Komiteti Helsinkit :Të drejtat dhe liritë e shtypura të njerëzve në Shqipëri

    423
    Sigal

    Komiteti Helsinkit publikon raportin mbi situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri për vitin 2012

    Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri ka qenë dhe mbetet thelbi i misionit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) në 22 vitet e veprimtarisë së tij. Për këtë qëllim organizata vazhdimisht ka ndërmarrë aktivitete që kanë kontribuar në nxitjen, promovimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.

    Bazuar në këtë veprimtari KShH e ka bërë tashmë traditë që të hartojë, çdo vit, raportin lidhur me respektimin e të drejtëve të njeriut në vend, si dhe problematikat në këtë drejtim. Qëllimi i këtij raporti është të informojmë dhe ndërgjegjësojmë mbarë opinionin publik, administratën shtetërore dhe subjektet ndërkombëtarë të interesuara, lidhur me situatën e sanksionimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, për vitin 2012. KShH, gjatë këtij viti, është angazhuar përsëri për monitorimin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë dhe Durrës, duke u fokusuar në zbatimin e  procedurave për mosfillimin ose pushimin e hetimit dhe kundërshtimin e këtyre vendimeve në Gjykatë, si dhe procedurat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale me burgim.

    -Ish të përndjekurit politikë dhe greva tyre

    Nga monitorimet e kryera në polici, janë konstatuar probleme si: ndjekja e praktikave të gabuara lidhur me shoqërimin, ndalimin dhe arrestimin e personave; mospasqyrimin ose pasqyrimin jo të saktë të të dhënave në regjistrat përkatëse për momentin e hyrjes dhe të daljes së një personi të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar; mosnjoftimin e të drejtave të personave të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar; mosnjoftimin e familjeve të tyre, etj. Raste flagrante ishin shoqërimet e shpeshta dhe të pamotivuara të ish të përndjekurve politikë nga komisariate të ndryshme të policisë në Tiranë, gjë që u krijon këtyre personave pasiguri dhe cenim të lirisë. Policia e shtetit, gjithashtu, nuk respektoi si duhet ligjin në lidhje me grevën e të përndjekurve politikë, duke i cenuar hapur këtij grupi lirinë e manifestimit.

    -Romët dhe grupet e minoritetit

    Minoriteti Rom ka qenë ndër grupet më të diskriminuara të shoqërisë shqiptare. Me keqardhje konstatojmë se organet e qeverisjes nuk kanë marrë masat e nevojshme me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij minoriteti, i cili vuan mungesën e strehimit, të infrastrukturës, mungesën e shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera sociale, mungesën e mundësive për frekuentimin e shkollës ose kopshteve nga fëmijët e tyre, etj. Gjatë vitit 2012, viktimë e akteve të ndryshme me karakter diskriminues, të kryera në mënyrë direkte ose indirekte, kanë qenë sidomos gratë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe komuniteti LGBT. Tërheqim vëmendjen në lidhje me diskriminimin e komuniteti të personave me aftësi të kufizuar, të cilit, në disa rrethe, prej muajsh nuk ju paguhen të ardhurat sipas ligjit. Diskriminimi në marrëdhëniet e punës vazhdon të jetë prezent, duke u manifestuar së shumti nëpërmjet largimeve të padrejta nga puna.

     E drejta e pronës ende ndeshet me cenime të shumta. Nuk ka përfunduar procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe kompensimi i ish pronarëve. Kjo situatë shkaktohet nga konfuzioni ligjor, nga zbatimi i gabuar i tij, nga korrupsioni ose inkompetenca e nëpunësve që merren me këto procedura, keqfunksionimi i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe nga vonesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

    -E drejta e jetës- rritja e vrasjeve

    Gjatë vitit 2012, ka pasur një numër të lartë të krimeve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e shëndetit dhe humbjen e jetës së shumë shtetasve. Kështu gjatë vitit 2012, ishte flagrante dhe makabre vrasja e 24 grave dhe dëmtimi shumë i rëndë i shëndetit për 4 të tjera, si rezultat i dhunës në familje, ku ndonjë prej tyre ka qenë me urdhër mbrojtje nga gjykata; vdekja e të dënuarit A.R, në IEVP Shën Koll, i cili ishte qëlluar nga një i dënuar tjetër; vrasja në krye të detyrës e shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut; vrasja e G.B në Elbasan, që ndodhej me masën arrest në shtëpi; më shumë se 11 vrasje për gjakmarrje, midis tyre vrasja e të miturës Marie dhe gjyshit të saj; vrasja e pastorit D.Prroni; vetëflijimi i shtetases T.O. viktimë e ngjarjes së Gërdecit; rasti i paprecedentë i vetëflijimit e tre grevistëve të urisë, ish të përndjekurve politik, me pasojë vdekjen e njërit prej tyre dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve, si dhe trajtimi degradues e çnjerëzor i grevistëve nga ana e policisë, duke ju hequr dhe mjetet e fundit të jetesës si ilaçe, kafe, sheqer dhe serume; dëmtimi i gjendjes shëndetësore për rreth 26 fëmijë e të moshuar të komunitetit rom për shkak të dëbimit të paligjshëm nga vendbanimi i tyre nga punonjësit e Bashkisë Tiranë, në periudhën janar-shkurt 2012; etj.

