Kol Nikollaj: Bulqiza, galeri e madhe që gëlltiti qindra viktima të pafajshme

    393
    Sigal

    Tragjeditë minerare në Bulqizë, galeritë që lanë jetën e tyre mbi 200 minatorëve

     BULQIZË-Galeritë e minierave të Bulqizës, për sa i takon numrit të viktimave, mund të mbajnë rekordin ndër të gjithë minierat e vendeve të Europës. Ndonëse nuk ka një statistikë të plotë zyrtare, në  galeritë e Bulqizës, që nga fillimet e punës pas luftës (rreth vitit 1948), kanë humbur jetën nga aksidentet në punë mbi 200 persona. Këtu, janë me dhjetëra apo qindra të tjerë, që nga këto aksidente, ose janë gjymtuar përjetësisht, ose kanë vdekur para kohe nga pasojat e këtyre aksidenteve. Ndërkohë, sipas statistikave, viktimat më të shumta në galeritë e Bulqizës kanë ndodhur pas vitit 1990, kohë në të cilën shteti erdhi duke u dobësuar, e galeritë u bënë burim lakmie e shfrytëzimi nga firma, shumica fantazmë, me lidhje direkte me segmente shtetërore në qendër. Aq i vërtetë është ky realitet sa pohimi se: “Bulqiza ka rënë në dorë të mafies e po pasuron shtetarët”, nga pak kush mund të vihet në diskutim. “Vetëm nga viti 1990, në minierat e Bulqizës kanë humbur jetën nga aksidentet 60 vetë. Ndërkohë, po në këto aksidente, janë gjymtuar mbi 150 minatorë të tjerë. Aksidente kanë ndodhur në galeritë e Zonës D në Bulqizë, në minierën e Krastës në Martanesh, në minierën e Crujës, në minierën e Kromit, në Tërnovë, etj…”- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”. Nga këto burime, mësohet dhe një fakt tjetër skandaloz: Pothuaj të gjitha viktimat (të vdekur e të gjymtuar) kanë qenë të pasiguruar. “Kanë ndodhur aksidente dhe në kohën e monizmit. Por ata, referuar shtrirjes në kohë, kanë qenë më të pakta. Ishte punë e vështirë, por këmbëngulej e zbatoheshin rregullat e sigurimit teknik. Ndërsa pas vitit 1990, situata ndryshoi. Minierat në Bulqizë ranë në duar të shtetarëve, familjarëve të tyre, drejtuesve vendor, deputetëve, direkt apo nëpërmjet njerëzve të tyre. Në plan të parë, ata vunë fitimin maksimal, duke neglizhuar dhe masat më elementare të sigurimit teknik në punë. Qeveritë kanë shkuar e kanë ardhur, por gjendja në Bulqizë jo vetëm nuk është përmirësuar, por ka ardhur duke u përkeqësuar. E viktimat shtohen vazhdimisht. Edhe sindikatat kanë shërbyer e po shërbejnë si struktura ekzistente, vetëm për të pasuruar krerët e tyre përgjithësisht të korruptuar, ose janë vënë në tutelën e punëdhënësve. Ndërsa shteti ka heshtur këto 23 vite, e vazhdon të heshtë. Djersa e gjaku i njerëzve të varfër, po shërben si burim pasurimi për ‘ta”,- shtojnë burimet e “Telegraf” nga Bulqiza.

    Dilaver Përgoxhaj:Kontrata diskriminuese, nuk na sigurohet jeta

     Kreu i Konfederatës: S’firmosa kontratën, më pushuan nga puna!

     BULQIZË- Kur minatorët e Bulqizës dje u futën në grevë e kur krerët e Konfederatës së Minatorëve në Bulqizë akuzojnë punëdhënësit se po luajnë me jetën e tyre dhe strukturat e shtetit që heshtin përballë kësaj situate, dje në mesditë vjen dhe hakmarrja: Punëdhënësi pushon nga puna Dilaver Përgoxhajn, kreun e Konfederatës së Minatorëve për shkak se nuk ka firmosur kontratën individuale! “Nuk firmosa kontratën pasi ajo është diskriminuese. Na ulet paga duke na shkurtuar ditët e lejes, nuk ka mjete nga më elementaret në punë. E mbi të gjitha, mungojnë masat e sigurimit teknik duke na rrezikuar seriozisht jetën. Kolegë të mi e kanë firmosur kontratën nga halli, pasi janë vënë para detyrimit: “Po nuk firmose, ikë nga puna”,-pohoi në linjë telefonike për “Telegraf”, Dilaver Përgoxhaj, pasditen e djeshme. E nuk bëhet fjalë për pak, por minimalisht 600 minatorë të nëntokës që ndodhen në një situatë tepër kritike, me jetë të rrezikuar, ashtu mbi 400 shokë të tyre, viktima të aksidenteve në minierë që nga viti 1948 kur nisi shfrytëzimi në galeritë e Bulqizës…

    Zoti Goxhaj! Cili është shqetësimi juaj në këtë situatë?

