Kol Nikollaj: Ja arsyet përse do protestojmë në 1 Maj dhe nuk do festojmë

    431
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj

    1 Maji do të jetë ditë proteste që do të organizohet nga i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i konfederatës së sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.

     -Zoti Nikolla, nesër është festa e 1 Majit, si do organizohet kjo në Shqipëri?

    -Para 127 vitesh në sheshin qendror të Çikagos ndodhi përballja historike që do të shënohet si simbol i përballjes së fuqisë punëtore me pushtetin dhe që do të trashëgohej edhe sot dhe në të ardhmen. Edhe në Shqipëri që nga viti 1905 e deri më sot 1 Maji është përkujtuar në forma të ndryshme në përshtatje të regjimeve dhe qeverive që ka kaluar vendi ynë. Gjithmonë është përkujtuar në forma proteste apo feste. KSSH tashmë e ka kthyer realitet dhe e ka bërë traditë që më 1 Maj të bëjë protestë. Të bëjë bilancin e kërkesave dhe ankesave si dhe te lirive e të drejtave të munguara e cunguara gjatë gjithë vitit.

     -Sa të mbështetur janë nga shteti shtresat në nevojë në ditët e sotme në Shqipëri?

    -Punëtoria shqiptare dhe shtresat e tjera në nevojë janë ndier dhe vazhdojnë të ndihen të harruara nga shteti, të goditura nga pushteti, pse jo shpesh dhe të tradhtuara nga pseudosindikata, të cilat ngrohen në koalicione floriri e me parti monarkistësh.

    Punëtorëve shqiptarë sot jo vetëm që u është cenuar dinjiteti, por u mungon thelbi i ekzistencës së tyre, që është puna. Papunësia jo vetëm që është prezente në çdo familje, por është kthyer në një maternitet krimi dhe korrupsioni duke prishur sigurinë dhe rendin juridik e shoqëror. Përpjekjet qeveritare për të maskuar shifrat zyrtare të papunësisë tashmë janë bërë qesharake. Sot fatkeqësisht po bëhet prezent një rrënim i shpresës dhe i sigurisë për të ardhmen jo vetëm për punëtoret, por dhe për të gjithë shoqërinë, por forca punëtore është më e rrezikuara dhe më e pambrojtura.

     -Shpesh nga politika flitet për politika punësimi, sa janë zbatuar ato realisht?

    -Punëtorëve shqiptarë u mungon ideali, ideali i një jetë më të mirë, ideali i shpresës për të ardhmen e fëmijëve, u mungon ideali i vullnetit për të mos qenë numra të një fushate elektorale, por forcë dhe faktor për të vendosur fatet e tyre dhe të kombit. Pavarësisht sloganeve të marketuara politikisht, sot një pjesë e madhe e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri ekstreme. Papunësia është në shifra alarmante dhe e kamufluar nga korrupsioni, e informaliteti. Punëtoria shqiptare është e marxhinalizuar dhe jo e mirë organizuar në struktura sindikaliste, punëtorit i njihen të drejtat ligjërisht, por shumë pak gëzon ai nga këto. Pagat dhe shpërblimet e tyre së shumti janë një opsion i cili përfitohet në varësi të fitimeve dhe oreksit të punëdhënësit dhe aspak të një negocimi normal e të suksesshëm kolektiv.

     -Sipas jush sa po ndikon kriza ekonomike në shkurtimin e vendeve të punës në vendin tonë?

    -Kriza ekonomike tashmë ka shkelur Shqipërinë dhe të parët që përballohen me pasojat janë punëtorët. Kjo krizë po e thellon babëzinë e të pasurve, të pronarëve të kapitalit, të cilët shpesh nuk janë punëdhënësit e mirëfilltë, por janë politikanët apo klanet e familjarët e tyre. Sikur të mos mjaftonte kriza, papunësia, rritja e varfërisë, po rriten çdo ditë çmimet e ushqimeve dhe të shërbimeve, po rritet taksimi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Qeveria neoliberale Berisha gjatë tetë viteve në pushtet ka bërë shumë tentativa për të implementuar disa karikatura të doktrinës neoliberale, e cila prodhoi krizën ekonomike botërore duke kryer privatizime korruptive, ku dhe vetë “korrupsioni” tashmë është privatizuar nga një klan i ngushtë, i cili përdori pushtetin për të goditur shtetin e gjithë punëtorinë shqiptare bashkë me të.

     -Cilat do të jenë aktivitetet e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë në 1 Maj?

    -KSSH-ja, në kuadër të unitetit dhe solidaritetit kombëtar dhe ndërkombëtar sindikalist, fton jo vetëm sindikatat dhe shoqërinë civile, por të gjithë shqiptarët të protestojnë më 1 Maj. Të bashkohen me ne të gjithë shqiptarët e mashtruar, e keqpaguar, të papunë e të shfrytëzuar. Me këtë rast ne japim një mesazh dhe për klasën politike duke i bërë thirrje asaj se: Shoqëria shqiptare sot, më shumë se kurrë, ka nevojë ta kthejë vëmendjen kundrejt lëvizjes sindikaliste. Sindikatat dhe jo partitë politike janë grupimet e vërteta që mund të prodhojnë një shoqëri të ekuilibruar, mund të garantojnë një barazi sociale dhe një mirëqenie ekonomike. Lëvizja dhe organizimi i lirë sindikal janë përbërësit kryesor të një demokracie funksionale dhe të shëndetshme. Sot ky organizim është penguar dhe goditur ashpër nga shumë parti dhe qarqe politike, si dhe nga një qeveri e paaftë dhe e korruptuar, e cila duke ju trembur një lëvizjeje sindikaliste të mirëfilltë ka preferuar dhe ka punuar që ta pengojë, ta godasë, ta kufizojë dhe ta përçajë atë me të gjitha mjetet dhe qëllimet që kjo lëvizje të mos jetë funksionale dhe e fuqishme. KSSH-ja në veçanti dhe lëvizja sindikaliste në përgjithësi mund të goditen nga pushteti korruptiv qeveritar, mund të pengohen në realizimin e misionit të tyre, por kurrë ato nuk mund të humbasin, pasi ato janë nevojë për një përfaqësim real të punëtorëve shqiptare dhe shtresave në nevojë. Prandaj ne ju bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare që të gjithë së bashku të grupohemi dhe ti përgjigjemi pushtetit liberal dhe korruptiv me grushtin e fortë sindikal, të gjithë bashkë të ekuilibrojmë Shqipërinë tonë të çekuilibruar ekonomikisht dhe të luftojmë për një barazi sociale dhe mirëqenie ekonomike. Prandaj, më 1 Maj të protestojmë të gjithë së bashku në ditën ndërkombëtare të solidaritetit të punonjësve tek Sheshi ˝Ushtari i Panjohur˝ në orën 10:00.