Koço MOSKO/ “Pemët e nuses”, një element thelbësor i gostive të tyre

    579
    Sigal

     Një traditë e veçantë në dasmat lunxhiote

    Fshatrat e Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës, janë shquar ndër shekuj për kultivimin e pemëve frutore. Në këtë krahinë dhe në zonat për rreth, janë selektuar disa ekotipe që prodhojnë fruta me vlera të veçanta e unike për nga shija dhe vlerat ushqimore, të cilat janë rezultat i një përkushtimit mjeshtëror të shumë brezave. Mund të përmendim: fikui “shkruar” i zi,  ose i plasaritur i lunxhit, manin e zi të lunxhit, arrat e lunxhit, shega e ëmbël e lunxhit, llojet e shumta të rrushit si “Rrazakitë”, “Debina” e “Puleza”, dardhat e shumëllojëshme aromatike të Labovës e të Suhës, ftonjtë e lunxhit erëmirë, qershitë “Belicë” të lunxhit e deri tek thanat e shumë të tjera. Banorët e vjetër lunxhiotë dhe qytetarët gjirokastritë që i konsumonin, ende i mbajnë mend e i kujtojnë me nostalgji.

                Luxhotët shquhen edhe si kultivues të mirë të perimeve. Lloje të zgjedhura nga bahçevanët mjeshtra, janë nga më të shijshmet në treg. Mbahen mend bostanet (pjepër, shalqi) dhe qepët e Suhës, domatet e Labovës së Kryqit dhe te Dhoksatit, erëzat e shumëllojshme e të veçanta, specat, patëllxhanet dhe bamjet me vlera unike, barbunjat karakteristike plot shije të lunxhit, etj..

                Ky aktivitet i kryer me dashuri e përshkushtim shekuj me radhë nga shumë breza, natyrisht që është pasqyruar edhe në kulturën popullore, folklor, doke e zakone. Një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e çdo njeriu, është martesa. Në ceremonitë e dasmave nëpërmjet artit të popullit, në këngët dhe ritualet, është sintetizuar, derdhur e skalitur mjeshtërisht dashuria për jetën dhe veprimtaria e tyre reale e përditshme. Në Lunxhëri në dasma apo gëzime, frutat janë element thelbësor i gostive apo i këngëve që këndohen, por krahas kësaj ka dhe disa zakone e rituale të veçanta që tregojnë më së miri se sa të lidhur ngushtë janë këta njerëz me pemët dhe frutat e tyre, sa paqësorë sillen me ‘to dhe mjedisin që i rrethon. Mënyrat si shfaqen, si kryhen këto zakone në dasma, sa të natyrshme e njerëzore, sa të arrira artistikisht, sa të mbështetura janë shkencërisht, të lenë pa fjalë. Populli vlerat e tij kulturore i ka ruajtur, transmetuar e konservuar brez pas brezi. Ato nuk ja zhbënë dot okupatorët shekullorë, as dhe diktatura që këto rituale i quante çuditërisht  “zakone prapanike”. Le t’i shohim se si kryheshin,apo ndoshta diku kryhen edhe sot këto rituale.

     Frutat, dhurata të nuseve

                Sipas një rituali zakonor të dasmës lunxhiote, nusja e shoqëruar nga krushqit, kur arrinte në shtëpinë e dhëndrit në oborr, para se ta zbrisnin nga kali, sipas një radhe, i vendoseshin në prehër 2-3 fëmijë të vegjël që duhet të kishin nënë e baba. Preferoheshin djemtë. Mund të ishin fëmijët e të  afërmve të dhëndrit. Fëmijët, nusja i përkëdhelte, i puthte dhe u vendoste në duar karamele e fruta, që mund të ishin: një kokërr mollë, ftua, portokalle, pjeshkë, etj.. Natyrisht që këto fruta duhesh të ishin nga më të zgjedhurat e të thuheshin fjalë të mira për ‘to, ndryshe do ta shanin. Pasi nusja e kryente këtë zakon, e zbrisnin nga kali sipas një riti të veçantë. Në disa rraste, ishte zakon që nusja duhej të hynte në shtëpinë e dhëndrit dhe në dhomën e saj duke mbajtur në duar një nga këto fruta. Pëlqeheshin ftonjtë. Frutat që binte nusja, mund  t’i  ndante me dhëndrin apo dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes së dhëndrit, por ndodhte dhe jo. Ftonjtë nuset i vendosnin edhe në sëndukun e pajës së tyre, për t’i dhënë erë të mirë rrobave.