    KShH ka konstatuar raste sporadike, por tepër shqetësuese, të humbjes së jetës së personave, që kanë qenë nën mbikëqyrjen e policisë dhe autoriteteve shtetërore, si rasti i G.B i cili u vra me armë zjarri, më 15 Gusht 2012, në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që ndodhej në arrest shtëpie dhe ruhej nga punonjës të policisë së shtetit. Një ngjarje e rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik, ishte vrasja në krye të detyrës, më 13 Shtator, e shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut, të ndjerit Adem Tahiraj.

     –RESPEKTIMI I TË DREJTAVE TË PERSONAVE TË PRIVUAR NGA LIRIA

    KSHH, ka pasur ndër vite në fokus të vazhdueshëm promovimin dhe respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Gjatë vitit 2012, në kuadër të veprimtarisë së vet13, KShH ka kryer monitorime të planifikuara në 50% të IEVP, në 11 komisariate policie të vendit, si dhe 18 monitorime sporadike në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) dhe 6 monitorime sporadike në Komisariatet e Policisë. Këto monitorime kanë patur në fokus vëzhgimin e kushteve të jetesës së personave të privuar nga liria dhe respektimin e të drejtave të tyre nga stafi i institucionit, verifikimin e ankesave të ardhura në adresë të KShH-së, ofrimin e shërbimeve ligjore falas; etj.

    Procesi i lidhjes së marrëveshjes vjetore për monitorim e bashkëpunim me Policinë e Shtetit është pezulluar për shkaqe të paqarta. Pavarësisht praktikave të mira të bashkëpunimit për sa i takon aksesit të vëzhguesve të KShH-së për kryerjen e monitorimeve, gjatë vitit 2012 ka pasur raste sporadike ku vëzhguesit e KShH-së janë penguar ose u është kufizuar aksesi nga stafi i institucioneve të monitoruara.

    Mbipopullimi

    Nga monitorimet dhe verifikimet e kryera në disa nga institucionet e vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit është vërejtur mbipopullim, konkretisht në IEVP Fushë – Krujë, IEVP Vaqarr dhe IEVP Shën Koll. Ka pasur raste, kur mbipopullimi ka ndikuar negativisht në plotësimin e kushteve të jetesës, të parashikuara në ligj.

    -Trajtimi mjekësor

    Një ndër problematikat e konstatuara në këto institucione, ku mjekohen të dënuarit e diagnostikuar me probleme të ndryshme shëndetësore, është mungesa e stafit mjekësor të specializuar. Nga kontaktet e

    monitoruesve të KSHH-së me të dënuarit dhe të paraburgosurit në këto institucione, u morën ankesa për mungesën e medikamenteve, duke përfshirë dhe mungesën e atyre medikamenteve që përdoren për të sëmurët kronikë.

    -Trajtimi Human

    Gjatë vitit 2012, KShH ka marrë 12 ankesa nga personat e privuar nga liria në IEVP, të cilët kanë pretenduar ushtrim të dhunës fizike apo psikologjike nga personeli i institucionit ose nga të dënuarit e tjerë. Gjatë vitit 2012, KShH ka marrë 10 ankesa nga personat e privuar nga liria në Komisariatet e Policisë, të cilët kanë pretenduar ushtrim të dhunës fizike apo psikologjike, të ushtruar nga stafi me uniformë. Në disa raste, KShH ka kryer verifikimin e këtyre ankesave pranë në Drejtorive të Policisë së Qarqeve dhe/ose Komisariatet e Policisë.

    E drejta për liri dhe siguri

    Nga monitorimet e kryera në disa komisariate policie, KShH ka vërejtur se efektivat e policies ndjekin “praktika të gabuara” që vijnë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe ligjit “Për Policinë e Shtetit” për sa i takon shoqërimit, ndalimit ose arrestimit në flagrancë të shtetasve, ç’ka i privon dhe i cenon këta shtetas në gëzimin e të drejtës për liri dhe siguri.