    -Është situata më e vështirë që nga fillimi i punës në minierat e Bulqizës, pra në afro 65 vite… Po na shfrytëzojnë si skllevër, punëdhënësit nuk pyesin për jetën tonë, vetëm po majmen në mënyrë të kundër ligjshme me djersën e gjakun tonë… E kush ngre zërin, kërkon të drejtën minimale, sigurimin e jetës, ndëshkohet, pushohet nga puna.

    Ju lutemi më konkretisht?

    -Po, sot unë jam tek pusi, ku punojnë 600 minatorë. Papritur më vjen urdhri i pushimit nga puna prej punëdhënësit. Është hakmarrje e pastër…

    Cili është motivacioni dhe pse e quani hakmarrje?

    -Thjeshtë se nuk firmosa kontratën personale të punës. Nuk e firmosa dhe nuk mund ta firmosja, pasi ajo është diskriminuese, skllavëruese, na mohon të drejtat që na jep ligji, na ul pagat e mbi të gjitha, nuk na siguron jetën…

    Mund të na thoni disa nga pikat diskriminuese në kontratë?

    -Po. Pagën na e kanë ulur me 40 mijë lekë (të vjetra) pasi na kanë shkurtuar padrejtësish e në kundërshtim me ligjin dy ditë nga leja. Nuk kemi një rrugë (nuk investohet për mirëmbajtje) për të shkuar në punë po punojmë si në shekullin e 18-të. Tjetër, nuk ka bazë material për punë, duke filluar nga baraminat, kazmat, lopatat.. Nuk mund ta besoni, po ejani shikoni minatorët nën tokë që punojnë me karroca… Mbi të gjitha, në galeritë, ku punojmë, nuk ka rrugëdalje të dytë rezervë siç kërkohet domosdoshmërisht. Nëse ndodh një avari e bllokohet një rrugë dalëse, ne vdesim të gjithë na galeri…

    I kanë firmosur shokët tuaj kontratat individuale që ju i quani diskriminuese?

    -Janë hedhur firma me kërcënimin: “Po nuk firmose, ikë nga puna”

    E keni ngritur shqetësimin në organet e larta shtetërore për këtë situatë?

    -Ku nuk e kemi ngritur… Po prej dekadash e vitesh shtetarët heshtin, se kanë interesin e tyre. Konfederata është përpjekur, por ja rezultati. Unë kundërshtova pasi nuk mund të firmos me duart e mia vdekjen (mos plotësimin e kushteve), edhe pse kam nevojë për bukën e gojës, si të gjithë shokët e mi e familjet në Bulqizë. Por ja, megjithëse, jam kreu i Konfederatës së Minatorëve për Bulqizën, i Konfederatës së Kol Nikollajt, ata hakmerren e më pushojnë nga puna…

    Si e mendoni zgjidhjen?

    -Bulqizën, kromin, minierat, galeritë këtu i ka pushtuar mafia. Shteti po hesht… Duhet urgjent të ndihet shteti, pasi viktima të tjera mund të ndodhin nga ora në orë.

    Kol Nikollaj: Mënyrë barbare shfrytëzimi, të mbyllet gjithë “Zona D”

     Duke falënderuar ministrin Gjiknuri për nismën që ka marrë, pasi në demokraci asnjëherë nuk është vonë, ne shprehim disa objeksione, të cilat nuk janë përfshirë në konkluzionet dhe vendimet e z.Gjiknuri. Vlerësimi ynë është se konkluzionet e këtij grupi kontrolli (Task-Force) janë më shumë burokratike dhe teknokratike sesa favorizon zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ne në vijimësi kemi kërkuar që sindikata jonë të jetë bashkëpunuese dhe mundësisht pjesëmarrëse pa të drejtë vote në këtë grup (Task-Force) me qëllim që ne të japim informacion dhe ministria të bëjë transparencën e duhur, por kjo nuk ka ndodhur, sigurisht, të drejtën e vendimmarrjes e ka pasur ministria. Shumë fraza dhe formulime nga konkluzionet dhe arsyetimet e tyre janë thjesht një formë, e cila është përdorur edhe nga ministrat paraardhës, por, që është lënë në rrugë, apo nuk ka patur rezultatet e pritura.

