Komisar Milto Kordha heroi i policisë që do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona

    1598
    Sigal

    Buqetë kujtimesh kushtuar Komisarit të Policisë Milto Kordha, i cili u nda nga ne duke lënë pas mbresat më pozitive

    Milto Kordha u lind në vitin 1953 në qytetin e Vlorës. Ishte vetëm gjashtë muajsh foshnjë, kur e ëma ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur dhe e rëndë. U përkushtuan për mirërritjen e tij familja me tradita e Kordhajve në Vlorë e sidomos gjyshja e tij, e nderuara Angjelina. Ndoqi arsimin 8-vjeçar dhe mbaroi gjimnazin “Halim Xhelo” në vitin 1972. Qysh i ri Milto Kordha mbarte cilësitë më të vyera, thjeshtësinë e dashurinë për shokët e të afërmit, Vlorën dhe njerëzit. Qysh në atë moshë ai nuk duronte sidomos padrejtësinë dhe e luftonte atë me guxim, në të gjitha format që ajo shfaqej. Ishte i shkathët dhe i fort fizikisht, shquhej për seriozitetin, por edhe për humorin e tij të këndshëm e të hollë. Ishin të lumtur ata që e fitonin Milto Kordhën si shok, si epror, si koleg. Mbas gjimnazit, në bazë të kritereve të caktuara, u pranua, studioi e përfundoi shkëlqyer shkollën e policisë në vitin 1974. Emërohet drejtues i trupës së policisë në Gramsh, ku shumë shpejt, me korrektësinë e pjekurinë profesionale, fitoi respektin e mirënjohjen e masave popullore të rrethit. Periudha disavjeçare si kuadër drejtues i policisë në Gramsh, i dha mundësinë të pasqyronte e të demonstronte vrullshëm aftësitë profesionale për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, me një pasion të veçantë e ndershmëri të pashoqe. Në vitin 1985 emërohet kuadër i policisë në Fier, ku qëndroi deri në vitin 1991, tashmë plot përvojë e siguri në zgjidhjen e situatave nga më të vështirat. Me mprehtësinë profesionale e gjakftohtësinë që e karakterizonte, përballoi e parandaloi me sukses gjakderdhjen në kuadrin e fluksit masiv të indinjuar e të irrituar për ndryshimin e sistemit të shtetit totalitar. Për një kohë të shkurtër, për cilësitë dhe aftësitë e tij drejtuese,  emërohet komisar i policisë në qytetin e Durrësit e një vit më vonë në atë të Vlorës, qyteti i lindjes e i kujtimeve rinore. Komisar Milto Kordha në periudhën e turbullirave masive u ndërgjegjësua plotësisht se detyra më të mëdha, të vështira e më të mprehta e prisnin, në kuadrin e rivendosjes së një shteti të ri ligjor në kushtet e demokracisë dhe integrimit europian. Pasojat e shpërbërjes së organeve të policisë në periudhën e tranzicionit, do ta gjenin Milto Kordhën të liruar nga detyra, këtë komisar të devotshëm që dinte të përshtatej e të manovronte me shumë kujdes në të gjitha situatat dhe etapat që krijoheshin. E vuante shpirtërisht mungesën e shërbimeve të policisë aq e domosdoshme dhe më se e kërkuar për fatet e popullit. Viti 1997- ishte viti i ngjarjeve dramatike nga më të tmerrshmet që ka njohur periudha e tranzicionit në të gjithë vendin, por veçanërisht në Vlorë. Petraq Dhroso: Tre policët e vrarë në fabrikën orizit

    Viti 1997, kur bandat e organizuara kriminale, në rivalitet me njëra-tjetrën përplaseshin e goditeshin për vdekje midis tyre. Duke përdorur një arsenal armësh të fuqishme automatike të kalibrave të ndryshëm, përfshirë predha e bomba; qyteti i Vlorës përjetonte një tmerr të vërtetë dhe panik të jashtëzakonshëm. Në një nga këto përplasje banditësh në mënyrë të pamëshirshme qëllohen për vdekje ndaj tre policëve të patrullës  së shërbimit në vendin e quajtur “Fabrika e Orizit”. Frika që kishte pllakosur e mbërthyer kudo, bëri që qytetarët të mos u afroheshin policëve që përpëliteshin në pellgun e gjakut, duke i lënë  pa u dhënë të paktën as ndihmën më të vogël humanitare. I njoftuar për situatën e krijuar, komisar Milto Kordha i ndodhur diku me shërbim, shkon me një furgon në vendin e ngjarjes. Dashuria për shokët, kuadrot dhe efektivat, bëri që komisari Milto të marrë guximin për jetë a vdekje; del nga furgoni, i merr një për një në duar policët e vrarë, i vendos në furgon dhe niset për t’i çuar në spitalin e qytetit. Shumë njerëz e panë ngjarjen makabre, ndoshta dhe vetë kriminelët, por autoriteti absolut i komisarit të sprovuar Milto Kordha, të mpinte, të rrëqethte e të detyronte të shprehje respekt për atë drejtues policie me zemër të madhe.

