Kolec TRABOINI/ Kur njerka shkon në ballo…

    398
    Sigal

    -Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë –

    2o Maji “Dita Kombëtare e Jetimëve”,  një shou, ku u shfaqën në paradë udhëheqësit më të lartë të shtetit.

    Në sfondin e skenës qe shkruar me germa kapitale marramendëse “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nëpunës hijerëndë, zyrtarë, rrogëtarë thuaj, ajo tufë truprojash  që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.

    Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë,  të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxori kallajin publikisht.

    Në Pallatin e Kongreseve  më 20 maj, që është edhe “Dita Kombëtare e Jetimëve”,  disa shoqata dhe fondacione të huaja arabe transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një shovv në të cilën u shfaqën në paradë udhëheqësit më të lartë të shtetit duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit e kuptohet se gjithë vargani i qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë të madhe nuk mungoi në këtë shovv dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.

    Duke qenë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e këtyre fëmijëve që fatkeqësia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjatën time kur shoh këtë spekulim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga pjesëmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh data 20 maj, si u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre duke përfshirë dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur (politikanët) dhe për përfituar materialisht (pseudo-shoqata fantazmë),  të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjerë jetimët tek kush i kanë varur shpresat!

    Në sfondin e skenës qe shkruar me germa kapitale marramendëse “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nëpunës hijerëndë, zyrtarë, rrogëtarë thuaj, ajo tufë truprojash  që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.  Gjithçka  për t’u dukur. Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dorë e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë,  të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxori kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës e asnjë jetim nuk gjendej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën eufori e paradë pushtetarësh.

    Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekulim i turpshëm, sepse kjo shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore.  Dhe kësisoj në ekranin televiziv  pamë kryeministrin, kryetarin e parlamentit, por edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë,  madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.

    Ndërkohë, nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin ndihma ndër qytetarë me dhjetëra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a telefon ata ngrenë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e interesat e biznesit të tyre.

    Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetëmashtrimi social e politik.  A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?

    Nuk është fjala për ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve, sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.

    E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje, të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka  edhe këta të festojnë.

    Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekulohet sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari e gjithë kjo masë njerëzish që na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se 20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhembje që po na e kthejnë në ditë tam-tamesh qeveritare na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është  ideatori dhe iniciatori i caktimit të kësaj dite – kujtese për jetimët shqiptarë dhe kosovarë, madje me dëshirën e mirë që të kthehet pse jo  edhe në ditë  ndërkombëtare për fëmijët jetimë në mbarë botën. Jo ditë festimesh me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e mediat të reflektojnë  se çfarë kanë bërë e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.

     Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e vogël  12- vjeçare me emrin Xhuliana Luli  për shkak se e kishin dënuar pangrënë dhe nga   mungesa e vëmendjes dhe përkujdesjes ndaj saj,  doli në rrugë, hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave por bie nga lartësitë me një fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më 30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkëmoshatarëve e bashkëjetimëve, por edhe qytetarëve sarandjotë. I prekur prej kësaj ngjarje tragjike, si bashkëkohës dhe bashkëmoshatar në fëmijërinë e tij me Xhulianën,  Ilir Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore – zie,  në një ditë për kthimin e vëmendjes së shoqërisë e shtetit tek jetimët,  për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra kuptimi i kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju gjenden pranë, t’ju qajnë hallet, i pyesin e bashkëbisedojnë me jetimët për ta bërë shoqërinë më të ndjeshme.

    Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike, a mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i parlamentit dhe i nderuari ambasador? Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkërenduar me ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të jetimes Xhuliana Luli.

    Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje sepse ajo ishte tipar i kohës së monizmit, diktaturës,  ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme  kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë nuk ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 -vjeçar Skënder Daja, në përkujtimin e te cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit, por mjerisht as ambasadori amerikan nuk denjoi të vinte vetë apo të dërgonte një përfaqësues.

    Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e tullumbace, ca fjalime me retorike shterpë,  tregon se sa e papërgjegjshme,  e pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.

    Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve jetimë…!?