KLSH:3.6 mln euro për ujësjellësin në Korçë, në kundërshtim me ligjin

552
Sigal

KORÇË – Nga auditimi i KLSH-së, në ujësjellës-kanalizime, në Korçë, është evidentuar se një ndër investimet më të mëdha në këtë shoqëri pas një marrëveshje huamarrje në vitin 2013 për investimin e shumës  3,623,739 Euro, është realizuar dhe zbatuar tërësisht në kundërshtim me procedurat ligjore.
 
Më konkretisht, sipas KLSH-së në kontratën e nënshkruar nga sh.a. “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë, përcaktohej që ndërrimi i 22,000 matësve të ujit do të financohej dhe realizohej fillimisht nga vetë subjekti privat dhe më pas koston totale të këtij investimi prej 3,623,739 Euro (pa TVSH), shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë do ta shlyente brenda një afati prej 78 muajsh ku vetëm interesi i kësaj kredie prej 3,7% në vit shkonte në vlerën prej 247,739 Euro.
 
Por kredimarrjanë vlera të tilla të konsiderueshme nga ana e shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë, sqaron KLSH është kryer në kundërshtim me procedurat ligjore të përcaktuara në Ligjin nr. 9869, datë 04.02.2008, “Për huamarrjen e qeverisjes vendore” dhe Udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 35, datë 05.11.2008, sipas të cilave duhet të ishin ezauruar paraprakisht hallkat e miratimit të saj nga Ministria e Financave.
 
“Kryerja e një investimi të tillë, pa asnjë studim paraprak të leverdisë ekonomike dhe kostos reale të tij duke e krahasuar me çmimet e tregut, si dhe nënshtrimi i panevojshëm i shoqërisë ndaj kushteve kredimarrëse të një subjekti privat kanë rënduar financat e shoqërisë dhe ulur fitimet e saj. Për më tepër kjo kredi e konsiderueshme është marrë nga ana e shoqërisë në një kohë kjo shoqëri mbart ende kredi të mëparshme të pashlyera ndaj KFW (Banka Gjermane për Zhvillim).”-thuhet në njoftimin e KLSH.
 
Gjithashtu nga auditimi ka rezultuar se prej vitesh ka vazhduar të planifikojë dhe miratojë një koeficient të humbjeve në rrjet prej afro 25% në vit.
 
Mënyra e përllogaritjes së këtij koeficienti nga ana e shoqërisë, sipas KLSH-së linte jashtë analize diferencën e madhe që KLSH konstatoi ndërmjet numrit të familjeve dhe subjekteve private të cilat nuk kishin lidhur kontratë me këtë shoqëri rreth 8000 familje dhe 700 subjekte private.
 
Deklarata e plotë e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 687/1, datë 14.07.2014, nr. 687/2, datë 15.09.2014 dhe nr. 687/3, datë 22.09.2014, zhvilloi auditim në sh.a. “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë.
 
Nga auditimi i KLSH-së, rezultoi se shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë, prej vitesh ka vazhduar të planifikojë dhe miratoj një koeficient të humbjeve në rrjet prej afro 25% në vit. Mënyra e përllogaritjes së këtij koeficienti nga ana e shoqërisë, linte jashtë analize diferencën e madhe që KLSH konstatoi ndërmjet numrit të familjeve dhe subjekteve private të cilat nuk kishin lidhur kontratë me këtë shoqëri (rreth 8000 familje dhe 700 subjekte private). Investimet e këtyre viteve në vlera të konsiderueshme në gjithë rrjetin e ujësjellësit, që nga prodhimi e deri tek konsumatorët, nuk justifikojnë rruajtjen e të njëjtit koeficient të humbjeve në rrjet. Kjo neglizhencë dhe ky keqmenaxhim nga ana e drejtuesve të shoqërisë, ka sjellë si pasojë faktin që vlera totale e mosfaturimit të këtyre humbjeve në rrjet, nga viti 2012 deri në 9 mujorin e parë të 2014 të jetë 178,4 milionë lekë, ose 26,5 % e prodhimit.
 
