Kol Nikolla: “E vërteta e mospagesës së minatorëve dhe arsyet që po çojnë në falimentimin e minierës”

    419
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj

    Sërish ka pasur probleme në minierën e Bulqizës për vonesat e pagesave, çka çuan edhe në zhvillimin e disa grevave afatshkurtra nga minatorët. Kanë qenë punëtorët e zonës D, të cilët nuk kishin marrë pagesat prej disa muajsh nga firma “TUR ALBA”. Në lidhje me situatën e krijuar ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj.

     -Zoti Nikollaj, disa minatorë të Bulqizës, kanë zhvilluar protesta disa orëshe për mosmarrjen e pagesave. Sa muaj kishin pa u paguar?

    -Siç kemi komunikuar edhe herë të tjera në pellgun minerar të Bulqizës akoma shteti nuk po vë dorë dhe megjithëse ne kemi zhvilluar një sërë grevash, protestash, dhe sensibilizim të opinionit publik për këtë javë të vështirë që po kalojnë minatorët në tërësi dhe veçanërisht ata të Bulqizës. Zona D e cila është zona më e nxehtë dhe më problematike që po rishfrytëzohet në mënyrën më barbare dhe për të disatën herë  po i sjell fundin minierës duke e rrezikuar atë për ta mbytur në ujë dhe fatkeqësisht rrezikon dhe ndonjë shembje tektonike me përmasa katastrofike. Në këtë zonë punojnë disa operator të cilët të gjithë janë pajtimtarë të politikanëve apo të qeveritarëve. Një ndër ata është dhe një punëdhënës i quajtur “TUR ALBA” sh.p.k me adresë Lagja nr. 8, Sheshi Skëndërbej, Durrës, firmë e regjistruar me pronar turk dhe administrator shqiptar, të cilët askush si njeh dhe si ka pare kurrë. Zona D është marrë me nënkontraktim nga “TUR-ALBA” nga ACR, e cila edhe ajo vetë ka blerë aksione të dyshimta tek DARFO SPA bija e DARFOS SRL, e cila ka marrë me koncesion shfrytëzimin e minierës së Bulqizës. Kjo është një patate përvëluese që po shkon dorë më dorë duke shpërndarë fitime dhe tani që po i vjen fundi lëvozhga e saj po i mbetet në dorë qeverisë dhe punëtorëve të cilët shfrytëzohen si skllevërit duke ju mohuar çdo e drejtë dhe duke mos realizuar asnjë detyrim kontraktual për ta. Prej 2 muajsh ata janë pa Kontratat Kolektive dhe Individuale të punës, megjithëse sindikata jonë në përmbushje të kodit të punës i ka paraqitur të gjithë dokumentacionin e duhur ligjor për të kryer procesin e negocimit dhe nënshkrimit të Kontratës Kolektive.

     -Minatorëve nuk u ishin bërë pagesat nga kompania turke, cilat ishin arsyet që nuk u ishin dhënë rrogat?

    -Përsa i përket problemit të pagesave prej dy muajsh nuk janë kryer pagesat duke u justifikuar me pretendime të shit-blerjes së kromit. U desh presioni i sindikatës duke ndërprerë punën dhe duke organizuar disa ditë protesta përpara fillimit të punës që më në fund dje të likuidoheshin pagat e prapambetura, por theksojmë se gjatë këtyre ditëve punëdhënësi ka përdorur presione psikologjike dhe fizike mbi punëtorët duke ju kërkuar atyre që të kthehen në punë dhunshëm si dhe duke përdorur forcat private të sigurisë për të realizuar një qëllim të tillë. Është e dyshimtë dhe nuk japin informacion përsa i përket pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për këta punëtorë. Pa folur pastaj për pagesën e rentës minerare apo pagesën e taksës vendore të cilat askush nuk e di se në cilët xhepa përfundojnë nga këto firma fantazma dhe gjoja nënkontraktuese.

     -A janë vënë në dijeni institucionet shtetërore për këtë situatë, nëse po, çfarë përgjigje u është dhënë?

