Komisioneri Hahn: Ndryshimi i kufijve të Kosovës me Serbinë është në diskutim

560
Sigal

4 kryeministra bojkotuan Samitin Informal të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Durrës

Dje në Durrës u zhvillua Samiti Informal i Liderëve të Ballkanit Perëndimor me temë “Integrimi i Ekonomisë Rajonale” kur merrte pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn. Në fokus të këtij takimi ishte rritja e zbatimit të angazhimeve të marra në Samitin e Triestes në korrik të vitit 2017, që synon të sigurojë mundësi të reja për bizneset dhe për qytetarët, si dhe do të forcojë zhvillimin dhe vendet e punës. Kryeministri Rama, homologët e tij dhe komisioneri Hahn diskutuan mbi integrimin ekonomik të vendeve të rajonit dhe mbi projektin e nisur tashmë për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët. Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një statusi thotë se takimi në Durrës shton dinamikën e rajonit dhe do nxisë rritjen ekonomike. “Takimi i liderëve të sotëm në Durrës shton dinamikën pozitive që kemi dëshmuar gjatë muajve të fundit në lidhje me prespektivën e Ballkanit. Rajoni do të nxisë rritjen ekonomike, vendet e punës dhe prosperitetin përgjatë rrugës për anëtarësimin në BE”- ka shkruar Hahn.

Rama dhe Hahn flasin për herë të parë për Korrigjimin e Kufijve Kosovë-Serbi: S’duhet të cenohet stabiliteti

Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn janë pyetur nga gazetarët pas samitit informal në Durrës për debatet në lidhje me ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi. Komisioneri Hahn tha se nuk do të pranohet asnjë vend në BE nëse ka probleme dhe se çdo lloj marrëveshje nuk duhet të rrezikoje stabilitetin e rajonit. “Do të jetë një tjetër takim në vijim dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje për rrjedhojë ju lutem kuptoni se nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment, veç atij që sigurisht siç është parashtruar në strategjinë e Ballkanit Perëndimor ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura mosmarrëveshjet dypalëshe. Ajo çfarë ka vlerë për ne është stabiliteti në të gjithë rajonin. Duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Duhet të jetë e kundërta të kontribuojë për më shumë stabilitet në rajon. Cilido të jetë objektivi përfundimtar ky duhet të jetë objektivi kyç. Sa më shumë stabilitet në të gjithë rajonin duke zgjidhur konfliktet dypalëshe. Nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. Çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e rajonit, cilido që të jetë objektivi përfundimtar”- tha Hahn.

“A do të ketë ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë?”

Kësaj pyetjeje i është përgjigjur Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian Hahn, i cili tha se është ende herët për të folur për këtë çështje, pasi sipas tij do të ketë dhe takime të tjera që do të diskutohen. “Nuk mund të flas në këtë moment, pasi çështja është ende në diskutim, do të ketë dhe takim tjetër në Bruksel, ku do të shihet më qartë kjo çështje”, ishte kjo përgjigja e Hahn. Ndërkohë Rama refuzoi që të japë një përgjigje të tijën, por tha se është dakord me ato që tha Hahn.

Kryeministri Haradinaj: Kosova i ka kufijtë e vet

Në këtë takim kanë folur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ku ndër të tjera ka folur edhe për çështjen e shumëdiskutuar, atë të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj u shpreh se Kosova i ka kufijtë e vetë dhe nuk do të ndryshojnë. “Kosova i ka kufijtë e vetë, i ka me Shqipërinë, me Serbinë, me Malin e Zi, i ka nga të gjitha anët. Ne i respektojmë këta kufij, duhet vetëm një dizajnim i tyre, jo ndryshim i tyre”, u shpreh Haradinaj.

1

Kryeministri Rama sulmon BE për refugjatët: Politika evropiane është impotente

Në përfundim të takimit informal në Durrës mes kryeministrave të Ballkanit, Kryeministri Rama është pyetur gjatë konferencës për shtyp për marrjen nga Shqipëria të 20 emigrantëve nga Eritrea. Kryeministri Rama ka shfrytëzuar rastin për të sulmuar BE rreth kësaj çështje. Ai tha se “këta njerëz qëndronin të burgosur nga impotenca e politikës evropiane”.