    Llazi Mino: Si iu përgjigj banditëve që donin autoblindën

    Në ditët e panikut të madh, kur Vlora ishte e rrethuar dhe e lënë pothuaj në duart e bandave, Milto Kordha kryente detyrën e komisarit duke e siguruar institucionin e policisë me tre-katër roje. I ndodhur vetëm në zyrë, dy persona të armatosur anëtarë të bandës më kryesore e më të rrezikshme, pa përfillur rojet, me atë sjellje të egër, kërcënuese dhe arrogante, hyjnë në institucion e i shkojnë pranë komisarit .

    Miltua gjakftohtë i pyet se çfarë kërkonin.

    Komandanti ynë,- i thonë banditët, na dërgoi të marrim autoblindën e policisë për disa orë se i duhet.

    Autoblinda është “e prishur” dhe nuk mund t’ua jap,- u përgjigj Miltua.

    Dy banditët u larguan të mërzitur, por pas dy orësh hyjnë pesë banditë të tjerë e me fodullëk ju drejtuan  Miltos:

    Do ta marrim autoblindën edhe të prishur se do ta rregullojmë vetë.

    Jo,- tha Miltua ,- nuk e rregulloni dot se do pjesë këmbimi, pres mekanikët nga Tirana për ta rregulluar.

    Qëndrimi i prerë e plot autoritet i Miltos  bëri që banditët të largoheshin të inatosur.

    Pandi Kordha: Si e kapi vrasësin e 2 qytetarëve

    Komisar Miltua kishte një muaj që ishte komanduar në Shkodër dhe një ditë kthehet pranë familjes në Vlorë. Të nesërmen u nis herët për në Shkodër me makinën e vetë me targa civile dhe jo me mjetin e policisë. Me vete kishte edhe një punonjës policie i veshur dhe ai civil. Në agimin e mëngjesit sa hyn në Shkodër diku para nga krahu i djathtë i rrugës automobilistike  dëgjohen të shtëna automatiku. Urdhëron policin të vërë në gatishmëri zjarri automatikun, ashtu veproi edhe me armën e vet duke ngadalësuar edhe shpejtësinë e makinës. Mbas pak minutash papritur shikon një person me automatik në dorë që del në rrugën kryesore për të kaluar në anën tjetër, siç duket për t’u fshehur. Miltua i afrohet me makinë  deri në dhjetë metra, e ndalon atë dhe del jashtë në këmbë me armë në dorë, i thërret fort: “Ndal, mos lëviz, do të qëlloj, jam punonjës i policisë”- me atë zërin kumbues e të fuqishëm të Miltos, por personi vraponte, ai arrin dhe e kap për zverku, e çarmatos, i vë prangat dhe e fut në makinë, pret disa minuta për të mësuar se çfarë ka ndodhur. Mbas pak dëgjohen zëra, afrohen disa njerëz që bërtisnin me lemeri: “Ç’na ka gjet, ç’na ka gjet …”. Miltua afrohet, i pyet çfarë ka ndodhur e mëson prej tyre se një person me armë hapi zjarr ndaj një lokali duke lënë të vrarë dy persona. Milto Kordha e kishte kryer detyrën pa e ditur ndodhinë, përvoja e kishte mësuar të nuhaste të keqen. Milto Kordha la mbrapa gruan e tij Eminen, djalin Eduard dhe vajzën Sonila, familje e mrekullueshme që aq shumë kanë sakrifikuar duke përballuar ankthin, shumë herë pagjumësinë, mungesën e kryefamiljarit kur ia kryente detyrën si kuadër duke u qarkulluar dymbëdhjetë herë nëpër rrethet e Republikës. Bashkëshorti shembullor dhe babai i dy fëmijëve nuk ndodhet më pranë tyre. Në muret e shtëpisë ndodhen të varura në korniza të bukura shumë fotografi bashkëshortore e prindërore. Në to spikat bukur trupi gjigant e buzëqeshja e një prej komisarëve më të mirë e më të denjë të policisë së shtetit, Milto Petro Kordha.

    Agron Xhaho