    Koncensionari “Albania Krom”

    Po ndaloj tek Koncensionari kryesor, DARFO, më vonë ACR dhe sot Baltin-Grup (Albania krom). Mjafton ky trinom i ndërrimit të pronësisë dhe duket qartë vështirësia, jo vetëm në mënyrën dhe metodikën e të kontrolluarit, por edhe në pamundësinë e një vendimmarrje të drejtë në interes të të gjitha palëve e në shërbim të ligjit e të publikut. Flitet për realizime të projektit të fazës 2, e cila duhet të kishte kryer për një periudhë 5-vjeçare ose  2004-2009. Konkretisht:  a) Hapja e traverbankut të Klosit b) Thellimin e pusit deri në nivelin e 20

    Këto dy punime kapitale në kontratën e vitit 2001 janë konsideruar si vlerë investimi 7.3 milionë dollarë. Sot, pas 12 vjetësh dhe me degradimin e minierës kushedi se sa duhet të jetë kjo vlerë dhe për sa kohë do të kryhet ky investim, që akoma nuk ka filluar. Këtu harrohen punimet e parealizuara në fazën e parë në vitin 2001-2004, në vlerën prej 2.7 milionë dollarësh që kanë të bëjnë kryesisht me punime kapitale të hapjes së minierës në thellësi, 1.5 milionë dollarë montime nëntokësore, rehabilitimi i transportit nëntokësor, rehabilitimi i transportit vertikal, rehabilitimi i sistemit të shfrytëzimit etj, për të cilat askush nuk ka kontrolluar dhe rakorduar as në cilësi, as në vlerë, as në përputhje me projektet e miratuara e kriteret teknike. Të gjitha këto janë detyrime të vendosura në vitin 2001 dhe të pakontrolluara, deri më sot, përveçse me një vendim të dyshimtë të vitit 2009 të ish-ministrit të kohës Ruli për shtyrje afatesh në mënyrë antiligjore, antitransparente dhe në mënyrë korruptive. Kontrata e koncesionit është si një e tërë, duke përfshirë edhe aksesorë të tjerë industrialë, si Uzina e Ferrokromit Burrel, impianti Klos, investime për mbrojtjen e ambientit etj., që realisht kapin në tërësi vlerën 20.6 milionë dollarë të vlerësuara dhe kontraktuara në vitin 2001, sot është totalisht e pamundur rivlerësimi i tyre dhe kontrolli i pa organizuar një diskutim tërësor i çështjes për të kaluar në një rinegocim të ri të kontratës koncensionare.

    Foshnjore, trajtimi i minierës si një minierë me regjim gazi

    Për herë të parë del në skenë që miniera funksionon pa sistem qendror ajrimi funksional dhe hidhet dyshimi që gjoja duhet të shikohet mundësia për të trajtuar minierën si një minierë me regjim gazi. Është foshnjore të diskutohet për ta kaluar në regjim gazi në një akt kontroll rutinë dhe të radhës. Që të kalojë miniera në një regjim gazi, duhet një vendimmarrje ekzekutive e shtetit, duke u bazuar në prova, në fakte e në matje teknike në përputhje me metodologjitë e kohës dhe për këtë është e domosdoshme konsulenca e mbështetja akademike universitare dhe institucioneve të tjera teknike. Kjo bëhet, sipas nesh, me djallëzi, që nesër, nëse ndodh aksident nga gazi, strukturat shtetërore të jenë të shfajësuara me këto konkluzione të thata dhe sigurisht, fajin si gjithmonë e ka punëtori apo viktima siç përdoret në fatkeqësitë në vdekje. Të gjithë këto konkluzione dhe arsyetime, sipas nesh, janë të dyshimta, pavarësisht se nga forma formale e tyre duket e rregullt dhe e nënshkruar nga ministri e sipas ligjit, por në të vërtetë këto kontrolle, sondime, verifikime dhe konkluzione janë kryer nga persona, të cilët kanë qenë bashkëfajtorë në këto vite për situatën e krijuar, kanë qenë pjesë e strukturave teknike të punëdhënësve në cilësinë e drejtuesit teknik, apo projektuesit, si dhe një pjesë e tyre kanë qenë në strukturat shtetërore, në agjencitë e kontrollit e zbatimit të ligjit për problemin në fjalë.

