Koha për shqyrtimin e kërkesës është 730 ditë

    397
    Sigal

    Marrja e shtetësisë italiane nga ata që kanë lindur në Itali

    Kush lind në Itali nga prindër të huaj mund të përdorë një rrugë preferenciale për t’u bërë shtetas italian, por ka vetëm një vit kohë për të përfituar prej saj. Sipas ligjit italian kush lind në Itali nga prindër të huaj nuk fiton automatikisht shtetësinë italiane, por mban atë të prindërve deri sa të arrijë moshën madhore. Të shohim hollësisht procedurën ligjore që duhet të ndjekë një person i lindur në Itali nga prindër të huaj e që aspiron të bëhet shtetas italian.

     Ligji italian n. 91/92 mbi shtetësinë vendos që “i  huaji i lindur në Itali, i cili ka banuar aty ligjërisht pa ndërprerje deri në moshën madhore, bëhet shtetas italian nëse deklaron se dëshiron të fitojë shtetësinë italiane brenda një viti nga mbushja e moshës së mësipërme” (neni 4, paragrafi 2 i Ligjit 91/92). Kjo do të thotë që shtetasi i huaj i lindur në Itali, ku ka qenë banues i rregullt gjithmonë, mund të aplikojë për të kërkuar shtetësinë italiane në moshën mes 18 dhe 19 vjeçëve, duke u paraqitur pranë nëpunësit të Gjendjes Civile të qytetit ku ka vendbanimin. Shtetësia, në këtë rast, jepet si “përfitim nga ligji”, kështu që është e mundur të bëhesh italian me një deklaratë të thjeshtë vullneti përpara Nëpunësit të Gjendjes Civile përpara mbushjes së moshës 19-vjeçare. Zyra e Gjendjes Civile, pasi verifikon përmbushjen e kritereve, regjistron shtetasin e ri në regjistrin e gjendjes civile vetëm pas betimit për besnikëri ndaj Republikës Italiane, me të cilin i jepet shtetësia italiane qytetarit të interesuar.

    Dokumente që duhen paraqitur:

    1. Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih faksimilin);

    2. Pasaporta e vlefshme;

    3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit (shih faksimile);

    4. Leja e qëndrimit: në rast periudhash ndërprerjesh në lejen e qëndrimit, i interesuari mund të paraqesë dokumente që mund të dëshmojnë  praninë e tij të pandërprerë në Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore dhe të tjera);

    5. Certifikata historike e rezidencës. Në rast se i mituri është regjistruar vonë një komunë italiane duhet dorëzuar dokumentacioni që vërteton qëndrimin e të miturit në Itali gjatë periudhës që paraprin regjistrimin në komunë (p.sh. certifikata mjekësore). Periudha e rezidencës së rregullt duhet të dëshmohet që nga çasti i lindjes në Itali përmes certifikatës historike të regjistrimit që lëshon Zyra e Gjendjes Civile dhe përmes leje qëndrimit. Shpesh ndodh që prindërit nuk kanë kryer regjistrimin e fëmijëve të lindur në Itali ose kanë kërkuar me vonesë futjen e tyre në lejen e qëndrimit. Në këtë mënyrë do të mungonte kushti i rezidencës legale të pandërprerë që nga lindja deri në moshën madhore, duke paragjykuar kështu të drejtën për paraqitjen e kërkesës.

    Për këto arsye, Ministria e Brendshme, për të lehtësuar gjithsesi kërkesat për njohjen e shtetësisë, me Qarkoren K64.2/13 të datës 7 nëntor 2007, ka ftuar Nëpunësit e Zyrave të Gjendjes Civile të vlerësojnë me elasticitet kriterin e qëndrimit të vazhdueshëm. Ajo ka vendosur që në rast ndërprerjeje të rezidencës së rregullt ose vonese në regjistrim, duhet të shqyrtohen si prova të qëndrimit në territorin italian, edhe certifikatat mjekësore  (p.sh. certifikatat e vaksinimit, ose shërbimet mjekësore), certifikatat e shkollës ose tjera dokumente të ngjashme. Fatkeqësisht disa zyra komunale vazhdojnë t’i refuzojnë shtetësinë atyre që kanë një “boshllëk” në periudhën e qëndrimit, pavarësisht qarkores K64.2/13 të datës 7 nëntor 2007. Në këtë aspekt vendimet e gjykatësve janë gjithmonë të favorshme në këtë hipotezë, me rezultatin që refuzimet e Komunave janë konsideruar të paligjshme.

    Për më tepër, gjithnjë për të lehtësuar aksesin në të drejtën e shtetësisë, më 6 nëntor 1996, Këshilli i Shtetit ka dhënë vendimin numër  940/1996, në të cilin deklaronte se mungesa apo vonesa e regjistrimit të vendbanimit në emër të fëmijës, mund të konsiderohen jo ndikuese në marrjen e  shtetësisë, por vetëm në qoftë se janë verifikuar tri kushtet në vijim:

    a) lindja e fëmijës në Itali, të ketë qenë deklaruar rregullisht dhe menjëherë në zyrën e gjendjes civile, edhe për regjistrimin e rezidencës (akti i lindjes);

    b) prindërit, në kohën e lindjes së fëmijës, të kenë qenë rezidentë të rregullt, me lejeqëndrim të vlefshëm dhe regjistrim në komunë.

    c) që këto kushte të prindërve të kenë vazhduar gjatë gjithë periudhës së marrë në shqyrtim, të paktën deri sa fëmija të mos ketë marrë një leje qëndrimi të vetën.