     –E drejta për një proces të rregullt ligjor-21 Janari dhe gjyqi Gërdecit

    Në kuadër të programit Klinika Ligjore Falas, KShH ka trajtuar 30 ankesa që i adresohen organeve të pushtetit gjyqësor. Disa ankesa kanë pasur të bëjnë me mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat në të shumtën e rasteve i janë adresuar përsëri sistemit gjyqësor, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtës për proces të rregullt gjyqësor që është cenuar si rezultat i vonesave në ekzekutimin e vendimit. Ankesat e shtetasve për proces të parregullt gjyqësor, ose për vendime të padrejta gjyqësore, janë të lidhura, kryesisht, me çështjet penale dhe për çështje civile të pronësisë. Nga kontaktet dhe komunikimi me këtë kategori ankuesish, rezulton se besimi i shtetasve në organet e drejtësisë është shumë i ulët, ekziston gjerësisht perceptimi se gjyqtarët janë të korruptuar, të njëanshëm dhe në disa raste ankuesit shprehen se e vetmja mënyrë për të

    vendosur drejtësi në Shqipëri është vetëgjyqësia. Vëzhguesit e KShH-së kanë monitoruar gjatë vitit 26 seanca gjyqësore për disa nga çështjet më sensitive, ndër të cilat çështjen penale me të pandehur tre ish anëtarët e Gardës së RSH që akuzohen për vrasjen e 4 viktimave të demonstratës së 21 Janarit, çështjen penale të iniciuar nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kundër ish Ministrit të Mbrojtës. Disa nga problematikat e përgjithshme, që janë konstatuar nga monitorimet, kanë qenë: vonesat e gjata në fillimin e gjykimit të çështjes dhe mos respektimi i orarit të përcaktuar nga vetë gjykata; mosrelatimi nga gjyqtari i çështjes ose trupi gjykues i shkakut të vonesës, siç detyron ligji; mbivendosja e orareve të seancave gjyqësore, për çështje të ndryshme që gjykoheshin nga i njëjti trup gjykues; zhvillimi i seancave në salla të vogla, duke penguar aksesin e qytetarëve në gjykatë, ç’ka vjen në kundërshtim me parimin e publicitetit të gjykimit; mospërdorimi i veshjeve të posaçme për seancat e gjykimit; shtyrje e çështjeve në mënyrë abuzive nga palët, ç’ka pengonte gjykimin e shpejtë të çështjes, brenda një afati të arsyeshëm, mosparaqitje të avokatëve ose prokurorëve të çështjes etj.

    Parimi i sigurisë juridike: ish-ushtarakët

    Nga jurisprudenca dhe doktrina tashmë është pranuar se një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës është dhe parimi i sigurisë juridike. Duke u nisur prej disa ankesave, që na u adresuan nga disa ish ushtarakë, përfitues të pensionit të parakohshëm, të cilët ankoheshin se nga muaji Tetor 2011, Instituti i Sigurimeve Shoqërore u kishte ulur në mënyrë të konsiderueshme masën e pensionit të tyre, KShH kreu takime me përfaqësues të institucionit përkatës dhe shkëmbeu korrespondencë zyrtare me ta. Nga verifikimi rezultoi se, lidhur me këtë çështje, qeveria shqiptare ka miratuar aktet ligjore dhe nënligjore30, të cilat vijnë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.33, datë 24.06.2010. Lidhur me këtë çështje, është shumë shqetësues fakti se aktet ligjore dhe nënligjore të miratuara, pas dhënies së këtij vendimi nga Gjykata Kushtetuese, vijnë në kundërshtim të hapur me atë që kjo Gjykatë ka vendosur dhe argumentuar, duke cenuar sërish edhe për këtë shkak, parimin e sigurisë juridike.

     AKSESI I QYTETARËVE NË ORGANET E QEVERISJES QENDRORE DHE VENDORE

    Nga kjo veprimtari na ka rezultuar se, me gjithë përmirësimet gjatë viteve të fundit, administrate publike, vazhdon të ketë mangësi lidhur me nivelit e kompetencës, transparencës dhe përgjegjshmërisë në dëgjimin e publikut dhe zgjidhjen e problemeve që ai adreson. Një gjë e tillë është konstatuar dhe evidentuar edhe në Progres Raportin e fundit për Shqipërinë të Komisionit Evropian (Tetor 2012). Gjatë vitit 2012, KShH ka marrë ankesa të ndryshme nga qytetarë lidhur me veprimtarinë e institucioneve të administratës publike. 18 ankesa janë adresuar për procedura të parregullta ose jo transparente nga organet e administratës qendrore dhe vendore, 3 ankesa janë adresuar për sa i takon mënyrës së akordimit të ndihmës ekonomike dhe pensioneve dhe masës së tyre, 2 ankesa kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës për t’u informuar nga institucionet e administratës publike.