Kolë Malaj: Reformë në Administratën pyjore, 63 % e sipërfaqes së vendit në mëshirë të fatit

    477
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Kolë Malaj, kreu i Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve të Shqipërisë

    Nga 1 marsi, punonjësit e agjencive rajonale të mjedisit dhe të drejtorive rajonale të pyjeve, në të gjitha qarqet, janë pa të drejtë page. Pezullimi i punës ka ardhur pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave të 29 janarit, që riorganizon Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe krijon si strukturë të re Inspektoratin Shtetëror të Pyjeve, Mjedisit dhe Ujërave. Me krijimin e këtij inspektorati, janë pezulluar të gjithë punonjësit, të cilët janë në pritje të këtij riorganizimi pa të drejtë page. Aktualisht nuk funksionon Policia e Pyjeve ose inspektorët e pyjeve, inspektorët mjedisorë dhe po kështu e gjithë administrata në pritje të organizimit të ri. Përveç faktit që të gjithë punonjësit tashmë janë pa punë dhe si rrjedhojë pa të ardhura, duke iu shtuar listës së të papunëve, lind edhe problemi se, kush do të merret me ruajtjen dhe kujdesin e pyjeve dhe mjediseve. Me pezullimin e punës në këto institucione i lihet rruga e hapur banditëve për t’i prerë dhe shkatërruar pyjet dhe mjedisin, për t’i djegur a kontaminuar. Si mund të lihen në mëshirë të fatit mijëra hektar pyjesh dhe pasuri natyrore kombëtare? Çfarë do të ndodh gjatë kësaj periudhe, deri në pritje të riorganizimit, me parqet natyrore, të cilat janë shpallur si pasuri natyrore dhe ruhen nga UNESCO? Siç dihet, një nga pikat që përfshihen në kushtet e vendosura nga BE për integrimin e Shqipërisë është dhe mbrojtja dhe kujdesi për pasuritë kombëtare, pyjet dhe ujërat, por tani që këto janë lënë në mëshirë të fatit, sa mund ta cenojë kjo reformë integritetin e vendit? Kjo gjë është njëra nga anët e medaljes, por se çfarë do të ndodh me punonjësit që tashmë janë pa punë, nuk dihet ende. Kjo është dhe një nga shqetësimet që ka ardhur disa ditë më parë në redaksinë e gazetës “Telegraf” nga një ish-punonjës i pyjeve, në qytetin e Tropojës. Lidhur me këtë çështje ne kemi pyetur dhe z.Kolë Malaj, kryetar i Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve të Shqipërisë.

     

    Z.Kolë, a mund të na thoni se, si e komentoni pezullimin e përkohshëm dhe shkrirjen e drejtorive pyjore?

    -Sipas strukturës së miratuar dhe që tashmë po vihet në zbatim, nuk kemi të bëjmë me pezullim të përkohshëm, por me një largim masiv të specialistëve të pyjeve nga puna dhe zëvendësimin e tyre me njerëz pa asnjë lloj identiteti profesional, qoftë drejtues apo punonjës të thjeshtë të administratës pyjore.

    Për sa i përket përqendrimit të drejtorisë pyjore në Shkodër, a ju duket me vend? Duke qenë se, rezervatet më të mëdha pyjore në vend janë në Malësinë e Madhe dhe në rrethin e Pukës.

    -Kriteri bazë për përcaktimin e numrit të punonjësve në pyje, ka qenë dhe është kudo në botë, sipërfaqja pyjore në administrim. Kështu, në rrethin e Pukës (kryeqyteti i pyjeve të vendit) me mbi 82.000 ha sipërfaqe pyjore, që kishte 48 punonjës në administratën pyjore, nga të cilët 45 specialistë të lartë e të mesëm pyjesh, tani ka 8 vetë, potencialisht vetëm 4 prej tyre të jenë mund specialistë pyjesh. Ky numër punonjësish, është i barabartë me punonjësit e pyjeve të Kuçovës, që ka gjithsej 300 ha pyje. Pra 8 punonjës pyjesh në Pukë dhe po kaq në Kuçovë. Por ajo që është vërtet skandaloze, është mënyra e largimit të këtyre njerëzve nga puna dhe të qindra specialistëve pyjesh në gjithë vendin.

    Në datat 3, 4 dhe 5 mars, punonjësve të pyjeve, u është thënë: “Jeni të pushuar nga puna që më datë 21 shkurt, për arsye të reformës”. Kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi që nga data 21 shkurt e deri më tani, asnjë punonjës i pyjeve në Shqipëri nuk paguhet.

