Koncesioni i kolaudimit shkel Kushtetutën dhe Ligjin për Konkurrencën

    484
    Sigal

    Shteti shkel lirinë e qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur kompaninë, ku duan të kolaudojnë makinën e tyre

    Ekskluziviteti i kompanisë zvicerane SGS për kolaudimin e makinave në vend, shkel në mënyrë flagrante legjislacionin shqiptar për konkurrencën si dhe ligjin themeltar për çdo shtet, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Do të mjaftonin vetëm këto shkelje që marrëveshja koncesionare me kompaninë SGS të rishikohej dhe pse jo, të liberalizohet tregu i kolaudimeve. Kjo marrëveshje koncesionare në thelb është e paligjshme, pasi që në nisje të saj ka shkelur hapur Ligjin e Konkurrencës.

     Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

    Duke u nisur nga një sërë problematikash të koncesioni, si dhe nga kërkesa e Komisionit të Ekonomisë për hetim, Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar veprimtarinë e kompanisë koncesionare SGS. Nga hetimi i këtij aktiviteti, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në qershor të këtij viti, që të merren masa sa i përket kontrollit teknik të mjeteve. Autoriteti jep një sërë sugjerimesh në vendimin e tij, duke shkuar deri te liberalizmi i shërbimit. Konkurrenca në vendim ndalet në dy zgjidhje që mund t’i shërbejnë përmirësimit të shërbimit për qytetarët: I pari është që në rast se koncesioni do t’i mbetet një kompanie, të sigurohet që të ketë më shumë pika për qytete të mëdha si Tirana, në mënyrë që të shmanget edhe radha. Por edhe pse si mundësi, kjo është në kundërshtim me linjën që sugjeron Konkurrenca për të mos pasur monopole. Kështu që, si sugjerim i dytë vjen edhe mundësia e liberalizmit të shërbimit, duke lënë kështu kompani të tjera të bëhen pjesë e tregut.

     Qytetarët nuk kanë lirinë për të zgjedhur shërbimin e kolaudimit

    Marrëveshja koncesionare e kolaudimit të makinave si kusht kryesor ka pasur ekskluzivitetin (monopolin) e shërbimit. Por ky kusht bie ndesh me lirinë e qytetarëve për të zgjedhur shërbimin në kompaninë që dëshiron, e garantuar kjo me Kushtetutë për çdo qytetar shqiptar. Kështu qytetarët që janë drejtues të automjeteve kërkojnë që kryerja e kontrollit teknik të automjeteve të bëhet nga distributorët ligjor të automjeteve të cilat janë në Shqipëri. Por marrëveshja koncesionare i kushtëzon lirinë qytetarëve shqiptarë për t5ë zgjedhur se nga kush kompani kërkojnë ta marrin këtë shërbim. Ndërsa ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë diskutimit në Kuvend për ndryshimet në Kodin Rrugor ka shprehur pamundësinë e liberalizimit të shërbimit, pasi sipas tij “përpara se të ndërhyjmë në kontratën e këtij koncensionari duhet të shikojmë zbatimin e kontratës që kemi me këtë kompani, pasi kompania ka eksluzivitetin e këtij shërbimi”.

     Kur, liberalizimi i kolaudimeve?

    Edhe pse në vitin e dytë të qeverisjes së saj, qeveria nuk po gjen forcën për të anuluar koncensionet e dhëna nga qeveria “Berisha”. Dhënia me koncesion e kolaudimit të automjeteve kompanisë zvicerane “SGS Automotive Albania” në vitin 2009, i hoqi përfitime prej miliona eurosh sektorit publik, nëse ky shërbim do të administrohej nga shteti, siç në fakt rezulton të jetë në shumë shtete të tjera. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm një herë në vit për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë. Por, ky shërbim njihet si një nga monopolet më korruptive, më arbitrare dhe më rrënuese për shqiptarët. Skema e ryshfetit dhe e korrupsionit, që shkreton ekonominë e mijërave familjeve, tashmë është e njohur për të gjithë. Miliona euro shkojnë për llogari të kompanisë që ka shërbimin monopol. Thuhet se disa kompani kanë shprehur interesin për të ofruar këtë shërbim, porse, kushti në marrëveshjen e koncesionit për të pasur ekskluzivitetin e këtij shërbimi e lë të qetë kompaninë monopol. Që nga viti 2009 ky shërbim ka pjellë vetëm problematika, kryesisht në tarifa dhe shërbim, për drejtuesit e automjeteve, të cilët me të drejtë (falë edhe komunikimit me jashtë) bëjnë krahasime me vendet e tjera. Ata kërkojnë që kolaudimin ta bëjnë në firmën së cilës i përket automjeti i tyre, derisa edhe firmat kryesore të automjeteve kanë përfaqësuesit e tyre në vendin tonë. Por me atë çka ka pohuar ministri Haxhinasto në Kuvend, kjo duket thuajse e pamundur.

    Ja ligjet që vënë poshtë marrëveshjen koncesionare të kolaudimit të makinave

     Ligji Nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”

     KUFIZIMET E KONKURRENCËS

    Neni 4

    Marrëveshjet e ndaluara

    1. Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që:

    a) caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të

    shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; b) kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; c) ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; ç) në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; d) kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

     Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

    Neni 15

    1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të

    padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

    2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të

    drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre

     Neni 18

    1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

    2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca,

    feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore,

    sociale ose përkatësia prindërore.

    3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse

    nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.