    Pas mbushjes së moshës 19-vjeçare

    Kur mbush 19 vjeç, i huaji i lindur në Itali që nuk ka paraqitur deklaratën e vullnetit në zyrat e Komunës, nuk mund të përfitojë shtetësinë italiane falë “përfitimit me ligj”, por do të duhet të ndjekë një procedurë tjetër. Në fakt kush e ka kapërcyer pragun e të 19-ave mund të aplikojnë për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi të rregullt sipas nenit 9, paragrafi 1, germa a) e Ligjit 91/92.

    Kërkesa duhet të paraqitet pranë Prefekturës së vendbanimit duke plotësuar formularin B dhe duke bashkangjitur dokumentet e kërkuara në origjinal dhe fotokopje. Mbetet gjithnjë i nevojshëm kushti që të ketë lindur në Itali dhe duhen dëshmuar të ardhura të paktën rreth 8.500 € në vit, gjatë tre vjetëve të fundit përpara dorëzimit të kërkesës. Duhet mbajtur parasysh që të ardhurat në fjalë janë ato të  familjes ku bën pjesë kërkuesi. Pra, në qoftë se bëhet fjalë për një student, mjafton të dëshmohen të ardhurat e prindërve.

    Dokumente që duhen paraqitur

    1 . Kuponi i pagesës prej 200 € në llogarinë 809020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (shih faksimilin);

    2. Pasaporta e vlefshme;

    3. Kopja e plotë e aktit të lindjes së kërkuesit

    4. Leja e qëndrimit: në rast të ndërprerjeve në lejen e qëndrimit, kërkuesi mund të paraqesë dokumentacionin që vërteton praninë e tij në  Itali (p.sh. certifikata shkollore, mjekësore etj);

    5. certifikata historike e rezidencës. Në rastin e regjistrimit të vonuar të fëmijës në një komunë italiane, duhet të dorëzohet dokumentacioni që dëshmon praninë e të miturit në Itali përpara regjistrimit të rregullt në komunë (p.sh. certifikata mjekësore).

    Është në dorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të kërkojë dokumentacion shtesë nëse është e sheh të nevojshme. Kërkesa i transmetohet personit të interesuar me letër rekomande të dërguar në adresën e banimit të dhënë në aplikimin për shtetësi. Në rast ndryshimi të vendbanimit  gjatë procedurës së shtetësisë, i interesuari e ka për detyrë t’ia komunikojë Prefekturës adresën e re, duke bashkangjitur një kopje të kuponit të paraqitjes së kërkesës ose kopje të letrës së protokolluar të kërkesës për të shmangur humbjen në postë.

    Koha për shqyrtimin e kërkesës është 730 ditë. Në rast përgjigjeje pozitive, Prefektura i dërgon një njoftim personit brenda 90 ditëve nga marrja e dekretit të shtetësisë nga ana e Autoritetit përkatës. Pasi personi të ketë marrë dekretin, duhet të paraqitet në Komunën e vendbanimit, brenda 6 muajsh nga marrja e njoftimit, për të bërë betimin për besnikëri ndaj Republikës në përputhje me nenin 10 të Ligjit për Shtetësinë (Ligji 91/1992). Pas skadimit të kësaj periudhe, dekreti e humb vlerën dhe personi duhet të paraqesë sërish kërkesë për shtetësi dhe të nxjerrë sërish të gjitha dokumentet.

    Kujdes! Duhet mbajtur parasysh se disa shtete nuk lejojnë shtetësi të dyfishtë. Është e këshillueshme të verifikohet pranë konsullatës përkatëse nëse marrja e shtetësisë italiane nuk shkakton humbjen e shtetësisë së origjinës.

    ÇEKU FAMILJAR, KUR NUK ARRIHET SHUMA VJETORE

    -INPS jep kufijtë e të ardhurave nën të cilët merret kontributi

    Shifrat e reja hyjnë në fuqi nga 1 korriku e do të jenë të vlefshme deri më 30 qershor 2014. Kontributi u takon punonjësve italianë dhe të huaj, kërkesat i paraqiten punëdhënësve ose INSP-it

      – Si çdo vit ndryshojnë kufijtë e të ardhurave për të pasur të drejtën e çekut familjar, ndryshime që varen edhe nga rritja e kostos së jetesës. INPS-i ka botuar më 29 maj shifrat e reja, në fuqi nga data 1 korrik 2013 deri më 30 qershor 2014.

    Çeku është për të punësuarit, për ata në pension dhe, në kushte specifike, edhe për punonjësit me kontratat të ndryshme (si p.sh. bashkëpunëtorët me kontratë co.co.pro dhe punonjësit e pavarur që derdhin kontribute të veçanta në Inps), kur shuma e të ardhurave të anëtarëve të familje është nën një kufi të caktuar. Këtë ndihmë mund ta marrin punonjës italianë dhe të huaj.

    Kërkesa për çekun duhet t’i dorëzohet punëdhënësit. Punonjësit shtëpiakë dhe ata të bujqësisë duhet ta paraqesin kërkesën pranë Inps-it. Në rastin e parë shuma i shtohet rrogës nga punëdhënësi, që më pas rimbursohet nga Inps-i. Ndërsa në rastin e dytë shuma i jepet punonjësit drejtpërdrejt nga Inps-i.