Kol Nikolla, i shitur, apo i blerë?

    485
    Sigal

     Kryesindikalisti i Konfederatës, është i shqetësuar përse kanë mosmarrëveshje CEZ-i me qeverinë

     Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë i është drejtuar zyrtarisht me një letër presidentit të Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, ku kërkon ndërhyrjen e tij për të qetësuar marrëdhëniet mes palëve, pasi kostot i vuajnë punonjësit e CEZ-it.

    Madje në rrjetin e vet social, kreu i Konfederatës të Sindikatave, Kol Nikollaj, duke i atribuuar vetes merita ta mëdha për letrën që i ka drejtuar zotit Barroso, shkruan me mburrje: “sindikata jonë arrin të fusë në axhendën e Parlamentit Europian çështjen e marrëdhënieve … dhe pazareve të prishura ndërmjet qeverisë dhe CEZ-it”. Kreu i Konfederatës të Sindikatave, Kol Nikollaj i kërkon ndihmë zotit Barroso që të zgjidhë… mosmarrëveshjet midis qeverisë dhe CEZ-it, pasi është i shqetësuar, se pasojat i vuajnë… punonjësit e CEZ-it! Kjo është optika politike, sindikaliste, shoqërore dhe morale e kreut të sindikatave në Shqipëri, zotit Kol Nikollaj. Për të plotësuar edhe më tej imazhin, Kol Nikollaj kërkon ndihmën e BE-së dhe të zotit Barroso, që CEZ-it t’i paguhen detyrimet financiare që i kanë, që edhe CEZ-i, -sipas Kryesindikalistit Kol Nikollaj- të paguajë detyrimet e veta financiare…

