Komisioni i Verifikimit kalon në ‘sitë’ mandatet, betohen 140 deputetët e rinj

450
Janë betuar 140 deputetët e rinj të parlamentit shqiptar. Pas verifikimit të mandateve nga Komisioni, 140 deputetët kanë përsëritur pas leximit të formulës nga drejtuesit të seancës Besnik Bare fjalën “Betohem”!

Më pas Bare ka lexuar një nga një sipas alfabetit emrat e deputetëve për praninë e tyre.

Komisioni për Verifikimin e mandateve ka mbyllur raportin, duke kaluar në ‘sitë’ 140 deputetët e rinj të Parlamentit të Shqipërisë. Ashtu siç ishte parashikuar, seanca e Kuvendit nisi pak pas orës 18:00, ndërsa nga foltorja e Kuvendit, kryetarja e këtij komisioni, Vasilika Hysi prezantoi para të pranishmëve raportin.
“Ju uroj suksese meqenëse fati më solli të jem këtu parafolëse. Suksese gjithë deputetëve të rinj. Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve zhvilloi mbledhjen dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin përkatës konstatoi se përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë 5 subjekte zgjedhore. KQZ mbi bazën e rezultatit ka përllogaritur shpërndarjen e mandateve midis partive që garuan më vete për çdo zonë zgjedhore si dhe të kandidatëve fitues.

Mandatet janë ndarë:
LSI-19 mandate
PS-74 mandate
PD-43 mandate
PSD-1 mandat
PDIU- 3 mandate.

Ky komision për të verifikuar vlefshmërinë e mandateve u mbështet në dokumentacionin zgjedhor të KQZ si dhe ka parë kushtet për marrjen e mandatit të çdo kandidati.

Komisioni administroi listën e plotë të deputetëve dhe dokumentacionin e dorëheqjeve të paraqitura nga kandidatët fitues. Për deputetët e zgjedhur nuk u gjetën raste pavlefshmërie të mandateve. Komisioni konstaton se mandatet e 140 deputetëve janë të vlefshme”, deklaroi Hysi.

Burime e mbrëndshme bëjn me dije se më herët se komisioni nuk ka konstatuar asnjë parregullsi dhe se gjithçka do të jetë formale.

Përveç betimit të deputetëve, mësohet se rregullorja nuk parashikon të ketë debate, por dy partitë kryesore, PD dhe LSI do të shprehin kontestime përmes votës kundër Ruçit. Duhet përmendur fakti se me rëndësi janë edhe zhvillimet jashtë oborrit të Kuvendit, pasi ish-të përndjekurit politikë do të mbajnë një protestë. Sakaq, ditën e hënë pritet të ketë një axhëndë të ngjeshur zhvillimesh politike, pasi ka dy seanca parlamentare, një paradite dhe një pasdite, ku do të prezantohet kabinetit qeveritar “Rama 2”
Sigal