Klosi: Strategji për parandalimin e radikalizmit përmes edukimit

    365
    Për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, do të hartohet një strategji e cila promovon edukimin e brezit të ri larg mendësive të konflikteve dhe ekstremizmave. Kështu u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi gjatë një aktiviteti me temë “Shoqëria e hapur, demokracia dhe edukimi si armë kudnër ekstremizmit” ku i pranishem ishte edhe ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi.
    “Ne, në Shqipëri do të prezantojmë një reformë, për të siguruar që çdo fëmijë të edukohet me një mendësi të hapur ndaj botës së besimeve të ndryshme dhe shtigjeve të historisë. Duhet të zhvillojmë programe për komunitetin, të rinjtë, artin dhe programe kulturore, siç është Qendra Rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm, që ne jemi duke krijuar në Tiranë, për të luftuar ndarjen ndëretnike dhe ndërfetare dhe për të larguar me dialog stereotipat. Kjo qendër rajonale që do të hapet së shpejti në Shqipëri, me mbështetjen e partnerëve strategjikë do të fokusohet tek elementët edukativë, ata të bashkëjetesës fetare, pra për të punuar me komunitete të ndryshme, për të rrezatuar atë që është unike në Shqipëri: bashkëjetesën fetare”, – tha Klosi.
    Një vëmendje e veçantë sipas Klosit, nga ana e MMSR-së i është kushtuar pikërisht luftimit të shfaqjeve ekstreme nëpërmjet promovimit të dialogut ndërmjet të rinjve, si një mundësi për të shmangur konfliktet mes vende të rajonit dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.
    “Historia gjeopolitike e vendeve tona na sjell pranë nevojës për të punuar bashkërisht dhe për të shfrytëzuar pikat tona të përbashkëta në favor të së ardhmes dhe të rajonit. Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor do të mundësojë nëpërmjet programeve shkëmbyese rinore, fuqizimin e të rinjve, duke ndihmuar në edukimin dhe rritjen e tyre pa komplekse, pa stereotipe, bashkëpunues dhe të mirinformuar”, – deklaroi Klosi.
    Sipas tij, vendi ynë ka se çfarë të sjellë në këtë drejtim, pasi në asnjë rast nuk ka promovuar apo nxitur ide që mund ta orientonin shoqërinë drejt sjelljeve dhe ideologjive ekstreme. Kjo si në aspektin e marrëdhënieve me fqinjët tanë, ashtu edhe në ato fetare.
    “Në këtë drejtim, një rol kyç duhet të luajnë studiuesit, akademikët, por edhe institucionet e arsimit, të cilat nëpërmjet punimeve të mirëfillta shkencore dhe debateve publike mund të vërtetojnë se ideologjitë që promovojnë ekstremizmin e çfarëdo lloji janë të dëmshme për shoqëritë dhe nuk sjellin zhvillim”, – tha Klosi. 
    Sigal