Kodi i “Dimrit të vetmisë së madhe”

    688
    Sigal

    REFLEKSIONI/ Kritiku letrar Kadri Ujkaj, shprehet pas përplasjes në gjykatë mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës

    Si student i fillimviteve ‘70-të, në UT, s’mund të harroj lehtë ndjesinë magjike, misterin që do të sillte mes nesh romani “Dimri i vetmisë së madhe” i Kadaresë. “Jo sipas motit e lagështirës së kritikës militante, por në frymën e kritikës letrare akademike” siç do të na këshillonte Umberto Eko, kritiku i madh italian, mendova t’i rikthehem si një lexim krejt ndryshe, tashmë në liri, këtij romani, ndryshe edhe si njё obligim ndaj mungesës së një ballafaqimi serioz të kritikës sonë me Kadarenё sa real, aq dhe sureal.

    Larg formës retorike të studimit të një romani, synimi im kёsaj radhe ёshtё evidentimi i atij “leximi” që, si për shumë vepra të tjera të letërsisë sonë të traditës, nuk është bërë këto vite, me nëntekstin politizues: sa paragjykues, sa asgjësues si “vlera muzeale”, apo thjesht historike, as për ”Dimrin e vetmisë së madhe” të Kadaresë.
    Le tё stacionohemi nё dy personazhe, fare episodikё, njerëz të thjeshtë, “përfaqësues” të klasës në “fuqi”, sipas doktrinës komuniste: Xani dhe Rremë Huta, i pari fotograf, i dyti fshesaxhi. Xani, me vetëdijen revolucionare se pushteti fitohet dhe mbrohet me pushkë, fillimisht vjen në punë me armё (revolver), por, me kalimin e kohës, “për çudi ai u urtësua”, harron revolverin dhe, në govatën ku lan fotografitë, ndjehet si në “mbretërinë e përrallave”, ndërsa Rremë Huta, që vigjilencën revolucionare e shikon në kufijtë e pragmatizmit të tij: Fshesa, puna, vetvetja. “Qesh, qesh, por më duket ma fute, i thotë një qytetari të huaj”: Ndërkohë që “pritej” vigjilenca (jetojmë apo jo në bllokadë), Rremës i erdhi papritur keq për të: “Kushedi si e ka hallin, i shkreti!” nënvizon autori. Si njihemi me të rinjtë e Rrugës së Dibrës që shijojnë jetën në mënyrën e tyre, mes të cilëve edhe Arben Struga, na ofrohet një vajzë me emrin “Kriza e përgjithshme e kapitalizmit”, ideologjikisht, si një ironizim me heretikët konservatorë që i tmerroi liberalizmi i fillimviteve ‘70-tё, autori përmes një digresioni na kalon tek një episod në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare: Një ulkonjë kërkon dy këlyshët e bllokuar në një shpellë në një ditë me dëborë, ku Raboja nëna e Besnik Strugës, gjatë bombardimit struket me “këlyshët” e vet, Besnikun dhe Arbenin. Këmbëngulja e ulkonjës për t’ia dorëzuar të vegjlit, të kujton rolin determinues, të instinktit tek njeriu për të ndjerë gjithçka nga vetvetja. Sikur të thotë t’i mund të më imponohesh, por në thelbin tim, ndryshe sado të më kesh “pushtuar”, ti nuk ke arritur të qenësishmen time. “Truri i Rabos bëri një përpjekje për t’u çliruar nga mpirja dhe e kuptoi më në fund se ç’duhej bërë”, -nënvizon autori. Ndërsa duke iu referuar kandidatit të partisë, Besnik Strugës, ai vazhdon: “Për dy javë ishte vërtitur në ca kooperativa fushore, ish-prona bejlerësh. Atë që quhej përkatësi, urrejtje, ndarje klasore ndjeu papritur t’i