Kompanitë që shkelin ligjin, pjesë në hartimin e ligjit

    135

    Pajisjet Mjekësore, fituesit e tenderit në gjyqe për gjoba të pashlyera

    Në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë u diskutua me grupet e interesit projektligji “Për pajisjet mjekësore”.  Përfaqësuesit e shoqatës së distributorëve dentarë u shprehën se rreth 70 % e pajisjeve mjekësore në vendin tonë futen kontrabandë nga Kosova. Sipas tyre, shqetësues mbetet fakti që rreth gjysma e materialeve dentare mbeten të padeklaruara, për shkak të TVSH-së së lartë, prej 20%. “Tregu stomatologjik është prishur, futen materiale të pakontrolluara dhe të pacertifikuara. Mund të kenë ndikim negativ drejtpërdrejt në shëndet, mund të shfaqet një tumor pas dy vitesh dhe të mos e gjesh dot se kush ia shkaktoi”, tha nënkryetarja e Komisionit, Klodiana Spahiu. Në relacionin përkatës së projektligjit thuhet se, gjithashtu, projektligji është diskutuar edhe me grupet e interesit. Po kush janë grupet e interesit të cilat kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji?

    Grupet e interesit

    Projektligji “Për pajisjet mjekësore”, sipas burimeve të sigurta nga MSH, është hartuar edhe me “ndihmën” e 3 distributorëve të aparaturave mjekësore, dy prej të cilëve duken si më të afërta për drejtuesit e shëndetësisë, por gjithashtu dy kompani të cilat, sipas të dhënave, kanë shfaqur problematika në punën e tyre. Bëhet fjalë për kompanitë Fedos sh.p.k. dhe “BNT Elektronics” sh.p.k.

    Fedos sh.p.k.

    Sipas Buletinit 30 Qershor 2014, të Agjencisë së Prokurimit Publik, “Fedos” Sh.P.K Tiranë – përjashtohet për 2 (dy) vjet (21.05.2014 – 21.05.2016) nga prokurimet publike për falsifikim dokumentesh në tender. Në vend që MSH të mbajë qëndrim për këtë kompani, e cila ka shkelur ligjin, e bën pjesë të ligjit. Por, edhe pse kjo kompani është përjashtuar nga prokurimet publike, duket se ajo ka fituar tendera të rëndësishëm pak përpara se të jepej vendimi nga prokurimi Publik për këtë kompani të cilat venë në dyshim ligjshmërinë e tyre. Në morinë e tenderave fitues nga kjo kompani, gazeta “Telegraf” po zbardh një prej tyre, që është dhe më afër datës së vendimit për përjashtimin e kësaj kompanie nga prokurimet publike:

    Tenderi fitues

    Në Buletinin 26 maj 2014 të Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet përshkrim i shkurtër i kontratës “Mirëmbajtje e aparaturave mjekësore të Spitalit Lezhë”. Fondi Limit është 1 083 330 lekë pa tvsh dhe afati i përfundimit të punimeve parashikohet data 31.12.2014 dhe burimi i financimit është ISKSH dh procedura e prokurimit është bërë në 08.05.2014. ora 10:00.  “Fedos”  ka paraqitur ofertën me një vlerë të përgjithshme prej 951 000 lekë (pa TVSH), që është identifikuar si oferta e suksesshme nga ISKSH.

    “BNT Elektronics” sh.p.k

     Një tjetër kompani që ka qenë pjesë në hartimin e projektligjit është  “BNT Elektronics” sh.p.k., e cila është dhe fituese e tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për pajisjet mjekësore. Por rezulton që kompania “BNT Elektronics” sh.p.k., ka mjaft probleme gjyqësore përsa i përket gjobave të pashlyera të cilat i janë vendosur nga Tatimet. Kësisoj, kjo kompani nuk plotëson kriteret për t’u kualifikuar në tendera. Në Ligjin dhe udhëzimin kryesor të Tatimeve, “Ligji për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Ligji nr 9920 Neni 6 pika 3, “Detyrimi Tatimor”, thuhet se “Detyrimi tatimor përfshin tatimin, kamatëvonesat dhe gjobat për rastet e parashikuara nga ky ligj”. Ja disa nga problemet gjyqësore të kompanisë “BNT Elektronics” sh.p.k., për gjobat e pashlyera të vendosur nga Tatimet:

    Vendime gjyqësore

    I.

