Klipin “Shans është kjo botë”, ja kam dedikuar 100-vjetorit

552
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja Darina Gjebrea: Kënga është ditari im i shpirtit

Në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë çfarë po përgatit Darina?

Unë sapo kam mbaruar klipin e ri “Shans është kjo botë”. Është një klip interesant që për mua mbetet i tillë për vetë faktin se ia kam kushtuar 100-vjetorit. Sigurisht, të gjithë këngëtarët po përgatiten për këtë 100-vjetor dhe unë mendoj se për mua është dhurata më e bukur.

Me cilin ke bashkëpunuar për këtë klip?

Muzika e këtij klipi është bërë nga muzikanti i talentuar Ilir Balla, bashkëshorten e të cilit e kam shumë mike pasi është një këngëtare  shumë e mirë. Madje ajo ka dhe një mbiemër shumë interesant  Babeta. Pra, për mua bashkëpunimi me Ilirin mbetet një bashkëpunim shumë mbresëlënës.

Po tekstin e këngës kush e ka bërë?

Armand Trebicka. Është një tekst shumë domethënës që i përshtatet shumë kohës, pra është shumë koherent. Mund të them se kemi bashkëpunuar në ekip shumë mirë dhe kemi realizuar një klip dinjitoz. Kjo jo sepse e them unë, po kushdo që e ka parë është mrekulluar.

 D.m.th ende nuk është bërë publik klipi?

Jo. Ende. Ai del në mënyrë publike ditët e para të nëntorit. Pra në muajin e Pavarësisë

Mos jeni paksa shumë euforike?

Ahaaaaa….aspak! Jam tejet realiste pasi eci me këmbë në tokë dhe e di ç’kam nxjerrë dhe çfarë po realizoj. Asnjëherë nuk e mbivlerësoj punën time, përkundrazi….

Për të arritur deri këtu cilat janë fillesat e tua të këngës?

Për herë të parë kam kënduar kur isha në klasën e pestë fillore. Flas për në skenë pasi në fakt kam kënduar qysh e vogël fare dhe imitoja ato çka dëgjoja në radio. Atëherë kishte shumë mënyra përzgjedhje por kryesisht  nga Shtëpitë e Kulturës së Pionierëve. Ato ishin shkollat e para për këngëtarët e rinj. Aty ne mësonim shumë gjëra. Edhe unë në Pallatin e Pionierëve në Tiranë mësova shumë dhe kam mbresat më të bukura. Nga ky pallat unë kam marrë pjesë në disa festivale të fëmijëve të Tiranës dhe më vonë dhe në Festivalet Kombëtare të fëmijëve që zhvillohej në Shkodër.

Sigurisht, studimet janë pjesa më e bukur në jetën e një këngëtareje, si i ruani këto kujtime?

Është e vërtetë, kujtimet e shkollës janë ndër më të bukurat. Aty kompletoheshe si këngëtare. Unë kam konkurruar në Akademinë e Arteve për kanto dhe kam fituar. E mbaj mend si sot ditën e konkurrimit. Isha plot emocione. Duhet të dini se kërkesa e llogarisë ka qenë në shkallën maksimale.Paraatyre personaliteteve të muzikës shqiptare më dukej vetja e vogël dhe mendoja se nuk do të fitoja. Por ja dola në krye. I mbarova studimet për kanto. Pas studimeve në fillim kam punuar në Ansamblin e Këngëve dhe të valleve. Atëherë (por edhe sot) ky Ansambël ishte me famë. Aty kam mësuar shumë dhe ishte fat të punoje aty. Ishte fat sepse ishin ajka e këngëtareve dhe të valltarëve shqiptarë. Në këtë Ansambël bëheshin shumë aktivitete dhe detyrimisht që merrje një përvojë jo të pakët. Dua të theksoj se, pas disa vitesh pune në këtë Ansambël më thirrën dhe më emëruan në Ansamblin e Ushtrisë. Aty punova si soliste. Nuk ishte e pakët të ishe soliste në një Ansambël të tillë. Edhe ky Ansambël ishte jo pak me emër. Ishte një Ansambël gjithmonë në lëvizje gjithmonë në aktivitet duke shkuar në çdo cep të Shqipërisë ku kishte reparte ushtarake. Kjo lëvizje të mbante gjallë por ishte dhe shumë lodhëse për mënyrën e lëvizjes me mjete jo komode dhe me ato rrugë automobilistike që s’kishin parametrat e sotme.

