Kol Nikollaj: 1 maji jo ditë pushimi, por ditë proteste

    363
    Sigal

    Flet Kol Nikollaj: Të protestojmë të gjithë për një jetë dinjitoze dhe standardet e munguara

    Dita e 1 Majit, si dita përkujtimore dhe e solidaritetit të punëtorëve njihet zyrtarisht nga më shumë se 80 shtete të botës, ku mes tyre radhitet dhe vendi ynë, por me një ndryshim në shumicën e këtyre vendeve, ku 1 Maji festohet duke protestuar, në Shqipëri fatkeqësisht protestohet duke festuar. Në ditën ndërkombëtare të punonjësve, Konfederata e sindikatave të Shqipërisë ka organizuar një manifestim për të drejtat dhe kërkesat e punonjësve në sheshin “Garibaldi”, në kombinat. Tashmë duket sikur po ndryshon diçka dhe po kthehet në traditë organizimi nga ana e Konfederatës i manifestimeve dhe protestave me datën 1 Maj, me shpresën dhe bindjen se tubimet dhe protestat janë një veprim sindikal që i jep jetë dhe zhvillon shpirtin demokratik të shoqërisë. Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, z. Kol Nikollaj, shprehet për gazetën “Telegraf” se: “Ne protestojmë sot se punëtoria shqiptare dhe shtresat e tjera në nevojë kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje dhe solidaritet. Shpesh këto shtresa ndjehen të harruara nga shteti apo të goditura nga pushteti, por pse jo dhe të tradhtuara nga disa pseudo-sindikata, të cilat në vend të mbrojtjes social-ekonomike të punëtorëve, japin dekorata qeveritarëve apo ish-qeveritarëve dhe ngrohen në diellin e zbehtë të opozitës, duke ngatërruar furgonat me vagonat”. Ai theksoi faktin se, tashmë është vërtetuar katërcipërisht se tentativa për të implementuar disa karikatura dhe doktrina neoliberale si vendi i “dytë pas Gjermanisë”, “superfuqi energjetike”, “tolerancë zero ndaj korrupsionit”, etj., prodhuan kriza ekonomike, privatizime dhe koncensione korruptive, ku dhe vetë korrupsionin ata e privatizuan nga një klan dhe oborr familjar i ngushtë, i cili e përdori pushtetin për të zhvatur dhe goditur shtetin dhe bashkë me të edhe gjithë punëtorinë shqiptare. Protesta e sotme ka si burim kërkesën për shpresë dhe për një jetë dinjitoze me orientim social dhe integrim real europian. Varfëria në Shqipëri ka krijuar një pabarazi sociale dhe shoqërore, ku krijimi i kësaj pabarazie, sidomos në të ardhura ka polarizuar shoqërinë. Ata duan dhe kërkojnë një transparencë të ndershme të qeverisjes pa korrupsion, me punësim, me çmime dhe treg të stabilizuar, me ulje të borxhit publik, me rend dhe siguri të garantuar. “Mungesa e stabilitetit në punësim, largimet apo transferimet nga puna, mungesa e sigurisë në vendin e punës, si dhe dëmtimi i ndjeshëm i shëndetit dhe sigurisë në punë, shkatërrimi urban i territorit dhe rrënimi i ambientit, informaliteti në punë dhe në ekonomi janë faktor kyç që ne na nxisin dhe na motivojnë në protestën tonë sot me 1 Maj”, thekson ndër të tjera Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Kol Nikollaj, gjithashtu na liston një sërë arsyesh se pse çdokush, përfshi dhe forca politike, të cilët duan të protestojnë për liri dhe standardet e munguara, duhet t’i bashkohen kësaj proteste. “Diskriminimi në paga, sidomos për gratë dhe të rinjtë, puna jashtë orarit e diktuar nën presion psikologjik apo stres, mungesa e investimeve në arsim dhe në shëndetësi, pensionet dhe asistenca sociale të ulëta jashtë kritereve të pranueshme, janë një mesazh për t’u bashkuar rreth nesh i gjithë komuniteti, pse jo dhe ato forca të ndershme politike, të cilat duan të protestojnë realisht për liri dhe standarde të munguara dhe jo për karrige të pushtetit të humbur”, tha z. Nikollaj. Ai i bën thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht punëtorëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave, invalidëve të luftës dhe të punës, të persekutuarve politik dhe atyre që kanë humbur shpresën nga persekutimi ekonomik, që të gjithë bashkë të grupohen për të ekuilibruar shoqërinë tonë të ç’ekuilibruar ekonomikisht dhe të luftojnë për barazi sociale dhe mirëqenie ekonomike.

    KËRKESAT

    -Ne kërkojmë vëmendjen e shtetit për një integrim social të shoqërisë dhe për një rishpërndarje më të barabartë të produktit shoqëror, duke synuar dhe forcuar rolin rregullator të shtetit për një rritje dhe zhvillim të shpejtë, të balancuar dhe të vazhdueshëm të ekonomisë, për forcimin e shtetit demokratik, vendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, trafikut, për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë në BE.

    -Ne kërkojmë që Qeveria të vlerësojë sindikatat si të barabarta për të vendosur për rritjen dhe indeksimin e pagave në mënyrë reale, për shpalljen e minimumit jetik, si një prag i domosdoshëm për përllogaritjen e varfërisë, për përfundimin e reformës në pensione, reformës në energji dhe telekomunikacion, reformës në ndarjen administrative dhe reformën në drejtësi.

    -Ne kërkojmë siguri jo vetëm për jetën e përditshme, por dhe për të ardhmen, mbi të gjitha, siguri do të thotë punë për të gjithë, mjete jetese për të gjithë, jetë dinjitoze për të gjithë, shërbim shëndetësor e arsimor për të gjithë, rend e qetësi për të gjithë.

    -Ne kërkojmë për të gjithë shoqërinë tonë një garanci kolektive e mbrojtje sociale, si një garanci e suksesshme për shpërndarjen e të ardhurave e eliminimin e varfërisë, pasi kështu ne i realizojmë objektivat e mijëvjeçarit të ri me sa më pak sakrifica sociale.

    -Ne kemi besim se, Qeveria Rama do të vlerësojë dialogun social në formë dhe në përmbajtje.

    Pse manifestohet në 1 MAJ?

     Festa e 1 Majit, apo dita ndërkombëtare e punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se, kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886.

    “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orarshin e punës.