shpalosej nën këmbë… ishte diçka e pafund, e rëndë, e përsëritshme në shekuj”, sikur të thotë po ne ç’ndryshuam, aq më keq prekëm negativisht thelbin tonë. Besniku është mjaft skeptik, aspak euforist; ai kurrsesi nuk verbohet para faktit. “Mund të harrosh një qilim persian që të kanë marrë, – i thotë ai Zanës, por një tokë të tërë kurrë. Po të ishe ti me mua atje dhe të shikoje se ç’na kanë bërë dhe ç’u kemi bërë, do të mendoje ndryshe”, i thotë ai Zanës. Simpatia e autorit, larg çdo entuziazmi, lexohet qartë. Ja një tjetër kuadër: të rinj që gjuajnë ta shijojnë kohën, në mënyrën e vet, kur prindërit s’janë në shtëpi: Çlirimi, Beni Irisi, “Kriza…”, Sala që s’u shkon ndërmend motoja “Një bije, mijëra ngrihen” (moto revolucionare e kohës). Nën një
    dekor idhnak, lëvizin në roman, gjithë format ansambël të jetës, dekor që nuk të ndahet për asnjë moment: në rrugë, në mjedise publike, në familje. Kadare, tashmë, i çliruar plotësisht nga idolatria, skema, na fton drejt një poetike postmoderne. Duke përshkruar portretin e shefit të kuadrit, Kristaqit, që ka në dorë si “rregull” monopolin e partisë-kuadrin, Kadare nënvizon: “Besnikut iu duk pa pritur se në nofullat, mollëzat, ballin e zeshkët dhe sidomos në vendosjen e vetullave të tij kishte diçka si shkronja “Z”. Penelatat e holla të autorit, detajet karakterizuese, shpesh si të një bashkësie, zhvendosja e vështrimit të autorit nga një rrafsh tek tjetri, si dhe pleksja e verbit autorial me atë të personazheve, krahas ndërhyrjeve e ndërfutjeve në rrjedhjen e thyer të subjektit i japin arkitekturës së romanit ridimensionim, përmes marrjes e rimarrjes së herëpashershme të spuntove nga momentet kyçe të boshtit subjektor apo episodeve digresionale. Simbolika kontekstuale dhe detaji – diçka nga shkronja Z (zi) rimotivon një rrokullimë më të shpejtë të ngjarjeve. Kur ti mendon se ky shef kuadri, gjurmues biografish në profilin e tij, mund t’i bëhet pengesë Besnikut me çëçëllimat që vijnë nga krimbnaja të llojit Aranit Çorraj, një koçixoxist i thekur, mëson se shefin e kuadrit (monopolin e Partisё) “kur nuk na duhet” s’e pyet njeri Ai thjesht të duket sikur leh si qeni në hënë… “Portrete të reja u dukën atje të palëvizshëm. Ishin anëtarë të Byrosë Politike të KQ të Bashkimit Sovjetik. Roma e tretë, tha me vete Besniku”. Nuk është e vështirë të lexohet nënteksti i fuqishëm. Jemi përpara llojit të një kështjelle Moskaroma apo Romamoska, stilema të goditura kadarejane, ku vëllai do të hajë vëllanë. Kuptohet, kësaj radhe vëllai i madh, Romai, do të vrasë vëllain e vogël Romelin. Roma e tretë (Kremlini) mendoi, – vazhdon autori: “Dhe vendi i dikurshëm i prerjes së kokave ishte atje midis sheshit, mjaftonte që të mënjanoheshin pak statujat prej bronzi të Minjinit dhe Pozharnskit”. Ja mesazhi: Atëherë doni, apo s’doni ta kuptoni: Ju po e demaskoni këtë qëndrim mes “Romajve” e “Romelëve”, ju s’do të njihni më një Romë të tretë (Kremlinin). Atëherë, (nënteksti) na mbetet një finale e madhe: Braktisja e kësaj lukunie ujqërish… Dhe, nëse ju e braktisni, unë, si artist, kam të drejtë