Kol NIKOLLAJ*/ “Muzikë e re, valle e vjetër”, thotë populli

    421
    Sigal

    Drejtoritë Arsimore dhe Bashkia e Tiranës financojnë në mënyrë antiligjore protestat për energjinë elektrike dhe rritjen e çmimeve

    Llogaridhënia, transparenca dhe zbatueshmëria ligjore janë ushtrimi më i mirë që vërteton mirëqeverisjen dhe rilindjen e shtetit të së drejtës. Kjo përbën një gur themeli në fillimin e ndërtimit të një shteti normal. Sigurisht, nëse kjo nuk realizohet përfundimi është i qartë: “Vijojmë të jemi në të njëjtën situatë, siç kemi qenë në të shkuarën, shteti apo qeveri e dështuar”.

    Kodi i punës (Neni 117/2) citon: “Punëdhënësi vetëm me autorizim me shkrim nga punëmarrësi mund të zbresë nga paga kuotazicionet sindikale”. Ky autorizim mund të shfuqizohet në çdo kohë.

    Çfarë ka ndodhur gjatë 5 viteve, fatkeqësisht, po ndodh edhe aktualisht nëpër Drejtoritë Rajonale dhe Zonale Arsimore.

    Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë si sindikata më e madhe, më e stabilizuar dhe më afër realitetit të arsimtarëve gjatë këtyre viteve është etiketuar politikisht dhe i është privuar aktiviteti në sektorin e arsimit, si një sektor i rëndësishëm i shërbimit dhe administratës publike. Pikërisht ky fenomen ka qenë dhe shkaktar për fragmentarizmit dhe nënshkrimin e sindikatave të arsimit, duke u manifestuar nga klientët personal të Berishës, z. Xhafer Dobrushi e Bajram Kruja (Gëzim Kalaja), të cilët me porosi të Berishës dhe manipulim direkt të ish Ministrit Myqerem Tafaj, më 25 Maj 2010 kanë nënshkruar një kontratë kolektive pune, krejt antiligjore duke shkelur hapur, jo vetëm anën ligjore, por duke dhunuar e nënshtruar 35 mijë arsimtarë sikur të ishin dele e jo mësimdhënës e intelektualë elite.

    Për 4 vite berishiane këtyre arsimtarëve “ju lehte, qeni ratë”, siç thotë populli. Në llogaritë e tyre bankare hidheshin 400 milion lekë çdo vit (në terr të plotë informacioni nga mësuesit) dhe administroheshin nga tre persona, pa asnjë informacion e llogaridhënie për mësuesit.

     Po çfarë ndodhi pas 23 Qershorit 2013?

    U tha që po rilind Shqipëria, po rilind arsimi dhe po shkojmë drejt shtetit ligjor. Filluan konkurset, u emëruan drejtorët e Rilindjes të arsimit, por asgjë nuk ndryshoi në marrëdhënien e partneritetit social dhe bashkëpunimit real me sindikatat. Këta drejtorë duke përfituar nga ngarkesa e punës dhe axhenda e ngarkuar e eprorëve të tyre dhe në përgjithësi e gjithë Qeveria, me reformat në tërësi, e sidomos atë arsimore, kanë filluar të marrin frymë lirisht dhe të fusin lugën në çorbën e gatuar nga klientët e Berishës.

    Pavarësisht, se kanë mbi një vit në pushtet, mësuesit, pothuajse, në të gjitha rrethet e vendit ankohen jo vetëm për anarki e bajraktarizëm të tyre, por kryesisht për një mungesë totale transparence jo vetëm në emërime e transferime, por edhe në gjërat më elementare si në llogaridhënien dhe transparencën për pagën e çdo mësuesi. Ata nuk japin asnjë informacion arsimtarëve për pagën, për shpërblimet, për ndalesat dhe, fatkeqësisht, Ministria përkatëse akoma nuk po gjen mënyrën institucionale për të orientuar dhe udhëzuar kryerjen e këtij detyrimi ligjor.

     Katër vitet e kaluara, “të shkuara, të harruara”, por çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti?!

    Në emër të kontratës kolektive që pas 5 vitesh nuk ka “nam as nishan”, këta drejtorë, për hir të forcës së zakonit, vazhdojnë e paralizojnë arsimtarët dhe ushqejnë rubinetet berishiane, duke vaditur dhe ushqyer “protestat e shoqërisë civile” në përkujtim të 1 vjetorit të protestave për armët kimike apo për mos rritjen e çmimit imagjinar të energjisë elektrike. Këtyre financimeve të paligjshme që në gjuhën moderne quhen “tangjente korruptive” u shtohen edhe financime që Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe jo pak, por mbi 9 milionë lekë përfiton nga Drejtoria e Konvikteve dhe Ndërmarrja e Punëtorëve nr. 1 dhe Ndërmarrja e Punëtorëve nr. 2 në Bashkinë e Tiranës. Se çfarë e lidh Bashkinë e Tiranës për të paguar kuota në Sindikatën e Pavarur të Minatorëve nuk e shpjegon askush, por mbështetjen që SHQUP-i dhe lidershipi i PD-së z. Basha po i japin kohët e fundit në mënyrë të pakursyer për të krijuar destabilitet shoqëror e social dhe për t’i përdorur punonjësit e pseudosindikatat e pavarura në shërbim të qëllimeve të tij të mbrapshta politike, e vërteton qartë këtë financim ekstra vetëm për të organizuar protesta për fugona, energji elektrike, etj..

