Kompanitë farmaceutike, kthehen në agjenci turistike

    818
    Sigal

    Kompanitë xhenerike farmaceutike, mbështetëse të ministrit Beqja, janë kthyer në agjenci turistike

    Përfaqësues të kompanive xhenerike (mbrojtësit e Beqjes), janë kthyer në agjenci turistike për të bërë të mundur shitjen e barnave të tyre. Këto kompani xhenerike i bëjnë oferta turistike mjekëve dhe farmacistëve për të shitur barnat e tyre, pasi kjo është e vetmja mënyrë që biznesi i tyre të mbijetojë. Ndërsa farmacistët, të cilët gënjehen nga këto oferta, e paguajnë realisht udhëtimin me paratë e tyre, problemi qëndron me mjekët e spitaleve apo të familjes. Shumë herë është ngritur nga “Telegraf” problemi i mjekëve të cilët orientojnë pacientët drejt një farmacie apo bari që u intereson atyre. Shpesh është folur për marrëveshjet e mjekëve me farmacistët, individë të caktuar, apo me kompanitë xhenerike, në këmbim të një përqindjeje për çdo bar të shitur prej tyre nëpërmjet orientimit të pacientëve. Mjekët janë më të fituarit në këtë mes, sepse edhe udhëtimin e bëjnë, edhe paratë i marrin në përqindje sipas marrëveshjeve të bëra. Madje dhe vetë ministri i Shëndetësisë Beqja ka premtuar se “do të kontrollohen recetat e lëshuara nga mjekët, të cilët shpesh i orientojnë pacientët drejt produkteve farmaceutike që u intereson”. Por ministrit Beqja i ka zënë rrota bishtin, pasi ky është haraçi që duhet të paguajë për suportin publik që i dhanë firmat xhenerike, të cilët dolën në mbështetje të Ministrit të Shëndetësisë. E vërteta fare është se ky është haraçi që duhet të paguajmë ne taksapaguesit shqiptarë, të cilët do të përballemi në nevoja shëndetësore me barna jocilësore, të ofruara nga kompanitë xhenerike, pasi sipas specialistëve të fushës farmaceutike, ka ndryshime të mëdha midis barit patent dhe barit xhenerik. Ndërsa ofertat turistike për të siguruar mbylljen e ciklit (trekëndëshi mjek-farmacist-pacient) për barnat xhenerike, sigurojnë ekzistencën e këtyre bizneseve. Po ku qëndron ndryshimi midis barit xhenerik dhe atij patentë? Specialistët thonë se përbërja e barit është e njëjtë, por ajo që ndryshon është pikërisht efektshmëria e tij në organizëm (zbërthimi i barit, përthithja si dhe eliminimi). Kjo varet shumë nga teknologjia e prodhimit të barit, gjë që patentat e ruajnë me fanatizëm të madh. Ky është dhe ndryshimi thelbësor, ndryshim i cili sigurisht që pasqyrohet në dëm të pacientit.

    Oferta turistike e kompanive xhenerike

    Një nga kompanitë xhenerike, të cilat kanë nënshkruar deklaratën në mbrojtje të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja për të përgënjeshtruar deklaratat e Unionit të Biznesit Farmaceutik mbi rrezikun e hyrjes në treg të barnave të falsifikuara, pas ndryshimit të procedurës së tenderit nga ministri Beqja, ka bërë një ofertë udhëtimi për farmacistët që blejnë në një shumë të konsiderueshme parash barnat e tyre. Gazeta “Telegraf” disponon dokumente që vërtetojnë se kompania xhenerike “Hemofarm” ose “Stada”, me përfaqësues Artan Selimi,  ka dërguar 170 farmacistë për pushime në Zyrih “të gjitha të përfshira” 4 ditë e 3 netë. Nëse këtë ofertë turistike do ta llogarisnim me 500 euro për person, atëherë për 170 veta, firma xhenerike “Hemofarm” do të shpenzonte 8 500 euro, ndërsa secili prej farmacistëve ishte i detyruar të paraqiste te firma faturat për blerjet e barnave të tyre, në vlerën e 4 500 dollarëve. Pra firma xhenerike “Stada” ka përfituar 765 000 dollarë nga shitja e barnave të tyre, në shkëmbim të ofertës turistike për në Zyrih. Në ofertën turistike shpalosen edhe “përfitime” të tjera për farmacistët si skontoja prej 8 % në faturë, apo sigurimi i alternativave të barit në listën e rimbursueshme me çmimin e alternativës së parë, apo në rast se farmacitë dëshirojnë më shumë se 1 ofertë, atëherë rritet edhe skontoja në faturat e blerjes.  Ajo që lë vend për dyshim është cilësia e barnave me të cilat furnizohen këto farmaci, se nëse bëhen skontot (udhëtimi, marzhi i fitimit, përqindjet e ulura, çmimi i alternativave të barnave në listë, etj.) nga shuma e përgjithshme, atëherë duhet parë çmimi real (dhe jo ai i deklaruari) i blerjes, me të cilën kompanitë xhenerike sigurojnë barnat e tyre. Kjo që po bëhet me barnat, listën barnave të rimbursuara, mjekët, farmacistët dhe kompanitë xhenerike duhet të bëhet objekt i Krimit Ekonomik, Prokurorisë dhe organeve hetuese që përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë. Ndërsa firmat xhenerike fitojnë terren, të sigurt në pandëshkueshmërinë e veprimeve të tyre, për shkak të suportit politik që ata kanë.

