Kol Nikollaj/ Mafja i ka kthyer minatorët në skllevër

    422
    Sigal

    Fituesit e tenderave dhe nënkontraktorët u rrjepin lëkurën minatorëve, për të cilët çdo ditë mund të jetë dita e fundit e jetës

    Përpara 25 vjetësh, kur akoma në Bulqizë vringëllonin prangat dhe tundej litari, një grup studiuesish miks me specialistë të Minierës së Kromit Bulqizë, Drejtorinë e Minierave në ish- Ministrinë e Industrisë dhe ish- Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Minierave ne vitet 1986-1988 e patën guximin dhe kurajën që me kompetencë profesionale dhe me logjikë e argumente të plota teknike e të pakontestueshme madje edhe nga diktatura komuniste konkludon se: Sipërfaqja e krahut qendror dhe jugor të minierës së Kromit Bulqizë, që quhet dhe emërohet “Zona D”, është sipërfaqe e çeduar dhe paraqet rrezikshmëri për të lejuar lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve dhe si e tillë është e pashfrytëzueshme më tej, pasi poshtë saj ka dhe hapësira të lira boshe, me volume hapësinore të mëdha të krijuara nga hapja e galerive për shfrytëzim kromi në vite. Për rrjedhoje risku i shembjes është shumë i madh, dhe vazhdimi i punës së mëtejshme është i pamundur. Pas vitit 1986 këto institucione qeveritare dhe shkencore të kohës përcaktuan dhe një hartë për përdorim të brendshëm duke përcaktuar qartë lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve në atë zonë. Jo vetëm minatorët, por tashmë i gjithë komuniteti i Bulqizës janë dëshmitarë okularë të fundosjes së tokës në këtë zonë dhe daljes së ­“hinkave” Deri në sipërfaqe ku shpesh me shpejtësinë e erës apo sa hap e mbyll sytë siç thonë minatorët këto “hinka” kanë përfshirë në gjirin e nëntokës dhe baraka e objekte të tjera pune të minierës sikur ato të mos kenë ekzistuar kurrë. I gjithë ky fenomen ngjan me shfaqjen e një zone vullkanike me shumë kratere por që llava nuk shpërthen në sipërfaqe port të thith përbrenda në gjirin e tokës. Nga vrojtimet që kryejnë çdo ditë minatorët apo specialistët e vjetër të minierës, janë të shumta hinkat që akoma nuk kanë dalë deri në sipërfaqe dhe akoma më keq rëndohet situata pasi vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm vërshimet e ujërave nëntokësore dinamika të paparashikuara dhe që sjellin rreziqe të mëdha jo vetëm për fundosje të “Zonës D”, por dhe përmbytje të minierës në nivelet e poshtme të saj. Të gjitha këto shqetësime që janë ngritur e ringritur disa herë janë një “minë me sahat” e dhuruar nga shfrytëzimi barbar që në kohën e komunizmit e sot fatkeqësisht kurdiset çdo ditë nga zemërgjerësia e papërgjegjshmëria e zbatimit të ligjit. Të nisur nga presioni i sindikatës dhe për të justifikuar mbi 30 jetë minatorësh të humbura në 4 vite Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka kryer në vitin 2008 një studim dhe e ka miratuar me vendimin e AKBN nr.179/1 datë 20.06.2008: “Studimi mbi përcaktimin e zonave të rrezikshme nga influence e shfrytëzimit në zonën qendrore dhe jugore dhe rreziqet e futjes së ujërave të sipërfaqes në punimet veriore të Bulqizës”. Ky studim sipërfaqen brenda blloqeve A; B; C, duke e detajuar me koordinata dhe harta ekzakte, këtë zonë e shpall : “Zonë me rrezikshmëri të lartë” (Z.RR.L) nga shembjet dhe fundosjet dhe arrin në konkluzionin teknik dhe argumentin profesional e logjik se: Në këtë zonë nuk lejohet të kryhet asnjë