    Pezullohet leja e shfrytëzimit për 17 objekte, jo 17 subjekte

    Ndërsa për pezullimin e shfrytëzimit të lejes minerare për 17 subjekte me afat të pacaktuar, ato nuk janë 17 subjekte, por janë 17 objekte, pasi një subjekt mund të ketë 1,2,3 objekte që punon, do ishte më e natyrshme që ministria apo strukturat e tjera ligjzbatuese t’i mbështesin ato një e nga një, duke mos krijuar anomali në organizimin e funksionimin e punës së tyre në trajtimin e punëtorëve, por dhe në pagesën e taksave ndaj shtetit. Çdo rast kur merret një vendim për të ndaluar një front pune sado i parregullt të jetë ai, duhet të mendojmë se po krijojmë probleme sociale dhe probleme financiare, jo vetëm për punëtorët, por edhe për shtetin apo biznesin, i cili ka pjesën e tij të fajit.

    Mbyllja përfundimtare e punës në të gjithë zonën D

    Ne prisnim nga ministri Gjiknuri që si masë e parë ekzekutive do të ishte mbyllja përfundimtare e punës në të gjithë objektet dhe subjektet, pa përjashtim në zonën e famshme D. Kjo zonë me këtë indiferencë kontrolli, që fatkeqësisht vazhdon dhe me këtë mënyrë barbare që po shfrytëzohet do të sjellë shumë shpejt fatkeqësinë e mbytjes me ujë të minierës se Bulqizës, pasi fenomene strukturore të hinkave tashmë kanë dalë në sipërfaqe dhe sinjalet duken qartë, pa folur këto për rrezikimin e pashmangshëm të jetëve të punëtorëve në mënyrë kolektive që mund të vijnë nga momenti në moment, nga shfrytëzimi pa kriter dhe pa projekt teknik e sidomos duke prerë dhe tërhequr mineralin e kolonave mbajtëse në minierat që po rishfrytëzohen për të disatën herë. Me mirësjellje do ta ndihmonim ministrin, grupin e punës apo kushdo qoftë, që nëse ata e kanë seriozisht për të kryer kontroll të saktë dhe për të marrë vendime të drejta të paanshme dhe jo klienteliste apo me suport nga biznese të caktuara t’i drejtohen arkivës së Parlamentit, ku ndodhet  kontrata koncensionare se bashkë me anekset e saj në origjinal, e nënshkruar më datën 12.04.2001 për të parë së pari, hartat treguese fillestare e veçanërisht koordinatat e pikave për shfrytëzim, Rajoni, Zona Veriore, Zona D dhe Qaf bualli me sipërfaqe totale 0.92 km2 me nr. rendor nga 1 me 28. Mbi këto koordinata duhet gjykuar që të gjithë subjektet që kanë shkelur këto koordinata dhe operojnë brenda tyre janë në kundërshtim të hapur me ligjin pavarësisht kushteve të tjera teknike apo projektuese. Një pjesë e hartuesve të akt-kontrollit apo konkluzioneve janë vetë shkaktarë, që kanë falsifikuar këto koordinata duke favorizuar klientelë të dyshimtë brenda territorit të ACR, sot “Albania Krom”, dhe kjo e fundit e ka pranuar një gjë të tillë në vijimësi në vite, për t’i krijuar lëshime reciproke ministrisë që kjo të mos kontrollojë zbatimin e kontratës koncensionare dhe programin e shfrytëzimit e detyrimet që koncensionari ka patur ndaj shtetit dhe konsencionari si shpërblim ka lejuar falsifikimin e këtyre koordinatave, për të favorizuar klientelën e qeverive në vijimësi. Çdo kontroll, konkluzion apo vendim që anashkalon këtë çështje që është thelbi i problemit në Bulqizë është formal, nuk ka forcën e duhur  dhe nuk do të jetë i zbatueshëm nga askush.

