KLD, posti i Lefterie Lleshit vakant, diskutohet shpërndarja e gjyqtarëve

    44

    Këshilli i Lartë i Drejtësisë, deklaroi mbarimin para afatit të mandatit të ish anëtares, zj. Lefterije Lleshi, me shkak dorëheqjen prej saj. Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin dhe kontributin  për punën e saj në Këshill. Në fokus të rendit të ditës së mbledhjes së sotme plenare, ishte diskutimi dhe paraqitja e mendimeve mbi projekt dekretin e Presidentit të Republikës, sipas propozimit të Ministrit të Drejtësisë “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe për caktimin e kompetencave tokësore dhe selisë qendrore të gjykatave administrative”. Anëtarët e Këshillit vlerësuan punën e bërë nga Ministria e Drejtësisë, në draftimin e këtij akti të rëndësishëm, mbi bazën e një studimi gjithëpërfshirës për reformën në sistemin e drejtësisë, opinionit të ekspertëve të misionit EURALIUS dhe studimit të Komisionit Evropian për Efiçiencën në Gjyqësor, si dhe mbi bazën e mendimit të trupës gjyqësore.  Anëtarët theksuan se ky projekt dekret është një hallkë e rëndësishme e reformës së sistemit të drejtësisë, pasi ka impakt të drejtpërdrejtë në efiçiencën e sistemit gjyqësor. Rishpërndarja e numrit të gjyqtarëve në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore dhe në gjykatat e apelit, bazuar në ngarkesën mesatare të gjykuar  nga gjyqtarët e kohëzgjatjen e çështjeve, si dhe duke marrë në konsideratë hyrjen në fuqi të ligjit organik për gjykatat administrative, do të shmang zvarritjen e çështjeve, në funksion të mirë administrimit të procesit  gjyqësor. Kjo reformë, do të përmirësojë aksesin e qytetarëve në drejtësi, pasi ka në themel parimin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar “. Presidenti i Republikës theksoi se preokupimi dhe angazhimi kryesor do të jetë në orientimin që aksesi i qytetarëve në drejtësi të jetë sa më i lehtë dhe në kohë. Diskutimet e Këshillit vijuan me shqyrtimin e projekt akteve përfundimtare të vlerësimit të Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 4 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Mbas realizimit të procedurës së votimit të këtij projekt akti, në përfundim u vendos vlerësimi “shumë mirë” për gjyqtarët: Sandër Simoni, Etleva Deda, Luan Hasneziri dhe Gurali Brahimllari.