Kompetencat e reja të kryetarëve, kancelarëve dhe sekretarëve në të gjitha gjykatat e vendit

    491
    Sigal

    Misioni Euralius dhe Ministria e Drejtësisë, lançojnë një ndër reformat për modernizimin dhe konsolidimin e administratës gjyqësore

    Para pak ditësh ministri i Drejtësisë z.Eduard Halimi theksoi se, brenda muajit nëntor do të fillojë riorganizimi i ri i gjykatave, i cili do t’i japë një frymëmarrje të re sistemit gjyqësor dhe një fizionomi të re secilës gjykatë. Për herë të parë në këto 20 vjet do të flitet për reformimin e një pjesë shumë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, Administrata gjyqësore. Misioni Euralius në bashkëpunim me MD, lancon një ndër reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, reformën për modernizimin dhe konsolidimin e administratës gjyqësore. Kjo reformë adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe efiçencën në aktivitetet e gjykatave. “Më së fundi administratës gjyqësore po i jepet statusi që meriton, i cili e mbron, e përforcon dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme në gjykatë, si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatën” u shpreh ministri Halimi. Më poshtë po japim dhe disa nga reformimet e paraqitura në draftin e projektuar nga misioni EURALIUS që do t’i bëhen gjykatave në të gjithë vendin, sa i përket kompetencave të kryetarëve të gjykatave, kancelarëve, sekretarëve etj..

    -MINISTRI I DREJTËSISË

    1. Ministri i Drejtësisë nxjerr politika, miraton Urdhra, Rregullore si dhe përcakton drejtimet kryesore të organizimit dhe funksionimit të Administratës Gjyqësore në përputhje me parimet e përgjithshme të përcaktuara në këtë ligj.

    2. Drejtimi dhe mbikëqyrja e Administratës Gjyqësore kryhet nëpërmjet strukturave përkatëse të Ministrisë së Drejtësisë sipas kushteve të parashikuara në këtë ligj.

    -Kancelari i gjykatës

    Kancelari është struktura më e lartë e Administratës Gjyqësore në gjykatën ku ushtron funksionin e tij. Kancelari i gjykatës emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.

    -Kryetari i gjykatës

    Kryetari përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët dhe kujdeset për respektimin nga ana e Administratës Gjyqësore të veprimeve dhe vendimeve të marra nga gjykatat dhe gjyqtarët në kryerjen e veprimtarisë së tyre juridiksionale.

    -Struktura e Njësisë Administrative

    1. Në çdo gjykatë të shkallës së parë dhe në çdo gjykatë apeli krijohet një Njësi Administrative e cila bazohet në parimin e hierarkisë, ndarjes së funksioneve dhe koordinimit të punës. Megjithatë, sipas nevojave, në gjykatat e shkallës së parë dhe në gjykatat e apelit që ndodhen në të njëjtin rreth gjyqësor krijohet vetëm një Njësi Administrative.

    2. Pozicionet e punës në Njësinë Administrative mbahen nga nëpunësit civil gjyqësor dhe personeli i shërbimeve mbështetëse që organizohen sipas kushteve të manualit të përshkrimit të punës të çdo gjykate.

    3. Struktura dhe organigrama e Njësisë Administrative përcaktohet me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë sipas nevojave të çdo gjykate dhe pas marrjes së mendimit konsultativ të Kryetarit të gjykatës dhe Kancelarit.

    4. Sipas nevojave, brenda Njësisë Administrative, krijohen sektorët e mëposhtëm:

    a) Sektori i buxhetit;

    b) Sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median;

    c) Sektori i arkivës;

    ç) Sektori i teknologjisë së informacionit;

    d) Sektori i shërbimeve mbështetëse.

    5. Ministri i Drejtësisë mund të përcaktojë kritere të përgjithshme me Rregullore për të realizuar performancë dhe metodologji të punës të njëtrajtshme në Njësitë Administrative në të gjithë territorin e vendit, pasi të jetë marrë mendimi i kryetarëve të gjykatave dhe kancelarëve.

    *Kompetencat e drejtimit të Administratës Gjyqësore

    KOMPETENCAT E SEKRETARIT GJYQËSOR DHE SEKRETARIT TË SEANCËS

    1. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës kryejnë detyrat e tyre sipas parimit të ligjshmërisë dhe paanshmërisë si edhe parimit të unitetit të veprimit dhe varësisë hierarkike.