të përjetoj, sipas mënyrës sime të shijes, seriozitetin historik të këtij hapi të vendit tim. Pikërisht këtë hap hodhi Kadare. Ndarja me perandorinë ruse në 1961-in qe një lëvizje cilësore që përfshiu të gjithë sektorët e jetës. Vëmendja e letërsisë sonë, me shpresën e ndarjes nga soci zhdanovian, do t’iu drejtohej vlerave të folklorit, si amë, që do t’i ushqente rrënjët e qëndresës në ruajtje të identitetit tonë kombëtar. “Si mjeshtër i vjetër, i thirrur në detyrë, eposi po bëhej gati t’i hiqte ngjarjes pjesët e saj të buta, të vdekshme, alo, po, po…ta gurëzonte duke e bërë kështu të paprishme nga çdo rrebesh” nёnvizon autori. “Objektiviteti”, si kriter substancial i romanit bashkëkohor, me tre komponentët e tij: paanshmërinë, drejtësinë dhe gjakftohtësinë,i japin autorit më shumë frymëmarrje, ridimensionim të vetvetes dhe krijesës së tij, në vazhdën e romancierëve më të mirë të shekullit. Vërtet e ndjen veten komunist Besnik Struga, por jo “si Muça pas daisë”: “Unë jam komunist dhe kjo është gjë e brendshme më shumë sesa e jashtme tek njeriu”, …vetëm si pjesë e tij”, – kurse pjesa e ajsbergut (më e madhja) shfaqet vetëm në çaste rrezikimi të revolucionit”. Komunizmin, si “çështje e përbashkët”, ai s’e ndjen krejt ndryshe, jo si “çështje e të gjithë popullit”, por si çështje e kombit edhe e partisë…Autori përdor fjalën revolucion, jo komb, për të qenë i kujdesshëm me kompromisin ekzistencial, por nënteksti është i qartë: Cila, thotë Besniku, ështё prova? Ja, kjo që kërkon momenti historik! Tek ky i fundit Besniku lexon kombin, Atdheun, kurse censura patjetër “duhet”, ka “të drejtë” të
    lexojë Partinë, çështjen e saj, idealin që kalon hapësirën e atdheut: “S’ka si të jem komunist gjatë procesit të ngrënies, pak mund të jesh në dashuri, pak më shumë në mbledhje, pastaj në punë e kështu me radhë”, vijon ai. Kështu parimi i partishmërisë proletare, parimi bazë i realizmit socialist, sikur cenohet, madje injorohet. Dhe si për të na thënë s’di sa më kuptuat, por mua s’më lejohet të “shprehem” më tepër, autori vazhdon: “Besniku u bë e qartë se ai e kishte me zor të deklaronte në mbledhje, apo në mitingje se e jepte jetën për revolucionin, sesa ta jepte atë më të vërtetë”. Dekori i romanit në asnjë moment, nuk paraqitet entuziast, rozë, por përgjithësisht i zymtë: erë, suferinë, shi, shi, shi: “Në Evropë kishte vazhdimisht mjegull, gjysma e Azisë ishte mbuluar qysh tani me dëborë” Një zymtësi që lexohet në të gjithë romanin, përjashtuar ndonjë episod të grupit të të rinjve, indiferentë dhe cinikë ndaj sloganeve. Ja si shprehet Arben Struga, djali i familjes së revolucionit: “Kush ta kërkojë stafetën, ta mbajë”. Me një fjalë, unë as nuk dua t’ja di këtyre lloqeve. Është fjala për qyqen “stafetë të revolucionit”, që aq shumë vend zuri një gjysmë shekulli në auditorët e lloj-llojeve. Në anën tjetër, Xhemal Struga, (kanceroz, metaforё e vetё sistemit totalitar) e ndjen veten, si “jashtëloje” kur kush është“Dikushi” që ka marrë vesh Ngjarjen e Madhe…
    Cili është definimi final’lumtur i personazheve në këtë roman?