     Ftesa për “pemët e nuses

                Ky ritual, kryhet në shtëpinë e dhëndrit të hënën në darkë. Sipas këtij zakoni, të afërmit dhe miqtë e dhëndrit mblidhen në divanin e shtëpisë për “pemët e nuses”. Marrin pjesë familjarët dhe të afërmit e dhëndrit si dhe fqinjët e të ftuar nga mëhalla në dasëm, të cilët riftoheshin përsëri nga familja e dhëndrit me “ftesën me gojë”:

    -“Jeni të ftuar sonte në darkë për pemët e nuses”.Ky zakon është shumë i vjetër, edhe pse mund të kryhet ende tek-tuk nga disa familje, diku ndoshta sipas traditës, diku është tjetërsuar e diku është harruar e nuk bëhet fare.

                Për këtë ditë, një varjant interesant më tregoi një miku im nga Korça, kur kujton vitet e fëmijërisë së tij. Pas dasmës nga njerëzit e nuses, të hënën mbrëma  thuhesh: “Do të shkojmë me pemë tek dhëndri” dhe shkonin me frutat më të mira. Një varjant i tillë pak a shumë haset dhe në Labovën e Kryqit. Ndërsa Koço Vasili tek libri tij “Dasma Lunxhote” thotë se  në “Darkën Lejmonicat, ku ndahen pemët e nuses” pjesëmarrësit, pa përmendur të afërmit e nuses, do të sillnin si dhuratë: arra, bajame, lajthi, fiq, shegë, ftonj, mollë, dardhë, pjeshkë, etj., por edhe qepë, presh, hudhra, apo ndonjë kokë lakër, për të bërë ndonjë shaka. Në një sofër, ku mund të ishte vendosur një sini e madhe, të ftuarit mblidheshin rreth saj duke vënë mbi ‘të peshqeshet e mbështjella që kishin sjellë dhe ja fillonin një kënge:

    Lenica, lejmonica,

    Ngreu mëmë arhondica,

    Bjerna pemë e mastopita,

    T’i krrejë nusja këto,

    Të na i japësh motër-o

    Që të trashëgohesh-o…etj.

                Ndërkohë vjehrra me nusen mbushnin sininë me fruta të shumta e nga më të mirat e shtëpisë së tyre dhe të dhuruara nga të ftuarit, si dhe ëmbëlsira e ndonjë gotë raki apo verë. Ndarja e frutave për pjesëtarët e gostisë, bëhej me ankand, kush hidhte më shumë lekë në sini, lekët e ankandit i merrte nusja. Nga personi që fitonte ankandin, hapeshin edhe peshqeshet e mbështjella të sjella nga të ftuarit. Shpërthenin të qeshurat kur dilte një presh, hudhër, kokë lakër, etj.Në këto dhurata, shpesh ndodhte që të ishin perime ku përmasat ishin të mëdha, ose me një cilësi tjetër të veçantë, për të nxitur debatet e të qeshurat, por edhe për t’u treguar pjesëmarrësve se ishte mjeshtra të kultivimit të tyre. Këndohej e bëheshin shakara, kur ndonjëri i lodhur nga punët e dasmës, mosha e rakia, mbështetej pak në një minder, pjesmarrësit i këndonin:

    Ngreu dajko Nase ngreu

    Se nusja pemët i kreu

    Po ty gjumi të rrëmbeu..etj.

                Pas shumë këngësh, shakash, madje dhe vallesh, aty afër fundit të kësaj gostie, nga të ftuarit këndohej kënga:

    Kjo sinia veseli, moj veseli,

    Me fruta, lloi-lloi, moj veseli…etj.

                Në këtë ceremoni secili binte frutat më të mira dhe  mund të quhej një panair apo ekspozitë e vërtetë frutash, ku ekspozoheshin e shijoheshin. Ai që kishte frutat më të mira, merrte dhe komplimentet e rastit. Në ato gosti, shpesh debatohej gjatë për vlerat apo për historinë e një molle, fiku, rrushi, dardhe të mirë me vlera të veçanta. Ndonjë pjesëmarrës, i joshur pas këtyre frutave, vendoste qysh në këtë gosti  për mbjelljet e reja të pemëve. Këtu mbarojnë ceremonitë dhe ritualet e dasmës, por jo zakonet e traditat lunxhiote.