Një ndër investimet më të mëdha që shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë, ka kryer gjatë këtyre viteve të fundit dhe që sipas shoqërisë do të influenconte ndjeshëm në uljen e humbjeve në rrjet, ka qenë ai i vitit 2013 për financimin dhe instalimin e matësve të ujit, në vlerën 3,623,739 Euro (pa TVSH). Në lidhje me këtë investim të konsiderueshëm, KLSH konstatoi që kontrata nr. 43, datë 11.02.2013 “Për financimin dhe instalimin e një sistemi elektronik për matësit e ujit”, e lidhur ndërmjet sh.a. “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë dhe subjektit privat (përfitues dhe investues njëkohësisht) ishte lidhur dhe zbatuar tërësisht në kundërshtim me procedurat ligjore të prokurimit publik dhe atyre për huamarrjen e qeverisjes vendore, të përcaktuara në Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, Ligjin nr. 9869, datë 04.02.2008, “Për huamarrjen e qeverisjes vendore” dhe Udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 35, datë 05.11.2008 “Për zbatimin e ligjit nr. 9869, datë 04.02.2008 “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”.
 
 
Më konkretisht, në kontratën e nënshkruar nga sh.a. “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë, përcaktohej që ndërrimi i 22,000 matësve të ujit do të financohej dhe realizohej fillimisht nga vetë subjekti privat dhe më pas koston totale të këtij investimi prej 3,623,739 Euro (pa TVSH), shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë do ta shlyente brenda një afati prej 78 muajsh ku vetëm interesi i kësaj kredie prej 3,7% në vit shkonte në vlerën prej 247,739 Euro.
Kredimarrja në vlera të tilla të konsiderueshme nga ana e shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë është kryer në kundërshtim me procedurat ligjore të përcaktuara në Ligjin nr. 9869, datë 04.02.2008, “Për huamarrjen e qeverisjes vendore” dhe Udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 35, datë 05.11.2008, sipas të cilave duhet të ishin ezauruar paraprakisht hallkat e miratimit të saj nga Ministria e Financave.
 
Kryerja e një investimi të tillë, pa asnjë studim paraprak të leverdisë ekonomike dhe kostos reale të tij duke e krahasuar me çmimet e tregut, si dhe nënshtrimi i panevojshëm i shoqërisë ndaj kushteve kredimarrëse të një subjekti privat (kushte këto të diktuara në mënyrë të panegociueshme nga ky subjekt në ofertën e tij) kanë rënduar financat e shoqërisë dhe ulur fitimet e saj. Për më tepër kjo kredi e konsiderueshme është marrë nga ana e shoqërisë në një kohë kjo shoqëri mbart ende kredi të mëparshme të pashlyera ndaj KFW (Banka Gjermane për Zhvillim).
Nga ana tjetër, çmimi për njësi i matësve të ujit prej 120 Euro (pa TVSH), i propozuar nga subjekti privat dhe i pranuar nga “Ujësjellës-Kanalizime” sh.a. Korçë si një ofertë e leverdishme, është shumë herë më i lartë nga çmimi mesatar i matësve të tillë në treg. Për më tepër që në kushtet e një vështirësie financiare, siç pretendon sh.a “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë, kjo shoqëri nuk kishte përse të kryente një investim në matës të teknologjisë “wireless”, ndërkohë që kostoja e ndërrimit të matësve të ujit të qytetit do të ishte shumë herë më e ulët sikur të vendoseshin masa të thjeshtë uji, vlera e të cilëve në tregun tonë luhatet nga 2,100 lekë deri në 2,500 lekë.
 
Në të vërtetë, kostoja e një investimi të tillë duhej t’i ishte faturuar vetë konsumatorit dhe ky investim duhej të ishte kanalizuar në procedurat standarde të prokurimit publik. Referuar VKM nr. 1304, datë 11.12.2009 “Për miratimin e modelit të rregullores “Për furnizimin me ujë dhe kanalizimet në zonën e shërbimit të ujësjellës-kanalizimeve sh.a.”, pika 5, në të përcaktohet që: “… Lidhja e çdo lloj pajisjeje konsumi të sistemit të brendshëm në mjedisin privat të konsumatorit bëhet me shpenzimet e vetë konsumatorit.”
 
Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi në lidhje me mosndjekjen dhe moszbatimin e qëllimshëm të procedurave ligjore për kryerjen e këtij investimi, marrjen e kredisë si dhe mosprokurimin publik, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Korçë, kallëzimin penal nr. 687/12, datë 06.01.2015 ndaj (P.T) Drejtorit aktual të sh.a. “Ujësjellës Kanalizime”, Korçë, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal duke i rekomanduar njëkohësisht Këshillit Mbikqyrës të shoqërisë, largimin nga detyra të Drejtorit të kësaj shoqërie.