    Asnjë si i tillë, asnjë i lumtur, asnjeri “burim frymëzimi” – jashtë ngjarjes si realitet historik, por i zymtë, qoftë fati i Besnikut apo i Zanës, shumë, shumë i vetëmjaftueshëm në luftën për gjetjen e vetvetes me dinjitet: Besniku humbet Zanën, Zana humbet Besnikun. “Gjithë qenia e tij thirri: Zana! E kishte humbur Zanën”, pohon narratori. I pari e kishte humbur Zanën si rrjedhojë e tejmasës së ngushëllimit balzakian, e dyta e kishte humbur Besnikun si refleks i plotësisë shekspiriane. Njeriu nuk mund të jetë vetëm ajo që duket, por po aq e padukshmja. Kësaj “mangësie”, si mungesë e plotësimit të së tërës apo tejkalim të masës së ngushëllimit, Zana i përgjigjet si plotësim i vetvetes duke flirtuar me Markun, njё i deklasuar, pa pyetur fare për “deklasimin” e tij, edhe pse është vajzë zëvendësministri. Ndryshe asaj i mungon diçka që e plotëson. Faiku, si mjek e ka të qartë formulën e shenjtë të Hipokratit, megjithatë nën ethet e instinktit të plotësisë, ndryshe sigurimit të florinjve, duke u mbajtur në degën e origjinës, realizon pamje nga më makabret, që na kujtojnë egërsinë shtazarake të Kont Ugolinit te “Komedia Hyjnore” e Dantes: Ja kuadri makabër: “Gjatë ngarkimit të kufomave mbi makinën e morgut për arsye…ndodhi diçka ngjethëse: që brenda trupit, në ijën e të vdekurit, u shfaq furishëm tehu i një thike. Doreza e thikës që duhej të gjendej jashtë, ishte brenda, tehu që duhej të ishte brenda, ishte jashtë. Dukej sikur vdekja kishte harruar rrugën normale të shfaqjes së saj”. Nisur, thjesht, nga prania e emrit tё diktatorit, personazhit “gogol”, vepra gjithnjë ka qenë “shkak” denigrues pa të drejtë i vetvetes dhe i autorit. Atëherë kush është personazhi i Enver Hoxhës? Nëse Hrushovi ka një trajtim të mangët, në komicitetin, babaxhanllëkun dhe gjakftohtësinë e njeriut liberal, për E. Hoxhën duhet thënë që dominon deskreptiviteti, ky jepet me tone, theks dhe kolorit që mbetet gjithnjë në kujtesën e lexuesit. Megjithatё, po tё kemi tё fituar brenda vetes lirinё e “atvrasjes”, sipas Frojdit, personazhi qendror që mban gjithë ngarkesën estetiko-filozofike të subjektit në linjën e heroit “pozitiv” dhe qendror është Besnik Struga, kurse E. Hoxha është më tepër një personazh historik, sesa i letrarizuar, ndryshe, ai vjen më tepër në kufijtë e realitetit historik, sesa të reales artistike. Vërtet Hoxha shfaqet në momente kruciale të boshtit të subjektit si-promotor i dramaturgjisë së brendshme të veprës, por ai që “menaxhon” rrjetën e intrigës, që bart gjithë filozofinë dhe mesazhin qendror në roman, si koka e një linje, është B.Struga-familja Struga, kurse E. Hoxha, në pikëpamje subjektore, s’është i tillë. Filozofia e E.Hoxhës – dogma staliniane: “nuk jemi dakort me doktrinën”- i vetmi tonalitet identifikues i tij- nuk arrin të bëhet filozofia dominuese e romanit. Objektiviteti i veprimit tё tij është refleks i vërtetësisë historike, kurse “objektiviteti” artistik si reflektim i filozofinë estetike të autorit vjen plotësisht si kriter substancial i prozës moderne. Ndonëse së jashtmi, Struga, duket si zëdhënës i mesazheve të Hoxhës, së brendshmi ata janë komunistë me vizione jo plotësisht të kundërta, por të bollshme si të ndryshme. Për Besnikun, armiqësia me Hrushovin fillon aty kur: “Ju na kërcënoni se do të na rrëzoni”. Për E. Hoxhën armiqësia fillon aty ku ne nuk jemi dakord me doktrinën. Nëse për Besnikun komunizmi është diçka e brendshme, për E. Hoxhën ajo është gjithçka. Nё funksion tё dekodifikimit tё këtij personazhi, komprometues pa tё drejtё i autoritetit artistik tё romanit dhe vetë autorit, duhet pohuar se, nëse Struga vjen totalisht si figurë artistike, Hoxha, si personazh, afishohet përmes 40 -faqёshit tё arkivёs plotësisht sipas konceptit postmodern tё letёrsisё si