      Ftesa nga të afërmit e dhëndrit e të nuses “për pemë”

                Një tjetër zakon që kryet pas dasmës, është dhe ai i  “ftesës për pemë” të dhëndrit dhe nuses të sapo martuar nga të afërmit e tyre. Ky rit fillonte që në javët e para pas dasmës dhe vazhdonte për 3-6 muaj. Një përshkrim shumë të bukur këtij zakoni, i bën Koço Vasili në librin e tij “Dasma Lunxhiote” f. 239. Ky zakon në fshatra, por dhe qytete, kryhet edhe sot, por me disa ndryshime e thjeshtëzime, dhe jo në ato përmasa që kryhej në fillimet e shekullit të kaluar.

                Në një nga ditët e javëve të pas dasmës, çifti i ri do të ftohej nga të afërmit: xhaxhallarët, dajoret, hallat, tezet, kushërinjtë por dhe ndonjë mik i ngushtë e i veçantë i familjes së dhëndrit. Këto familje do ta ftonin çiftin e ri për vizitë “për ti hapur rrugën nuses”. Ftesa bëhej me gojë. Zakonisht në familjen e dhëndrit, dërgohej një fëmijë, i cili bënte këtë ftesë:

    – “Më tha babai(ose mëma) se ditën e.. .. pas dite, çifti(thuhesh emri i dhëndrit dhe i nuses) janë të ftuar për pemë nga ne”.

                Dhëndëri me nusen të veshur më së miri, por jo me kostume popullore, shkonin në orën e caktuar. Mund të merrnin me vete edhe ndonjë pjesëtar të familjes, fëmijë ose dhe të rritur.  Familja që i ftonte, përgatiste trapezin me fruta nga më të mirat të freskëta dhe të thata. Përgatiteshin edhe ëmbëlsira si petulla, asulde deri dhe dhiplë. Familja që bënte gostinë, mund të ftonte dhe disa njerëz të afërm të fisit.

                Pasi zinin vendet, të gjithë pjesëmarrësit në gosti, në odën më të mirë, në krye zinte vend çifti i ri, ndërsa trapezi me fruta e ëmbëlsira, u vendosej sa më afër. Nusja me dhëndrin e të gjithë të tjerët, qeraseshin me gliko, llokume, amareta, etj., ku nuk mungonte dhe ndonjë gotë raki apo verë. Nuses i krijohej një mjedis i ngrohtë miqësor dhe i prezantoheshin me radhë të gjithë pjesëtarët e familjes, kur nuk kishin njohje. Në këtë mënyrë hahej e pihej për disa orë. Ndodhte që të këndohej apo të hidhej valle, kur bëheshin shumë të ftuar. Bisedohej për fshatin, si shkoi dasma, për cilësinë e frutave, bëheshin shakara, etj. Jo rrallë ndodhte që çifti i ri shoqëruar nga pjesëtarët e familjes, të vizitonin vreshtin, pemët frutore, apo dhe kopshtet me perime e të dilnin edhe në lëmë. Pas kësaj vizite, nusja e kishte rrugën të hapur e mund të vinte pa ndrojtje në këtë familje.

                Ftesa e gosti të tilla, bëheshin edhe nga ana e të afërmve të nuses. K. Vasili për këtë zakon thotë: “Le të mendojmë për një çast se sa trapeze e tavolina do të shtroheshin për çiftin e ri. Do të duheshin javë e muaj të tërë, që të mbarojnë…Në këto ditë të magjishme, të dukej vetja si në ëndërr”.

    *******

                Shoqëria njerëzore, është e prirur që të transmetojë tek brezat e rinj dashurinë për jetën, ku bazë është puna. Duke u thelluar tek mesazhet që na përcjellin ritualet e dasmave lunxhiote, të ardhura që nga lashtësitë, nuk besoj se gjenden shembuj më të mirë e kaq domethënës për ta bërë këtë gjë. Mendoj se asnjë konferencë, seminar, shoqatë, agjenci promovimi biznesi apo shkencore e kohës, sado e dixhitalizuar, nuk mund ta paraqitë kaq bukur, kaq dukshëm e kaq bindshëm, vlerat cilësore e reale të punës për prodhimtarinë e kopshtarisë. Domethënës është fakti se këto mesazhe, u përcillen brezave të rinj, atyre që janë në fillesat e krijimit të një embrioni të ri njerëzor. S’na mbetet gjë tjetër veç t’i respektojmë e të mësojmë nga këto tradita civilizuese, diturake e fisnikërie të të parëve tanë.