    -Ne jemi përpjekur të kontaktojmë direkt me firmën “TUR-ALBA”, por ka qenë e pamundur për mungesë adrese të saj. Sindikatat vendore tonat kanë kontaktuar me përfaqësuesit shqiptar që prezantohen si administrator në Bulqizë të cilët disa herë mashtrojnë dhe disa herë të tjera bëjnë presione në emër të individëve të veshur me pushtet por që asnjëherë nuk marrin përsipër të zgjidhin problemet mjaft të mprehta që kanë punëtorët. Që me datën 01.04.2013 unë në cilësinë e Presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dhe përfaqësuesit ligjor i këtyre punëtorëve të cilët fatmirësisht janë të gjithë anëtarë të KSSH-së, në përmbushje të Kodit të Punës i jam drejtuar Ministrit Spiro Ksera për të vënë në lëvizje Inspektoratin Shtetëror të Punës për të mbajtur qëndrim në përmbushje të ligjit si dhe për të vënë në lëvizje Zyrën Rajonale të Pajtimit për të kryer procedurat e ndërmjetësimit dhe pajtimit me qëllim që të zbatohen kriteret ligjore për të detyruar punëdhënësin për të nënshkruar Kontratën Kolektive me Sindikatën dhe Kontratat Individuale me punëtorët si dhe për të kontrolluar pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Jemi në dijeni që është organizuar një takim formal në Bulqizë nga zyra Rajonale e Punësimit e cila ne nuk na ka vënë në dispozicion asnjë vendim sipas ligjit. Për këtë ne ju ridrejtuar Ministrit duke i kërkuar që këtë kompetencë ti kalojë sipas ligjit Zyrës Kombëtare të Pajtimit dhe Ndërmjetësimit pranë kësaj ministrie. Shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhi shpejt.

     -Pas largimit të ACR-së, a është vënë re ndonjë ndryshim për përmirësimin e kushteve në miniera?

    -Këto 2 muaj kanë qenë muajt e tranzicionit të dorëzimit të minierës nga ACR Chrome tek BALFIN Group, kompani shqiptare e cila ka blerë 100 % të aksioneve të koncesionit të dhënë nga Parlamenti në vitin 2001 DARFO-s. Akoma ne si Sindikatë jemi në kuadrin e bisedimeve dhe të negociatave ku punëdhënësi i ri ka shprehur mirëkuptimin dhe interesin e tij për të bashkëpunuar me ne në formë institucionale por akoma ky bashkëpunim nuk është ulur në rrafshin konkret për të sjellë produkt në favor të punëtorëve. Akoma atje është e njëjta pasqyrë, akoma mungojnë jo vetëm investimet themelore për hapjen e thellësisë por dhe ato për sigurinë dhe kushtet e punës për minatorët janë të pakta dhe të pandjeshme në rendimentin e tyre.

     Platforma për zhvillimin e minierës së Bulqizës

    Ne po presim që të qetësohet dhe qartësohet situata politike dhe duam që ti paraqesim parlamentit shqiptar një platformë sociale, ekonomike dhe teknike për zhvillimin dhe hapjen e perspektivës së Bulqizës, sigurisht në përputhje me ligjin shqiptar për koncesionet, në bashkëpunim dhe me punëdhënësin dhe me ministrinë e ekonomisë dhe duke përfshirë në këtë platformë jo vetëm saktësimin e detyrimeve kontraktuale, ribërjen e afateve të kontratës, ribërjen e grafikëve të kryerjes së punimeve, rivlerësimin me ekspert financiar të investimeve të kryera dhe të investimeve që duhen kryer për mbylljen e ciklit të shfrytëzimit dhe përpunimit të mineralit Brenda Shqipërisë, por kjo të shoqërohet dhe me një paketë sociale për një Status të veçantë për minatorët duke kryer mundësinë e një pensionimi të parakohshëm të atyre që kanë kaluar 50 vjet në moshë, me qëllim që të rifreskohet krahu dhe fuqia e punës, por dhe tregu i punës të krijojë frymëmarrje me punëtorë të rinj, të cilëve ne do t’i kërkojmë qeverisë që në Bulqizë të funksionojë dhe një shkollë profesionale për miniera, për të përgatitur punëtorë dhe drejtues të kualifikuar. Ndoshta kjo platformë që ne do të paraqesim i përket të shqyrtohet Parlamentit të ri në fillimet e punës së tij, por  ne ka kohë që e kemi filluar punën me ekspert të pavarur si dhe me lobingje politike, me deputet të zonës, me pushtetin vendor, me punëdhënësit e interesuar për të investuar në industrinë minerare, me Universitetin e Gjeologji Miniera, me agjencitë ligj-zbatuese AKPN, RISHM, etj., sigurisht duke mos përjashtuar dhe grupin BALFIN i cili do të ketë peshën kryesore në zbatimin e kësaj platforme.