    2. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës vërtetojnë aktet e gjykatës dhe lëshojnë vërtetime apo kopje të njehsuara me origjinalin të akteve proceduriale gjyqësore që nuk janë të rezervuara vetëm për palët. Kur përdoret pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme, ato garantojnë që regjistrimi ose riprodhimi është origjinal dhe i paprekur.

    3. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës janë përgjegjëse për dokumentimin e dosjeve, regjistrimin dhe zbatimin e urdhrave të shpallura apo të nxjerra nga gjykatat dhe gjyqtarët. Sipas rregullave të caktuara për këtë qëllim, ato janë përgjegjëse për mbajtjen dhe ruajtjen e çështjeve dhe dosjeve që nuk janë përfunduar akoma, përveç kohës gjatë të cilës i ka gjyqtari.

    4. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës janë përgjegjës për mbajtjen e regjistrave nëpërmjet programeve të duhura kompjuterike ose në mënyrë manuale, dhe për regjistrimin në regjistra, vetë ose duke i dhënë udhëzimet e duhura personelit nën përgjegjësinë e tyre. Ministri e Drejtësisë përcakton regjistrat që duhet të mbahen në gjykata dhe nxjerr Rregulloret përkatëse për këto regjistra.

    5. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës kryejnë procedurën sipas kushteve të përcaktuara në ligjet procedurale. Për këtë qëllim ato japin të gjithë urdhrat e nevojshme për kryerjen e proceseve, përveç atyre që janë të rezervuara për gjykatën dhe gjyqtarët sipas ligjeve procedurale.

    6. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës, nën drejtimin e Kancelarit, kanë kompetencë organizimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e personelit në aspektin procedural teknik dhe nxisin përdorimin e mjeteve të disponueshme teknike, audiovizive dhe kompjuterike atje ku ato ofrojnë shërbimin e tyre.

    7. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës bashkëpunojnë me autoritetet tatimore për menaxhimin e taksave dhe tarifave që ju vihen atyre sipas dispozitave specifike.

    8. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës janë përgjegjëse për statistikat e gjykatës nën drejtimin e kancelarit, sipas kritereve të përcaktuara për këtë qëllim dhe janë përgjegjëse për saktësinë e të dhënave.

    9. Sekretari gjyqësor dhe Sekretari i seancës kryejnë të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara në ligje dhe rregullore.

    KOMPETENCAT E KRYETARIT TË GJYKATËS

    1. Kryetari kontrollon zbatimin nga Zyra e Gjykatës të veprimeve dhe vendimeve të marra nga gjykatat dhe gjyqtarët gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre juridiksionale.

    2. Kryetari i delegon kancelarit dorëzimin e dosjeve të plotësuara gjyqësore tek sekretaret gjyqësore dhe kontrollon ecurinë e dorëzimit në respektim të afateve procedurale të parashikuara me ligj.

    3. Kryetari kontrollon ecurinë e dosjeve gjyqësore për vonesat në gjykim apo mosrespektimin e etikës gjyqësore, si edhe kërkon ose merr masa për të respektuar afatet procedurale të parashikuara në ligj.

    4. Në rast se një gjyqtar ankohet për mospërmbushje të veprimeve dhe vendimeve të nxjerra në veprimtarinë e tij juridiksionale, Kryetari i dërgon një kërkesë zyrtare Kancelarit për të kërkuar përmbushjen e veprimeve apo vendimeve në mënyrë të menjëhershme. Nëse Kancelari nuk zbaton kërkesën, Kryetari vë në dijeni në lidhje me situatën strukturën e Ministrisë së Drejtësisë përgjegjëse për kancelarët në mënyrë që të sigurohet respektimi i rreptë dhe të merren masa disiplinore.

    5. Kryetari i gjykatës i jep Ministrit të Drejtësisë mendim konsultativ siç e parashikon ligji dhe vë në dijeni strukturat e duhura të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me çështjet e menaxhimit administrativ të gjykatës.

