Kol Nikolla:“Koncesionet e minierave kanë rrënuar dhe nuk kanë hapur asnjë vende pune”

    421
    Sigal

    *Kryetar i Konfederatës të Sindikatave

    Në intervistën për “Telegraf”, Kryetari i Konfederatës të Sindikatave, Kol Nikolla skanon proceset e privatizimit e koncesioneve të minierave, HEC-ve dhe CEZ-it, duke thënë se, këto janë tërësisht të dështuara. E para, ato nuk kanë hapur asnjë vende pune, si edhe nuk u është dhënë e drejta edhe punëtorëve që të bëhen bashkëaksionerë të këtyre privatizimeve.

     – Zoti Nikollaj, ç’mendim keni për koncesionet e minierave?

     – Privatizimet në tërësi, përfshirë këtu edhe koncesionet e minierave, janë kryer nën sloganin “Po privatizojmë gjithçka si pronë e askujt”, pasi prona shtetërore e krijuar gjatë kohës së diktaturës si dhe asetet natyrore si nafta, minierat dhe energjia nuk kishin më parë një pronar të ligjshëm, por titullin e kësaj prone e kishte shteti dhe motivi i privatizimeve dhe i koncesioneve ka qenë “merr kap çfarë të mundesh dhe të kujt mundësh”. Me sloganet si “antikomunist”, “antimarksist”, “antimajtist” sot në ekonominë tonë po vjen një mafie e re “pseudo-kapitaliste” duke zëvendësuar mafien e dikurshme komuniste. Ligji për koncesionet, megjithëse i rishikuar, ka krijuar mundësi dhe hapësira abuzimi dhe në tërësi koncesionet në Shqipëri, tashmë është vërtetuar tërësisht, se janë të dështuara. Koncesionet, me qëllim mbulimin e dështimit dhe zgjatjen artificialisht falimentimin e tyre, po kalojnë aksionet në shumë blerës dorë pas dore, duke u justifikuar me lirinë e  tregut dhe konceptin neoliberal të tranzicionit në një vend ku mungon totalisht tregu financiar i aksioneve e bursa financiare e të tjera mekanizma të domosdoshëm për të rregulluar tregun e koncesioneve. Po sjell në vëmendje minierat e kromit që nga DARFO SRL kaluan në DARFO ALBANIA, nga DARFO ALBANIA në ACR CHROMEdhe nga kjo e fundit në BALFINGROUP, apo vendimi i sotëm i parlamentit që pasi u largua koncesionari i energjisë në Devoll EVN, aksionet e tij i kalojnë formalisht SHTAT-KRAF. Thelbi i koncesioneve ka qenë ristrukturimi, rehabilitimi dhe transferimi i pronës nga shteti tek privati, me synimin e rritjes së përfitimit në buxhetin e shtetit, kryerjen e investimeve dhe futjen e teknologjisë bashkëkohore, hapjen e vendeve të reja të punës si dhe rritjen e pagave, siguri e shëndet në punë për punëtorët, ruajtjen e ambientit, shkurt për të garantuar punë të denjë dhe me standarde për punëtorët. Sot jemi dëshmitarë okulare që asgjë nga këto nuk është arritur. Asnjë koncesionar i huaj nuk i ka kryer investimet në përputhje me kontratat koncesionare, por akoma më keq, ata kanë abuzuar me ekonominë kombëtare, duke mos e mbyllur ciklin e punimeve brenda Shqipërisë, por duke dale në tregjet ndërkombëtare me lëndë të parë si minerali i bakrit, kromit, gurët dekorative etj. Kjo e ul me 4 herë përfitimin në buxhetin e shtetit dhe me 2 herë ul vendet e punës. Transferimi i pronës me koncesion detyron shtetin që ai të ketë një organ shtetëror të autorizuar për t’i kontrolluar dhe mbikëqyrur ato në përputhje me marrëveshjet. Fatkeqësisht, ky organ nuk ka ekzistuar. Është interesant fakti që këto të drejta dhe detyrime që ka shteti transferohen në struktura shtetërore jokompetente, duke e kthyer mbikëqyrjen në një formalitet dhe duke krijuar hapësira për të abuzuar koncesionarët dhe dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit e interesat e vendit.

     – Investimet sipas kontratave a kanë krijuar  mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës?