Pyetja: Ju u prononcuar në mediat e huaja për gatishmërinë për marrjen e emigrantëve në Itali. Sa mendoni ju që ky vendim do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?

Kryeministri Rama: Nuk mund të shikonim njerëz që kishin ardhur nga ferri, qëndronin të burgosur nga impotenca e politikës, rajonale pse jo dhe evropiane. Ne bëmë aq sa mundëm, është rasti për të kujtuar se Ballkani në krizën e 2015, bëri atë që duhet të bënte e gjithë Evropa. Vendi ynë nuk ka asnjë qëllim të fshehtë, por është në botën mediatike për të rrëmuar në gjëra të fshehta.

2

Katër kryeministrat e rajonit që munguan (bojkotuan) në takimin e Durrësit

Tri kryeministra nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi nuk kanë marrë pjesë në takimin informal të organizuar nga kryeministri Rama në Durrës. Në nisje të fjalës së tij, kryeministri shqiptar Rama ka shpjeguar arsyet e mungesës së Bojko Borisov, Ana Brnabiç dhe Zoran Zaev. Ndërsa kryeministri Cipras,u përfaqësua nga ministri i Jashtëm Kocias dhe ambasadorja greke në Shqipëri. Kryeministri Rama: Për rrethana objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve të tjerë të rëndësishëm. Përfitoj nga rasti ti shpreh ngushëllimet tona, kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik ku kanë humbur jetën shumë persona, është bërë shkak për anulimin e ardhjes së tij. Po ashtu, Kryeministri i Maqedonisë, pas më shumë se një orë në aeroportin e Shkupit, e ka pasur të pamundur për shkak të kohës. Kryeministrja serbe na ka përcjellë keqardhjen për pamundësinë. Megjithatë besoj që kemi zhvilluar një takim të frytshëm, të dobishëm, duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë më radhë të gjitha aspektet e këtij procesi, qoftë ato që kanë ecur si duhet qoftë ato që kanë nevojë për një shtysë të fortë.

Shtypi gjerman: Ndryshimi i kufijve në Ballkan hap kutinë e Pandorës!

Shtypi gjerman i kushton vëmendje, zhvillimeve në Ballkan. Gjermania nuk mbështet këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje debatit aktual për kufijtë në Ballkan. Nën titullin “Zgjidhje kreative për Ballkanin”, FAZ nënvizon, se Serbia dhe Kosova po diskutojnë për këmbim të territoreve. Ka disa partnerë që e shohin me përmbajtje këtë propozim, por rezistencë vjen nga kancelarja gjermane.

Merkel kundër ndarjes së kufijve

Duhet të jetë pritur si bezdisëse në Beograd, shkruan gazeta gjermane, që pikërisht kancelarja gjermane, mjaft e nderuar për një kohë të gjatë nga Vuçiç, del kundër dhe paralajmëron se “‘integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Këtë duhet ta themi gjithmonë, sepse gjithmonë ka përpjekje, të flasim ndoshta edhe njëherë për kufijtë. Këtë nuk mund ta bëjmë.’ Tingëlloi ndërkohë si një përgjigje indirekte ndaj kancelares Merkel, kur Vuçiç të shtunën në një prezantim të përbashkët me presidentin Thaçi në Forumin Evropian të Alpbachut në Austri kërkoi që serbët dhe shqiptarët të gjejnë vetë një zgjidhje. Thaçi nga ana e tij shtoi se ‘koha për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është tani’. Komisioneri Hahn ëndërron për një ‘moment historik’.

Zëra kritikë dhe përkrahës

Por Frankfurter Allgemeine Zeitung e drejton vëmendjen edhe tek rreziqet e planeve të tilla, që mund të sjellin një reaksion zinxhir të pakontrolluar në Ballkan. Wolfgang Ischinger, kreu i Konferencës së Sigurisë në Mynih paralajmëron nga hapja e “kutisë së Pandorës”. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Suedisë dhe përfaqësuesi i dikurshëm i bashkësisë së shteteve në Bosnje, Carl Bildt u shpreh në “Washington Post”, se ‘të luash me kufijtë dhe ndarjet në Ballkan ka qenë e rrezikshme në fillim të viteve 90-të dhe është e rrezikshme edhe sot.’ Sipas tij ‘Ballkanizimi i Ballkanit’ është ‘recetë për katastrofë’.