     Transaksionet

    E vetmja transparencë e këtyre financimeve është se ato janë financime nga buxhetorët dhe sigurisht lënë gjurmë në transaksionet që kryen thesari, ndërsa për t’u shpenzuar nuk ka informacion, ato shpenzohen fshehtazi vetëm me urdhër të dy “kryepleqve sindikalë”.

    Njëri nga këta në 6 mujorin e parë të vitit 2014 ka përfituar 67 transaksione me vlerë 11.687.067 lekë. (më shumë se buxheti i një viti i KSSH-së). Dhe “kryeplaku tjetër” që për 8 vite ishte në gjumë letargjik nga 73 transaksione ka përfituar 12.218.267 lekë, diçka më shumë, se ky ka lidhje direkte me SHQUP-in dhe në katin e parë të SHQUP-it po hapin dhe një zyrë gjoja ligjore që do mbrojë fatkeqët dhe viktimat e reformave rozë.

    Këto Drejtoritë Rajonale të Arsimit jo vetëm që kanë deficencë të theksuar të kapaciteteve ligjore, duke mos kuptuar as interpretuar minimalisht Nenin 117 të Kodit të Punës, por bëhen aq trima me ligjin sa në rubrikën “Përshkrim Fature” në thesar përdorin emërtesa fantastike si: shkresa dt. 08.04.2011 (DAR qytet Tiranë). Apo marrëveshja dt. 15.12.2010, urdhri 18 dt. 23.03.2011 (DAR rrethi Tiranë). Urdhri nr. 30.07.2014 (Liceu Artistik). Marrëveshja dt. 10.07.2014 (Gjuhët e Huaja). Urdhri i brendshëm nr. 46 dt. 24.10.2014 DR Kolonjë). Marrëveshja dt. 15.12.2010 (DAR rrethi Tiranë).

    Papërgjegjshmëria arrin kulmin kur këto vlera monetare, të ndaluara padrejtësisht dhe në mënyrë antiligjore nga rroga e çdo arsimtari ndahen “fifti-fifti” (gjysmë për gjysmë) nga këta dy drejtorë, pasi nuk kanë asnjë deklarim personal të arsimtarëve sipas Nenit 117 të Kodit të Punës të sipërcituar. DAR Lezhë ndau 207.650 lekë për secilin “kryeplak” pavarësisht se ka mbi një vit që Konfederata e Sindikatave konform ligjit ka depozituar në këtë drejtori gjithë dokumentet ligjore (deklaratat e anëtarësisë sindikale personale dhe me nr karte identiteti për çdo arsimtarë) që këta mësues janë anëtarë të Konfederatës së Sindikatave. Lëre pastaj ZA Pogradec që, pavarësisht, se mësuesit nëpërmjet sindikatës së tyre janë drejtuar deri në organet e hetimit, ajo vazhdon ritualin e vjetër të valles së korrupsionit shoqëror nga muzika e re e rilindjes, meqë dhe drejtori është muzikant.

    Ky ritual “barazie dhe vëllazërimi” është mbrojtur pothuajse nga të gjithë Drejtorët Arsimore duke u kthyer në ritin e “Babëzisë dhe Nënshtrimit” që instaluan Berisha-Tafaj-Ksera-Sakajeva dhe klani i tyre Dobrushi-Kalaja.

    Bashkëlidhur po ju bëjmë publike vetëm 73 transaksionet e përfituara nga Sindikata e Pavarur, e cila po i “mirëmenaxhon” në luftën sindikale këto ditë në protestat popullore kundra reformave qeveritare në sistemin energjetik dhe në atë arsimor. Krejt “copy-paste” është dhe financimi i sindikatës të ashtuquajtur “Federata Sindikale e Arsimit” që identifikohet me “kryeplakun tjetër” Dobrusha.

    Ne akoma besojmë se dikush në MAS që merret me zbatueshmërinë dhe interpretimin ligjor do ta ketë tashmë të qartë se si të veprojë. Justifikimi i ngarkesës me punë, me preokupimet e reformës në “arsimin e lartë” me Altertekstin, e të tjera detyrime, ne besojmë se nuk do të përbëjë më justifikim, por do vendosi pikën mbi “i” dhe sigurisht personat përgjegjës para ligjit, kushdo qofshin ata drejtorë të emëruar me konkurs apo militantizëm.

     *President i KSSH

    SINDIKALIZËM I FINANCUAR NGA BUXHETORËT

     Ja si paguajnë kuota mjekët, mësuesit, efektivat e policisë apo nëpunësit e bashkive

     Mësuesve, minatorëve, personelit shëndetësor dhe efektivave të policisë në vend, në çdo pagë që marrin kanë një kuotë të caktuar që e paguajnë për sindikatat. Kjo kuotë u mbahet atyre përmes pagës buxhetore dhe i kalon Sindikatës përkatëse përmes thesarit të shtetit. Shpesh, duke qenë në masë të vogël ky detyrim, as nuk është i qartë për rrogëtarët buxhetor. Për transparencë Open Spending Albania ju fton të shikoni sa financohen sindikatat me para nga kuotat e buxhetorëve, në 9 mujorin e parë 2014:

    1. Konfederata e Sindikatave 90 transaksione me 1 391 700lekë

    2. Federata e Arsimit me 67 transaksione vlera 11 687 067 lekë

    3. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit me 184 transaksione vlera 14 474 564 lekë

    4. Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë 12 transaksione 176 700 lekë

    5. Sindikata e Pavarur e Minatorëve 36 transaksione 898 400 lekë

    5. Konfederata e Sindikatave 90 transaksione me 1 391 7000lekë