Klosi në Berati: Biznesi ka nevojë për punonjës, kryesisht të kualifikuar

    342
    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi është përballur sot sërish me kërkesën e biznesit për punonjës, kryesisht të kualifikuar. Gjatë vizitës që ai zhvilloi në një nga bizneset fasone në qytetin e Beratit, në kuadër edhe të analizës 9-mujore të zyrave të Punës, Inspektoratit të Punës, shkollave profesionale të këtij rajoni, Klosi është njohur me kërkesat e biznesit, ndërmjet së cilave edhe ajo për krah pune të kualifikuar. “Këtu realisht ndihesh shumë mirë se kupton që në Shqipëri punohet, Shqipëria punon dhe këtu, në këtë ambient kupton se sa shumë nevojë kemi ne për punëtorë të kualifikuar. Sipërmarrësi na u shpreh sot se ka 300 vende pune të gatshme që presin punëtorë të kualifikuar. Nisur nga fakti se kjo është një kërkesë edhe e bizneseve të tjera që ne kemi vizituar jo vetëm në këtë rajon, ne si MMSR, sistemi i zyrave të Punës, por edhe sistemi i shkollave profesionale, duhet të bëjmë më shumë për të përfituar nga kjo mundësi që na krijon biznesi”, – tha ministri Klosi.
    Nisur nga fakti që biznesi të cilin ai vizitoi ishte përfitues i politikave të nxitjes së punësimit të qeverisë, Klosi tha se ndihej mirë që si pasojë e tyre ishte krijuar mundësia që më shumë se 500 punëtorë të këtij biznesi ishin produkt i fondeve që ka dhënë qeveria për këtë qëllim. “Në Qendrën Shqiptare janë plot 534 punonjës, të cilët kanë kaluar nga sistemi i nxitjes së punësimit dhe kjo është një kënaqësi për ne, sepse projektet tona për nxitjen e punësimit realisht kanë gjetur vendin e vet”, – u shpreh Klosi. Por sipas tij, këto politika janë të pamjaftueshme në rast se të gjitha institucionet shtetërore, zyrat e Punës, shkollat profesionale nuk arrijnë të bashkëpunojnë me biznesin për të orientuar angazhimin e përditshëm drejt kërkesave të tregut të punës.
    Po ashtu, ministri theksoi se qëllimi i kësaj vizite kishte të bënte edhe me komunikimin mes biznesit dhe punëmarrësve, me nevojën për të dalë nga puna e zezë dhe për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve si një investim për të ardhmen e tyre. “Folëm se sa e rëndësishme është që të dalim nga tregu informal i punës dhe të futemi në një punë me rregulla, ku punonjësit të jenë të siguruar dhe të marrin pagën e tyre që u takon, por natyrisht që të kenë dhe kushtet e tyre të punës që në këtë kompani janë afër perfeksionit. Ajo që na mbetet për të bërë është që të negociojmë më shumë me ata që kërkojnë punë dhe të afrohen pranë këtyre bizneseve, që kaq shumë kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar”, – tha Klosi.
    Ndërkohë që edhe vetë sipërmarrësi i kësaj kompanie fason konfirmoi nevojën që ai dhe shumë biznese të tjera në këtë rajon kanë për punonjës të kualifikuar. “Një nga realitetet është dhe fakti konkret, mungesa e kualifikimit të fuqisë punëtore. Ne kemi nevojë për punëtorë të kualifikuar. Ne sot kemi nevojë për 300 punëtorë, për procese të ndryshme pune, dizenjatorë, stampues dhe rrobaqepës”, – tha sipërmarrësi i kompanisë “Center Shqiptare Group”.  
    Sigal