Kofi Anani figura politike, shtetërore e intelektuale, me origjinalitet pamor dhe gojor

620
Sigal

Akademik Rexhep Qosja

Shkrimtari i mirënjohur Rexhep Qosja në një status në rrjetin social Facebook shkruan për ndarjen nga jeta të Ish-Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan dhe për takimin që ka pasur me të gjatë një vizite që ai e bëri në Prishtinë. Më poshtë ai na tregon përshtypjet nga ky takim.

Ish-Sekterari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan është ndarë nga jeta. Ai ishte për vizitë në Kosovë pas Luftës Çlirimtare. Si anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës pata rastin ta takoj gjatë një vizite që ai e bëri në Prishtinë. Përshtypjet nga ky takim po i publikoj në këtë postim të shkëputur nga Ditari, vëllimi VIII, i cili do të botohet së shpejti.

13.10.1999

Pas Bernar Kushnerit dhe gjeneral Rainhardit fjalën e merr Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Kofi Anani. Kofi Anani është më i shkurtër se ç’e tregojnë televizionet. Kofi Anani ka një pamje shumë origjinale dhe në këtë origjinalitet do të ketë kontribuar prejardhja e tij ndoshta disaracore dhe ndoshta disaetnike. Në ngjyrën e fytyrës së tij janë shkrirë ngjyresa afrikane, aziatike dhe evropiane. Edhe në trajtën e kokës së tij do të jenë shkrirë trajta kokash të të tri këtyre kontinenteve. Kofi Ananin sytë e mi e shikojnë me adhurim për atë bashkim të jshtëzakonshëm e shumë të pëlqyer të të ndryshmeve. Të ndryshmet sjellin bukuri, dhunti, mençuri dhe maturi.
Dhuntitë dhe virtytet e Kofi Ananit do të tregohen në plotësinë e tyre mbasi të fillojë të flasë – anglisht. Flet për të përgjithshmet. Flet për të përbashkëtat njerëzore e politike. Përmend deportimet tona (të dhunshme), përmend kampet në të cilat ishim vendosur në Maqedoni dhe në Shqipëri. Mandej flet për tolerancën, si e mirë e madhe e paqes mes njerëzve. Mandej flet për bashkëjetesën si pashmangshmëri e të sotmes dhe e të ardhmes së njerëzve. Fjala e tij ishte domethënshëm e sistemuar, e filluar dhe e përfunduar. Fjalitë në të cilat ishte i përmbajtur qëllimi i ardhjes së tij shquhen me theks zanor dhe diksion pothuaj artistik. Mendoj: deri në moshën në të cilën jam nuk më kishte takuar të shoh figurë politike, shtetërore e intelektuale kaq përshtypje-bërëse me origjinalitet pamor dhe me origjinalitet gojor. Nuk e kanë zgjedhur kot Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së.