Klaudia Krasnika: Posta në shërbim të qytetarëve, bazë e reformës, profesionalizmi

    475
    Sigal

    ELBASAN/ Intervistë me drejtoren Klaudia Krasnika për objektivat dhe rritjen e shërbimit cilësor në institucion

    Në një intervistë për  “Telegraf” drejtorja e re e filialit të Postës Shqiptare në Elbasan zonja Klaudia  Krasnika, ka renditur disa prej problemeve me të cilat ndeshet ky shërbim ndaj qytetarëve, por edhe shërbimeve të reja që po aplikohen prej janarit të këtij viti.

    Zonja Krasnika, para pak kohësh jeni emëruar drejtore e filialit të Postës Elbasan, cila është situata dhe problemet me të cilat jeni ndeshur?

    -Së pari, dua t’ju falënderoj për këtë intervistë dhe t’ju shpreh mirënjohjen time për interesin që tregoni si “Telegraf”, për situatën në institucionin, ku unë sot drejtoj. Kanë kaluar gati 3 muaj nga emërimi im dhe gjatë kësaj kohe jam ndeshur me shumë probleme të akumuluara gjatë viteve, të cilave në bashkëpunim me stafin, jemi munduar t’i sistemojmë deri diku. Atë çfarë do të quaja problem dhe që unë e kam prioritet dhe jo vetëm unë, por çdo filial i Postës është cilësia e shërbimeve që ne kryejmë dhe etika në punë. Të qenit  punonjës shërbimi, është një përgjegjësi e madhe dhe reflekton punën e të gjithëve ne që punojmë në administratë. Përballja me klientin është një punë që kërkon mbi të gjitha kualifikim dhe një sjellje perfekte. Klienti është “mbret, posta  është amanet”. Ky është slogani ynë prandaj me këtë slogan ne duhet të ecim dhe të kërkojmë çdo ditë nivelet më të larta të performancës në punë. Një tjetër problem që kam hasur ka qenë ndërprerja e shumë kontratave të shërbimeve që ne kryejmë dhe kjo ka sjellë ulje të treguesve ekonomiko–financiare për  të cilat, që ditët e para të marrjes së kësaj detyre kam krijuar takime me drejtues të institucioneve që ne i kryejmë shërbime për t’i treguar gatishmërinë dhe për të pasur bashkëpunim korrekt dhe duke i premtuar që objektivi ynë si institucion është të rrisim cilësinë e shërbimeve, ku dua të theksoj se kam gjetur mbështetje të madhe tek ata drejtues dhe gjej rastin t’i falënderoj.

    Ju jeni në moshë të re dhe ju është besuar detyra e drejtimit të një ndërmarrjeje, e cila duhet thënë është shumë e shtrirë në aktivitetin  dhe shërbimet në dobi të qytetarëve dhe institucioneve, e ndjeni se keni marrë një barrë të rëndë përsipër?

    -Është e vërtetë që kjo ndërmarrje është shumë e shtrirë në aktivitetin  dhe shërbimet që ajo kryen, të cilat shtohen nga dita në ditë falë punës së mirë dhe projekteve që Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë. Unë nuk e konsideroj një barrë të rëndë, por përkundrazi, e shoh një sfidë dhe çdo ditë e imja në këtë detyrë nis dhe përfundon me të vetmin qëllim, të jemi sa më pranë qytetarëve, të plotësojmë çdo kërkesë të tyre brenda ligjit, të përmirësojmë dhe ofrojmë një gamë shërbimesh për t’i lehtësuar qytetaret dhe për t’i dhënë fund njëherë  e mirë radhëve të krijuara nëpër sportele.

    Si janë pritur nga stafi juaj, largimet nga puna të cilat ndoshta janë bërë për e imponuar nga motive politike, dhe a mendoni se kjo do të ndikojë në cilësinë e shërbimeve postare.

    Së pari, dua t’ju informoj se, Filiali i Postës Elbasan, nuk ka pësuar asnjë ndryshim në administratë dhe vazhdon të jetë po ajo që unë kam gjetur. Ndjehem me fat që përkrah kam një staf të kualifikuar dhe të  përkushtuar në punë. Lëvizjet që janë bërë nuk janë aspak të imponuara nga forcat politike që sot qeverisin, por janë largime të punonjësve të papërgjegjshëm në punë dhe që nuk kanë arsimin përkatës për pozicionet e punës që ato kryejnë. Gjithashtu dua të theksoj që këtë institucion e kam gjetur me një strukture të mbingarkuar dhe me pozicione pune që të ardhurat nuk i justifikojnë ato dublikime të pozicioneve që janë bërë. Për të pasur një performancë sa më të mirë  ne si institucion kemi marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e punës  dhe për të arritur objektivat e vëna për treguesit ekonomiko-financiar.

    Cila është e ardhmja e shërbimeve postare, a keni projekte për përmirësimin dhe perfeksionimin e tyre në dobi të punës tuaj dhe qytetarëve?

    -Ashtu siç u shpreha edhe me lart, qëllimi im është perfeksionimi i shërbimeve që aktualisht ne kryejmë, por gjithashtu, po punohet shumë për marrjen e shërbimeve të reja në ndihmë të qytetarëve. Në muajin dhjetor kemi nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Policisë për arkëtimin e gjobave dhe ky shërbim tashmë kryhet nga punonjëset e Postës pranë ambienteve të policisë për të qenë sa më pranë qytetarëve në një kohë rekord dhe duke i mundësuar këtë shërbim nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Gjithashtu, kemi arritur një marrëveshje edhe me kryetarin e Bashkisë për ndihmën ekonomike dhe të  paaftësisë. Ky shërbim ka filluar që nga janari i vitit 2014, të kryhet nga zyrat tona postare dhe janë marrë të gjitha masat nga ana jonë si drejtori për ta kryer sa më mirë këtë shërbim duke ia mundësuar dhe dërgimin në shtëpi me postë. Jemi në diskutime për marrjen edhe të disa shërbimeve të tjera që shume shpejtë do te kemi edhe marrëveshje zyrtare me ato institucione që ne mund t’i kryejmë shërbime…

    Një mesazh për qytetarët e Elbasanit si drejtuese e filialit të Postës Shqiptare?  

    -Qytetarëve elbasanas i premtoj se Posta Shqiptare do të punojë çdo ditë në dobi të tyre për të përmirësuar shërbimet dhe performancën e punonjësve. Gjithashtu, shpreh gatishmërinë dhe dëshirën time për të qenë sa më pranë tyre, për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve që ato kanë dhe për të pritur mendime dhe ide në të mirë të tyre dhe institucionit që unë drejtoj.