepër falsifikimesh, por edhe diçka që sillte një ton të rëndë e shqetësues në Konferencë. Në këtë mënyre mbaroi seanca e tre gushtit. Por Caldarisi do të kishte ende rast të përsëriste trillimet e tij dhe t’u shtonte këtyre edhe të tjera, që i kishte lënë në rezervë.

(vijon nesër)