    Zoti Kryesindikalist, Kol Nikollaj, me të tilla lutje, ankesa, kërkesa që i drejtoheni BE-së dhe zotit Barroso, ju kë rol luani? Menaxherin dhe avokatin e CEZ-it? Apo, pajtuesin e mosmarrëveshjeve Qeveri-CEZ? Për kë ju ha aq shumë meraku, zoti Kryesindikalist, Kol Nikolla? Zoti kryesindikalist, Kol Nikollaj, me letrën tuaj drejtuar zotit Barroso, jetoni në realitetin e errësirës që përjetojnë shqiptarët nga ndërprerja e vazhdueshme dhe kolektive  e energjisë elektrike e CEZ-it? Jeni shqetësuar që shqiptarët penalizohen me ditë, me javë dhe me muaj, pa drita, sepse CEZ-i penalizon gjithë shqiptarët? Zoti Kryesindikalist, Kol Nikollaj,  a keni marrë haber që CEZ-i ka katër vjet që vjedh sistematikisht shqiptarët, duke u mbingarkuar kilovatë të paharxhuar, derisa nuk i shkruajtët asgjë të tillë, zotit Barroso? Zoti Kryesindikalist, Kol Nikollaj, a keni marrë haber, që CEZ-i abuzon me shqiptarët, duke kolauduar matësit e energjisë elektrike që të matin disa herë më shumë energji elektrike nga ajo e harxhuar? Jeni shqetësuar gjë, ju për këtë, zoti Kol Nikollaj? A nuk duhet t’i shkruanit zotit Barroso, që një kompani e një anëtari të BE-së vjedh dhe abuzon me shqiptarët, në mënyrë të paskrupullt, me dijeninë dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, derisa drejtësia shqiptare nuk reagon dhe nuk ndërhyn në vjedhjet dhe abuzimet kolektive që CEZ-i u bën shqiptarëve? Zoti Kryesindikalist, Kol Nikollaj, a jeni ju në dijeni që CEZ-i, ka marrë nga qeveria shqiptare gjithë bazën materiale, transformatorë, tonelata tela dhe i ka shitur për skrap, duke nxjerrë miliona euro fitim me pasurinë e popullit shqiptar? Kjo vjedhje, ky abuzim nga CEZ-i, a ju ka shqetësuar, zoti Kol Nikollaj, që si Kryesindikalist, të kishit kurajo t’i dërgonit letër zotit Barroso dhe t’i tregonit këtë korrupsion me fakte të qeverisë dhe bashkëpunëtorit të saj CEZ-it? Zoti Kol Nikollaj, a i thatë zotit Barroso, që CEZ-i  e gjeti çmimin e shitjes të kw me 3,3 lekë dhe sot e shet me 7,7 lekë dhe 13 lekë kw, pa tvsh? Kjo a nuk është vjedhje  e CEZ-it që u bën shqiptarëve me ligjin e qeverisë? A nuk duhej ta bëje të ditur te zoti Barroso? Zoti kryesindikalist, Kol Nikollaj, a jeni në dijeni që CEZ-i nuk ka bërë asnjë euro investim në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes të energjisë elektrike, kjo detyrim i kontratës të nënshkruar? A nuk duhej të informoje edhe zotin Barroso, se si një kompani e një vendi anëtare të BE-së shkel detyrimet, ndaj të kërkoje që ajo të ndëshkohet sipas ligjshmërisë ndërkombëtare? Zoti Kol Nikollaj, ti jo vetëm që nuk do që të ndëshkohet CEZ-i nga ligjshmëria shqiptare dhe ajo e BE-së, por, si një mëshirtar, kërkon që  zoti Barroso të bëhet paqësues i marrëveshjeve Qeveri-CEZ, që vjedhja, abuzimet, mashtrimet dhe dënimet e shqiptarëve të vazhdojnë. Kryesindikalisti “betohet” në letrën që i dërgon zotit Barroso, se i dhimbsen edhe… punonjësit e CEZ-it, ngaqë ata, sipas Kryesindikalistit Kol Nikollaj, punojnë në stres të jashtëzakonshëm. Kjo është përgjegjësia e Kryesindikalistit Kol Nikollaj, për punëtorët e CEZ-it? Po, Kryesindikalisti harron të cilësojë, për kë punëtorë shqetësohet? Për ata mijëra punëtorë që CEZ-i, në pesë vjetët e saj në Shqipëri ndoqi dhe flaku nga puna? A është shqetësuar ndonjëherë Kryesindikalisti Kol Nikollaj për mijëra punëtorë që CEZ-i ndoqi dhe shkatërroi gjithë sistemin e mirëmbajtjes dhe shpërndarjes të energjisë elektrike në çdo fshat? Kryesindikalisti Kol Nikollaj, a e ka haberin se ndërhyrja e emergjencës në riparimin e defekteve në sistemin e shpërndarjes të energjisë elektrike sot do javë e muaj të tërë të riparohet, sepse CEZ-i flaku në rrugën e papunësisë mijëra punëtorë? Duke heshtur ndaj flakjes në papunësi të mijëra punëtorëve nga CEZ-i, Kryesindikalisti Kol Nikollaj, mos vallë- pyesim- ka ndonjë farë interesi personal? Taf Koleci, ish-shoferi i Kryesindikalistit Kol Nikollaj, a punon në CEZ? Pyesim, a ka lidhje njohjeje, hatëresh dhe interesash Kryesindikalisti Kol Nikollaj me CEZ-in në punësimet e njerëzve të njohur te kjo kompani, derisa zoti Kol Nikollaj i drejtohet zotit Barroso nga dhimbja që ndjen për punonjësit e CEZ-it, që “vuajnë” nga mosmarrëveshjet CEZ- qeveri? Kryesindikalisti Kol Nikollaj, përse nuk kërkon nga zoti Barroso, që të ndërhyjë BE-ja dhe të zbojë nga Shqipëria CEZ-in për vjedhjet, abuzimet sistematike dhe kolektive ndaj shqiptarëve? Përse Kol Nikollaj, nuk kërkon nga BE-ja që CEZ-i të shporret nga Shqipëria sepse në 5 vjet nuk ka investuar asnjë euro? Përse Kryesindikalisti Kol Nikolla nuk denoncon në BE dhe te zoti Barroso abuzimin e qeverisë për garancitë e miliona eurove që i jep KESH-it për të importuar energji elektrike, derisa CEZ-i nuk mundet, sepse nuk do të investojë? Kryesindikalisti Kol Nikollaj, derisa shqetësohet te zoti Barroso, që BE-ja të ndërhyjë që CEZ-it t’i paguhen detyrimet që i kanë – duke “harruar” për detyrimet e CEZ-it që ka miliona dollarë pa paguar KESH-it- kryen –ndoshta- misionin e menaxherit të CEZ-it, dhe kurrë detyrimin e Kryesindikalistit ndaj mijëra punëtorëve që janë flakur në papunësi!