     – Asnjë nga këto koncesione nuk ka hapur asnjë vend pune, por i kanë shkurtuar ato në mënyrë drastike. Moskryerja e investimeve në vlerë të konsiderueshme jo vetëm që ka dëmtuar Buxhetin e Shtetit, por ka krijuar probleme afatgjata në tregun e punës, duke e deformuar atë si dhe duke i krijuar probleme në vijimësi përsa u përket arsimimit dhe formimit profesional të punëtorëve. Koncesionarët e kromit sot punojnë më pak se 40% të fuqisë punëtore të planifikuar në kontratë pasi nuk është hapur thellësia e minierës në nivelin e 16 deri në nivelin e 21 në Bulqizë, nuk është vendosur në punë Uzina e Ferrokromit në Burrel, nuk është vendosur në punë impianti i përpunimit të kromit në Klos dhe miniera punon 1/8 e kapacitetit të programuar në kontratë. Po kështu, në industrinë e bakrit nuk u vendos në punë metalurgjia e Rubikut, detyrim ky kontraktual dhe eksporti i koncentratit të bakrit jashtë shtetit, duke e shoqëruar atë me elementet e rrallë si ari, argjendi etj sjell një dëm kombëtar të konsiderueshëm. Po kështu, në industrinë energjetike, megjithëse janë nënshkruar mbi 300 kontrata për ndërtimin e hidrocentraleve, që duhet të punësonin mbi 20 mijë punëtorë, sot vetëm 1/3 e këtyre kontratave kanë filluar punë apo ndërtimin e hidrocentraleve.

    – Cilat janë kushtet e punës dhe të drejtat e punëtoreve në këto miniera?

     – Sigurisht, moskryerja e investimeve, e cila është bërë me bekimin e qeverisë, ka krijuar probleme dhe për trajtimin e punëtorëve, pagesat e tyre dhe sigurisë së shëndetit në punë. Të gjitha këto kompani koncesionare në 5 vitet e fundit kanë pasur një rritje page të pakonsiderueshme në më pak se gjysma e rritjes së inflacionit. Njëkohësisht, mungesa e investimeve dhe mos futja e teknologjive të reja bashkëkohore ka krijuar probleme për kushtet e punës, sigurinë e shëndetit në punë, duke bërë të mundur një rendiment të ulur e për rrjedhojë të ardhura të pakta për punëtorët dhe ajo që është më kryesorja kanë krijuar një rrënim ambiental me pasoja të pariparueshme për natyrën, florën dhe faunën e vendit tonë. Strukturat shtetërore që mbikëqyrin këto probleme asnjëherë nuk janë ngritur në lartësinë e duhur që ua kërkon ligji. Ato ose janë kthyer në atavizma formale rudimentar, ose në agjenci gjobvëniesh direkte apo indirekte në xhepat e tyre. Këtu mund të përmendim RISHMI-n në miniera, Inspektorati Shtetëror i Punës, AKPN-ia, ERE, etj..

     – BE-ja   a nuk duhej të tregonte më shumë kujdes për minierat, e sidomos ato të kromit, pasi Shqipëria zë vendin e tretë, dhe leverdia e vetë BE-së do të ishte e madhe, por do të krijonte edhe mundësitë për hapjen e fronteve të reja të punës? 

    – Të nisur nga euforia për të qenë qytetarë europianë, ne si shoqëri, por politikëbërja në veçanti, nuk është thelluar sa e si duhet për të vendosur raporte korrekte me investitorët e huaj europian. Asnjëherë vendi ynë, nuk e ka kuptuar qartë se çfarë interesash gjeopolitike apo ekonomike qëndrojnë pas kompanive të mëdha multinacionale apo investitorëve strategjikë. Në mënyrë miope edhe sot debatohet për mënyrën e taksimit dhe nxirret preteksti që taksa progresive largon investitorët. Kjo nuk është e vërtetë, pasi është taksa e sheshtë ajo që ishte trend i viteve ‘90 dhe sot e ka në fuqi vetëm Estonia, Rusia dhe Ballkani. Investitorët nisen së pari nga tregu dhe kjo është kryesorja. Kësaj i bashkëngjitet kualifikimi dhe edukimi i punëtorëve, infrastruktura e stabiliteti politik, i cili duhet të shoqërohet me konsensus shoqëror e social. Afrimi i investitorëve të huaj në Shqipëri ka qenë e bazuar në klientelizmin dhe lobingun politik se sa në parimet e thëna mësipër. Nëpërmjet këtyre lobingjeve dhe studiove ligjore që sot në Shqipëri askush nuk i kontrollon por janë kthyer në konsulencë të vendimmarrjes, ata ndikojnë në mënyrë të padrejtë në hartimin e normave, ligjeve dhe vendimeve politike që këto të hartohen në mënyrë favorizuese për ata, të ndihmojnë korrupsionin duke ligjëruar të paligjshmet, të ulin fiktivisht çmimet, duke krijuar monopole në treg si dhe të favorizojnë padrejtësisht nëpërmjet tenderave publike të njëjtat kompani me lidhje direkte, apo indirekte me pushtetin. Kushtëzimet dhe favorizime e qeverisë në marrëdhënie me këta investitorë dhe koncesionarë vendosen në mënyrë të qëllimshme që të favorizojnë kompani apo individë afër qeverisë.

     Privatizimin dhe dështimin e CEZ-it si mund ta cilësoni ?