lloj aktiviteti minerar. Ai vendos që të gjitha objektet sipërfaqësore që ndodhen në këtë nënzonë të braktisen menjëherë dhe të ndalohet lëvizja e njerëzve dhe e mjeteve të ndryshme të transportit apo të gërmimit e eksplodimit në këtë zonë si dhe në stoqet e sterilet që ndodhen brenda kësaj zone me rrezikshmëri të lartë (Z.RR.L) : Të mos jepen më leje shfrytëzimi. Për të justifikuar punën e tyre shpesh minatorët e kohës në vitet 2008-2011 kanë lëshuar disa urdhra në vesh të shurdhët por të artikuluara drejt se: Kohët e fundit në zonën qendrore dhe jugore janë vërejtur fenomene të reja dhe të dukshme postminerare që pasqyrohen me daljen në sipërfaqe të hinkave si pasojë e lëvizjes së shkëmbinjve rrethues të mineraleve qe lidhen me shfrytëzimin rreth 50 vjeçar të saj si dhe të aktivitetit aktual”.Aktualisht, lëshohet sinjali “SOS”. Aty nga 6 subjekte të licencuara në vitet 2001-2008 sot punojnë mbi 30 subjekte të licencuara dhe po aq subjekte të palicencuara apo “subjekte pirate” siç quhen rëndomtë. Aty punojnë shqiptarë në emër të subjekteve të huaja me kontraktim apo me nënkontraktim. Aty punojnë “skllevër” me “kokën në thes” e “barkun bosh” dhe fitojnë kontrabandistë, politikanë, ish- politikanë, agjencitë tregtare e turistike, pushtetarëve vendor etj., etj.. Në zonën D, në Bulqizë dhe rrugës, deri në Durrës deri më sot, ka munguar shteti. Nxjerrja, ngarkimi dhe transporti i kromit që prodhohet nga miniera apo grumbullohet nga trafikantët e shumtë, deri në Durrës bëhet jashtë çdo rregulli teknik e financiar, pa peshore, pa faturë, pa magazinim, shpesh pa licencë, pa pagesë taksash, etj. Ne zonën D dhe në Bulqizë në tërësi akoma nuk ndihet dhe nuk ka vepruar shteti si në formë, apo në përmbajtje. Aty nuk ekziston fjala “tatim-taksë”, “zbatim-projekti”, “realizim investimesh”, “grafik investimesh”, “kontroll dhe survejim nga agjencitë ligj-zbatuese të shtetit”, “e drejtë puntorësh”, “vizite mjekësore periodike”, “siguri e shëndet në punë” e plot shprehje të zhargonit të përditshëm që kane të bëjnë me zbatimin e rregullit dhe funksionimin e shtetit.  Për të gjitha këto erdhi koha t’i themi ndal këtij fenomeni vdekjeprurës, të parandalojmë një Gërdec të dytë. Të fusim Bulqizën në hullinë e zbatimit të ligjit. Të punojmë në emër të zbatimit të rregullit dhe të jetojmë në emër të dinjitetit e personalitetit të çdokujt dhe për gjithçka. Të konservojmë “Zonën D”, të hapin perspektivën dhe të zhvillojnë minierën e Bulqizës si pasuri kombëtare, si pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe si detyrim për fëmijët  tanë e brezat e ardhshëm. Mesazhi i minatorëve, i sindikalistëve dhe i gjithë komunitetit të Bulqizës kundrejt qeverisë Rama është se pas eliminimit të lojërave të jashtëligjshme të fatit, fryma ligj-zbatuese te drejtohet drejt Zonës D duke i ndaluar njëherë e përgjithmonë të gjitha punimet në këtë zonë dhe njëkohësisht, vendosjen në shinat e ligjit të gjitha marrëdhëniet e koncesionarëve dhe të licencuarëve që fatkeqësisht po e shfrytëzojnë në mënyrë barbare vendburimin e kromit në Bulqizë.

    Ne besojmë se këtë e realizon vetëm modeli dhe shembulli “Tahiri”. Minatorët vazhdojnë t’i kërkojnë qeverisë se nëse sot të gjithë së bashku nuk do të bëhemi pjesë e zgjidhjes, nesër fatkeqësisht do jemi pjesë e problemit që përjetuam për 8 vite me radhë.

    *President i KSSH-së