    Vendim nr.772 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Gjyqtare: Anila Kristani.

    Në këtë vendim thuhet se Shoqëria tregtare “BNT Elekrtonics” sh.pk i  është drejtuar gjykatës me kërkesëpadi me objekt shfuqizim aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet me  nr.1714/2  prot datë 03.02.2011 dhe të vendimit nr.6040/1  prot datë 01.06.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Sipas njoftimit për vlerësimin për detyrimet tatimore me nr.1714/2 prot datë 03.02.2011 rezulton se shoqëria paditëse detyrohet të paguajë gjobë në masën prej 200 000 lekë. Sipas njoftimit për vlerësimin për detyrimet tatimore me nr.4648/5 prot datë 28.03.2011 rezulton se shoqëria paditëse detyrohet të paguajë gjobë për muajin Janar 2011 në masën prej 500 000 lekë, dhe për muajin Shkurt 2011 në masën prej 400 000 lekë.

    Vendimi

    Në bazë të neneve 306 dhe 309 të K Pr Civile, gjykata vendosi:

    1.         Rrëzimin e kërkesëpadisë.

    2.         Shpenzimet gjyqësore  i ngarkohen palës paditëse.

    3.         Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së vendimit, afat që për palët fillon nga dita e nesërme e marrjes dijeni. U shpall më datë 01.02.2013 në Tiranë.

    II

    Në vendimin nr.338 të Gjykatës së Apelit Tiranë e përbërë prej: Kryesuese: Zegjine Sollaku; Anëtar: Dalip Bushi; Anëtar Hysni Demiraj,  pala paditëse “BNT Elektronics” sh.p.k ka paraqitur ankim, ndaj vendimit Nr.10086, dt.12.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë. Objekti i padisë është “Shfuqizimin e aktit administrativ “Njoftim vlerësimi për detyrimet”, nr.26256/2 prot., datë 11.10.2010 dhe nr.26387/2 prot., datë 26.10.2010 të Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë si dhe të vendimit nr.20778/1 prot. datë 07.02.2011, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë që lë në fuqi këto vendime. Shfuqizimin e aktit administrativ, “Njoftim vlerësimi për detyrimet”, nr.26702/1 prot., datë 01.10.2010, të Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, si dhe të vendimit nr.20081/1 prot., datë 21.02.2011 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë”. “BNT Elektronics” sh.p.k, ka kërkuar nga trupa gjykuese e Apelit prishjen e vendimittë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim. Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit Nr.10086, dt.12.12.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë. Vendimi u shpall në Tiranë në datë 04.05.2012.

    III

    Vendim nr.1440 e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Gjyqtare Anila Kristani, “Mbi konstatimin e moskompetencës lëndore dhe dërgimin e çështjes në

    gjykatën kompetente”. “BNT Elektronics” sh.p.k  padit Drejtorinë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj për “Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet me  nr.26256/2 prot datë 11.10.2010  dhe nr.26387/2 prot datë 26.10.2010 të Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë. Konstatimi i pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ njoftim vlerësimi për detyrimet me nr.26702/1 prot datë 01.10.2010 të Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë”. “Në rastin konkret objekt gjykimi nga ana e gjykatës rezulton të jetë një mosmarrëveshje në fushën e detyrimeve tatimore, si dhe rezulton qe pretendimet e pales paditese t’i drejtohen ndaj organeve të  administratës publike sikurse rezulton të jenë të paditurit në gjykim. Dhe meqë në kompetencën lëndore të Gjykatës Administrative ndër të tjera  janë edhe mosmarrëveshjet që lindin gjatë ushtrimit të veprimtarisë nga organi publik për shkak të veprimit apo dhe mosveprimit të tyre etj., gjykata arrin në përfundimin se çështja objekt gjykimi, pavarësisht se rezulton të jetë paraqitur për shqyrtim para datës 04.11.2013 dhe pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet shqyrtimi i çështjes, nuk është në kompetencë lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe se një çështje e tillë duhet t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, thuhet në vendimin e gjykatës të datës 03.02.2014.