    6. Në rast se Kryetari i gjykatës konstaton mospërmbushje të detyrave të Administratës Gjyqësore, ai i propozon Kancelarit marrjen e masave të duhura organizative, korrigjuese apo disiplinore. Nëse çështja nuk zgjidhjet, Kryetari i gjykatës vë në dijeni strukturën e Ministrisë së Drejtësisë përgjegjëse për kancelarët e cila urdhëron veprimin e duhur brenda një afati kohor 10 ditor.

    7. Kryetari bën publikisht të njohura problemet e përcaktuara nga sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median.

    KOMPETENCAT E KANCELARIT

    Përveç kompetencave që Kancelari ka në përputhje me ligjin nr. 9877 datë 18.02.2008 “Për organizmin e pushtetit gjyqësor”, i ndryshuar, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij dhe në zbatim të këtij ligji, Kancelari ushtron kompetencat e mëposhtme:

    1. Drejton dhe organizon veprimtarinë procedurale dhe administrative në Zyrat e Gjykatave dhe në Njësitë Administrative, duke siguruar kushtet e nevojshme për të mbështetur gjykatën dhe gjyqtarët në veprimtaritë e tyre juridiksionale, sipas nevojave të gjyqtarëve në shërbim të dhënies së drejtësisë dhe pa ndërhyrje në veprimtarinë juridiksionale të siguruar nga pavarësia e gjykatave.

    2. Në fushën procedurale:

    a) Krijon kushtet e duhura për personat e akuzuar, palët dhe mbrojtësit e tyre si dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces, për të realizuar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur dhe për t’u informuar.

    b) Organizon dhe mbikëqyr në Zyrën e Gjykatës marrjen, mbajtjen dhe administrimin e akteve procedurale dhe provave materiale dhe të shkruara të paraqitura, si dhe krijimin dhe mbajtjen e dosjeve gjyqësore.

    c) Merr masa për organizmin e ndarjes së çështjeve gjyqësore si dhe shpërndarjen e çështjeve për t’u gjykuar sipas hedhjes së shortit. Shorti organizohet dhe dokumentohet sipas udhëzimeve të Kryetarit.

    ç) Organizon dhe mbikëqyr përmbushjen nga Zyra e Gjykatës të detyrave në lidhje me kryerjen e veprimtarive procedurale si edhe zbatimin e urdhrave të gjykatave dhe gjyqtarëve në lidhje me zhvillimin e gjyqeve apo çështje të tjera në kryerjen e veprimtarisë së tyre juridiksionale.

    d) Zbaton vendimet që i lihen kompetencë gjykatës.

    dh) Mbikëqyr realizimin nga Zyra e Gjykatës të detyrave në lidhje me njoftimin, komunikimin dhe certifikimin e akteve procedurale të Zyrës së Gjykatës.

    3. Në fushën administrative:

    a) Ndjek dhe kontrollon ngarkesën e punës, shfrytëzimin e kohës së punës dhe respektimin e disiplinës në punë të nëpunësve të Administratës Gjyqësore, duke marrë masat e duhura organizative dhe disiplinore.

    b) I paraqet Ministrit të Drejtësisë, mendimin konsultativ paraprak të Kryetarit në lidhje me Zyrën e Gjykatës dhe sipas strukturës dhe personelit të miratuar për gjykatën përkatëse, kur ka nevoja për përmirësimin e strukturës dhe organizimit të Administratës Gjyqësore.

    c) Përcakton numrin e nëpunësve që do të ofrojnë shërbime për çdo njësi dhe sektor të strukturës së Administratës Gjyqësore, duke marrë paraprakisht mendimin konsultativ të Kryetarit në rastin e Zyrës së Gjykatës;

    ç) I komunikon sektorit përgjegjës për burimet njerëzore në Ministrinë e Drejtësisë vendet e lira në gjykatë të cilat duhet të shpallen për konkurs të hapur;

    d) Përzgjedh si nëpunës civil një nga kandidatët e propozuar nga komiteti ad hoc sipas statusit juridik të nëpunësve të administratës gjyqësore;

    dh) Plotëson vendet e lira me anë të transferimit të brendshëm të përkohshme;

    e) Merr vendime në fund të periudhës së provës pasi ka marrë mendimin paraprak konsultativ të Kryetarit në rastin e pozicioneve në Zyrën e Gjykatës;

