Kol.(R) Thoma KONDURI*/ Të forcohet disiplina në radhët e Forcave të Armatosura

    437
    Sigal

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë u njoh me ngjarjen që ndodhi në Spanjë, ku u rrëzua një helikopter me ngarkesë droge dhe, që drejtues ishte piloti i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Major Sokol Feka. Ne dënojmë publikisht aktin e kryer nga ushtaraku në fjalë. Duke u marrë me këtë veprimtari kriminale dhe duke dalë pa leje jashtë shtetit, ka shkelur ligjet, Statusin e Ushtarakut dhe Rregulloren Ushtarake. Por, do të theksonim se ky është një rast i veçantë, i kryer nga një individ i Forcave të Armatosura (FA) dhe nuk përfaqëson ushtarakët shqiptarë. Historikisht dhe aktualisht, efektivat e FA-së kanë qenë dhe janë njerëzit më të devotshëm, me të përkushtuar ndaj detyrës dhe më të përgjegjshëm ndaj ligjit dhe rregullit, për mbrojtjen e vendit, për sigurinë kombëtare, por edhe më gjerë në kuadrin e detyrave që kryejnë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, ku jemi anëtar me të drejta të plota. Në këtë rast, dënojmë me forcë të gjithë ata politikanë dhe pjesë të shtypit,që ngjarjen duan ta bëjnë pjesë të veprimtarisë së ushtarakëve, si dhe ta shfrytëzojnë atë politikisht. Ne theksojmë, se ky rast dhe të tjerë, të ngjashëm me këtë, duhet të detyrojnë institucionet përkatëse, sidomos Ministrinë e Mbrojtjes, që të nxjerrë konkluzionet dhe detyrat përkatëse, për punën e saj; që nga forcimi dhe zbatimi i rregullave për zgjedhjen e njerëzve që do të shërbejnë në radhët e FA-së, me edukimin ligjor, patriotik e moral, me përgjegjësinë e përkushtimin ndaj Atdheut, deri tek forcimi i disiplinës dhe i punës, për të mos lejuar që në FA të infiltrohen personat me prirje negative, që sot shfaqen rëndom në shoqërinë shqiptare. Politika dhe pushteti të nxjerrin mësime nga ky rast negativ dhe të shikojnë se çfarë duhet të kishin bërë më mirë dhe çfarë duhet të bëjnë në të ardhmen për ushtarakët dhe, sidomos, për kushtet e tyre ekonomike e sociale për një trajtim sa më të mirë e dinjitoz dhe jo siç ka ndodhur gjatë këtyre 25 vjetëve demokraci, ku edhe sot e kësaj dite nuk ka garanci dhe nuk ka gjetur stabilitet ligjor trajtimi i tyre.

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota të CIOR-it (Konfederata e Ushtarakëve në Rezervë të NATO-s), duke quajtur veten pjesë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do japë kontributin e saj për forcimin e disiplinës dhe ngritjen e moralit të Ushtrisë Shqiptare.

    *President i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (ShKURSh)