KLSH kallëzon ish-drejtuesen dhe 3 specialistë të ZRPP Elbasan

583
Sigal

ELBASAN – Ish-drejtuesja e Zyrës Vendore te Rregjistrimit te Pasurivë në Elbasan, Rudina Plaka, dhe tre punonës të këtij insitucioni janë kallëzuar në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Përveç Plakës janë kallëzuar penalisht shtetasi J.V me detyrë jurist, Z.I me detyre hartograf dhe A.K me detyre juriste.

Personat e mësipërm në bashkëpunim më njëri-tjetrin në 4 raste në Zonën Liqenore të Belshit kanë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, persona përfitues të lejeve të legalizimit, teksa objektet, nuk plotësonin kushtet për legalizim, pasi ndodhen brenda sipërfaqes liqenore.

Ndërkohë sipas KLSH në pesë raste të tjera janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues të lejeve të legalizimit, ndonëse objektet e këtyre të fundit nuk plotësonin kushtet për legalizim, pasi janë ndërtuar mbi pronë shtetërore të regjistruar më parë në pronësi të shtetit.

Në 9 raste janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues me Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi kur ka rezultuar se për regjistrimin e këtyre pasurive dokumentacioni tekniko-ligjor i përdorur për regjistrim është fotokopje e panjësuar nga origjinali.

Në të njëjtën kohë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar largimin nga detyra për personat e sipërshënuar.

Konkretisht KLSH konstatoi:
Në 4 raste në Zonën Liqenore të Belshit janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues të lejeve të legalizimit, kur objektet, nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi ndodhen brenda sipërfaqes liqenore, madje të regjistruara më parë

nga ZVRPP Elbasan në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme (KPP) në zërin kadastral “liqen”. Veprime në papajtueshmëri të procedurave ligjore e nënligjore të përcaktuara për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme dhe konkretisht me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, shfuqizuar me ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, ligjin nr. 8093, datë 21.3.1996 “Për rezervat ujore” dhe VKM nr. 438, datë 28.6.2006, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim”.

Në 5 raste janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues të lejeve të legalizimit, kur objektet e ngritura nuk plotësojnë kushtet për legalizim, pasi janë ndërtuar mbi pronë shtetërore të regjistruar më parë në pronësi të shtetit, kjo sipas regjistrimit në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme (KPP). ZVRPP Elbasan nuk ka vepruar me identifikimin, veçimin dhe regjistrimin në pronësi “shtet”, të pasurisë të regjistruara më tepër se AMTP, por ka pajisur familjet fermerë me dokument pronësie sipas sipërfaqes faktike në terren, edhe pse për këto pasuri nga Këshilli i Qarkut Elbasan, Komisioni i Ndarjes së Tokës është kërkuar zyrtarisht që familjeve fermerë tu hiqet sipërfaqja e tokës tepër, e marrë mbi normën për frymë.

Veprime në papajtueshmëri të procedurave ligjore e nënligjore të përcaktuara për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme dhe konkretisht me ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, shfuqizuar me ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, dhe VKM nr. 438, datë 28.6.2006, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim”. UKM nr. 2, datë 08.4.2009 dhe UKM nr. 3, datë 13.6.2013, “Për mënyrën e Procedimit të Organeve të Administratës Publike për Pasuritë e Paluajtshme të Fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi.

Në 9 raste janë pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie, personat përfitues me Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), kur ka rezultuar se për regjistrimin e këtyre pasurive dokumentacioni tekniko-ligjor i përdorur për regjistrim është fotokopje e panjësuar nga origjinali; certifikata familjare është e datës 01.10.1992, kur ligji kërkon që për regjistrimin e AMTP-ve të fituara në tokat e ish-kooperativave bujqësore duhet të jetë certifikata e gjendjes familjare më datë 01.08.1991, si dhe Pozicionimi i pronave, sipas AMTP, nuk përputhen me kufizimet e regjistrimeve të bërë nga ZVRPP, pra është bërë pozicionimi jo sipas dokumentit por sipas kërkesës.

Në 1(një) rast në ZK 8522 qyteti Elbasan, është pranuar për aplikim, regjistruar e pajisur me certifikatë pronësie përfituesi, për truall me sipërfaqe 497,60 m2, kur dokumentacioni i pronësisë mbi truallin është për një sipërfaqe prej 150.09 m2, pra, duke regjistruar më tepër se dokumenti, sipërfaqen prej 346,70 m2, e cila duhet të ishte regjistruar në favor të pronarit “shtet”. Veprime këto në mospërputhje me VKM nr. 200, datë 19.02.2009 “Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimin e oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”, të ndryshuar.

Në 1 ( një) rast bazuar në një letër ankimore nga qytetari F.M drejtuar KLSH, është konstatuar se ZVRPP Elbasan, nuk ka vlerësuar dhe trajtuar në mënyrë të hollësishme dhe të përgjegjshme, disponimet dhe dokumentet ligjore që ka mbi objektet e gjykimit dhe vendime të gjykatës të paraqitura për regjistrim nga ankuesi e vendosjen e kufizimeve mbi pasuritë e paluajtshme të regjistruar në kundërshtim me ligjin nga persona të tjerë, duke lejuar që pasuritë e përfituara në mënyrë të kundraligjshme, të

disponohen e gëzohen pa asnjë lloj kufizimi, nga mbajtësit e paligjshëm të titujve të pronësisë.

Mbështetur sa më sipër, KLSH me shkresën nr. 767/18, datë 26.02.2015 ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-regjistruesen R. P. dhe 3 specialistë të këtij institucioni : J. V me detyrë Jurist, Z. I. me detyrë Hartograf dhe A. K. me detyrë Juriste, të cilët, për mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale, “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjithashtu është kërkuar largimi nga detyra për personat e sipërshënuar.