     “Kali i Trojës” midis sindikalistëve

    Në të vërtetë Kolë Nikollaj nuk është gjë tjetër veçse “Kali i Trojës” i futur midis sindikalistëve, për t’i përçarë siç i ka përçarë, për ta çuar në zero misionin dhe rolin e tyre në një shoqëri demokratike. Nëse do t’i njihet ndonjë meritë Kolë Nikollës, Xhaferr Dobrushës së Sindikatës së Arsimit, Gëzim Kalasë së BSPSH-së e të tjerëve që kanë uzurpuar prej dy dekadash sindikatat, është pikërisht ky: shkatërrimi i sindikatave! I kini parë kur dalin në 1 maj gjoja për të protestuar? Numërohen me gishta dhe të gjithë qeshin me ta. Mirëpo gjatë këtyre viteve të tranzicionit në sindikata ata gjetën folenë e pëllumbave, një strofull ku vidhet e abuzohet në mënyrën më të paskrupullt. Aktiviteti i tyre në këto dy dekada përmblidhet në dy sfera: në kontrabandën me vizat jashtë shtetit dhe në abuzimin skandaloz me pronat e pallogaritshme të i morën falas nga qeveria. Ishin këta gjoja sindikalistë që nuk e lusnin kurrë heqjen e vizave për shqiptarët, pasi ishin kontrabandistët më të mëdhenj të vizave nëpër ambasada dhe qindra mijë euro futeshin çdo vit në xhepat e tyre. Nejse kjo tashmë duket një histori e shkuar. Por, pikërisht, abuzimi me pronat e sindikatave mendojmë se përbën një objekt shumë të rëndësishëm të kontrollit dhe të penalizmit që KLSH duhet t’u bëjë këtyre pseudo-sindikalistëve. Sepse në të vërtetë ata nuk janë gjë tjetër veçse të tillë! Kurrë sindikalistë!

    Penalizim kolektiv i CEZ-it, me ndërprerje të energjisë elektrike

    Edhe pse gjykatat e Shqipërisë dhe ERE e kanë cilësuar shkelje të ligjit dhe të kontratës, ndërprerjen e energjisë elektrike nga CEZ-i kundër zonave të banuara, pa përjashtim, me shkakun se disa nuk paguajnë faturat, sërish CEZ-i, pas festave të 28 dhe 28 Nëntorit filloi ndërprerjen e energjisë elektrike. Madje kësaj here, CEZ-i, për të demonstruar edhe forcën e pushtetit të tij, e ndërpreu pa lajmëruar me ditë të tëra energjinë elektrike, sidomos në zonat që cilësohen të elektoratit të majtë, si në minibashkinë e Kombinatit në Tiranë, në Mamuras, në Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë etj. ERE mjaftohet vetëm me paralajmërime për heqjen e licencës CEZ-it, kur dihet që ERE deri tani ka vepruar në ortakëri me CEZ-in. Madje, për ironi, ERE njoftoi se deri në qershor nuk do të ketë rritje të re të çmimit të shitjes CEZ-it, kur ndërkohë, para ca muajve, ERE dhe parlamenti miratuan uljen e çmimit që CEZ-i i blen KESH-it! Edhe pse CEZ-i nuk u shërben fare shqiptarëve, edhe pse CEZ-i nuk investon asnjë euro, edhe pse CEZ-i vjedh dhe abuzon me shqiptarët, ERE bën pazare e marrëveshje me CEZ-in, për të rritur çmimin që CEZ-i u shet shqiptarëve energjinë elektrike!