    Në “superofertën” e Femofarmës citohen dhe kushtet e ofertës

    Kushtet e udhëtimit:

    Blerje produkte Hemofarm Stada gjatë muajit Prill në nivelin e 450.000 lekë të reja për çdo farmaci/ofertë ose blerje Prill 225.000 lekë të reja dhe Maj 225.000 lekë të reja.

    – Skontoja që do të aplikohet do të jete 8% në faturë

    – Arranzhimi ne nivel ‘All-inclusive’ me 3 netë fjetje, me hotel 4**** superior ne Zurich, me vizitë në Lozanë dhe Gjenevë, me mbrëmje darke Gala me DJ

    – Nga ky rregull përjashtohen produktet Infuzione ( Glukoza 5% – 500ml dhe NaCI 0.9% – 500ml), ku një ofertë nuk mund të ketë më shumë se 10 flakonë të kalkuluar për porosi oferte

    – Çdo farmaci është e obliguar që të blejë ekzaktësisht këtë vlerë, periudha e blerjes 01-30 prill 2014 dhe 01-15 Maj 2014    • – ::

    Farmacitë që dëshirojnë të marrin 2, 3 ,4 apo më shumë oferta, do të kenë këto oferta:

    –          Për 2 oferta, vlera totale e blerjes 850.000 lekë me 8%

    –          Për 3 oferta, vlera totale e blerjes 1.200.000 lekë me 8%

    –          Për 4 oferta, vlera totale e blerjes 1.450.000 lekë me 8%

    –          Për 5 oferta, vlera totale e blerjes 1.750.000 lekë me 8%

    – Çdo farmaci është e obliguar të tregojë faturat e blerjes, të cilat do të konfondohen në dt. 01 dhe 02 maj për konfirmim përfundimtar

    – Për depot sekondare vlen vetëm se një ofertë: blerje 1.000.000 lekë me 10% për një person ; blerje 1.800.000 lekë me 12% për 2 persona; blerje 2.500.000 lekë me 14% për 3 persona

    – Udhëtimi do të jetë në datat 15-18 maj dhe 22-25 maj 2014

    – Çdo farmaci është e obliguar që të japë fotokopje të pasaportës të personit që udhëton deri me dt. 30 prill 2014, përndryshe nuk e konsiderojmë si person që do të udhëtojë dhe për pasojë, risqet e kthimit të mallrave duhet t’i bartin farmacitë

    – Çdo farmaci që bën ndryshim personi në udhëtim, ose anulim udhëtimi, në mënyrë paraprake po ju përcjellim vendimin që kostot e anulimit apo ndryshimit i bart farmacia.

    Unioni i biznesit farmaceutik çon përpara drejtësisë ministrin Beqja

     Unioni i biznesit farmaceutik ka hedhur në gjyq Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja për shkelje të ligjit “Për prokurimin publik”. Sot dy palët përballen në seancën parapërgatitore në Gjykatën Administrative. Konflikti arriti deri në organet e drejtësisë, pas urdhëresës së ministrit Beqja për të shtyrë datat e tenderit dhe për të hequr disa nga kërkesat për t’u kualifikuar për tender. Këto kërkesa janë: autorizimi i prodhuesit dhe vërtetimi i regjistrimit të barit në Republikën e Shqipërisë. Me heqjen e këtyre kërkesave, sipas grosistëve, mund të lejohen që të importohen barna që nuk janë të regjistruara në Shqipëri, e cila përbën shkelje të hapur të ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik. Bazuar në ligjin 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, urdhëresa e firmosur nga Ministri i Shëndetësisë me nr. 668/4 datë 21.03.2014 bie ndesh drejtpërsëdrejti me ligjin e lartpërmendur. Unioni është i bindur në kauzën që mbron dhe është i gatshëm ta çojë çështjen edhe përpara Prokurorisë.