    ë) Zhvillon çdo vit një vlerësim të performancës në punë të personelit të Administratës Gjyqësore sipas kritereve të veçanta të përcaktuara nga Ministri i Drejtësisë;

    f) Administron marrëdhëniet e gjykatës me publikun dhe median;

    g) Kujdeset për krijimin e kushteve lehtësuese për marrjen e informacionit nga publiku në mënyrë të saktë dhe të plotë, në formën e duhur dhe të shpejtë;

    gj) Mbikëqyr dhe drejton procesin e asgjësimit të provave materiale;

    h) Kontrollon plotësimin e regjistrave, librave dhe statistikave gjyqësore dhe përgatit informacion statistikor që i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë sipas Rregullores.

    i) Në bashkëpunim me shefin e sektorit të buxhetit, harton dokumentin që identifikon nevojat për buxhet i cili dërgohet nga sektori i buxhetit të gjykatës në Zyrën për Administrimin e Buxhetit Gjyqësor, sipas legjislacionit për buxhetin gjyqësor, si edhe administron dhe ndjek zbatimin e buxhetit të gjykatës;

    j) Merr masat mbi arkivën për mirëmbajtjen dhe shqyrtimin e dokumentacionit administrativ;

    k) Kujdeset dhe administron pronën e luajtshme dhe të paluajtshme të gjykatës;

    l) Kujdeset dhe merr masa për ruajtjen dhe sigurinë e ndërtesës së gjykatës në bashkëpunim me Kryetarin;

    ll) Merr masa disiplinore dhe vendos mbi ankimet kundër veprimtarisë administrative të Administratës Gjyqësore.

    KOMPETENCAT E KRYESEKRETARIT GJYQËSOR

    1. Çdo Zyrë Gjykate përbëhet nga një Kryesekretarë gjyqësorë që është Sekretari gjyqësorë me kompetencë koordinimin e punës së Zyrës së Gjykatës nën drejtimin e Kancelarit të gjykatës.

    2. Kryesekretari gjyqësorë emërohet nga radhët e Sekretarëve gjyqësorë dhe Sekretarëve të seancës dhe shkarkohet nga Kancelari sipas parimit të transparencës, meritës dhe aftësisë dhe pas marrjes së mendimit konsultativ të Kryetarit të gjykatës. Nëse ndërmjet Kancelarit dhe Kryetarit ka mospërputhje, çështja i raportohet drejtorisë së personelit apo strukturës kompetente të Ministrisë së Drejtësisë, që bën emërimin ose shkarkimin.

    3. Kryesekretari gjyqësorë bën organizimin dhe ndarjen e detyrave ndërmjet Sekretarëve gjyqësorë dhe Sekretarëve të seancës dhe koordinon punën e tyre. Ai gjithashtu drejton dhe organizon punën e punonjësve të tjerë të Zyrës së Gjykatës.

    4. Kryesekretari gjyqësorë kryen gjithashtu detyrat e mëposhtme:

    a) Nxjerr udhëzime të brendshme për Sekretarët gjyqësorë dhe Sekretarët e seancës për funksionimin e duhur të shërbimeve që u janë ngarkuar;

    b) Kontrollon zbatimin e duhur të urdhrave të nxjerra nga Kancelari;

    c) I raporton Kancelarit për çdo ngjarje që mund të jetë e rëndësishme për funksionimin e duhur të Zyrës së Gjykatës;

    ç) Kontrollon realizimin e njoftimeve procedurale nga nëpunësit gjyqësor të Zyrës së Gjykatës;

    d) Nxjerr, certifikon dhe firmos aktet procedurale që vijnë nga gjykata në mënyrë që aktet procedurale të trajtohen administrativisht;

    dh) Firmos të gjitha aktet procedurale që kërkojnë njoftime procedurale, siç janë:

    i. vendimet gjyqësore që marrin formë të prerë;

    ii. vendime përfundimtare dhe të ndërmjetme që dërgohen për ekzekutim;

    iii. ekstrakte dhe fotokopje të njësuara me origjinalin që vijnë nga gjykata;

    iv. të gjitha aktet e tjera të nxjerra nga gjykata, përveç firmës së personit që i ka përgatitur.

    e) Çdo detyrë tjetër të përcaktuar në akte ligjore dhe nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.