    Minatorët, leksione punëtorisë shqiptare

    Dua të sqaroj edhe qëndrimin e minatorëve dhe të sindikatës së tyre, të cilët bëjnë me dije se nuk kanë asnjë suport për të organizuar greva apo protesta nga askush, punëdhënës, biznes, politikan a kushdo qoftë, por ata duke i thirrur nevojës për vite me radhë, tashmë, e dinë më mirë se kushdo se protesta është shpirti demokratik i organizimit kolektiv për të mbrojtur interesat e tyre dhe për këtë, minatorët e Bulqizës i kanë dhënë leksione punëtorisë shqiptare se janë të pamanipulueshëm, të pavarur politikisht dhe të gatshëm në çdo moment, t’i tregojnë muskujt e tyre të rezistencës demokratike përpara çdo burokrati apo pushtetari që anashkalon ligjin dhe interesat e tyre të ligjshme. Për këtë ministri i Energjetikës është i detyruar ligjërisht që për çdo vendimmarrje për ndërprerje pune t’ia bëjë të qartë institucionalisht Ministrisë së Mirëqenies Sociale, si ministria që ndjek marrëdhëniet e punës dhe sindikatës nënshkruese të kontratës kolektive, që këto dy ministra, sindikata dhe punëdhënësi të nënshkruajnë në momentin e ndërprerjes së punës një protokoll marrëveshje në zbatim të Kodit të Punës dhe kontratës kolektive sesi punëtorët do të paguhen deri në normalizimin e situatës.

    Me miqësi dhe dashamirësi do t’i sugjeroja ministrit Gjiknuri dhe stafit të tij që të mos jenë vetëm konstatues të problemeve  apo të bëjnë ndërprerje në mënyrë mekanike të punës, por së pari, të jenë shërbëtorë të atyre votuesve që i ngjitën në karrierë politike, u votëbesuan qeverisjen, duke iu dhënë zgjidhjet ligjore, pagesat ligjore, shpërblimet ligjore në çdo rast të tillë të ndërprerjes së punës, apo të tjera të këtij lloji si transferime, nënkontraktime etj..

    Gjiknuri: Pezulluam 17 leje minerare

    Situata në miniera, ka sjellë dhe reagimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Në një konferencë për shtyp ai ka publikuar rezultate që janë konstatuar nga kontrolli njëmujor i bërë në 39 miniera. Ai bëri me dije se ka pezulluar 17 leje minerare pasi janë konstatuar shkelje nga kompanitë.
    Ai e cilësoi e cilësoi Bulqizën si një nga zonat më. Ja disa nga masat:
    Për Koncensionarin:Pezullim i pjesshëm i punimeve në shfrytëzimin e rezervave minerare, në zonën koncesionare të kompanisë Albchrome deri në realizimin e detyrimeve të mëposhtme: a) hapjen e traverbangeve të Klosit  b) thellimin e pusit 9 deri ne nivelin XX.
    Për lejet e tjera minerare:
    Për mos respektimi të kushteve të përcaktuara në lejet minerare pezullohen në shfrytëzimin e rezervave minerare 17 leje me afat të pacaktuar
    “EGI-K” Sh.p.k Leje Nr. 1460/1
    “Kevger” Sh.p.k Leje Nr.1483
    “Isaku” Sh.p.k Leje Nr.1214/2
    “Alb Lea International” Sh.p.k Leje Nr.1419
    “Klervi Bris” Sh.p.k Leje Nr.1163/1
    “Lubima” Sh.p.k Leje Nr.1498
    “EGI-K” Sh.p.k Leje Nr.1155
    “Ylberi” Sh.p.k Leje Nr.1295
    “Geri’s 2002” Sh.p.k Leje Nr.1485
    “Klervi Bris” Sh.p.k Leje Nr.1283
    “Gentari” Sh.p.k Leje Nr. 934
    “Gentari” Sh.p.k Leje Nr.1281
    “Mara 2011” Sh.p.k Leje Nr.1442
    “Drini Bulqiza” Sh.p.k Leje Nr. 1282/1
    “Pakti” Sh.p.k Leje Nr.1082
    “Erli-D” Sh.p.k Leje Nr.1590
    “Kardutex” Sh.p.k Leje Nr.1271/1
    Revokohen 5 leje plotësisht për shkak të zhvillimit të aktivitetit minerar në zonën e rrezikshme dhe për shkak të përfundimit të aktivitetit minerar.
    Leje Nr. 975 ,Leja Nr. 1222 ,Leja Nr.1486 ,Leje Nr.1443 ,Leje Nr. 1442
    Revokohen pjesërisht 5 leje minerare:
    Leja Nr. 1294 ,Leja Nr.1482 ,Leja Nr.1271/1 ,Leja Nr.1465/1 . Leja Nr. 1459
    Pezullohen leja e subjektit të licencuar për lëndët plasëse (Gentari Sh.p.k), derisa të krijojë kushtet teknike për administrimin dhe mbajtjen e tyre.
    Kërkesat e mësipërme janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha subjektet. Në rast mos përmbushje detyrimi, masa e pezullimit do të kalojë në revokim të plotë të lejeve minerare.