Klosi takim me biznesin turk: Ta fusim Shqipërinë në hartën e vendeve që ofron punë

    454
    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka marrë pjesë në një takim me përfaqësues të biznesit turk, ku në qendër të diskutimeve ka qenë puna e denjë. Klosi tha se Shqipëria ka nivel të lartë papunësie dhe në zyrat e punësimit ka kërkesë të lartë për punë, por sipas tij kjo gjë duhet të përdoret për të nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve që kërkojnë punë të lirë. Ministri theksoi se zyrat e punësimit duhet ta çojnë Shqipërinë në hartën e vendeve që ofron dhe punëson punonjës të kualifikuar. “I surprizuar nga aftësia e biznesit turk. Në emër të qeverisë ju përgëzoj për këtë aktivitet dhe shpreh gjithë mbështetjen për aktivitete të tilla. Suksesi juaj është edhe suksesi jonë dhe i gjithë shqiptarëve. Ne duhet të punojmë shumë që shqiptarët të kenë punë të denjë. 

    Duket si fjalë e madhe por me përpjekje të përbashkëta mund ta realizojmë. E shoh shumë të nevojshme çdo ditë, të kemi një bisedë tre palëshe dhe marrëveshje tre palëshe, mes biznesit, institucioneve shtetërore dhe arsimit profesional. Kemi një nivel të lartë papunësie, në zyrat e punësimit kërkesë të lartë për punë. Ka edhe shumë biznese që kanë nevojë për punonjës të kualifikuar. Kemi nevojë për punonjës të kualifikuar”, tha Klosi. Ai deklaroi se “duhet të ndryshojmë raportin me zyrat e punësimit”. “Nuk mund të kemi zyra pasive, por që bëjnë negociata. Të kemi 80 % të njerëzve që kërkojnë punë të gatshëm për tregun e punës. Ta nxjerrim Shqipërinë nga harta e vendeve që kërkojnë punë të lirë, ta çojmë në hartën e vendeve që punëson punonjës të kualifikuar. Kemi mundësi ta ndryshojmë raportin tonë të punës në tregun evropian të punës”, u shpreh ministri.
    Sigal