 Eksperienca shumë të bukura, besoj se vazhduan edhe ën vitet e demokracisë

Jeta ime e skenës është shumë interesante. Kjo për vetë natyrën e punës time. Pikërisht deri në vitin 1992 unë kam punuar me këtë Ansambël. Pastaj e pashë që e ardhmja ime nuk ishte aty. Shqipëria ishte hapur me botën. Unë doja të shkoja gjithkund ku kishte shqiptarë, Nuk doja ta braktisja profesionin tim dhe pse ishin kohë të vështira, problem ishin dhe vizat, por ne si këngëtare kishim edhe lehtësira. Filluan të më ftonin në shumë aktivitete në vende të ndryshme të botës ku banojnë shqiptarë. Ftesat ishin të vazhdueshme pasi unë isha e njohur që kur isha me Ansamblet. Pra ajo punë aty më kishte bërë të njohur.

 Pra filloi një jetë e re skenike?

E vërtetë. Fillova të shkoj kudo ku më ftonin. Ku nuk ke shkuar… Kam shkuar në rreth 25 vende të botës. Që nga Amerika e deri në Australi. Pra shtëpia ime në këto 20 vjet është bërë avioni. Sa mbaroj në një shtet aktivitet direkt nisem në një shtet tjetër, disa herë humb nocionin e kohës. Më shumë më mungon Shqipëria.

 Por megjithatë keni një moment disi të veçantë në jetën tuaj artistike?

E drejtë. Çdokush e ka një të veçantë në jetën skenike. Spektakli “12 në Hollivud” është një spektakël ku mora pjesë me shumë dëshirë dhe që më bëri me emër. Ai edhe sot mbetet spektakli më i bukur i realizuar nga televizionet shqiptare. Aty u evidentuan shumë emra të rinj të muzikës shqiptare. Kënga është ditari im i shpirtit

 Ju keni mbaruar për kanto, por këndoni më shumë këngë popullore. Pse pikërisht këto këngë?

 Sepse populli ynë është tradicional. I do shumë këngët popullore, në çdo dasmë pjesa më e madhe e këngëve është me këngë popullore. Duket se populli gjen aty gëzimin dhe fisnikërinë e shpirtit. Unë i këndoj të gjitha këngët popullore. Të jugut, të Shqipërisë së mesme, të veriut edhe kosovare. Duke lëvizur skaj më skaj trevave të Shqipërisë kam qenë e detyruar por edhe e obliguar të mësoj të gjitha këngët popullore të çdo treve shqiptare. Tashmë s’më bëjnë përshtypje se, cilat këngë këndoj.

 Shumë herë puna e këngëtarit dhe pse nuk është e drejtë matet me albume. Sa albume ka bërë Darina?

Edhe unë e këtij mendimi jam. S’duhet të matet me albume puna dhe zëri i këngëtarit. Personalisht kam realizuar plot gjashtë albume. Besoj se çdo album ka të veçantat e tij por unë jam e kënaqur pasi kritika thotë se kënga ime ka ardhur gjithmonë në rritje. Albumet i kam bërë në Zvicër, Suedi, Shkup, me këngë popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Mbani dietë?

Besoj se jo sa duhet. Kjo sepse lëviz shumë. Ha rregullisht, por jo të kem preferenca shumë të veçanta.

 Kënga dhe libri, s ii keni aktualisht marrëdhëniet me librin?

 Si kam shumë të mira. Dikur kam lexuar shumë. Sot nuk kam kohë. Jam rrëmbyer nga profesioni.

 Jeni supersticioze?

 Jo shumë. Besoj në Zot dhe në zërin tim.

 Kënga më e bukur?

 Të gjitha, por të tjerët më thonë “Djalo ti rri larg”