     – Privatizimi i CEZ-it, ashtu siç çdo privatizim tjetër në Shqipëri, ishte i papjekur dhe i parakohshëm. Qeveria, duke abuzuar me 24 orë energji, shërbim ky i kryer jo nga merita qeverisëse, por nga merita e taksapaguesve europianë dhe atyre shqiptarë që me të ardhurat e tyre Shqipëria u fut më në fund në autostradën energjetike Podgoricë-Tiranë-Elbasan dhe sot është një kontribuuese dhe përfituese e tregut rajonal të energjisë. Në emër të reformimit, ristrukturimit dhe cilësisë së shërbimit, qeveria akoma pa i përgatitur kushtet e privatizoi shpërndarjen tek një kompani potenciale në Europë për energjinë, por që u tregua abuzuese, duke shfrytëzuar mediokritetin dhe paaftësinë e qeverisë në këtë fushë. Kontrata ndërmjet CEZ dhe qeverisë kurrë nuk u bë publike së bashku me anekset e saj megjithëse një gjë është e vërtetë që pas zgjedhjeve të pushtetit vendor 2011 kur stafi çek mbylli zyrat dhe u largua në kohën e zgjedhjeve në Çeki për më shumë se 1 muaj, qeveria u inatos sepse ndoshta priste ndonjë suport ekonomik. Pikërisht këtu filloi divorci dhe prishja e muajt të mjaltit ndërmjet CEZ dhe qeverise, ku CEZ përdori kapacitetet dhe diplomacinë e një firme multinacionale dhe përvojën e saj si epërsi ndaj mediokritetit dhe fodullëkut të qeverisë dhe strukturave të saj që merreshin me energjinë si ERE, apo Ministria e Ekonomisë. Vendosja e administratorit shtetëror është një zgjidhje shqiptarçe dhe e dyshimtë në legjitimitetin e saj. Është e pamundur që ky administrator të kthehet në një institucion të ligjshëm për të pasur kompetenca të plota për të vepruar. Mendoj se kjo është një zgjidhje emergjente për të dalë nga situata, meqë jemi në prag zgjedhjesh, por jo për të zgjidhur problemin. Fatkeqësisht duke mos pasur një ent rregullator të pavarur dhe një deklaratë rregullator transparent e në përputhje me direktivat e sekretariatit të Komisionit të Energjisë në Vjenë, dyshoj që shtetëzimi i shpërndarjes në vend që të jetë pjesë e zgjidhjes, do të kthehet në pjesë të problemit.

      – Po privatizimet e HEC-ve, ku punëtorët u përjashtuan nga e drejta për të qenë edhe ata aksionerë?

     – Privatizimi i HEC-ve është bërë totalisht i panevojshëm dhe duket qartë që është bërë vetëm për të mbushur buxhetin e shtetit dhe për të kaluar në mënyrë artificiale ndikimin e krizës ekonomike në këtë buxhet. Të 4 HEC-et gjatë dhjetëvjeçarit të fundit janë restauruar me kredi, të cilat për vite me radhë do t’i paguajnë taksapaguesit shqiptarë, pa folur më tej për vlerën e tyre, e cila është 2 apo 3 herë më e ulët se ajo e tregut në rajonin tonë. Fatkeqësisht në Shqipëri privatizimet janë kryer pa një strategji të qartë, por rast pas rasti dhe duke abuzuar në të gjitha rastet. Ndryshe është privatizuar Lanabregasi krahasuar me 4 të tjerat, ndryshe është privatizuar shpërndarja e energjisë, ndryshe bankat, ndryshe nafta dhe ndryshe Telekomi. Diku punëtorët kanë marrë një pjesë aksionesh, diku kanë marrë shpërblim 24 paga, diku kanë marrë shpërblim 12 paga e diku tjetër nuk kanë marrë asgjë. Përsa i përket hidrocentraleve, jo vetëm që punëtorët duhet të përfshiheshin në aksione, por edhe pronarët e pronave të përmbytura duhet të ishin përfshirë në këto aksione, pasi është e pafalshme që prona e tyre e shtetëzuar dhunshëm nga komunizmi, të tjetërsohet sot në demokraci, në emër të lirisë dhe ekonomisë së tregut.

     – Cilat janë kritikat tuaja për reformat në sistemin e Sigurimeve Shoqërore?

    – Megjithëse ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë është pranuar si bashkëkohor dhe po kalojnë 3 vjet nga miratimi i tij akoma qeveria nuk nxjerr aktet nënligjore për të siguruar zbatimin e tij. Kjo e bën të pamundur reformimin e mjekësisë së punës, funksionimin e këshillave të sigurisë dhe shëndetit në ndërmarrje, parandalimin e riskut të rreziqeve në punë, vëmendja ndaj sëmundjeve profesionale si dhe mbrojtjen nga ndotja të ambientit. Këshilli Kombëtar i Punës tashmë e ka kryer funksionin e tij dhe duhet të kthehet në një këshill ekonomik e social në përputhje me standardet e BE-së si dhe  të ngrihen dhe të funksionojnë në rang territori këto këshilla ekonomik dhe social. Reformat në sistemin e sigurimeve shoqërore kanë qenë dhe mbeten problematike dhe urgjente për t’u ndërmarrë jo nëpërmjet mekanizmit të rritjes së moshës, por nëpërmjet përmirësimit dhe reformimit të skemës kontributive.