Klosi viziton biznesin në Lezhë që kërkon 300 punëtorë

    342
    Nxitja e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës ishin në fokusin e vizitës që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi sot në qytetin e Lezhës me përfaqësues të sipërmarrjes, zyrave të Punës, Inspektoratit të Punës, sindikatave të punëtorëve dhe shkollave të arsimit dhe formimit profesional.
    Në kuadër të kësaj vizite, ai ka vizituar ambientet e fabrikës së këpucëve “Mali”, e cila ka aktualisht të punësuar 200 punonjës, ndërsa kërkon të zgjerojë biznesin e saj dhe për këtë kërkon të punësojë edhe 300 punonjës të tjerë.
    Nisur pikërisht nga kjo kërkesë, kryesisht për punëtorë të kualifikuar, e hasur edhe në këtë biznes, ministri Blendi Klosi ka theksuar se kjo është një tjetër dëshmi se, pavarësisht numrit të madh të punëkërkuesve të regjistruar në zyrat e Punës, ekziston edhe një numër i madh vendesh pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar.
    “Ajo që do donim të evidentonim është se në Shqipëri ka punë, në Shqipëri kërkohen punëtorë, por kërkohen punëtorë të kualifikuar, të cilët jo të harxhojnë një periudhë të gjatë kohe pranë biznesit për t’u kualifikuar, por këtë ta bëjnë pranë shkollave dhe qendrave profesionale, ku mund të marrin zeje dhe zanate dhe të jenë të gatshëm për tregun shqiptar të punës dhe po ashtu për të konkurruar në tregun europian”, – tha ministri Klosi.
    Nisur pikërisht nga ky paradoks i evidentuar edhe në Lezhë, ku nga njëra anë ekzistojnë lista të gjata të papunësh dhe nga ana tjetër ekzistojnë vende të shumta pune që kërkojnë punëtorë të kualifikuar, ministri ka kërkuar edhe një herë nga zyrat e Punës dhe shkollat profesionale që të bashkëpunojnë me biznesin për të marrë prej tij kërkesat dhe për të gjetur punonjësit e duhur.
    “Zyrat e Punës janë të udhëzuara tashmë që të shndërrohen nga zyra pune pasive, në zyra që janë më pranë biznesit dhe që njohin problematikat e biznesit shqiptar”, – tha Klosi.
    Ai ka siguruar gjithashtu sipërmarrësin e kësaj fabrike, por edhe biznesin në përgjithësi, se qeveria është e vendosur që të mbështesë financiarisht nismat që sjellin rritjen e punësimit të shqiptarëve, si dhe do t’u sigurojë atyre kualifikimin e punonjësve.
    “Shpreh gjithë gatishmërinë e institucionit që unë përfaqësoj, duke filluar që nga mbështetja me fonde për nxitjen e punësimit, po ashtu edhe me formimin profesional”, – tha ministri Klosi.
    Ai gjithashtu gjatë inspektimit në këtë biznes është njohur edhe me disa raste punonjësish që kishin tentuar emigrimin e paligjshëm në Gjermani dhe që ishin kthyer për të punuar në këtë fabrikë pasi u ishte refuzuar kërkesa për azil. 
    Sigal