    Ndërkohë që, drejtoritë kanë pezulluar punën, çfarë do të ndodh me pyjet, me basenet ujore dhe  trashëgimit kulturore kombëtare që janë në UNESCO, kush do të kujdeset për këto? A nuk po i lihet rraga e lirë krimit kundër mjedisit, prerjes dhe djegies së pyjeve, apo rrezikut për helmimin e baseneve ujore?

    -Ky është dhe shqetësimi më i madh që kemi. Mendoni për një çast se, çfarë ndodh me pyjet tanë (mbi 63 % e sipërfaqes së vendit), në të “40-at” e administratës pyjore. Ky territor është tashmë totalisht jashtë kontrollit të shtetit, ku vazhdon prerja me leje e pa leje, shkatërrimi i Monumenteve të Natyrës dhe Zonave të Mbrojtura, ku vazhdon eksporti i druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit, ku vazhdon gjuetia e pa ligjshme, me gjithë miratimin e Moratoriumit për ndalimin e saj dhe po ashtu, ka mbaruar edhe sezoni i gjuetisë. Akoma me skandaloze është ajo që ndodh me inspektoratin e Policisë  Pyjore. Nxjerrja e këtyre njerëzve nga pylli dhe kalimi “në kazermë”, në qytete, në mos një idiotizëm profesional, është një veprim i qëllimtë në organizimin e kësaj strukture. Një shembull konkret, në Qarkun e Tiranës, do të ketë 11 inspektorë të Policisë Pyjore, nga të cilët vetëm 1 është inxhinier pyjesh, dhjetë të tjerët janë pa asnjë lloj lidhje, as nga profesioni dhe as nga kontributet në pyje. Ata nuk kanë sot as karrige për tu ulur dhe asnjë lloj infrastrukture, e këta do të mbrojnë pyjet, që nga Librazhdi, Mati e Kruja e deri në Kavajë. Kjo situatë bëhet edhe më katastrofike nga inicimi i reformës territoriale. Rreth 47 % e sipërfaqes pyjore, me VKM, i kanë kaluar në administrim qeverisjes vendore. Askush, as pushteti vendor dhe as ai qendror, nuk merret me këtë territor.

    Mund të themi pa frikë sot, se mbi 63 % e sipërfaqes së vendit është jashtë kontrollit të shtetit dhe më e keqja është se, vetë shteti ka shkatërruar përfundimisht Administratën Pyjore në Shqipëri. Nga 466 punonjës që do të merren me menaxhimin e pyjeve në vendin tonë, vetëm 50 – 60 punonjës mund të jenë potencialisht specialistë pyjesh dhe nga 126 inspektorë të policisë pyjore, numri i specialistëve të pyjeve në të mund të jetë dhjetëra herë më pak. Pra nga 592 punonjës të pyjeve në Shqipëri, vetëm 10 % e tyre do të jenë specialistë të pyjeve

    A nuk është kjo një mungesë përgjegjësie nga ana e qeverisë, duke neglizhuar kushtet e BE?

    Kjo gjë po ndodh në një kohë kur, konkurshmëria bujqësi-pyje është një nga shtyllat e zhvillimit rural në vendet e BE, ku aspirojmë për të qenë së shpejti. Vendet perëndimore kanë më pak së 15 % të popullsisë në zonat rurale dhe i japin shumë përparësi kësaj çështje, ndërsa në vendin tonë, ka mbi 47 % (sipas censusit) të popullsisë aktive në zonat rurale, dhe kur zëri i specialistëve në të gjitha fushat, duhet të dëgjohet o sot o kurrë, e kur Fakulteti ynë i Shkencave Pyjore, diplomon rreth 100 inxhinierë pyjesh në vit, apo shkolla e Mesme Pyjore e Shkodrës, që përgatit çdo vit po kaq specialistë të mesëm pyjesh, ndërmerren të tilla reforma skandaloze dhe lihen në mëshirë të fatit sipërfaqe të tëra pyjesh. Në këto kushte, Shoqata e Specialistëve të Pyjeve, u është drejtuar me një Promemorie të gjitha instancave të larta të shtetit, deri në datën 3 shkurt, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare. Do ta përshkallëzojmë protestën tonë, duke nisur këto ditë një Peticion edhe për organizmat ndërkombëtare në Shqipëri, si OSBE, Banka Botërore e Ambasadave të ndryshme.