univers i vetvetes, ndryshe vetëm në atë sens që i përgjigjet së vërtetës historike, pavarësisht nga nxirja apo ndriçimi në reflektimin e saj. Ndërsa Hrushovi, si fenomen, heroi i liberalizmit sipas motos: Vilë, veturë, vajzë nuk shpaloset i plotë si maratonomaku i një epoke të re, megjithatë, në përjetimin e tij artistik, nuk lexohen doza të urrejtjes, lexohet kthjellët objektiviteti homerik. Nata e “Zimave” të zinj vjen në roman si shumë net e ditë të zeza të kalendarit politik të Evropës, ku synohej dhe u vendos zi e më zi për ne. Kësaj radhe ne e braktisëm pushtetin e kësaj nate, por me një ndryshim tragjik: U përpoqëm të modifikojmë, të origjinalizojmë modelin e kësaj këmishe, ndryshe ta shqiptarizojmë… E, nëse, gjatë kёsaj analize, në ndonjё pjesё romani u duket ende i zymtë, apo i rëndë, nën ankthin e dramës që, ne, shqiptarët e përjetuam aq gjatë,“Dimri i vetmisë së madhe”sikur na thotë: “Unë gjithsesi jam juaji, jam pjesë e dhimbjes dhe e krenarisë, por edhe e tragjedisë sonë tё pёrbashkёt, për të cilën disesi u paralajmërova, por kurrsesi s’e shmangëm dot, po aq sa nuk e merituam”. E, nёse ndonjë “akademiku” do t’i duket anakronike rikthimi ndaj meje, mos harroni se fati ynë, pёrballё padrejtёsisё globale, në emër të mbijetesës, sikur shmangia e kësaj “njolle”mbi shpinën time qenë po aq të pamundura, sa vetë kalvari i sakrificave tona si komb, sa njerëzore, sa territoriale, i tkurrur tashmë, maksimalisht, nё kufijtë e 28.000 km2 , ndryshe as sa 1/4 e vetvetes.
    Koplik, më 26.07. 2012
    *kritik letrar
    Lufta për “Dimrin e Madh”, dorëshkrimi i Kadaresë mbyllet në arkiv
    Gjykata e Tiranës vendosi para disa ditësh në një seancë me dyer të mbyllura që dorëshkrimi origjinal i librit ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’ të ruhet në Drejtorinë e Arkivit të Shtetit, derisa të vendoset nëse duhet ta mbajë autori i tij, Ismail Kadare, apo poseduesja aktuale, Zonja Nexhmije Hoxha. Vendimi u mor nga gjyqtari Bledar Abdullai, i cili vendosi që dorëshkrimi i cili mbahet prej vitit 1972 nga e veja e diktatorit Enver Hoxha, të kalojë në arkiv. ‘Kjo masë sigurimi vlerësohet e përshtatshme për shkak se arkiva, referuar detyrimeve ligjore dhe kushteve teknike të ruajtjes së dokumenteve origjinale, gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme’,-thuhet në vendim. Avokati Arianit Roshi që përfaqëson znj. Hoxha në këtë gjyq, tha se do të zbatojnë vendimin e gjykatës siç edhe kishin deklaruar më herët. Ndërsa avokatja e shkrimtarit Kadare, Flonja Tashko, tha se përmbaruesit do të ndërhyjnë nëse zonja Hoxha refuzon dorëzimin. Sakaq, në muajin shtator do të nisë përballja në gjyq mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës, e paditur nga Kadareja se posedon pa të drejtë veprën, e cila kërkohet t’i kthehet autorit. Shkrimtari Kadare ka paditur në Gjykatën e Tiranës, të venë e diktatorit Hoxha, pasi sipas tij po i mban padrejtësisht dorëshkrimin që përveçse vlerës shpirtërore ka edhe një vlerë të madhe materiale. Ismail Kadare insiston se dorëshkrimi i duhet kthyer pasi nuk ja ka dhuruar Zonjës Hoxha. Kjo vepër është censuruar në kohën e komunizmit si në titull edhe në përmbajtje. Por Nexhmije Hoxha ka deklaruar se libri i është dhuruar asaj nga shkrimtari, ndërsa Kadareja ka deklaruar se mendonte se libri i cili ruhej në arkivat e partisë komuniste, do t’i kalonte shtetit pas rënies së regjimit, por nuk ka ndodhur kështu pasi ky dorëshkrim mbahet nga e veja e ish-diktatorit, Nexhmije Hoxha.
    I nxitur nga ky “sherr” midis shkrimtarit Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës, kritiku letrar Kadri Ujkaj i është rikthyer leximit të “Dimrit të vetmisë së madhe” për të depërtuar në thellësinë e teksteve dhe nënteksteve të shkrimtarit.